OPINIONE NUK ËSHTË ÇËSHTJE TELEVIZIVE, ËSHTË ÇËSHTJE - TopicsExpress



          

OPINIONE NUK ËSHTË ÇËSHTJE TELEVIZIVE, ËSHTË ÇËSHTJE KULTURE BESNIK DIZDARI Madje në thelb, mirëfilli nuk është as çështje futbolli. Është pastërtisht çështje kulture, thellësisht çështje e kulturës kombëtare. Ndonëse në pamje të parë kjo është edhe një çështje televizive. Të shtunën që shkoi isha në stadium për ndeshjen Sportklub Tirana-Flamurtari. Kisha disa kohë që nuk kisha qenë në stadiumin “Selman Stërmasi”, dikur “Dinamo”. Ndeshja transmetohej në televizion, po prej kohësh nuk kisha asnjë dëshirë t’i ndiqja në televizion këto ndeshje të stadiumit “Selman Stërmasi”. Sepse më fort se ndeshjet që zhvillohen në të, për 90 minuta të tëra, shikimin ta sundon tribuna karshi e tij, e boshatisur dhe me germat e copëtuara si prej një bombardimi të emrit të nderuar “SK Tirana”. Si të kërkojë të simbolizojë vetë rënien e madhe të sotme të Sportklubit tonë të famshëm!… Kemi vite që jemi mësuar me tribunat e boshatisura të stadiumeve shqiptare (e kamerat televizive thuajse kurrë nuk sillen nga tribunat qendrore, ku të paktën mund të shikosh disa qindra spektatorë). Mirëpo, tribuna karshi e stadiumit “Selman Stërmasi” them se është më e turpshmja. Vetvetiu kjo tribunë po shndërrohet në një simbol të një lloj barbarizmi krejt origjinal. Sepse është vërtet barbarizëm të shkatërrosh asisoji. Kështu që, të paktën për mendimin tim, televizionet që transmetojnë ndeshje nga ky stadium them se bëjnë një gabim të madh. Sepse në thelb ata transmetojnë gjurmë të një lloj barbarizmi “sui generis”, të një shkatërrimi, të një kundërkulture, të një kundërqytetarie, të një kundërcivilizimi që të trishton tejet dhe ta heq dëshirën për të ndierë zhvillimin e ndeshjes. Ashtu si mijëra shqiptarë, sidomos si qytetar i Tiranës prej mbi një gjysmëshekulli, me këtë stadium më lidhin shumë kujtime. Kjo ngaqë, duke qenë një prej dy stadiumeve të kryeqytetit, ky i dikurshmi “Dinamo” ruan një histori të jashtëzakonshme shqiptare. Sa sportive po aq dhe sociale. Sa emocionesh të pafund, po aq dhe gëzimesh të pamata e “hidhërimesh” sportive. Sa duele qytetesh sportive e po aq kushedi sa e sa ngjarje sportive ndërkombëtare e deri dhe historiko-shoqëroro-politike. Siç e kam treguar në “Historia e Kampionateve të Shqipërisë” (Libri 5), ky stadium është përuruar më 10 korrik1959 përmes ndeshjes midis Partizanit dhe skuadrës së Ushtrisë së RD Gjermane, ASK Worwärts të Berlinit 1-1. Interesantja është se ai është përuruar vetëm pak javë mbasi Shqipëria ishte pranuar anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO). Dhe, deri më sot, nuk kam dëgjuar ndonjëherë që KOKSH – përhapësi dhe edukatori i shpirtit olimpik sportiv – të flasë qoftë dhe vetëm dy fjalë për gjendjen e rëndë të stadiumeve në Shqipëri, e jo më të bëhet ai nismëtar dhe mbështetës ndër të parët i ndërtimit të një stadiumi modern, siç bëjnë sa e sa Komitete Olimpike në botë… … U ula pra këtë të shtunë të 2 nëntorit 2013 në tribunën qendrore të ish-stadiumit “Dinamo”, sot “Selman Stërmasi”, përballë tribunës shkatërrimtare. Dhe prapë thashë: si nuk del një zotërues televizioni dhe të ndalojë transmetimin televiziv të ndeshjeve që zhvillohen në këmbët e kësaj tribune që, e shfaqur kësisoj e boshatisur dhe e rrënuar, për 90 minuta radhazi në TV ta heq krejt dëshirën për të shijuar një ndeshje futbolli!