NË GJAH PËR DIVERSANTË Bamjevgu më pa me çudi kur unë i - TopicsExpress



          

NË GJAH PËR DIVERSANTË Bamjevgu më pa me çudi kur unë i bëra propozizmin tim të fundit se si do të mundnim që shkollës së re shtatëvjeçare, t’i vinim emrin tonë « Dy shokët ». Në fakt ideja gjeniale më lindi në fund të programit më popullor në radio që fliste për heroizmat e popullit shqiptar në shekuj dhe që këtë radhë foli për heroizmin e një fëmije 10-vjeçar nga veriu i vendit, i cili kishte zbuluar shumë diversantë përpara se ata ta kapnin dhe ta hidhnin në greminë, bashkë me delet e tij të dashura. Shkollës së fshatit ama i kishin vënë emrin e tij. - Ku t’i gjesh diversantët në Tiranë?- pyeti mosbesues Bamjevgu duke shtrënguar në grusht një shuk tulbuke. Kështu e hante bukën dyzetëshe Bamjevgu. Ngaqë s’kish me çfarë ta shoqëronte tjetër, koren e shkëpuste nga tuli i fetës që kish racion ditor për drekë dhe e ruante për në fund. Ndërsa tulin e këpuste copë- copë dhe çdo copë përpara se ta hante e shtrëngonte në grusht. Shenjat e gishtave ngeleshin mbi brumin e bukës dhe pak nga yndyra e lëkurës gjithashtu. Kisha provuar ta haja edhe unë kështu bukën time, por ime ëmë, që veç meje kishte edhe time motër, dhe jo nëntë fëmijë sa nëna e tij, ia hidhte gjithsesi një grimë vaj kikiriku dhe pak kripë ndaj shija nuk ishte njëlloj si e bukës së Bamjevgut. -Pse Tiranë i thua ti Kinostudios? Po të ishte Tiranë, “Viberti” nuk do të vinte deri tek Rruga Ura, por do të ngjitej deri këtu, – arsyetova duke e bllokuar Bamjevgun. …Edhe tani, 40 vjet më vonë, po të shkosh në lagjen më lindore të Tiranës, në zonën e quajtur si atëhere Kinostudio, mes pallateve të reja shumëkatëshe i gjen akoma si ca kuaj te vjetër gërmuq, ato pallatet dykatëshe me çati e tulla të kuqe të stilit sovjetik, ngritur në fillim të viteve 50’, enkas për familjet e oficerëve që shërbenin në repartet matanë përroit të Linzës dhe që kishin aq hapësirë mes tyre sa megjithë varfërinë e madhe na jepnin mundësinë ne femijëve të Kinostudios të ndjeheshim të lumtur, pa as më të voglin dyshim, në të gjitha ditënetët tona fëminore. Bamjevgu, me të tijtë, erdhi në shkallën tonë dhe u bë fqinji im kur unë isha në klasën e dytë fillore. Im atë ishte oficer artilerie në një repart pranë fshatit Pezë, ndërsa babai i Bamjevgut, vërtet ishte kovaç, por ama kovaç nënoficer, në Shkollën e Bashkuar në mes të Tiranës. Ndaj Bamjevgu nuk ndihej inferior ndaj meje nga babai, po të përjashtosh faktin tjetër që ai kish ngelur që në klasë të parë dhe unë e kisha mbaruar atë gjithë dhjeta. - Po të shkojmë tek lumi dhe t’i ngjitemi përpjetë deri afër Linzës mbase gjejmë ndonjë diversant. Po e kapëm gjallë, e lidhim dhe ia dorëzojmë polic Zenelit, me rastin e 25 vjetorit të çlirimit… - Po na kapi diversanti dhe na vret me rastin e 25-vjetorit?, - pyeti Bamjevgu duke më tallur hapur. - Atëhere emrin tonë do t’ia vënë shkollës, pra ky është plani, - i thashë unë gati me të lutur. - Ah, jo. Unë po e pashë që diversanti do të dojë të më vrasë do t’ia mbath me vrap. Shkolla le të marrë vetëm emrin tënd, - tha Bamjevgu pa mëdyshje. - Ashtu e bëjmë, - thashë unë menjëherë duke mos i lënë kohë t’i kthehej mendja. Qëkur thurnim plane për të gjetur variante si t’i jepnim shkollës sonë të re emrin, mua më torturonte sidomos njëri nga variantet: po sikur në aksion të kish fat dhe të vritej vetëm Bamjevgu?! Imagjinoja gjithë shkollën të rreshtuar dhe unë përpara saj, si komandant çete, duke dhënë komandën: ”Pionerë të shkollës “Bam jevgu”. Gati-tu!”