Opinion Idetë e djathta do të vazhdojnë të qeverisin - TopicsExpress



          

Opinion Idetë e djathta do të vazhdojnë të qeverisin Shqipërinë Nga Besart Kadia Gjenerata tjetër në Shqipëri: Ndërtimi i një modeli të ri për rritjen ekonomike”, ishte konferenca e organizuar nga qeveria e re. Modeli i rritjes ekonomike është një temë shumë me vlerë, së cilës një ushtri ekonomistësh i kanë dedikuar jetën për të kuptuar arsyet se përse, për shembull, një shtet si SHBA-ja është i pasur dhe një shtet tjetër si Egjipti jo. “E me të vërtetë, – shkruan Laureati i Çmimit “Nobel”, Robert Lucas, – kur fillon dhe mendon për rritjen ekonomike, është vështirë të mendosh për ndonjë çështje tjetër”. Në vijim të kësaj, duke qenë se edhe mandati i ri është i qartë për qeverinë e re, konferenca së bashku me pjesëmarrësit e nderuar nga e gjithë bota duhej të ofronte një strategji të qartë të modelit të ri ekonomik, por faktikisht kjo mungoi. Mungoi, pasi pjesëmarrësit dhe kryeministri i ardhshëm ranë dakord për një gjë: shteti nuk duhet të ndërhyjë në ekonomi dhe tregjet duhen ndihmuar, sidomos tregjet financiare. Modelin e rritjes ekonomike Shqipëria faktikisht e ka zgjedhur prej vitesh. Ai është një model i thjeshtë dhe shumë efikas. Një model që është sugjeruar nga organizmat ndërkombëtarë. Një model i cili është i bazuar në teori ekonomike, politike dhe filozofike. Është një model me të cilin Shqipëria ka patur sukses. Është një model që nuk duhet ndryshuar. Është modeli neoliberal i rritjes ekonomike, ku liria e tregut dhe mungesa e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi garanton akumulimin e kapitalit privat, investimet dhe përmirësimet në burimet njerëzore, lehtësinë e normës së interesit dhe pavarësinë e Bankës Qendrore apo konkurrueshmërinë e eksporteve vendase përmes përfshirjes në organizma ndërkombëtarë, si Organizata Botërore e Tregtisë. Teksa të ftuarit shprehnin mendimet se çfarë duhej të bënte Shqipëria, shumë pak përmendnin çfarë ka shkuar mirë këto njëzet vite në Shqipëri apo të ofrohej një platformë për ekonomistët shqiptarë, të cilët e njohin mirë realitetin, apo të përmendin gjetjet e Konferencës së Universitetit të Oksfordit dhe Bankës së Shqipërisë disa vite më parë për të njëjtën temë… Stabiliteti makroekonomik, i cili matet me nivelin e inflacionit në vend, ka qenë stabël në 3% përgjatë dhjetë viteve të fundit, falë politikave konservatore monetare, në një kohë kur në shtetin e ish-guvernatorit të Bankës Qendrore turke inflacioni ka qenë mesatarisht 10% për këtë periudhë kohe. Nga ana tjetër, ish-ministri i Financave rumune nuk tregoi se si TVSH-ja në shtetin e tij është 25% dhe është rritur gjatë krizës, ndërkohë që në Shqipëri mbetet 20%, pavarësisht krizës. As për faktin që iu desh të merrte 20 miliardë euro borxh në vitin 2009, për shkak të keqmenaxhimit të ekonomisë. As për faktin që, kur në Shqipëri administrata publike përjetonte rritje të pagës, në Rumani atyre iu desh të shkurtonin pagat me 25%; apo kur ekonomia në vitin 2009 ra me 7% brenda vitit, ndërkohë që në Shqipëri pati rritje ekonomike. Ndërkohë, nuk besoj se ia vlen të argumentosh mbi ç’mund të ketë thënë