Ministritë e reja, ja funksionet dhe se si do të - TopicsExpress



          

Ministritë e reja, ja funksionet dhe se si do të financohen. Zbardhen vendimet më të fundit të qeverisë Rama lidhur me funksionimin dhe financimin e ministrive të reja, të krijuara si pasojë e reformës qeveritare. MINISTRIA E ENERGJISË DHE INDUSTRISË Sipas VKM-së, Ministria e Energjisë dhe Industrisë harton dhe zbaton politika që synojnë garantimin e furnizimit me energji të vendit, shfrytëzimin e burimeve energjetike e minerare në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe dobishmërisë publike, si dhe nxitjen e zhvillimit industrial me standarde sa më miqësore për mjedisin. Ministria e Energjisë dhe Industrisë ushtron veprimtarinë e saj në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës: Sektorin e energjisë elektrike; Sektorin e hidrokarbureve (naftë dhe gaz); Sektorin e minierave dhe gjeologjisë dhe Sektorin e industrisë joushqimore. MINISTRIA E ZHVILLIMIT EKONOMIK, TREGTISË DHE SIPËRMARRJES Ky dikaster këto fusha veprimi: 1. Hartimi dhe zbatimi i strategjive dhe i politikave për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, programimit strategjik dhe monitorimit të investimeve publike për të gjitha institucionet qendrore në vend. 2. Programimi dhe zhvillimi i bashkëpunimit dypalësh me vendet e rajonit dhe më gjerë, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. 3. Ndjekja e procedurave për lidhjen e marrëveshjeve dypalëshe rajonale dhe ndërkombëtare me organizma dhe organizata ku Shqipëria është palë aderuese. 4. Bashkërendimi institucional i procesit të negocimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë me vendet e rajonit dhe më gjerë. 5. Hartimi dhe zbatimi i politikave ekonomike për mbrojtjen e biznesit vendas nga praktika të pandershme të tregtisë ndërkombëtare. 6. Ndjekja dhe monitorimi i të gjitha detyrimeve në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare me organizatat ndërkombëtare ku Shqipëria aderon. 7. Bashkërendimi i programimit, vlerësimit dhe monitorimit të investimeve të huaja, në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit. 8. Ushtrimi i të drejtave që rrjedhin nga të qenit pronar i pronës shtetërore. 9. Kontrollimi i zbatimit të ligjshmërisë për njësitë në administrim. 10. Bashkërendimi i politikave sektoriale për mënyrën e administrimit të pronës publike shtetërore, si dhe të kuadrit, ligjor e nënligjor, përkatës, për rastet kur ky bashkërendim kërkon bashkëpunimin e ministrive të linjës. 11. Krijimi i një klime dhe mjedisi legjislativo-institucional mbështetës për sipërmarrjen, nëpërmjet nxitjes së biznesit dhe liberalizimit të tregut, duke reduktuar pengesat administrative dhe kostot e biznesit për eliminimin e informalitetit dhe korrupsionit, duke u mbështetur në partneritetin e vazhdueshëm publik-privat. 12. Zhvillimi i politikave në favor të biznesit të vogël dhe të mesëm në përputhje me politikën përkatëse evropiane në bashkëpunim me dhomat e tregtisë, shoqatat e biznesit dhe shoqërinë civile. 13. Analizimi i impaktit ekonomik që kanë në biznes nismat ligjore në fusha të ndryshme, duke evidentuar paraprakisht avantazhet/dizavantazhet që ka çdo nismë ligjore, institucionale apo masat me karakter teknik në çdo fushë. 14. Përgatitja e të dhënave dhe treguesve të import-eksportit, masës së shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë me vende të ndryshme dhe analizimi i situatës së tregtisë së jashtme të Shqipërisë. 15. Promovimi i vendit dhe identifikimi i mundësive për investime të huaja direkte në Shqipëri në funksion të zhvillimit ekonomik. 