Muhamet Trepci prezanton punët e tija në ekspozitën - TopicsExpress



          

Muhamet Trepci prezanton punët e tija në ekspozitën ndërkombëtare të pikturës “Aroma”, Stamboll Me datën 20-26 Qershorë 2013 u zhvillua në Stamboll të Turqisë, ekspozita ndërkombëtare e pikturës e titulluar Aroma. Në këtë aktivitet morrën pjesë shumë artistë të njohur të artve figurative nga disa shtete të botës si Abel Kastilo, Alval al-Alwani, Claudio Farnas, Firat Guner, Hasip Pektas, Milvio Leonardon, Vasilis Karavasilis etj. Artistët nga e gjithë bota prezantuan artin e tyre të stilit modern e post-modern. Në këtë aktivitet mori pjesë gjithashtu edhe artisti i vecantë i artve aplikative profesor Muhamet Trepci. Trepci erdhi në këtë aktivitet të artit kontemporan mbas prezantimeve të tija të suksesshme në Itali, Greqi, Mal të Zi dhe në Kroaci. Trepci e ka filluar sfidën e tij, për prezantimin e këtij arti shumë të vecantë me ekspozimin e punëve, gjetjeve të tija në drurin e ullirit në një prej ekspozitave me famë jo vetëm në Itali por edhe në Evropë, në Vittoriano, Romë. Që prej këtij prezantimi, artisti i arteve aplikative Trepci, nuk ka pushuar së kërkuari dhe krijuari figurat e tija në drurin e ullirit. Trepci prezantoi në Stamboll disa gjetje të reja, më të sofistikuara, të cilat janë të lidhura me figurën e zogut, por në një shfaqje tjetër të këtij imazhi, i cili është i lidhur më fluturimin, lirinë dhe natyrën. Figurat e Trepcit, ose gjetjet e tija tashma të kthyera në punë arti, janë disa zogj, në rastin tonë të formës realiste dhe post-realiste, shpesh edhe figura abstrakte. Sqepi i zogut, i gjetur në drurin e ullirit, syri i zogut, janë shenja dhe simbole të cilat tregojnë qartë forcën e natyrës dhe aftësinë e artistit për ti menduar përpara këto figura dhe pastaj për ti gjetur ato, pavarësisht se ato janë të gjetura shpesh pavetedijshem në drurin e ullirit. Krejt ndryshe prej piktorëve të penelit dhe aplikacioneve artistike të artit viziv, aplikacionet e Trepcit, gjetjet e tija, janë të krijuara së pari në memorien e artistit. Prandaj e kam quajtur në një shkrim tjetër Ars-memorativa ose arti i memories. Respekti i Trepcit për drurin e ullirit dhe shenjtërinë e tij, e ka bërë shumë të ndjeshëm për gjetjet e tija të para. Trepci përpiqet që figurave të gjetura ti japi shprehje, lëvizje performancë që është e lidhur me memorien dhe natyrën artistike të tij. Arti memorativ mund të jetë pjesë e studimeve gjuhësore për artin viziv. Punët ose gjetjet e Trepcit kanë domethanjet të vecanta, të cilat prezantohen me shumë art dhe talent nga Muhamet Trepci. Një element tjetër që i rrit vlerat artistike të punëve dhe prezantimit është edhe mënyra se si Trepci i vendos në kornizat të cilat bëhen pjesë e këtyre gjetjeve shumë interesante dhe ja shtojnë vlerën artistike. Punët e Trepcit u vlerësuan lart nga pjesmarrësit, për vetë natyrën e këtij arti që është krejt i vecantë, por qëndron shumë mirë me punët të cilat bëhen me penel dhe spatul. Në rastin e këtyre punëve, një rol shumë të rëndësishëm lot vemëndja dhe memorja e artistit. Punët i vlerësuan jo vetëm nga publiku dhe media, por edhe nga kritika. Drejtori i ekspozitës Aroma të Stambollit zoti Selcuk Kaltalioglu vlerësoi lart punët e Muhamet Trepcit për natyrën e tyre të vecantë dhe risinë që sjell ky lloj arti dhe për pjesmarrjen serioze të artistit të artit aplikativ Muhamet Trepci. Trepci gradualisht po prezanton punët e tija krahas shumë artistëve Europianë dhe botërorë duke i dhanë artit të tij rëndësinë dhe vendin që meriton. Muhamet Trepci ka botuar gjithashtu një libër të titulluar “Me emocionet e nanës natyrë”, ku spjegon teorikisht se si lindi ideja e prezantimit të punëve dhe se si ai i gjeti punët e tija, këto vepra arti me domethanje të vecanta. Në librin e tij autori është ndër të parët që i drejtohet linguistikës, semiotikës shkencës së studimit të shenjave dhe simboleve linguistike, për të prezantuar gjetjet e tija në drurin e ullirit dhe teorive të Umberto Eccos. Art do të thotë rregulloj, përshtas, sistemoj. Art do të thotë gjithashtu në latinisht Ars, aftësia për të qenë, për të bërë, në kundërshtim me Inertis, i paaftë, paftësi. Trepci artikulon shumë mirë, falë fantazisë, intuitës së tij artistike, gjetjet e tija në drurin e ullirit, duke i bërë ato ekzistuese, shprehëse, të qenësishme, me domethanje, e që do të thotë, me art.
Posted on: Tue, 23 Jul 2013 12:29:56 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015