Mirdita dhe Gjomarkajt « më: 14-07-2008, 07:52:20 - TopicsExpress



          

Mirdita dhe Gjomarkajt « më: 14-07-2008, 07:52:20 » Mirëdita, krahina e shtrirë në pjesën veriore e lindore të Shqipërisë, midis lumenjve Mat e Drin, ka një emër shumë të bukur e përshëndetës, por edhe një histori tepër të lavdishme e të vjetër. Mirëdita është banuar mjaft herët, që në kohë shumë të vjetra, por të dhënat për emrin e saj si krahinë dhe familjen e Gjomarkajve janë më të vona, të cilat kanë dalë në dritë pas shekullit XV. Mirëdita, në fillimet e para të saj, thuhet se bënte pjesë në qytezën e Dukagjinëve. Ju rrëfej për Mirditën dhe familjen e Gjomarkajve Krahina e Mirditës, me historinë dhe të kaluarën e saj, ku pleksen e ndërthuren pazgjidhshmërisht: kultura, doket, zakonet, traditat, etnografia, legjendat, toponimia, zejet, luftërat dhe njerëzit e saj, prej shekujsh kanë ngjallur një interes të vazhdueshëm, jo vetëm për studiuesit dhe historianët vendas, por edhe për mjaft të huaj. Shtegtarë, gjurmues, studiues, diplomatë, etnografë, arkeologë, shkrimtarë etj., të cilët erdhën enkas në këto vise të panjohura në skaj të Perandorisë Otomane, apo të tjerë, që ndër shekuj u ra rasti të kalonin këtej pari dhe të njihnin nga afër banorët e asaj krahine, (tërësisht të besimit të krishterë), rrallë ndonjë prej tyre nuk u impresionua dhe nuk ndenjën pa hedhur në letër mbi atë çka panë dhe prekën aty. Po ashtu, asnjë prej tyre nuk e ndau dot historinë e asaj krahine, me atë të familjes së famshme të Gjomarkajve, të cilët e patën qeverisur atë që prej disa shekujsh. Por, për arsye që tashmë dihen, për gati gjysmë shekulli me radhë, historiografia dhe propaganda e regjimit komunist, që ishte në pushtet në këtë periudhë kohe, jo vetëm që u mundua ta fshinte nga kujtesa e njerëzve dhe memoria historike të kaluarën dhe historinë e familjes Gjomarkajve, por më së shumti, ajo e shtrembëroi, denigroi dhe e manipuloi atë. Gjomarkajt, me të mirat dhe të këqijat e tyre, (Dhe manej por si një yll drite / vjen Gjomarku prej Mirdite / mir a keq ka bë ndër dhe / mir a keq si gjithkush ndër ne. Padër Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis), kanë qenë pjesë e historisë së Mirditës dhe si të tillë ata nuk mund të zhbëhen nga historia, aq më shumë për arsye ideologjike, apo të koniunkturave të ndryshme politike të atyre që kanë qeverisur këtë vend. Por, edhe pse 50 vjet nuk janë shumë, por as pak në historinë e një kombi, historia e Mirditës dhe Gjomarkajve është paraqitur mjaft e deformuar dhe ajo është trajtuar më së shumti në bazë të këndvështrimeve ideologjike. Edhe pse pas viteve ‘90 ka pasur mjaft shkrime, botime dhe studime të ndryshme për këtë krahinë dhe historinë e saj, përsëri për Gjomarkajt ka mbetur mjaft pa thënë. Në këtë kontekst, libri i Filip Gjomarkajt (një prej pinjollëve të kësaj familjeje të famshme, i cili ashtu si dhe e gjithë pjesa tjetër e fisit, për 45 vjet me radhë e kaloi jetën në internime), Mirëdita dhe Gjomarakajt, që sapo ka dalë këto ditë nga shtypi, është një tentativë që vlen për t‘u përgëzuar. Madje më shumë se kaq. Ndonëse autori në fjalë nuk përpiqet dhe nuk pretendon të flasë si studiues apo historian, në librin e tij Mirëdita dhe Gjomarkajt, ai është më shumë se kaq. Ndonëse në një pjesë të madhe të librit flitet dhe pasqyrohen historitë familjare të Gjomarkajve, ajo gjë nuk ia ul aspak vlerën përpjekjeve të autorit rreth asaj çka paraqet libri në tërësi. Kurrsesi, këtë vlerësim nuk e bëjmë si një kompliment të rëndomtë, siç ndodh shpesh në të tilla raste, por ajo është një gjë që mund ta shohë kushdo që do ketë rastin të lexojë atë libër, prej të cilit kemi shkëputur disa pjesë që po i botojmë në këtë shkrim.
Posted on: Sat, 09 Nov 2013 11:38:50 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015