16. Ofrimi i shërbimit të regjistrimit dhe licencimit të operatorëve ekonomikë që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. 17. Përgatitja e projektakteve, ligjore dhe nënligjore, si dhe bashkërendimi i punës me ministritë e linjës për transpozimin e direktivave në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, të drejtës së vendosjes dhe lirisë së ofrimit të shërbimeve, shoqërive tregtare, pronësisë intelektuale, politikës së ndërmarrjeve dhe asaj industriale, si dhe marrëdhënieve me jashtë sipas kapitujve 1, 3, 6, 7, 20, 28 dhe 30 të acquis. 18. Ofrimi i shërbimit të akreditimit për organizmat e vlerësimit të konformitetit. 19. Përshtatje e standardeve evropiane dhe ndërkombëtare dhe ndërgjegjësimi i komunitetit të biznesit për përfitimet nga zbatimi i standardeve teknike në produktet dhe shërbimet e tyre. 20. Zhvillimi dhe mirëmbajtja e etalonëve kombëtarë të njësive të matjes. 21. Kalibrimi dhe verifikimi i mjeteve matëse. 22. Realizimi i inspektimit metrologjik. 23. Propozimi i masave ligjore në fushën e pronësisë industriale. 24. Regjistirmi i objekteve të pronësisë industriale (patentat e shpikjeve, marka, dizenjo industriale dhe tregues gjeografikë). 25. Mbrojtja e pronësisë intelektuale. 26. Miratimi i organeve të vlerësimit të konformitetit për kryerjen e detyrave specifike të vlerësimit të konformitetit për produktet nën përgjegjësinë e MZHETS-së. 27. Mbikëqyrja dhe bashkërendimi i punës për politikat dhe veprimtaritë e institucioneve të infrastrukturës së cilësisë (standardizimi, akreditimi dhe metrologjia). 28. Bashkërendimi i punës për politikat ndërsektoriale dhe përgatitja e propozimeve për zhvillimin e politikës kombëtare për mbrojtjen e konsumatorëve dhe mbikëqyrjen e tregut. 29. Përpunimi dhe propozimi pranë Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorëve i masave në lidhje me shkeljet e interesave ekonomikë kolektivë të konsumatorëve. 30. Mbikëqyrja efektive e tregut për të garantuar përputhshmërinë e produkteve të konsumatorëve me kërkesat ligjore në lidhje me to, me qëllim që të mos rrezikohen: shëndeti, siguria ose aspekte të tjera të mbrojtjes së interesit publik. 31. Bashkërendimi i punës për harmonizimin e legjislacionit në fushën e ofrimit të shërbimeve dhe zbatimit të plotë të parimit të trajtimit kombëtar dhe mosdiskriminimit. 32. Kontrolli i zbatimit të legjislacionit në fushën e ndihmës shtetërore, nëpërmjet analizës, vlerësimit dhe kontrollit të skemave të ndihmës shtetërore dhe të ndihmave individuale, për të siguruar vendosjen e disiplinës së ndihmës shtetërore në vend dhe transparencën në përdorimin e fondeve publike. 33. Hartimi i politikave buxhetore afatmesme dhe vjetore në përputhje me strategjitë sektoriale e ndërsektoriale për fushat nën përgjegjësinë e MZHETS-së, në zbatim të programit të qeverisë dhe të Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim. 34. Përgatitja e akteve, ligjore dhe nënligjore, që i shërbejnë fushës së veprimtarisë së institucionit të MZHETS-së dhe institucioneve të saj të varësisë, si dhe dhënia e opinioneve për projektaktet ligjore që propozohen nga ministritë e linjës. IV. Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes përfaqëson dhe mbron interesat e shtetit brenda fushës së përgjegjësisë, sipas pikës III të këtij vendimi. MINISTRI I SHTETIT PËR MARRËDHËNIET ME PARLAMENTIN Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin e ushtron veprimtarinë e tij në këto fusha përgjegjësie shtetërore: 1. Në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, ndjek dhe bashkërendon veprimtarinë e qeverisë me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë (në vijim Kuvendi), për: a) hartimin dhe miratimin e programit të punës e të kalendarit të punimeve të Kuvendit; b) procesin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të Këshillit të Ministrave, si dhe dërgimin e të dhënave apo të informacioneve gjatë procesit ligjbërës të Kuvendit; c) seancat e pyetjeve, interpelancat, peticionet, si dhe kontrollin që ushtrojnë komisionet e përhershme parlamentare mbi ministritë përgjegjëse apo autoritetet shtetërore përgjegjëse. 