Opinion Veton Surroi Tri kërcënimet e Kosovës! Zaptimi i - TopicsExpress



          

Opinion Veton Surroi Tri kërcënimet e Kosovës! Zaptimi i shtetit në prani të bashkësisë ndërkombëtare, mospërfundimi i ndërtimit të shtetësisë së Kosovës dhe rritja e islamizmit politik si alternativë ndaj shtetndërtimit të korruptuar, janë kërcënimet kryesore me të cilat jeton Kosova 1. Po të kërkohej top lista e kërcënimeve kryesore për sigurinë e Kosovës, në të do të ishin këto tri: Një, zaptimi i shtetit në prani të bashkësisë ndërkombëtare. Dy, mospërfundimi i ndërtimit të shtetësisë së Kosovës. Tre, rritja e islamizmit politik si alternativë ndaj shtetndërtimit të korruptuar. Natyrisht, ky nuk është vështrimi i autoriteteve kosovare. Vështrimi i tyre është tjetër fare dhe i krijuar në saje të përvojës pesëmbëdhjetëvjeçare. E kjo përvojë tregon fillimisht se Kosova do të jetë çështje ndërkombëtare përderisa të mos ketë përmbyllje në çështjen e identitetit të vet në të drejtën ndërkombëtare, pra anëtarësim në OKB. Pastaj, autoritetet e vendit kanë kuptuar se prania ndërkombëtare është pak a shumë e paaftë për të menaxhuar (apo mbikëqyrur) Kosovën dhe se asaj i nevojitet që së paku të krijojë një pasqyrë normaliteti. Ato, autoritetet, ndaj, kanë kuptuar se partia apo partitë që garantojnë këtë shëmbëllim normaliteti do të bëhen partnerë të bashkësisë ndërkombëtare. Dhe së fundi, prania ndërkombëtare dhe krijuesit vendorë të shëmbëllimit të normalitetit do të bëjnë një kontratë të panënshkruar, sipas së cilës krijuesit vendorë të shëmbëllimit të normalitetit do të pranohen të atillë çfarë janë, përderisa ka shëmbëllim normaliteti. Autoritetet kosovare, me këtë përvojë, pastaj, i proklamojnë opinionit publik se Kosova është faktor i rëndësishëm paqeje e bashkëpunimi në Ballkan, se është partnere e Perëndimit dhe është anëtare e BE-së në një ardhme të afërt. Ky imazh, me një investim minimal nga ana e saj, u ndihmua edhe nga zonja Ashton; bisedimet Thaçi-Daçiq u shndërruan në historike, sepse ajo kishte nevojë të vetëpërshkruante përpjekjen e saj - të vetmen në politikë të jashtme që i ka mbetur ta quajë disi të suksesshme. 2. Zaptimi i shtetit është kërcënimi më i madh i sigurisë që vjen nga Kosova. Struktura e tanishme shtetërore që duket se po jep shëmbëllim normaliteti, nuk e derivon forcën e vet as nga legaliteti e as nga legjitimiteti. Kjo forcë është e bazuar në një “strukturë paralele” që ka pasur prej kohësh burime jotransparente financimi dhe që nëpërmjet të vjedhjes së votës është vendosur në pushtet. Përgjatë pesëmbëdhjetë vjetëve kjo organizatë që paraqet Partinë brenda Partisë (PDK-së në pushtet) ka arritur të ushtrojë ndikim apo të kontrollojë pothuajse të gjitha institucionet, edhe ato që duhej të ishin të ndara a të pavarura, të shtetit. Përgjatë po këtyre pesëmbëdhjetë vjetëve, prania ndërkombëtare në Kosovë ka qenë e pazë apo e padhëmbë karshi zaptimit të shtetit. Apo e ka ndihmuar, dhe ja dy shembuj. I pari: njëri prej vendimeve fillestare të UNMIK-ut, në të ardhur në Kosovë ka qenë dhënia e kontrollit të pikave të benzinës biznesit që e caktoi kreu i Qeverisë së atëhershme të ashtuquajtur të përkohshme (kryeministri i tanishëm). I dyti: ndonëse vjedhja e votave qe quajtur “industriale” më 2010, Zyra e Baroneshës Ashton nuk qe interesuar aspak të merrej me një problem të këtillë që hap çështjen e legalitetit dhe legjitimitetit qeverisës, por kërkoi që vëmendja të drejtohej nga bisedimet me Serbinë. Zhbërja e “strukturave paralele” shqiptare do të jetë një proces i dhimbshëm për ardhmërinë e demokracisë në Kosovë. Keqpërdorimi i parasë publike i paprecedent edhe për Ballkanin shkon në qindra miliona euro. Nuk është në interes për këtë elitë apo të formave të tjera të krimit të organizuar me të cilën bashkëpunon që të ndërpritet modeli i tanishëm dhe që vendi të shkojë nga funksionaliteti i demokracisë. Dëmi është i një afati më të gjatë dhe është evident në institucionet e dobëta të shtetit. 