… U ula në ndenjëset e tribunës qendrore, po ku të ulesh! Absolutisht nuk gjen një ndenjëse të pastër. Marr me vete si gjithmonë letra për t’i vënë mbi ndenjëset e papastra dhe, mbasi bëj një fshirje të lehtë të tyre, zë vend. Përpiqesha ndërkaq, të shihja futbollin e fushës së blertë (që nuk ishte fort e blertë as ajo), por tribuna karshi më krijonte një bezdi e trishtim të thellë, ndërsa tribunat anësore të shtrembëruara, të lakuara e aty-këtu “të lulëzuara” prej barishteve, të kujtonin gurë mesjetarë si të ndonjë monumenti kulture të braktisur… Ndesheshin dy ndër skuadrat më historike të Shqipërisë, Sportklubi i kryeqytetit dhe skuadra e Vlorës. Nuk mund ta shijoje ndeshjen me ndjenja të një etike apo estetike futbolli, sepse edhe ai pak spektator i tribunës qendrore ku isha ulur, në të majtë paksa edhe me tifozë vlonjatë e në të djathtë, në tribunën e harkuar, me grupin e vogël të tifozëve tiranas, gjallonin me thirrje mbështetëse, e jo rrallë me të shara e kritika dypalëshe. Dhe të dukej se edhe kjo pasqyronte vetë mjerimin shkretues të tribunës karshi dhe të krejt këtij stadiumi. Vërtet! Përse transmetohen në televizion këto ndeshje që, më shumë se me futboll, e mbushin ekranin e vogël me tribuna të boshatisura e të shkatërruara? Po përse FSHF-ja i çon skuadrat shqiptare më në zë në stadiume kësisoj? E mandej pyetja e pyetjeve: kur do të ketë Shqipëria një stadium (edhe “televiziv”) në të gjithë treguesit, kërkesat, rregullat, qytetarinë, shijet, domosdoshmërinë e kohës?… Për fat, jemi të fundit në Europë. Për krahasim, shkoni po të doni te stadiumi i Podgoricës vetëm 40 kilometra larg Stadiumit “Loro Boriçi” të Shkodrës, stadiumit tjetër të pafat, që nuk denjon t’ia hedhë sytë askush, ndonëse është stadiumi i qytetit që ka themeluar sportet dhe futbollin për Shqipërinë! E, po për fat, edhe ai ka nisur “rrënimin” e tribunës së tij të bukur karshi…. E tash po kam dëshirë t’ju tregoj një përrallë: “… Shkova në Londër për ndeshjen e Arsenalit me Swansea. Dhe vizita në ‘Emirates Stadium’, në vetminë e tij të madhërishme, është një detyrim…. Ciceronin na e bëjnë ish-futbollistë, të tillë si John Radford apo Lee Dixon. Ishin shumë vizitorë në radhë, midis tyre edhe nja njëzet studentë. I pajisur me një guidë (libret) në 8 gjuhë, nisa vizitën në pavarësi të plotë, një risi kjo në mënyrë që të plotësohen më së miri dëshirat e grupeve të vizitorëve. Një vizitë që përshkohet nga dhoma e futbollistëve për te tuneli që të çon në fushë e deri te sallat e muzeut. Në brendësi do të gjesh një dendësi informacionesh, tregimesh, intervistash që të shpalosen pa ndalë. Zbuloj se, këtu ku ka marrë jetë ‘Emirates Stadium’, kishte pasur një qendër përpunimi të mbeturinave, të cilën Arsenali ishte i detyruar ta ndërtonte diku tjetër. Të krijosh këtë mrekulli nuk është punë anekdotash. Ndërtimi ka kushtuar në fillim 200 milionë sterlina, duke mbërritur deri në 390 milionë, sepse fjala nuk ishte vetëm për ndërtimin e stadiumit me 60.000 vende, por edhe për rindërtimin e gjithë zonës Islington… Arsenali jo vetëm po paguan humbjet, pa cenuar bilancin e tij aktiv, por ndërkohë ai ka realizuar madje ndërtime banesash: ka shitur 600 apartamente, aty ku ka qenë stadiumi i vjetër “Highbury”, duke përfituar 100 milionë sterlina, ndërkohë që është në rrugë e sipër një projekt tjetër, ai i ndërtimeve popullore në Queensland Road. Dhe fitimet prej stadiumit kanë kaluar nga 44 në 94 milionë sterlina, çka e vë Arsenalin midis pesë më përfituesit kësisoj në Europë. Por, nuk janë vetëm rezultatet ekonomike. Dita e ndeshjes këtu është diçka krejt e veçantë. Duke filluar që nga ardhja në stadium e deri te fishkëllima e fillimit të ndeshjes. Vendosa të shkoj dy orë para ndeshjes të asaj të shtune të shêjtë të futbollit. Teksa nisesh nga stacioni i St Pancras, një nga pikat kyçe të Londrës, nuk mund të mos shijosh larminë e pafund të shalleve e kapelave shumëngjyrëshe: këta janë tifozët e disa skuadrave. Sepse Londra ka 10 skuadra në Premier dhe Championship (kategori e parë dhe e dytë angleze) dhe gjithë kjo përbën një histori më vete. Procesioni drejt stadiumit është tejet i rregullt dhe njëkohësisht i gëzueshëm. Ajo që të mahnit, është normaliteti: policia