2. Përgatit dokumente apo mendime vlerësuese, bashkërendon punën për përgatitjen dhe paraqitjen e projektakteve që propozohen nga Kryeministri apo institucionet e pavarura, si dhe bashkërendon, nëse nevojitet, veprimtarinë e Këshillit të Ministrave, ministrive apo autoriteteve shtetërore përgjegjëse me institucionet e pavarura. III. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për realizimin e fushës së përgjegjësisë sipas pikës 1 të ndarjes II të këtij vendimi, ka këto kompetenca: 1. Merr pjesë në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit. 2. Bashkërendon programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit me programin politik të Këshillit të Ministrave. 3. Informon vazhdimisht dhe në kohë Kryeministrin, kur është rasti edhe Këshillin e Ministrave, për programin dhe kalendarin e procesit ligjbërës të Kuvendit, si dhe për aktivitetet e tjera të tij. 4. Ndjek në mënyrë periodike ecurinë e procesit ligjbërës në Kuvend, nëpërmjet procesverbaleve dhe relacioneve që përpunohen gjatë shqyrtimit të projektligjeve dhe informon Kryeministrin për problematikat që mund të dalin gjatë këtij procesi. 5. Bashkërendon punën për pjesëmarrjen e anëtarëve të Këshillit të Ministrave në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit. 6. Kujdeset për dërgimin në komisionet e Kuvendit të relacioneve, të të dhënave apo dhe të informacioneve të kërkuara nga ministritë apo autoritetet shtetërore përgjegjëse gjatë procesit të: a) shqyrtimit të një projektligji; b) zhvillimit të një procedure pyetjesh, interpelance apo shqyrtimi të një peticioni. 7. Ndjek ecurinë në Kuvend të projektligjeve të ndërmarra me nismën e një deputeti apo njëzet mijë zgjedhësve: a) duke bashkërenduar punën dhe duke u kujdesur për dërgimin pranë komisionit përkatës të Kuvendit të mendimeve nga ministria, në fushën e përgjegjësisë të së cilës është projektligji; b) duke vlerësuar nëse përmbajtja e tyre harmonizohet me programin politik të Këshillit të Ministrave; c) duke bashkërenduar punën me Ministrinë e Financave për analizën për koston financiare që ka projektligji për buxhetin e shtetit, nëse do të ketë një efekt të tillë. 8. Njofton Kryeministrin për problematikat e konstatuara gjatë shqyrtimit në Kuvend të projektligjeve të ndërmarra me nismën e një deputeti apo njëzet mijë zgjedhësve. 9. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në mbledhjet e komisioneve të Kuvendit, ku shqyrtohen projektligje apo akte normative, të ndërmarra me nismën e Kryeministrit. 10. Ndjek së bashku me drejtuesit e institucioneve të pavarura shqyrtimin në Kuvend të projektligjeve, që trajtojnë organizimin dhe funksionimin e këtyre institucioneve. 11. Kujdeset dhe bashkërendon procesin e një kontrolli parlamentar të ndërmarrë nga komisionet e Kuvendit me ministrinë apo autoritetin shtetëror përgjegjës, i cili është subjekt i kontrollit. 12. Bashkërendon punën dhe bashkëpunon me kryetarët e grupeve parlamentare për ecurinë e procesit ligjbërës. 13. Bashkërendon punën me Kryetarin e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare për hartimin e kalendarit të seancave për pyetje, interpelanca, mocione të besimit apo mosbesimit. 14. Përfaqëson Këshillin e Ministrave në institucionet e ndryshme për paraqitjen e programit e të kalendarit të punimeve të Kuvendit, si dhe të përparësive të politikave të qeverisë. 