Një vit më parë, Urim Gjata ishte njeriu që denoncoi - TopicsExpress



          

Një vit më parë, Urim Gjata ishte njeriu që denoncoi korrupsionin në Dogana të Shqipërisë. Por, në vend që të merrte përgjigje për akuzat që hidhte për persona dhe ngjarje konkrete, u kërcënua me jetë. Pas shumë peripecish arriti të largohej nga Pogradeci, duke lënë pas familjen. Ai tashmë ndodhet në Suedi, si azilant politik. Gjata, në një bisedë për Shekullin, flet edhe për një nga episodet e abuzimeve të administratës së PD-së, të kontrabandës së karburanteve, pikërisht me vajgurin që përdorej nga aeroplanët e ushtrisë serbe të përfshirë në konfliktet në Ish-Jugosllavi në vitet ’90. Sipas rrëfimit të tij, gjithçka kontrollohej nga Tiranë dhe nën mbrojtjen e SHIK-ut (Shërbimit Informativ Kombëtar) të asaj kohe. “Unë mund t’ju rrëfej njërin nga episodet, që besoj se e ilustron shumë mirë. Ka qenë pranvera e vitit 1996 rreth muajit maj-qershor. Botet me vajgur special për avionët, ose ndryshe kerozina vinin çdo javë nga 7-8 me itinerar. Ngarkoheshin në Greqi dhe mbasi ndërronin dokumentet dhe mjetet në Bullgari, nëpërmjet Maqedonisë, futeshin në Qafe-Thanë drejt Shqipërisë për të përfunduar në Serbi. Kjo rrugë kishte kohë që bëhej. Këto bote kishin drejtues bullgarë, por që flisnin mirë dhe greqisht, gjuhën me të cilën jemi marre vesh në doganë. Shoqëroheshin nga një shqipfolës nga Maqedonia, i cili ishte me një sy dhe prej doganës merreshin nga një tjetër person, që i shoqëronte me disa vetura drejt vendit ku do shkonin nga një person tjetër me shumë influencë në Shqipëri me emrin Esat”. “Kalimi i boteve mbahej i fshehur sidomos nga gazetarët e gazetës ‘Koha Jonë’, që vinin shpesh në Qafë-Thanë në mënyre të fshehur. Ne, pasi e pamë që diçka nuk shkonte mirë me transportin e kerozinës, vumë në dijeni drejtorin e divizionit të policisë doganore Korçë në atë kohë, z. Arben Doçi”. “Brenda javës grupet tona arritën të ndalojnë dhe bllokojnë në aksin nacional Qafë-Thanë pasi kishin dalë nga dogana gjashtë bote, ndërsa pesë të tjera, pasi u lajmëruan nuk u futën në territorin doganor shqiptar, duke qëndruar në zonën neutrale dhe u kthyen mbrapsht në Maqedoni. Ishte mesnatë kur ne i bllokuam në aksin e Qafë-Thanës së bashku me drejtorin tonë z. Arben Doçi dhe drejtuesit Asan Dyrmishi (ish-kryetar i policisë financiare në Pogradec), që ishte një nga përgjegjësit tanë. Mbas disa orësh bllokimi në aksin rrugor botet u bllokuan dhe u nisën të shoqëruar nga ne në drejtim të Pogradecit, duke ju marrë dokumentacionin e mallit dhe pasaportat e shoferëve bullgarë. Në Pogradec në lojë u fut menjëherë SHIK-u i Tiranës dhe veçanërisht i qarkut Korçë, duke na marrë dokumentacionin në kundërshtim me ligjin, ndërsa mjetet i çuan jo në parkingun e doganës Pogradec, por në zonën e vilave qeveritare, brenda Gardës”, thotë Gjata. Sipas tij, shoferët u morën në pyetje nga SHIK-u, ndërsa botet ruheshin nga ushtarët e Gardës dhe nga punonjësit e SHIK-ut në Pogradec, që qëndronin pranë boteve, brenda rrethimit të Gardës. “Shoferët u liruan dhe i lanë në një hotel, por pa pasaporta, ndërsa dokumentacionin e kishte SHIK-u. Pas dy ditësh qëndrimi në zonën e Gardës Pogradec dhe të ruajtura ditë e natë nga punonjësit e SHIK-ut me automatik (për turp), natën e ditës së tretë botet u zhdukën nga Pogradeci dhe u nisën drejt Durrësit, në destinacionin e tyre”. “Një ditë pasi ikën botet për tu shkarkuar në mënyrë të fshehtë natën dhe të shoqëruar vetëm nga SHIK-u, u kthyen ditën tjetër bosh drejt doganës së Kapshticës, sepse i tillë ishte destinacioni i tyre: futja në Qafë- Thanë dhe dalja në Kapshticë, drejt Greqisë. Atëherë morën shoferët bullgarë që rrinin në Pogradec, ju dhanë pasaportat dhe ne i çuam me makinën e policisë doganore deri në Qafë-Thanë ku u larguan drejt Maqedonisë, ndërsa botet u morën nga shoferë të tjerë që as nuk arriti t’i shihte njeri. Pas kësaj SHIK-u na kërcënoi që e gjithë kjo të mbetej e mbyllur, sepse i takonte këtij shërbimi që të ndiqte vazhdimin e procedurës dhe jo institucioneve përgjegjëse që ndaluan dhe bllokuan këtë kontrabandë të karburanteve drejt Jugosllavisë”. “Pas këtij bllokimi nga ana jonë, ata ndërruan rrugëkalimin e futjes së karburanteve... Kur i kemi bllokuar botet me kerozinë mesa më kujtohet erdhën nga Tirana edhe disa persona të tjerë të rëndësishëm, gjithmonë të SHIK-ut, që morën në pyetje shoferët dhe gjithë dokumentacionin. Them të SHIK-ut, sepse makinat e tyre futeshin në territorin e SHIK-ut dhe këta vendorët e shërbimit informativ ju rrinin si morra nga pas. Ata erdhën në mëngjesin e ditës së parë që ne i bllokuam dhe u larguan po brenda ditës në mbrëmje, mbasi mbaruan punë dhe ditën tjetër botet u zhdukën për tu kthyer bosh, drejt Kapshticës. Për ditë të tëra punonjës të SHIK-ut i shikoje në zyrat tona të policisë doganore që ishin në katin e parë në godinën ku sot është bashkia Pogradec. Plus kësaj, SHIK-u kishte dhe zyrën e tij ku survejonte gjithçka në doganën e Qafë-Thanës, në katin e dytë dhe çdo ditë oficeret e tij ishin në doganë, sido-mos kur kalonte karburanti apo cigaret”, thotë ndër të tjera Gjata
Posted on: Mon, 29 Jul 2013 17:44:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015