Nga Bledi Mane & Reldar Dedaj 1./ Nuk ka kurrfarë optimizmi - TopicsExpress



          

Nga Bledi Mane & Reldar Dedaj 1./ Nuk ka kurrfarë optimizmi te Lulzim Basha. Edhe Luli, edhe optimizmi, janë mjegulluar të dy bashkë. Ta kundrosh oratorinë dhe gjuhën e trupit të tij shpesh shihet sesi përshkëndit burimin emocional nëpërmjet tonit të tij grindavec e përgjithësues. Kriticizmi që Basha ka nisur kaq herët ndaj një qeverie, e cila ende nuk ka lindur, është vetëm një shprehje e gërnjës dhe keqdashjes ose një kompleks inferioriteti duke pasur parasysh, shkaqet që sollën, kushtet nga të cilat rrodhi fitorja popullore e të majtës së bashkuar. Megjithatë një kriticizëm politik i mençur, i domosdoshëm, e mbi të gjitha, që të konsiderohet i justifikueshëm në këtë çast për kandidatin për kryetar të PD-së; duhet me patjetër të jetë krahasues. Ai nuk merret me situata gjithçka ose asgjë, por me alternativa praktike; një qëndrim kritik përgjithësues i ndërtuar mbi Edi Ramën, dëshmon për nxehtësinë e ndjenjës sesa për dritën e mendimit. Nuk ka këllqe që porsi një lider i opozitës së nesërme t’i bëjë bilanc dhe inventar partisë dhe humbjes së vetë kësaj partie. Nuk atakon as ministrat e dështuar, as parlamentarët humbës, as politikat agresive dhe as luftën e ftohtë të nxehtë që PD i bëri çdo kundërshtari jashtë dhe brenda vendit. Bytha nuk ia mban të kritikojë drejtësi, arsim, shëndetësi, ekonomi sepse ia zënë në grykë fjalën duke i përplasur dosjet e pamykura me vjedhjet e rrugës së Kombit e deri te gjaku i patharë i 21 janarit 2011. Me sa duket “demokratët” kanë shumë pak kërkesa për një ideal të fortë. Ky ideal që ishte një qeverisje sa më korrekte, sundonte në mënyrë absolute mbi të gjithë shpirtrat në 2005, dhe çdo ithtar i Partisë Demokratike ishte gati të sakrifikonte për të pasurinë, punën dhe jetën. Kur Berisha erdhi në pushtet, ngadalë-ngadalë një grusht njerëzish, disa të ardhur nga jashtë, disa të gjendur aty dhe disa të tjerë nga rrethet u mblodhën tok së bashku, të qeshur, të krehur, të lëpirë, të lyer, të veshur, të mbushur plot ideale dhe alternativa trumbetoheshin përballë opinionit publik me duart e tyre të pastra me manikyr, por pa dorashka. Ishte një ideal i madh kombëtar, pas një qeverisje tetë vjeçare gangrenizuese të socialistëve, por u tret si fillim me gërdecosjen e vendit derisa më 2013 u qelb e mori erë kokë e këmbë. Pushteti mbetet kodoshi joshës e nuk vonoi shumë që duart e bardha rrezëllitëse të fiksuara nga fotografi Fadil Berisha filluan të futeshin në xhepat alabastër të ndonjë imazhi që shfaqej aty- këtu në kronikat demode të Klanit të Fevzos dhe Opinionit të Frangajt. Tashmë drejtuesit e qeverisë i kishin ndryshuar praktikat e tyre, ishin futur në hullinë e luksit, vjedhjes, abuzimit, indiferencës, pa u interesuar aspak për imazhin dhe për një qeverisje sa më të mirë në të gjitha nivelet e shtetit. Partia e madhe u bë një han gjigand ndryshe nga PD-ja e parë. Ajo dukej ende plot gjallëri kur skandalet e shumta korruptive u duken te dera e saj, por fryma, ajo energji pozitive, një ide që kishte arritur të shndërrohet në ndjenjë për të gjithë demokratët, me keqardhje, kishte kohë që kishte dhënë shpirt. Siç shihet kjo parti kishte humbur atë element bazë që nuk mund ta zëvendësojë asnjë zhvillim marketingu apo mendor. E kam fjalën për shpirtin e fushatës, “luftën ndaj korrupsionit dhe heqjen e varfërisë”. Zakonet u prishën, idetë u hodhën, karakteret u luhatën, premtimet nuk u mbajtën, gjithçka degradoi ngadalë edhe pse po vihej re nga të gjithë. Andaj, sot, beteja e Lulzim Bashës nuk është mbi të gjitha një betejë me Sokol Olldashin, por ajo duhet të jetë mbi gjithçka një forcë organizuese e të gjitha forcave mobilizuese për ta ngritur këtë parti nga rrëpira morale që ka rënë, në një stad të epërm të atyre vlerave që deri më tani flamurin e kanë ulur në gjysëm shtizë. Nga kjo betejë duhet të pritët një kandidat që s’e ka ndërmend të merret me politikën e llogoreve ne dhe ata. Duhet të pritet, gjithashtu, një person që ka ndërmend të shkëputët përfundimisht nga ideja e një politike të vjetër që edhe në rast humbjeje fajin e ka kundërshtari, për arsye se