. Kurrë s’kisha për ta pranuar. Shkolla “Ben Fercja”, po. Kish lezet. - Mos të kemi llafe? Unë ia mbath? Dakord? - Dakord pra, dakord. Veç nisemi se u bëmë vonë, - thashë unë duke ulur njërin krah të pantallonave të shkurtra, sa për të mbuluar një cep të brekëve, që asokohe i mbanim të zeza dhe që s’kish çast të mos vareshin, herë nga njëri krah, herë nga krahu tjetër i këmbëve të mia të holla, cingël. Dhe u nisëm. Me vete për t’u maskuar sikur gjuanim peshk, morëm nga një kavanoz salce bosh, lidhur në grykë me nga një fill spangoje. Në kavanozin e tij Bamjevgu futi një shuk nga buka e tij, ndërsa tek imi futa një copë kore. Kavanozat i fshehëm poshtë kanotiereve deri tek ura e vogël me dërrasa të reja e përroit të Linzës. Shkuam deri atje duke përsëritur ndoshta njëzet herë, në formë marshi, ca vargje që asokohe sinqerisht unë nuk ua dija kuptimin saktësisht. Bamjevgu m’i kish të mësuar. Edhe ai i kishte me të dëgjuar nga vëllai i madh që kish nisur atë verë punë si ndihmëskovaç pranë të atit: « Si je? Si ma ke? (Bami) Si pallaska teneqe. (Unë) Kur ta fus? (Bami) Nuk bëj zë. (Unë) Kur ta heq? (Bami) Më vjen keq. (Unë) Me lesh, pa lesh? (Bami) Bereqavers, si ta kesh. (Bami,unë) Ushtonte kënga nën hapat e këmbëve tona të zbathura. Nga pas na ndiqte një pluhur i verdhë. - Për ku kështu, o torollakër? - na pyeti plaka Ano që qëndronte me orë në hijen e goricës pranë rrugës, ku e linte çdo mëngjes nusja e djalit para se të shkonte për në punë. “Këtu prit, ja erdha.” - i thoshte ajo dhe plaka Ano, ulur në stolin e saj, mimetizonte me goricën me degë të zeza deri në muzg. - Aspi. - i thamë ne me gishtin tek buzët duke përdorur një fjalë turke në modë që medemek do të thosh:”Jemi tanët, mos trego.” Ashtu siç edhe e kishim bërë planin hyjmë në ujin e përroit dhe ashtu të përkulur nisëm t’i ngjiteshim përpjetë ngadalë-ngadalë. Bamjevgu duhet të shikonte ferrat e bregut të djathtë, unë ato majtas. Uji na lagte herë deri tek kyçet e këmbëve, herë deri tek pulpat. Asokohe nuk ishte ndërtuar as Nyja e Prodhimit të Ziftit, as Instituti i Kërkimeve Veterinare, ndaj uji ishte i pastër fare, aq sa dukeshin gurët poshtë dhe peshq që lëvrinin në ujë, por dhe bretkoca të vogla e të mëdha që kërcenin sa na shihnin t’u afroheshim. Ne filluam t’i zhysim kavanozat tanë në ujë për të kapur peshq, por buka e lagur dilte menjëherë prej tyre dhe pas disa zhytjesh na mbaroi krejt. E lamë gjuetinë e peshkut dhe filluam të gjuajmë për bretkoca. E dinim se bretkocat pëlqenin të fshiheshin në pellgje të cekëta poshtë ca algave jeshile që ashtu të thurura me njëra-tjetrën, ngjanin me shallin që hidhte supeve nusja e plakës Ano, kur dilte edhe ajo që të priste të shoqin, gjoja me padurim, kur ai kthehej me burrat e tjerë nga shërbimi, pranë goricës. Kur ne e zhysnim kavanozin mes algave ato grisheshin në çast dhe në ujin që turbullohej shihnim se kishim kapur vetëm ca si lopatëza të zeza, të vogla që Bamjevgu i quante perpeluga. Ngaqë ishin në trajtë luge ndoshta. Ndërsa unë thoja i sigurt se ishin njëlloj i ri peshku që na e kishte dërguar dhuratë Kina e Mao Ce Dunit me rastin e daljes nga Traktati i Varshavës. Në fakt s’ishin gjë