Nenonazistët Grekë, thirrje lufte nga varreza e - TopicsExpress



          

Nenonazistët Grekë, thirrje lufte nga varreza e Himarës Zbardhet deklarata në meshën për Aristotel Gumën. “Ai ra si hero” “Agimi i Artë”: Nuk ikim nga Himara deri në momentin e çlirimit. “Agimi i Artë nuk do të ikë nga Himara deri në çlirimin e saj. Ne do të vazhdojmë luftën”. Deklarata e fortë nga përfaqësuesit e partisë ekstremiste të djathtë greke është bërë të dielën, në ceremoninë përkujtimore për minoritarin e vdekur tre vjet më parë, Aristotel Guma. Në territorin shqiptar ata nuk janë stepur, madje duke bërë thirrje për luftë dhe çlirimin e një zone në mes të Shqipërisë. Vetëm një ditë pasi bllokuan mediat shqiptare që të filmonin meshën e mbajtur në varrezat e Himarës, dje vetë ata kanë publikuar videon me fjalën e plotë të mbajtur mbi varrin e Aristotel Gumës. Ai që ka lexuar deklaratën pranë varrit të Gumës ishte Kristoforos Tsankas, pranë të cilit ndodhej një shtetas shqiptar nga Lukova, i veshur me bluzën e zezë të ekstremistëve grekë. “Po them dy fjalë në emër të komandantit tonë Nikos Mihaliakos, të kryesisë dhe në veçanti të të ngarkuarit për çështjet e helenizmit, Kristo Papas, i cili nuk mund të ndodhet këtu, pasi regjimi i jashtëligjshëm i Tiranës e ka shpallur atë ‘non grata’ për shkak të aktivitetit të tij patriotik. Por mendja e tij ndodhet këtu me ne. Poeti ynë kombëtar, Dhionisis Solomos, ka shkruar: ‘Mos vallë kam gjë tjetër në mendjen time, veç lirisë dhe gjuhës?’ Pikërisht këtë kishte në mendje edhe Aristotel Guma. Liri dhe gjuhë, ndaj dhe ra si hero”. Por, ky ishte vetëm fillimi i deklaratës së përfaqësuesve të partisë ekstremiste, për të cilët nuk dihet ende nëse ishin ftuar apo jo nga familja Guma në këtë përkujtimore për djalin e tyre. “Vdekja e tij tragjike tregoi se me të vërtetë ai u tregua grek dhe vrasësit e tij tiranë. Është fati i grave të Himarës të lindin heronj. Dhe është fati i kësaj toke që të mbajë në gjirin e saj trima. Si njerëz na vjen keq për vdekjen e tij. Si grekë ne mbajmë në zemrat tona kujtimin e tij, sepse vdekja e tij tregoi madhështinë e burrit. Kriminelët që i hoqën jetën nuk mund t’i përdhosin emrin, i cili do të mbetet i përjetshëm. Ai humbi jetën për të fituar përjetësinë. Zonja dhe zotërinj, Agimi i Artë nuk vjen në Himarë për të ikur. Bëjmë nderime mbi varrin e tij dhe premtojmë se do të vazhdojmë luftën deri në momentin e çlirimit. Rroftë kombi!”, e mbylli deklaratën Tsankas. Në ceremoninë e mbajtur për 3-vjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës nuk ka folur asnjë prej familjarëve të tij, të cilët humbën djalin e tyre në ngjarjen e ndodhur më 10 gusht 2010. 35-vjeçari u përplas për vdekje nga një makinë ku ndodheshin disa të rinj nga Vlora, me të cilët kishte debatuar pak kohë më parë viktima. Gjykata e vlerësoi aksidentin si të paqëllimshëm, duke dënuar vetëm drejtuesin e makinës.
Posted on: Tue, 13 Aug 2013 12:25:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015