"Nuk është se më nuk besoj në dashuri, por jam lënduar aq - TopicsExpress



          

"Nuk është se më nuk besoj në dashuri, por jam lënduar aq shumë saqë më nuk besoj te njerëzit", kështu më tha sot një mik i imi. Një djalë i kujdesshëm, i pashëm, por mbi të gjitha një shpirt i pastër njeriu. Ishte i lënduar. Jo vetëm që shihej kjo gjë, por edhe ndihej në çdo atom të hapësirës përreth tij. E kisha ndjenjën thuajse po ia dëgjoja mendimet, që gumëzhinin në heshtje brenda shpirtit të trazuar të mikut tim. "Thonë se të dashurojnë, thonë se do të bëjnë gjithçka për ty, thonë se nuk duan gjë tjetër pos që të të bëjnë të lumtur. Dhe më pas fjalët i merr era. Sikur e tëra të ishte vetëm një shaka e rastit, një batutë sa për të kaluar kohën, një parodi që të qeshurat i ngurtëson në lot të akullt". E di shumë mirë se ku të degdis një gjendje e tillë. Është si ato rrëfimet, që i mësonim në shkollë, ku thuhet se bie një mollë e kalbur dhe më pas e kemi një shportë përplot molla të kalbura. Kjo është e vërteta e jetës. E mira vjen ngadalë, pothuajse zvarrë, përderisa e keqja përhapet me shpejtësi të dritës. Dhe më pas njeriu zhgënjehet! E fillon një rrugëtim të dhimbshëm, nëpër një tatëpjetë të mosbesimit kronik, drejt stacionit të zymtë të të ndjerit bosh. Sepse kështu është njeriu pa dashuri. Bosh! E keqja e kësaj bote, e fshehur në çdo skutë dhe kthinë, vazhdimisht na pëshpërit se duhet ta shikojmë vetëm veten tonë, se duhet të jemi të ashpër, të bëhemi të ngurtë, të lëndojmë para se të na lëndojnë. Sikur vërtet të ishte kështu atëherë pse nuk ndihemi më mirë, atëherë kur e përqafojmë vallen e poshtërsisë? Pse të gjitha qejfet e kësaj bote nuk ia dalin ta shërojnë këtë ndjenjë të hidhur të të ndierit bosh? E di se miku im është i lënduar. E di se dëshiron ta bind veten se ai më nuk duhet të dashurojë. Por unë kam besim në zemrën e madhe të mikut tim dhe e di se një zemër e tillë nuk pranon kurrë që të ndihet bosh. Beso në fuqinë e dashurisë brenda teje miku im. Beso sepse vetëm kështu mund ta ndalim të keqen e akullt që është përhapur kudo. A.Rexhaj
Posted on: Sun, 30 Jun 2013 21:52:48 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015