tjetër veçse larvat e zeza të bretkocave dhe që mund t’i kapje më lehtë sa s’bëhej. Megjithatë kavanozi i Bamjevgut mbushej në çdo zhytje me më shumë larva. Ai kishte më shumë teknikë se unë dhe për këtë më vinte inat. Filloi një garë e heshtur që na tërhoqi aq shumë, sa të harronim edhe qëllimin përse po i shkonim përroit përpjetë. Dhe ishim larguar ndonja 200 metra larg urës me dërrasa të reja kur befas një trup i madh burri kërceu nga bregu në pellg, as dy hapa larg nesh, duke pllaquritur e na lagur nga koka në këmbë. - Çfarë doni ju këtu? - bërtiti ai dhe unë nuk e di për Bamjevgun por për vete shyqyr që i kisha brekët e lagura dhe s’u muar vesh që më shpëtoi një curril shure dhe që e ndjeva të më ngrohte këmbët. Bamjevgut i ra kavanozi me perpeluga në mes të pellgut. - Ne po gjuajmë div..div… - Çfarë divash more? As në përralla nuk ka diva tani. Divë është partia. Hajdeni me mua- tha burri trupmadh duke na kapur prej krahësh dhe duke na nxjerrë prej ujit në breg. Unë shihja Bamjevgun, përtej muskujve të bëshëm të gjoksit të trupmadhit, nga i zi, ishte bërë krejt i verdhë. S’kisha parë ndonjëherë jevg të verdhë. As ai as unë s’kishim nga t’ia mbathnim tani. Burri trupmadh po na afronte drejt një ferre të lartë dy metra që në mes kishte një si tunel të vogël. Pse të na vriste në ferra, pse të mos na vriste në ujë? Me të dëgjuar e kisha se në ujë nuk e ndjen fare kur të ngulin thikën. - Hyni!, - urdhëroi burri trupmadh duke na shtyrë të dyve njëkohësisht drejt tunelit. Ne u penguam me njëri-tjetrin në rrëzim, por ramë butë, fare butë. Një grua, ulur në bythë, na priti në gjoksin e saj. - Çfarë i bën çunave, lëri rehat!, - iu drejtua ajo burrit trupmadh duke mos na lëshuar nga kraharori. Unë e mbaj mend kokën e qethur me gëzhdalla të Bamjevgut mbështetur mbi gjirin e saj të majtë, veç s’e harroj dot butësinë e gjirit të saj të djathtë, ku ishte mbështetur faqja ime. - Hajde kopila, uluni këtu!,- tha burri trupmadh duke na shkëputur nga ajo gruaja. U ulëm përballë gruas, ndërsa burri trupmadh në krah të saj. Ai kishte veshur një palë të mbathura prej doku blu. Në llërën e dorës së djathtë kishte një tatuazh blu, ku dukej një spirancë dhe datat e ushtrisë së tij në marinë. Pashaliman 65-69. Mbi kyçin e dorës së majtë kishte një orë, po me fushë blu. S’kisha parë të tillë më parë. Të gjitha orët që kish parë deri sa isha bërë dhjetë vjeç, ishin ose «Pobjeda» ruse, ose «Shangai» kineze. «Një orë me fushë blu mund të ketë vetëm një diversant», mendova dhe trupin ma mbuluan mornica. - Ke ftohtë? Ja, të hedh fustanin tim, - tha gruaja e ulur në bythë duke marrë nga një grumbull rrobash në krah të saj një fustan me topa-topa të kuq, duke më mbuluar të tërin. Bamjevgu në krah tim dridhej si purtekë. - Ja dhe ty të hedh këto, - tha gruaja duke marrë nga grumbulli i rrobave pantallonat e burrit trupmadh e duke ia hedhur sipër Bamjevgut. Fillova të ndjej ngrohtësi. Burrin trupmadh nuk guxoja ta shihja nga frika ndërsa gruan ulur në bythë nga turpi. Ajo kishte veshur vetëm një këmishë rozë, nga ato pesëqindshet që shiteshin tek kinkaleria e Xhulit, që të linte të shihje gjithçka kish poshtë saj. Shumica e burrave të lagjes ia blinin, gati të gjithë, grave të tyre para se të hynin në shtëpi kur vinin nga shërbimet e gjata. Gruaja i mbante këmbët të mbledhura dhe të bashkuara në gjoks por unë ia pashë atë trekëndëshin e zi, atje mes shalëve dhe u tremba. Ishte hera e parë që shihja, nga afër, seksin e një gruaje. Femra lakuriq të vizatuara me shkumës në muret e banjos së shkollës, dhe pjesën e seksit, nxirë me karbon kisha parë, por kjo që kisha parasysh ishte krejt tjetër. Uao, si ishte! Më e bukur se kotelja e zezë me fjongo të kuqe e nuses së plakës Ano ishte? Si nuk ishte? - Çfarë sheh ashtu kopil?