Oh, Nobel ! Në vend të Çmimit, kryeministrit të Kosovës, - TopicsExpress



          

Oh, Nobel ! Në vend të Çmimit, kryeministrit të Kosovës, zëvendëspresidenti amerikan Joe Bden personalisht, në korrik 2010, ia dha komplimentin “George Washington”. Ende pa e përballuar komplimentin “George Washington”, një revistë amerikane fizikisht e krahasoi kryeministrin e Kosovës edhe me një George tjetër, me fizikun e George Clooney. Komplimentet nuk kushtojnë asgjë, janë falas. Falas është edhe ajri, edhe dashuria. Komplimentet zakonisht u bëhen femrave të reja dhe atyre femrave që nuk piqen dhe nuk bien në të njejtën stinë. Por, ndodh që edhe burri-burrit ia jep një kompliment të madh. Koha e vjetëron edhe komplimentin “George Washington”, komplimenti që Biden ia fali Thaçit u harrua si një këngë vere, dhe u tret si shpirti pa trup. Komplimentin e Joe Biden e shan dhe e përqeshën, u bë barcoletë e brendshme nëpër korridoret republikane. Hashim Thaçi, nuk i dihet fatit, mund të bëhet edhe më i zoti se George Washington, por nuk është si George Washington. Joe Bidenin e sugjeruan që ta tërheq komplimentin mbrapsht. Por, komplimenti i dhënë pa-paramendim, tani do të kthehet mbrapsht me paramendim, në mënyrë indirekte, spontane, me takt dhe me një anti-kompliment të barasvlefshëm me komplimentin e dhënë. Kështu, në Korrik 2013, "New York Times", nëpërmjet një shkrimi, e zbret nurin e Hashim Thaçit, nga George Washington te Garry Adams. Në këtë mënyrë, Amerika e zbulon se Hashim Thaçi nuk qenka “thesar” i Amerikës. “Thesar” po patjetër që qenka, por “thesar” i Evropës. Nuk ka asgjë të keqe me qenë Garry Adams. Kur je Garry Adams, gazetarët e historianët të thonë që ke qenë anëtar i IRA-s, por ti e mohon. Me qenë Garry Adams, do të thotë që të jesh president i partisë nacionaliste të Sinn Fein dhe në fund të marrësh pjesë në "Procesin e bisedimeve paqësore" që e demilitarizuan Organizatën paramilitare të IRA-s, synimi i së cilës është ndarja e Irlandës veriore nga Anglia dhe bashkimi i saj në një Irlandë unike. Atëherë, pse Hashim Thaçi është Garry Adams, pra? Që pranon, si Garry Adams në Irlandë, që Veriu i Kosovës të mbetet pjesë e Serbisë. Kështu kanë thënë “New York Times”. Më mirë me qenë George Washington. Por nuk ka mundësi të zgjedhësh se cilin kompliment e do për vete. Ka, ka mundësi, se ka edhe komplimente të shpikura, që blihen me pare, por ato nuk ta kënaqin zemrën. Pasi u arrit "paqa", Tony Blair, pak, për inat të Amerikës që humbi zgjedhjet e tij, dhe më shumë për hirë të gruas së tij, u bë katolik i devotshëm si irlandezët. Pse kryeministri i Kosovës nuk është më George Washington? - Sepse, George Washngton ishte njëri nga etërit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Analiza e thellë, e shtron dilemën e madhe: nëse Hashim Thaçi është njëri nga etërit e shtetit Kosovës, kush janë ata baballarët tjerë që kurrë nuk i përmendi Joe Biden, me emër. Hashim thaçi vetëm nuk e ka krijuar shtetin e kosovës. Hashim Thaçi nuk është më George Washington: - Sepse, George Washington nuk ishte anëtar i asnjë partie politike, kurse Hashim Thaçi është anëtar, dhe kryetar permanent i partisë së tij; - Sepse, George Washington krijoi qeverinë nacionale, dhe ishte patriot dhe nacionalist, ndërsa Hashim Thaçi, patriot po, ka qenë, por nacionalist jo. E patriotizmi pa nacionalizëm, është si poezia e shkruar me shpirtin e huazuar. - George Washington ishte strateg i madh, luftëtar i madh, kurse Hashim Thaçi nuk ishte luftëtar, por bënte politikë për luftëtarët që u vranë në luftë. - George Washington, krijoi kombin amerikan-kurse Hashim Thaçi arriti që ta “shuaj” kombin shqiptar në kosovë. Por, Washington e kishte më lehtë, sepse si baba i Amerikës, po krijonte një komb nga fillimi, ndërsa Hashim Thaçi e kishte më vështirë, se po “shuante” një komb të gatshëm, për ta transformuar kombin e vjetër shqiptar (por, vetëm shqiptarët) në një shoqëri kosovare. Në pamundësi që ta krijoj gjuhën kosovare, Hashim Thaçi i lejoi shqiptarët që ta flasin gjuhën e “huazuar” të kombit shqiptar të Shqipërisë. Serbëve, romëve, turqëve e të tjerëve ua mundësoi që të vazhdojnë të jenë serb, turq e romë. Vetëm shqiptarët duhet të jenë kosovarë. Edhe kjo është një meritë e madhe për z,Thaçi, por e pakrahasueshme me George Washington, të cilin analiza e zbulon se e kishte shumë më lehtë se Thaçi. Sepse, George Washington e ka krijuar një komb, kurse Hashim Thaçi e ka “shuar” një komb. Tash, s’di a është më lehtë me shu’ apo me kriju’! - George Washington, gjatë