15. Kujdeset për kryerjen e detyrave për përcjelljen në Kuvend të projektakteve normative. 16. Kujdeset dhe ndjek procedurat për shqyrtimin dhe miratimin në Kuvend të emërimeve që paraqiten me propozim të Këshillit të Ministrave apo ministrave përgjegjës. IV. Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, për realizimin e fushës së përgjegjësisë sipas pikës 2 të ndarjes II të këtij vendimi, ka këto kompetenca: 1. Jep mendime për përputhshmërinë e projektaktit me: a) Kushtetutën, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë; b) programin politik të Këshillit të Ministrave; c) kërkesat apo opinionet e dokumenteve politike dhe të raporteve të institucioneve të BE-së, në kuadër të procesit të integrimit evropian. 2. Paraqet në Këshillin e Ministrave analiza, raporte, vlerësime apo rekomandime, të përgatitura nga grupe pune të ngritura me urdhër të Kryeministrit, në lidhje me zbatueshmërinë e normave juridike të caktuara apo për projektakte, të cilat synojnë zbatimin e reformave të rëndësishme, sipas programit të qeverisë. 3. Drejton ose bashkërendon veprimtarinë e grupeve ndërministrore apo ndërinstitucionale të punës për përgatitjen apo vlerësimin e projektakteve, sa herë që kjo i caktohet me urdhër të Kryeministrit. 4. Kujdeset për garantimin nga ministritë përgjegjëse të një procesi transparent të ndërmarrjes dhe përgatitjes së një nisme, ligjore apo nënligjore. 5. Kujdeset për garantimin nga ministritë përgjegjëse të një procesi konsultimi me grupet e interesit, shoqërinë civile për çdo nismë, ligjore apo nënligjore. 6. Realizon, kur është e nevojshme, konsultime me grupe interesi, shoqërinë civile dhe/ose përfaqësues të ministrive, institucioneve të pavarura apo autoriteteve shtetërore përgjegjëse për projektakte të ndryshme dhe informon Këshillin e Ministrave në lidhje me këto konsultime. 7. Bashkërendon punën dhe trajton shqetësimet që kanë institucionet e pavarura apo institucione të tjera, në lidhje me: a) marrëdhëniet institucionale që ato kanë me Këshillin e Ministrave, ministritë apo autoritete të ndryshme shtetërore përgjegjëse; b) hartimin e projektakteve që trajtojnë organizimin dhe funksionimin e tyre; c interesa të tjera që ato kanë për projektakte të ndryshme apo për procesin ligjbërës. 8. Kujdeset për dërgimin në Kuvend të përgjigjeve të përgatitura nga ministritë apo autoritetet shtetërore përgjegjëse për kërkesat për të dhëna dhe informacione gjatë procesit të shqyrtimit të një projektligji apo gjatë një procedure parlamentare pyetjesh apo peticioni. 9. Bashkërendon punën së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për hartimin e projektakteve/akteve normative që propozohen nga Kryeministri. 10. Kujdeset për respektimin e procedurave dhe të afateve ligjore për emërimet që i propozohen Kuvendit nga Këshilli i Ministrave apo ministri përgjegjës. 11. Ushtron funksione bashkërenduese të veprimtarive të Këshillit të Ministrave në marrëdhëniet ndërmjet ministrive. 12. Promovon, në cilësinë e përfaqësuesit të Këshillit të Ministrave, realizimin e objektivave parësorë të qeverisë. FINANCIMI Shpenzimet më të domosdoshme për funksionimin e kabineteve të institucioneve të reja përballohen nga buxheti i aparatit të Kryeministrisë, miratuar për këtë vit. Fondet për shpenzimet e domosdoshme të përdoren për “shpenzime personeli” për stafin shtesë të kabineteve, gjithsej 22 veta, do të dallohen nga numri i punonjësve rezervë të Këshillit të Ministrave dhe për shpenzime të tjera operative.
Posted on: Thu, 26 Sep 2013 21:43:14 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015