Në prag të debatit për gjendjen e shqiptarëve në - TopicsExpress



          

Në prag të debatit për gjendjen e shqiptarëve në Luginë Zyrtarë nga Medvegja në Kuvendin e Kosovës Prishtinë, 30 maj (medvegja.net) Në prag të seancës së nesërme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kur pritet të debatohet për të drejtat elementare të shqiptarëve të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit, me ftesë të deputetit Jeton Svirca, sot në Kuvendin e Kosovës ka qëndruar një delegacion nga Medvegja. Delegacioni i prirë nga n.kryetari Ismet Zeqiri ka pasur takime të ngjeshura me deputetë të të gjitha subjekteve politike, të përfaqësuar në Kuvend. Fillimisht, z.Zeqiri u takua me Jeton Svircën, deputet nga radhët e Partisë së Drejtësisë. Zotëri Svirca u falënderua për vizitën që ia bëri Medvegjës, si dhe për angazhimin e tij në Kuvendin e Kosovës për sensibilizimin e çështjes së Medvegjës. Ndërkaq z.Zeqiri e njoftoi deputetin për sfidat me të cilat ballafaqohet popullata shqiptare në Medvegjë, ndërsa deputeti Svirca premtoi se edhe në të ardhmen do të angazhohet për të gjitha problemet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen popullata e kësaj ane. Zyrtarët nga Medvegja gjithashtu u takuan me deputetin nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, z.Lutfi Haziri, i cili u dëshiroi mirëseardhje, si dhe i njoftoi ata për rezolutën që pritet të votohet nesër në Kuvendin e Kosovës, duke marrë parasysh edhe rekomandimet e medvegjasve për këtë rezolutë. Zotëri Haziri tha se shpreson që nesër në Kuvendin e Kosovës do të votohet rezoluta, ndërsa për këtë ka një pajtueshmëri thuajse të të gjitha subjekteve politike. Një takim tejet konstruktiv ishte edhe ai me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, z.Ilmi Reçica, i cili ishte i shoqëruar nga zëvendës/ambasadori i Kosovës në Slloveni, z.Naser Idrizi. Z.Reçica tha se Kuvendi i Kosovës do të përpiqet me mundësitë që i ka si organ legjislativ ta përkrahë ruajtjen e substancës kombëtare në Medvegjë, duke premtuar se ndihma e tij dhe bashkëpartiakëve nuk do të mungojë në të ardhmen. Zyrtarët nga Medvegja e njoftuan deputetin me aktualitetet në Medvegjë, ndonëse ai ishte mjaft i informuar për situatën në komunën tonë. Në takim, zyrtarët nga Medvegja u pritën edhe nga deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, zotëri Liburn Aliu, i cili sa i përket debatit të nesërm në Kuvendin e Kosovës ishte tejet skeptik, ngase, sipas tij, debati i nesërm është tentim për ngushëllimin e shqiptarëve të Medvegjës, Preshevës dhe Bujanocit. Në të gjitha takimet u shtrua nevoja e kërkimit të reciprocitetit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për sa u përket të drejtave të serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi, moslënia anash e zyrtarëve të Medvegjës. Gjithashtu, u diskutua nevoja e heqjes së taksës së sigurimeve për automjetet që hyjnë në Kosovë, si dhe për kuotat për studentët e Medvegjës që pritet të studiojnë në universitetet publike të Kosovës, me theks të veçantë Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Në takim ishin të ftuar edhe zëvendës kryetari i Komunës, z.Florim Sahiti, dhe zëvendëskryetari i Kuvendit, z.Femi Beha, mirëpo për shkaqe objektive ata nuk morën pjesë në takim. Zyrtarët nga komuna e Medvegjës pritet që nesër të marrin pjesë në cilësinë e mysafirëve në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës./Teksti dhe fotot: medvegja.net/
Posted on: Thu, 30 May 2013 21:25:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015