Mëngjeset e mia janë gjithmonë të vështira. Ca pse përtoj - TopicsExpress



          

Mëngjeset e mia janë gjithmonë të vështira. Ca pse përtoj të ngrihem nga shtrati, e ca pse më mungon arsyeja për t’u ngritur. Si i papunë që jam, më pëlqen të vërdallosem gjithë ditën në shtëpi, pa bërë gjë prej gjëje.Më shkoqur, fryj sytë! Të njëjtën gjë kisha në plan të bëja edhe sot, po të mos qeshë regjistruar në një konkurs të rëndësishëm para ca ditësh. Çdo gjë e ka një kufi, apo jo? Ç’t’i bëj gruas, që iu mërzit jeta duke më parë sa nga njëri divan në tjetrin, pa të ishte për mua do të kthehesha në anën tjetër. E kështu, një ditë të bukur më tha se kishte aplikuar me emrin tim në një vend pune. “Një diplomë e ke”, shtoi ajo, “fitoje vendin dhe mu hiq sysh ca orë”. Pasi e poqa propozimin gjithë ditën pata televizorit, vendosa të paraqitem. Nuk i kisha humbur ca lidhje të mijat, prandaj e pata të lehtë të informohesha mbi procedurën. “Të konkurosh, ore, pse jo”, më nxiti një ish miku im, gjysmë i ngushtë, kur gjithë përtesë i thashë hallin që më kishte zënë me gruan. Më siguroi se me karakteristikat e mia, ai vend ishte i sigurtë. Konkursi ishte thjesht formalitet. Më në fund, do t’i hiqesha gruas nga sytë për ca orë në ditë. U gëzova për një çast, pastaj më kaploi sërish ajo ndjesia kur fëmijës i merr diçka nga dora. Mua po më merrnin divanin, po më ndanin prej tij mizorisht. Mbrëmë imagjinoja sikur e kishin lidhur me ca zinxhirë të trashë dhe e tërhiqnin me sa fuqi kishin, e ai i gjori nxirrte ca klithma gërvishtëse. Nuk donte të ndahej nga unë, as unë nga ai. U përpoqa më kot t’i shpjegoja se kjo gjendje do të ishte e përkohshme, se unë do të isha sërish me të gjatë darkave, se do të shihnim gjithmonë bashkë televizor deri vonë. Pas kësaj, e imagjinova që e mblodhi disi veten. Sa po përtoj të ngrihem! Ky i mallkuar alarm bie gjithmonë herët në mëngjes. Pa shih, paskam një mesazh nga ish miku: “Dëgjo, ai vend nuk bëhet, ia dhamë një tjetri, një miku, kupton? Por ti eja, bëje njëherë konkursin, se nuk i dihet”. Renda i entuziazmuar në kuzhinë dhe përqafova divanin tim. U shtriva mbi të, ndeza televizorin e tani po ndjek lajmet e mëngjesit: “Papunësia është në rënie…” _R. Kalemi.
Posted on: Tue, 01 Oct 2013 20:23:45 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015