Mbrëmje, 5 Korrik “Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, - TopicsExpress



          

Mbrëmje, 5 Korrik “Kini besim te Zoti përjetë, sepse Zoti, po, Zoti është shkëmbi i përjetshëm.” Isaia 26:4 Duke parë se besojmë në një Perëndi të tillë, le të mbështetemi tek Ai me gjithë fuqinë tonë, duke e larguar me vendosmëri çdo pikë mosbesimi dhe duke u përpjekur që t’i heqim qafe dyshimet dhe frikërat tona, të cilat kaq shumë na e prishin rehatinë, sepse nuk ka shfajësim për frikën aty ku Perëndia është themeli i vetëbesimit tonë. Një prind i dashur do të lëndohej thellë po qe se fëmijët e tij nuk do të kishin besim tek ai, dhe sa e pasjellshme, sa shpirtngushtë është sjellja jonë kur kemi besim të pakët në Atin tonë qiellor, i cili nuk na ka lënë dhe nuk do të na lërë asnjëherë në baltë. Sa mirë do të ishte sikur dyshimet të shporreshin një herë e mirë nga shtëpia e Perëndisë, por druhem se Mosbesimi plak është po aq i gjallë sot sa edhe atëherë kur psalmisti bënte pyetjen: “A ka marrë vallë fund mirësia e tij përgjithnjë? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?” Davidi pa e përdorur gjatë shpatën e fortë të viganit Goliath u dëgjua të thoshte: “Kjo shpatë nuk e ka shoqen”. E kishte përdorur një herë në orën e fitores së tij të rinisë dhe ajo kishte dhënë prova se metali nga i cili ishte bërë ishte i duhuri, prandaj edhe e lëvdoi përngaherë. Porsi Davidi edhe ne duhet të flasim mirë për Perëndinë tonë, sepse nuk e ka shoqin atje lart në qiell a këtu poshtë në tokë. “Me kë kërkoni, pra, të më krahasoni, që të jem baras me të? thotë i Shenjti”. Nuk ka shkëmb si shkëmbi i Jakobit, vetë armiqtë tanë e pranojnë këtë. Kështu që nuk duhen lënë dyshimet torturuese të fshihen më gjatë në zemrat tona, por duhet marrë ajo mizëri e neveritshme dhe duhet vrarë pa mëshirë poshtë tek shtrati i përroit, ashtu siç bëri Elia me profetët e Baalit. Në fakt, vija e ujit ku do t’i masakrojmë është përroi i shenjtë që rrjedh nga brinja e tejshpuar e Shpëtimtarit. Kemi kapërcyer shumë sprova, por asnjëherë nuk kemi mbetur aq keq sa të mos gjenim në Perëndinë tonë gjithçka që na nevojitej. Le të marrim, pra, zemër dhe le të besojmë tek Zoti për jetë e mot, duke qenë të sigurt se fuqia e Tij e amshuar do të vazhdojë të jetë, ashtu siç ka qenë deri më sot, shpëtimi dhe vendqëndrimi ynë.
Posted on: Fri, 05 Jul 2013 05:12:18 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015