ai ishte më i fortë se ne. Gjithashtu nga zoti Basha anëtarët e Partisë Demokratike, që pritet ta votojnë masivisht, më në fund, duhet me patjetër të realizojë një atëvrasje si shenjë e një shkëputje përfundimtare nga zgjedha e Berishës. Për t’i treguar të gjithë shqiptarëve që nesër është një opozitë tjetër, pikërisht ashtu siç thotë Michel Foucault: “Pushtet tjetër, tjetër dije”. Pavarësisht kësaj hëpërhë nga ligjërimi i tij politik nuk shihet ndonjë shenjë e mirë. Që të jesh një lider partie duhet të dish para së gjithash si të depërtosh brenda vetë familjes tënde politike, të kuptosh ëndrrat e saj dhe të mbrosh në emër të saj të vërtetën e hidhur sepse gjërat nuk ndryshojnë vetvetiu. Vetëm e vërteta e humbjes, pranimi i shpërdorimit të besimit që populli iu dha mund të formulojnë qëndrimin tënd jo vetëm brenda partisë, por një të nesërme sado të largët të jetë edhe të arrijë të formulojë qëndrimin si një lider i denjë për të gjithë shqiptarët. Kjo duhet të jetë sfida juaj. Me patjetër duhet të kapësh fort pas saj. Gjithashtu duhet të dish se po të realizosh atëvrasje, ti ke arritur të shkatërrosh përfundimisht një të kaluar autoritare, e cila vazhdimisht ka vepruar në mënyrë të prerë. Një e kaluar që ka kërkuar gjithmonë të zmbrapsë, të flakë tej, ta zhysë në harresë çdo traditë kulturore që e kundërshton, ndërsa gjithmonë ka tentuar të marrë në mënyrë krejt të thjeshtëzuar e të tjetërsuar ato tradita të mendimit që kanë funksionuar gjithmonë sipas një logjike homogjene, përngjitjeje me Njëshin. Sot, ju, keni rastin e madh ta thyeni njëherë e përfundimisht këtë traditë, si një model kulturor që arrin të shpëtojë jo vetëm vetën tuaj, por edhe të gjithë shqiptarët nga një e kaluar e gjatë tranzicioni kulturor, mendor, politik dhe së fundi ekonomik. Kemi dëshirën e madhe të besojmë se e nesërmja do të na gjejë me një opozitë konstruktive në mendim, në qëndrim me institucionet dhe mbi të gjitha me një klimë mirëkuptimi për interes të shqiptarëve dhe Shqipërisë. Prandaj, z.Basha ju duhet të shkëputeni nga mendimi se të konkurrosh për kreun e partisë duhet t’i ngjash akoma edhe më shumë kryetarit të mëparshëm, të flasësh në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën logjikë, me të njëjtat terma nuk besoj se do sjellësh një frymë të re. Edhe pse e kuptoj se gjurma e Berishës vazhdon të jetë ende e madhe. Duhet të zhvilloni ballëhapur betejën tuaj me të vërtetën. Me siguri kjo është edhe sfida juaj nëqoftëse nesër ju do dëshironi të jeni një udhëheqës partie i legjitimuar moralisht. Dhe në asnjë mënyrë t’i bëni bisht asaj, duke u strukur poshtë prehrit të Berishës, si shenjë e konformizmit me traditën familjare, uniformitetit të të metave dhe gjetjen e fajit diku jashtë, mjafton që të mos jetë brenda familjes. Kjo nuk është një garë korrekte, pasi opozita nuk është e rëndësishme vetëm për elektoratin e saj, por ajo mbetët akoma edhe më e rëndësishme për institucionet e vendit dhe si rrjedhojë e kësaj e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë. Ju porsi një militant i zellshëm nuk duhet të kapeni me pasion dëshpërimisht pas ideve dhe perëndive të vdekura. Sot, duhet kuptuar se brenda kulturës sonë politike ka qenë gjithmonë e tmerrshme ajo orë kur autoritarizmi porsi një bishë e tërbuar u zhyt në katakombet e thella të nëndheshme ku flenë perënditë e vdekura. Fjalën nuk e kemi për Sali Berishën se ky i fundit nuk është më perëndi e as nuk ka vdekur fizikisht. Politikisht mbetet i gjallë dhe i frikshëm, por frika po zvenitet. Zgjedhja e gabuar me Lul Bashën do ta murosë të gjallë porsi Rozafa e pavarësisht se allatet mund t’ia lenë jashtë, është 100% e sigurt se prej andej nuk ka për të pikuar asgjë. Fishkja biologjike mbylli përfundimisht etapën e fishkjes së një neodiktature, e cila stërlodhi një vend e një popull, por rafinoi instinktin e votimit peblishitar. Ndaj Lul Basha ta gëzosh mandatën e kryetarllëkut artificial, ndërsa ju qeverisësit e rij besoj se vutë mend që nuk u riciklon më askush edhe sikur ta kopjoni mentorin e Lulit në çdo allishverish makiavelist.
Posted on: Tue, 16 Jul 2013 12:24:08 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015