Në një stadium të mbushur plot, si në ndeshjet e kombëtares, - TopicsExpress



          

Në një stadium të mbushur plot, si në ndeshjet e kombëtares, Kukësi ka tentuar të bëjë mrekullinë e radhës, por kësaj here kundërshtari ka qenë vërtet cilësor dhe kompetitiv. Trabzonspori turk, skuadra me emër dhe traditë të madhe, me një buxhet dhjetëra herë më të madh se verilindorët e presidentit Gjici, kanë treguar maturi, pragmatizëm e profesionalizëm të lartë në “Qemal Stafa”, duke dalë prej aty me një fitore të pastër 2-0, cka do të thotë se prekin kësisoji fazën e grupeve të Ligës së Europës. Në anën tjetër, kuksianët duket se do t’i japin fund në këtë raund “fenomenit sportiv” shqiptar në Europë të kësaj vere, sikurse e cilësonte UEFA. Ndeshja ka nisur e vrullshme për nënkampionët tanë, që kanë tentuar t’i rrëmbejnë iniciativën kundërshtarit, por vetëm grinta dhe dëshira nuk mjafton përballë kualitetit të spikatur të kanë turqit. Këta të fundit studiojnë cerekorëshin e parë të lojës mënyrën e funksionimit të Kukësit dhe më pas angazhohen në aksione të njëpasnjëshme në të majtë të sulmit të tyre. Trajneri i Trabzonsporit ka pikasur pikën më të dobët në të djathtë të mbrojtjes kuksiane, ku luan Peqini, ndaj i udhëzon të tijtë të ngulmojnë pikërisht në atë krah. Numri 7 i miqve, Volkan Şen bën cfarë të dojë me Peqinin, e driblon dhe e ridriblon atë, duke paralajmëruar golin së andejmi. Kështu ndodh në minutën e 31-të, kur Peqini gabon në të djathtë të prapavijës sonë dhe topi pasohet tokazi në zonën e Halilit. Aty shtrihet Brahja, që e spastron zonën, por duke prekur topin me dorë. Nuk heziton kryesori bullgar, që akordon penallti, e kthyer në gol nga polaku i Trabzonsporit, Mierzejevski. Këtu merr goditje psikologjike skuadra verilindore e Cungut, që ndryshe nga ndeshjet e kaluara të Ligës së Europës, nuk arrijnë të rikuperojnë vetveten në këtë aspekt deri në fund. Paqartësia dhe mungesa e kreativitetit në mesfushë, e diktuar kjo edhe nga presingu në cdo centimeter të fushës nga turqit, bën që Kukësi të “kapitullojë” në njëfarë mënyre në skemën e vet. Lojtarët angazhohen më së shumti në veprime individuale, ndërkohë që miqtë vijojnë me qetësi të administrojnë gjithcka. E mbyllin pjesën e parë me fitoren 1-0, ndërkohë që në të dytën kanë mundësi t’i imponohen formacionit të Cungut, sidomos në planin taktik. Lojtarët e Trabzonsporit merren vesh symbyllurazi me njëri-tjetrin, dalin rrjedhshëm nga krahët dhe dyfishojnë shifrat në minutën e 68-të me Paulo Henrique. Kujtojmë se Kukësi e ka nisur pjesën e dytë me një zëvendësim. Ka dalë Peqini, fajtor në rastin e golit të parë, duke u aktivizuar lezhjani Smajli, i ardhur kohët e fundit në merkaton e verës. Po ashtu, pas pësimit të golit të dytë, trajneri i Kukësit hedh në lojë edhe Cikalleshin, me shpresën për të përforcuar dicka në sulmin e tij, apo Alikaj në mesfushë në rolin e dirigjentit, por turqit nuk lëshojnë aspak terren, mbrojnë në thellësi dhe dalin rrezikshëm, duke rrezikuar të trefishojnë shifrat. Nëse kjo e fundit nuk ndodhi, më shumë për meritë të portierit Halilaj, ndërkohë që mbrojtja kuksiane futi ujë kësaj here, e gjendur para një presioni asfiksues të kundërshtarit dhe lojtarëve tepër virtuozë të Trabzonsporit. Mbyllet me fitoren 2-0 të turqve kjo ndeshje, duke ia lënë vendin sfidës së kthimit në Trabzon pas një jave, ku kualifikimi për ta duket se do të jetë thjesht një formalitet. Pavarësisht kësaj, Kukësi do të mbahet mend si skuadra surprizë e futbollit shqiptar, që i ka thyer të gjitha parashikimet, duke kaluar radhazi tri ture të Ligës së Europës, duke mposhtur kundërshtarë si Flora Tallin, Sarajevo dhe Metalurg Donjetsk.
Posted on: Thu, 22 Aug 2013 20:43:28 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015