nuk ka nevojë për ndërhyrje; ndoshta vetëm sa lëviz paksa ndaj një kundërshtimi të disa qindra tifozëve të Arsenalit për politikën e klubit, duke përfshirë në to edhe atë ndaj çmimeve të larta të biletave. Por, në tanësi, atmosfera është krejt festive. Ka të pranishme shumë, jashtëzakonisht shumë familje; shumë, jashtëzakonisht shumë fëmijë! Si për shembull në rastin e Gary McCarthy-t, që është tifoz i ‘QPR’-së, por që vjen në ‘Emirates Stadium’ për të shoqëruar djalin e tij 12-vjeçar, tifoz besnik i Arsenalit: ‘Është bukur të vish 1-2 orë para ndeshjes, – thotë ai, – të vizitosh magazinat, por dhe muzeun (ai qëndron hapur edhe ditën e ndeshjes), të marrësh një hamburger, të ndjekësh nxemjen e lojtarëve. Unë ndihem shumë i sigurt tek sjell djalin tim në stadium, çka njëzet vjet më parë nuk ishte kështu. Në krahasim me ‘Highbury’-n e atëhershëm, këtu pamja është fantastike nga të gjitha vendet e tribunave. Ndërkaq, me kartën e kuqe, kemi përparësinë që me çmim më të lirë të përfitojmë bileta familjare dhe të mund të marrim pjesë edhe në takimet e Junior Gunners, si bie fjala, në festën e Halloween- it që organizohet brenda në stadium’. Para ndeshjes shijon një skenë tjetër, tejet të pasur. ‘Armoury’ – magazina gjigande e Arsenalit është pushtuar tashmë: fanella e titullarëve kushton 45 sterlina, një çmim i arsyeshëm për nivelin e këtushëm të jetesës dhe ti mund ta blesh atë menjëherë. Për të hyrë në stadium ka vetëm një kontroll, nuk ka zona të filtrimit. Kalon në skaner biletën tënde që e ke blerë përmes një shitjeje ndërkombëtare në internet, dhe si merr një buzëqeshje prej shoqëruesit të atyshëm, pengesa lirohet… Unë u gjenda në sektorin më popullor, në një vend mbrapa derës ku hynin VIP-at, midis tifozëve të Swanseas, të cilët donin të qëndronin në këmbë. Në Angli lufta kundër violencës është fituar qysh kur Shoqata e Tifozëve të Futbollit ka realizuar të drejtën e rikthimit të zonave të qëndrimit në këmbë, siç ndodh në Bundesligë. Ndërkaq, para ndeshjes, ti ke kohë të ndjekësh nga ekranet e vendosura në nëntribunat e stadiumit minutat e fundit të ndeshjes West Ham-Chelsea, madje duke pirë edhe një gotë birrë. Dhe mandej mund të shkosh për në tualet (janë 900 të tillë), jashtëzakonisht të pastra dhe erëmirë! Spektakli bëhet gati të nisë, bën ftohtë, por ti ndjen të ngrohtin e një përvoje kolektive, të përgjithshme, të rrallë, si askund tjetër”… Këto janë mbresa që i ka treguar gazetari italian Marco Iaria Kështu që nuk ishte fjala për një përrallë, por duke qenë ky tregim kaq i largët, i pambërritshëm dhe thuajse imagjinar për ne, e quajta përrallë. Natyrisht, as që më shkon ndër mend të mbërrijmë Anglinë që është e para e botës. Si qytetar i Shqipërisë më shkon ndër mend thjesht fakti apo dukuria se Atdheu im po vonon tejet për të hyrë në rrugën e shembujve të tillë, sadopak të përafërt. Aq më tepër që ky Atdhe i imi, i juaji, i të gjithëve nuk ka nevojë të ndërtojë ndonjë gjigand kësisoj sportivo-kulturor dëfrimi e çlodhjeje si “Emirates Stadium”. Ai ka nevojë vetëm që të fillojë, vetëm që të fillojë për të ndërtuar “Emirates”-n e tij të vogël. Dhe para kësaj, të mirëmbajë sadopak stadiumet ekzistuese. Unë u largova shpejt e shpejt me nxitim nga stadiumi “im” “Selman Stërmasi”. Si për të dashur për t’i ikur një mjedisi të frikshëm. Nuk ishte deri këtu, natyrisht. Më saktë, ishte një trishtim, trishtimi që vetvetiu më dukej se me pa të drejtë mjegullonte edhe vetë fitoren e merituar të Flamurtarit të Vlorës. Jo, jo! Këto tribuna të shkatërruara stadiumesh shqiptare nuk mund të presin ndeshje, e aq më pak ato të transmetohen në ekranin e TV! Ndonëse nuk është çështje televizive, është çështje kulture. (Panorama sport)
Posted on: Sun, 10 Nov 2013 11:31:57 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015