3. Shtetësia e papërfunduar e Kosovës vazhdon të jetë problem i sigurisë. Deri më tani pjesa veriore e vendit, me shumicë serbe, ka qenë e administruar me një marrëveshje të lehtë mes bashkësisë ndërkombëtare, Serbisë dhe prijësve lokalë. Kjo marrëveshje është pak a shumë sikur me shqiptarët e Kosovës: krijimi i një shëmbëllimi normaliteti. Në Serbi, edhe pas Marrëveshjes së Brukselit, Kosova është pjesë e saj, e rrjedhimisht është edhe për Rusinë, Kinën dhe një numër të rëndësishëm shtetesh, përfshirë edhe pesë anëtarë të BE-së. Për të gjithë këta, çështja e statusit të Kosovës është ende e kontestuar. Kështu vazhdon të mbetet ende, pas dy vjetësh negociatash. Ato kanë krijuar një marrëveshje, por ajo marrëveshje nuk është kornizë juridike që normalizon marrëdhëniet. Për më tepër, lë hapur për interpretim të gjitha problemet mes Kosovës e Serbisë. Kosova nuk ka arritur një përfundim juridik në bisedimet me Serbinë. Përkundrazi, Prishtina, Beogradi dhe Brukseli kanë hapur një proces fërkimi politik dhe të sigurisë mes institucioneve qendrore dhe atyre të serbëve (në Veri, madje edhe në Jug), në një proces krijimi të autonomisë serbe në Kosovë, jashtë sistemit të tanishëm juridik dhe kushtetues të Kosovës. 4. Kosova është një shtet i papërfunduar dhe i korruptuar, i cili ka keqshpenzuar kapitalin e vet publik të paktë pa krijuar rritje ekonomike. Për më tepër, ky shtet i papërfunduar dhe i korruptuar, në pesë vjetët prej se ka shpallur pavarësinë, e ka shpenzuar edhe energjinë kohezive të nevojshme për procesin e shtetndërtimit. Energjinë që rrjedh nga ndjenja e çlirimit, që e kemi prej vitit 1999. Energjinë që rrjedh nga nacionalizmi, në formën e vet shtetndërtuese. Islami politik, në një formë të studiuar mirë, është duke u infiltruar me shpresë të kontrollimit të një pjese të debatit publik, institucioneve religjioze, dikur edhe institucioneve shtetërore. Me formën e vet globalizuese, islami politik ndërkombëtar është duke krijuar presion tek shqiptarët e regjionit, në Luginë të Preshevës, Maqedoni e Kosovë, pra në të gjitha viset ku pati konflikt të armatosur apo ka ende situatë politike të parregulluar. Potenciali i këtij kërcënimi, i konkurrencës së islamit politik karshi shtetit të zaptuar shihet në Siri. Deri më tani mbi pesë shqiptarë nga regjioni, dy nga Kosova, janë vrarë në Siri. Sipas burimeve siriane, ata atje po luftojnë në një luftë që është krejtësisht e huaja për trevat shqiptare; po luftojnë në njësitet që besojnë në luftën doktrinare mes sunitëve kundër alevitëve (shiitë). 5. Të tria rreziqet i ndodhin një vendi që nuk ka perspektivë të qartë evropiane, madje në kohën kur edhe ashtu po zvarritet perspektiva e zgjerimit të BE-së me shtete të reja. Por, për dallim prej vendeve të tjera të regjionit, që të penguara apo jo në rrugëtimin e vet evropian, janë partnerë kontraktualë të BE-së, Kosova nuk është. Përkundër tërë propagandës që bëhet në Bruksel dhe në Prishtinë, cilësia e marrëdhënieve mes BE-së dhe Kosovës nuk ka ndryshuar, përderisa të mos ndryshojë qasja fondamentale (fondamentaliste, mund të thuhet po ashtu) të pesë shteteve të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo që të bëjë Prishtina në implementinim e Marrëveshjes së Brukselit, Kosova nuk i ka ndryshuar dy mangësitë e veta themeltare. Një, është shtet disfunksional i zaptuar nga një elitë e kriminalizuar. Dy, cilësinë e marrëdhënieve me Kosovën, edhe po të ishte sot një vend demokratik e funksional, prapë do ta diktonin pesë vendet anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur vendin. (Ky shkrim bazohet në prezantimin lidhur me konferencën “Periferia e rrezikuar” e organizuar prej disa instituteve evropiane, të mbajtur në Vjenë). Ç.L. 77news.al
Posted on: Mon, 30 Sep 2013 06:18:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015