-pyeti burri trupmadh. - Barin, iu përgjigja unë duke u gëlltitur. - Jeshilin, apo të ziun?, - nguli këmbë ai. - J e -s h i- l-l-l- z i u n, thashë duke bëlbëzuar. Burri trupmadh dhe gruaja me faqe të mbështetur mbi gjunjët e saj, ia plasën të qeshurës. - Trap!, - më tha Bamjevgu pa u dridhur. - Si e ke emrin? - më pyeti gruaja duke më parë butë, me sytë e saj si kadife. - Ben Fërcja? - ju përgjigja unë edhe më i vendosur. - Fërce? Pse të quajnë kështu?, - pyeti ajo sërish butë. Unë s’po flisja. Bamjevgu e dinte të fshehtën time. Ishte nga të paktit në fakt. Kur na kishte shtruar gjyshja e nënës në fshat, një vit më parë, një lakror të madh për ta ngrënë, neve, një tufe nipërish e mbesash, të ardhur nga Tirana në Devoll për pushimet e verës mua, duke zgjatur dorën për të këputur copën më të madhe, më shpëtoi një …fërc. E vogël, por u dëgjua. Deri në Tiranë bile, tek Bamjevgu, i cili pesë minuta pasi kisha ardhur nga fshati më përshëndeti: Ben Fercja ç’kemi? Por tani Bamjevgu nuk tregoi. - Ngaqë lëviz sa andej këtej, fërc andej, fërc këtej, prandaj, thashë unë, duke falenderuar Bamjevgun me mendje. - Boll me gjepura. Kopila, dëgjoni si e kemi hallin, - tha burri trupmadh duke mbajtur në duar një shishe qumështi bosh. Ne do të rrimë këtu edhe për nja dy orë, por uji që kishim marrë me vete na u derdh. Tani po të shkoni në shtëpi, të na mbushni shishen me ujë, kur të vini keni tridhjetë lekë shpërblim. Dakord? Unë me Bamjevgun u pamë në sy. Ramë dakord, pa e zgjatur fare. U çuam në këmbë dhe Bamjevgu mori shishen në dorëzim. Unë bëra të vrapoj, kur burri trupmadh më kapi për krahu. - Po qe se takon polic Zenelin dhe i thua gjë që ne jemi këtu, do të të gjej kur të dal nga burgu dhe do të ngordh në dru. Po nuk tregove, kur të sillni ujin ty do të le t’ia shohësh edhe njëherë. Dakord?(Burri trupmadh) - Dakord. (Unë) - Fjalë burrash? (Burri trupmadh) - Fjalë burrash! (Unë) E dija që polic Zeneli, që e thërrisnin edhe i plotfuqishmi i lagjes, në atë kohë nuk fuste në burg vetëm fëmijët që gjatë pushimit të drekës dilnin jashtë shtëpisë dhe nuk flinin por edhe ata burra që shkonin me gra të tjera. Në burg përfundonin edhe gratë që gjendeshin me ta. Dhe burgu në mendjen time ishte një tmerr i vërtetë, ku më e pakta ishte të të linin në një dhomë të errët betoni, mes gjarpërinjve dhe akrepave që të pickonin në çdo pjesë të trupit. Ajo në burg prej meje? As që bëhej fjalë. U sulëm si shigjetë tok me Bamjevgun nëpër ujin e përroit duke i trembur të gjitha bretkocat, perpelugat, apo peshqit e vegjël të Kinës së Mao Ce Dunit dhe gjithë gjënë e gjallë ç’kish e nuk kish përroi i Linzës deri tek ura me dërrasa të reja. Aty ndalëm të rregullojmë frymëmarrjen. - Eh,eh,eh…Shiko tridhjetë lekë nuk janë pak, ë? Nuk janë pak, - thoshte Bamjevgu me sytë që i ndrinin. - Mund të blejmë një copë të mirë sallami dhe ta hamë bukën me sallam, - thashë unë që vdisja për sallam. - Jo, jo. Djathë