karrierës së tij, nuk e përmendi kurrë fjalën Zot, por në vend të kësaj fjale e përmendi fjalën “Largpamje”, kurse Hashim Thaçi, as ky nuk e përmend me gojë emrin Zot, por e përmend me gjeste, sipas nevojës. Për shembull, herë mban në dorë dhe në gojë një gotë shampanjë ose verë të kuqe, herë së bashku me Erdoganin lutet nëpër xhamia. Edhe George Washington u pa disa herë duke e shoqëruar gruan e tij të dielave në kishë, por personalisht vet, asnjëherë nuk i instrumentalizoi ndjenjat fetare amerikane për të mbajtur pushtetin, siç bën dikush-dikush. - George Washington nuk ishte i akuzuar për krime me organe njerëzore, nga askush, por ishte një njeri i jashtëzakonshëm, i vetmi që u zgjodh nga vota 100 % e elektoratit. Hashim Thaçi ende ka punë me Dick Marty-n (të cilin nuk pati zemër ta padis për shpifje), dhe atij iu desh gjithkush, të gjitha minoritetët çka janë për ta formuar e për ta mbajtur qeverinë e tij. - George Washington, nuk ishte milioner, dhe gjatë kohës së tij në pension, u kujdes për plantacionin e tij të kuajve, ku një ditë u sëmur nga të ftohtit, për shkak se nuk i zhveshi rrobet e lagura nga shiu, u ftoh rëndë dhe vdiq. -Sipas një legjende popullore,Washington kishte problem me dhëmbë, dhe kur u bë president i kishte dhëmbë prej druri, ndërsa Hashim Thaçi duket që ka më shumë dhëmbë seç është e nevojshme. Ta krahasosh Hashim Thaçin me George Washintonin është gabim demokratik. Sepse, nëse ka George Washington Kosova, ai George Washington është vet Amerika. Kur "New York Times" e zbarkoi në Evropë, dhe kryeministrin tonë e krahasuan me Garry Adams, menjëherë na u kujtua Krishti, i biri i Zotit (atij i qofshim falë). Na u kujtua “pajtimi” anglezo-irlandez. Edhe ky kompliment i “New York Times” për kryeministrin e vendit, është një lëshim demokratik, sepse Hashim Thaçi nuk po bën “pajtim” fetar në emër të atit, por po premton “pajtim” ndërshtetëror me Serbinë, së bashku me Daçiqin. - Për ta inkurajuar “pajtimin” shqiptaro-serb e përmendën edhe Nobelin për Paqe, që do ta ndajnë shqiptarët së bashku me serbët. Kosovën e ndanë, pasurinë e Kosovës po, Qeverinë e ndanë me serbët, tash do ta ndajnë edhe Nobelin për Paqe. Vetëm Ibri dhe Gazivoda s’do të ndahen kurrë. Nobelin për Paqe, kryeministri Thaçi, do ta ndajë me Daqiçin, që do të thotë do të jetë një mirënjohje e madhe edhe për Sllobodan Milosheviqin, të cilit me pasion i shërbente Daçiqi. Shqiptarët e kanë një Nobel për Paqe, Nobelin e Nënë Terezës. Por, Nobeli për Paqe nuk e sjell paqen. Ky Nobel asgjë nuk po i ndihmon Nënës Tereze që pranë pllakave të dëmtuara të mermerit në permendoren e saj, të ndalet një djalë i PDK-së, para selisë së tij në sheshin Nënë Tereza dhe ti këqyr se si po thyen e po bien në tokë. Aty nuk po shihet Nobeli që e mori Nëna Terezë për Paqe, por po shihen copëzat e mermerit të përmendores së saj të dëmtuara rëndë. Nobeli për Paqe jepet për të paqen që nuk ekziston, pra për paqen e premtuar që do të ndodh një ditë. Nobeli për Paqe u mor nga disa personalitete që u bën subjekte kundërthënëse, si për shembull BE-ja, Barack Obama, që vet tha se është befasuar me këtë çmim, sepse e di që nuk e meriton, por Nobelin nuk e morën ata që e merituan. Magazina amerikane “Foreign policy” e permend Mahatma Gandhin, Vaclav Havelin e të tjerë që “është dashur ta marrin këtë çmim dhe nuk e morën kurrë”. Unë e përmend këtu Ibrahim Rugovën që e ka merituar këtë çmim. Këta janë personalitetet që vërtet nuk e vranë askend në luftë, dhe ishin kundër luftës , se verbërisht besuan në paqe-pa luftë. Çmimi nobeil për paqe iu dha gruas nga Kenia, Wangari Mahathai, anipse për radio Evropa e Lirë, njëherë ajo tha se HIV/AIDS është shpikur nga Amerika për ta depopulluar Afrikën. Shimon Peres, Yitzhak Rabin, Jaser Artafat e kanë marrë Çmimin Nobel për Paqe para 20 vjetësh (1993) , për marrëveshjen paqësore OSLO I, por konflikti izarelito-palestinez vazhdon dhe ende nuk ka përfunduar. Pra, çmimi Nobel për Paqe nuk e garanton paqen, por është një mirënjohje që jepet për një paqe që nesër do të vjen. Si Oskari, po devalvohet edhe çmimi Nobel për Paqe, sepse po u jepet atyre që nëpërmjet luftës së përgjakshme, dhe sakrificës së madhe të popullit, promovojnë paqen, pasi që përfundon lufta me viktima. Paqa nis me buzëqeshje, sipas Nënë Terezës, dhe paqa vjen e fundit, ose kurrë nuk vjen, sipas meje, bijës së saj. Mezi s’po pres që ta marrin në dorë Republikanët.
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 15:51:28 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015