ish-ministri grek i Financave! Modeli i rritjes ekonomike ka nevojë për ekspertë ndërkombëtarë dhe dy institucione që ishin prezente, konkretisht Banka Botërore dhe BERZH-i, theksuan në mënyrë konstante arritjet e ekonomisë shqiptare këto njëzet vite. Ellen Goldstein, drejtoresha e Europës Juglindore dhe Azisë Qendrore, shprehu se si në fillim të viteve 1990 nuk kishte më shumë se dy-tri ore energji elektrike në ditë dhe ishte shume ftohtë në hotelin më luksoz të Tiranës. “Ndërkohë, – shprehet ajo, – në Pogradec këtë verë unë pata mundësi të përdorja wi-fi falas, në një benzinatë shumë larg qytetit. Shqipëria, – tha ajo, – ka mundur të kapërcejë nga një shtet me të ardhura të ulëta, konkretisht nga 1065 dollarë për frymë në vitin 1991m në 3521 dollarë në vitin 2012 (këto me kursin fiks të dollarit të vitit 2005), në një vend me të ardhura të mesme”. Sipas saj, “mund të vuani pikërisht nga arritjet e këtyre viteve, pasi jeni bërë aq të pasur, sa të mos doni të bëni punë që do t’i bënin vendet e varfra dhe jo aq të pasur, sa të keni mundësi të zhvilloni punë me produktivitet dhe njohuri të larta”, Sipas kryeekonomistit të BERZH-it, Eric Berglof, sfidat e Shqipërisë janë të ngjashme me shtetet e tjera me të ardhura të mesme dhe, sipas tij, shumë pak shtete ia kanë dalë që në njëzet vite të arrijnë të kapërcejnë pikërisht në nivelin e shteteve me të ardhura të larta. Shqipëria, sipas tij, me nivelin e rritjes ekonomike aktuale, nuk do t’ia arrijë dot. Faktikisht, pavarësisht se nuk u përmend në këtë konferencë rregulli i ’70-ës, i cili thotë se, nëse Shqipëria do të dyfishojë të ardhurat për dhjetë vitet e ardhshme, atëherë duhet të rritet me 7% në vit. Ndërkohë që të gjitha gjasat janë që, për të paktën dy-tri vitet e ardhshme, rritja ekonomike të mos jetë kaq e lartë. Shqipëria, sipas ekonomistit të BERZH-it, ishte një vend me shumë pak kapital në fillim të viteve 1990 dhe tashmë nga një vend në tranzicion, është një vend në zhvillim dhe për këtë arsye, sfidat janë shumë të ndryshme nga sfidat e deritanishme. Ndërkohë, në konferencë nuk u përmendën aspak projektet e mëdha të ndryshimit, si: shëndetësia falas, taksa progresive, heqja e taksave për bizneset e vogla, ulja e taksave për 95% të shqiptarëve, legalizimet falas etj. Këto ndoshta do të adresohen në një konferencë të dytë, por do të ishte interesante të shpreheshin ekspertët e huaj për këto alternativa qeverisëse. Sido që të jetë, të tre ministrat e qeverisë së re, i Financës, i Ekonomisë dhe i Energjetikës, ishin të një mendimi, që shteti nuk mundet të jetë ofruesi i shërbimeve apo aktori që do të përzgjidhet për të garantuar rritje ekonomike. Përkundrazi, roli i shtetit do të jetë partneriteti me biznesin, respektuesi i kontratave private, lufta ndaj korrupsionit etj. Në fund të fundit, konferenca nuk dha ndonjë model të ri për rritjen ekonomike, por premtoi një shtet partner të tregut, duke dhënë siguri se idetë neoliberale, pavarësisht retorikës, nuk do të zëvendësohen dot dhe duhet t’i shërbejnë edhe gjeneratës tjetër në Shqipëri. cl 77news.al/mobile
Posted on: Wed, 28 Aug 2013 20:39:06 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015