bie më shumë. Blejmë djathë dhe e ndajmë për disa ditë. -Po sikur të blejmë hallvë nga ajo me arra, ë si thu…-por nuk arrita ta mbaroj fjalën. Prapa kurrizit të Bamjevgut i madh si një shkëmb blu polic Zeneli. - Çfarë doni ju këtu? - tha sertaz polici Zenel. - Ne, ja hiç. Rrimë mbi urë. Ora e drekës kaloi. - tha Bamjevgu, pa i bërë syri tër fare. - Or jevg i vogël! Ta shkërdhej nënën unë!, - dhe polici Zenel i futi një shkelm bythëve Bamit por ai ia mbathi sakaq. Edhe unë u bëra erë pas tij. Kur kishim bërë nja 50 metra vrap në rrugën drejt shtëpive tona Bami ndaloi. Edhe unë ndala. - Ti, rri këtu, - më tha si i rritur. Po hyre ti në shtëpi s’të lë njeri të dalësh prapë jashtë. Shkoj unë në çast dhe erdha. Dhe ia mbathi. Për pesë minuta erdhi. Bamjevgu vraponte si kaproll. - Asaj i pihet ujë.Vrapojmë, - më tha pa e ndalur vrapin. Nuk iu futëm përroit përpjetë. Bamjevgu tha se dinte një rrugë të fshehtë nga i bihej fare shkurt. Shishen me ujë e mbante në dorë drejt. Unë vrapoja pas tij dhe i duroja gjembat dhe ferrat që më hynin në shputa e më gërricnin këmbët si cingla, duke përjetuar pamjen që do më ofrohoj pas pak. «Ajo duke pirë ujë me shishen e qumështit përpjetë, ndërsa unë duke parë edhe njëherë nga afër trekendëshin e zi. Nga aq afër. » - Ndalo, shiko, - tha Bamjevgu befas. Kishim vrapuar shumë më shpejt deri tek vendi ku vertikalisht poshtë ferrave duhet të ishin ata. Në bregun tjetër duke iu ngjitur një rruge të ngushtë polici Zenel kishte vënë përpara me duart lart burrin trupmadh me brekë, spirancë dhe orë blu dhe atë femrën, veshur vetëm me këmishën e hollë pesëqindëshe që të lejonte t’i shihje ç’kish nën të. I plotfuqishmi Zenel me kobure në dorë e shihte nga poshtë për mrekulli trekëndëshin e zi. Pashë nga Bamjevgu. Ai ishte skuqur i tëri. As jevg të kuq s’kisha parë. Befas Bami ia mbështolli me sa i hante fyti: - O Zenel teveqel, (Bami) Gruaja jote pa brek del. (Bami) Ata të tre ndalën. Zeneli u kthye menjëherë nga erdhi zëri. Unë u struka në ferrë. Bamjevgu ia mbështolli prap. - O Zenel teveqel, (Bami) Gruaja jote pa bre…. U dëgjua një krismë. Bamjevgut i ra shishja nga dora. - Më pickoi gjarpëri më duket… - më tha mua duke më treguar llërën e krahut të djathtë. Vrima e plumbit bënte dritë tej e tej. Bamjevgut i ra të fikët. Unë fillova të qaj pa zë. Burri trupmadh e kapi për dore gruan dhe deshte t’ia mbathte me vrap, po polici Zenel e shkrepi edhe dy herë të tjera kuburen. Gruaja ra përmbys mbi rrugën e shtrembër e të ngushtë. Mbi shpinë dy plumbat i krijuan në cast dy sumbulla gjaku si dy kokërza shege. Nga para duhet t’i kishin shkatërruar gjinjtë ku na priti mua dhe Bamjevgun. Burri trupmadh u sul mbi policin Zenel që e kish zënë gjaku . Rrinte në këmbë si guak. Burri trupmadh ia mori koburen dhe i futi nje plumb në ballë. Polici Zenel ra në ferra majtas, si një kukëll e madhe. Burri trupmadh e hodhi koburen në ujë dhe iku lart për nga mali i Dajtit. Dy javë më vonë policin Zenel e dekoruan me motivacionin “Për heroizëm të pashoq në luftë me diversantët”. Shkollës së re i vunë emrin e tij. Ndërsa Bamkovaçi, edhe sot e kësaj dite, kur takohemi, më shkel syrin që përtej vrimës së llërës së krahut të djathtë. Tiranë, 12 Qershor, 2005 Nga libri "Kontrate per Kadaver"
Posted on: Thu, 26 Sep 2013 20:54:01 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015