Pershendetje te gjitheve miqt e mi! Sic edhe eshte bere e - TopicsExpress



          

Pershendetje te gjitheve miqt e mi! Sic edhe eshte bere e perditshme tashme, do te vazhdojme me piken e rradhes se Programit te Partise Socialiste te Shqiperise. Sot do te flasim per: 1.7 Zhvillimi rural dhe bujqësia-pjesë e rëndësishme e rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm Bujqësia vazhdon të ketë një rol të rëndësishëm ekonomik në Shqipëri, duke qënë, praktikisht, sektori kryesor i ekonomisë. Gjysma e popullsisë së vendit jeton në fshat dhe gjysma e numrit të të punësuarve merret me bujqësi. Bujqësia kontribuon me 1/5 e PBB dhe shfrytëzon rreth 40% të burimeve tokësore të vendit. Por, fatkeqësisht, të ardhurat mesatare të familjeve që jetojnë në fshat nuk janë as gjysma e të ardhurave të familjeve që jetojnë në qytet. Kjo gjendje kërkon ndryshim rrënjësor. Ne jemi gati për këtë ndryshim. Kapaciteti i vogël i fermave bujqësore, niveli i ulët i teknologjisë së përdorur dhe mungesa e bashkëpunimit midis fermerëve, janë disa nga faktorët që pengojnë zhvillimin e qëndrueshëm e të shpejtë të bujqësisë shqiptare. Shumica e fermave në vend, afërsisht 60%, nuk arrijnë të shesin prodhimet e tyre në tregun shqiptar. Marrëveshjet e Tregtisë së Lirë, ku Shqipëria bën pjesë, e kanë ekspozuar prodhimin tonë bujqësor përballë një konkurence të fortë në tregjet fqinje. Deri më sot, bujqësia shqiptare është zhvilluar në mënyrë krejt spontane, pa ndihmën e shtetit, duke përdorur vetëm energjinë e pashtershme të fshatarit shqiptar dhe duke u mbështetur vetëm tek kërkesa e tregut vendas, të cilin për më tepër, nuk e akseson dot në të shumtën e herës. Sot, Shqipëria eksporton 9 herë më pak prodhime bujqësore në krahasim me importin. Për ne, ky raport është i papranueshëm. Ne jemi të gatshëm ta ndryshojmë atë tani. Sfida kryesore në zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale në Shqipëri është transformimi i sektorit bujqësor nga një sektor prodhimi për mbijetesë, në një sektor të qëndrueshëm, modern, konkurues, të aftë për t’iu pergjigjur sfidave të zhvillimit lokal dhe rajonal, për të përballuar ndryshimet klimatike si dhe nevojat në rritje të popullsisë për prodhime bujqësore. Ferma shqiptare është sot e bazuar totalisht në modelin familjar, që kushtëzohet nga sipërfaqja e saj shumë e vogël dhe kërcënohet nga konfliktet e pronësisë. Ne do të arrijmë konsolidimin ligjor të fermës duke respektuar të drejtën e pronës private mbi tokën. Ne do të krijojmë mundësi që fermerët shqiptarë të përfitojnë realisht nga avantazhet konkurruese që disponon bujqësia e vendit tonë, si toka pjellore, burimet e shumta ujore, numri i madh i ditëve me diell dhe mundësia për të nxjerrë në treg produktet shqiptare përpara konkurrentëve fqinjë. Do të mbështetemi në traditën e bujqësisë tonë, do të promovojmë historitë e suksesit të 20 viteve të fundit dhe do të nxisim prodhimin e kulturave që krijojnë më shumë vlerë të shtuar.Ne angazhohemi për t’i dhënë kujdes prioritar dhe të vazhdueshëm bujqësisë, pa ndërhyrë në veprimtaritë ku sipërmarrja private ka dëshmuar se është më efektive. Përkundrazi, qeveria jonë do të nxisë investimet private dhe, njëkohësisht, do të përforcojë institucionet që mundësojnë cilësi dhe garanci për materialin mbjellës bujqësor dhe blegtoral. Do të ofrojmë garanci për shërbime cilësore veterinare dhe fitosanitare, për trajtimin e harmonizuar dhe efiçient të tokës bujqësore, krijimin e një modeli funksional të administrimit të kapaciteteve ujitëse e sistemeve kulluese dhe fondit gjenetik. Për të rritur konkurrencën dhe promovuar ekobujqësinë, qeveria do të ndihmojë në ngritjen e një sistemi efikas e të besueshëm që ruan gjurmë të origjinës së produkteve shqiptare dhe garanton vërtetësinë e etiketave të produkteve shqiptare bujqësore dhe blegtorale. Duke u zhvilluar në harmoni me nevojat e agropërpunimit, zgjerimit të turizmit dhe ruajtjes së mjedisit, bujqësia do të jetë pjesë e një rritje ekonomike të qëndrueshme. Për të arritur këtë, do të mundësojmë krijimin e rrjetit kombëtar të grumbullimit, ruajtjes dhe tregëtimit me shumicë, me qëllim që produktet vendase bujqësore e blegtorale të jenë prezente sa më gjatë në tregun shqiptar. Aktualisht, çmimi i naftës është tre herë më i shtrenjtë se në vitin 2005. Pas tre vitesh zbatim, skema e rimbursimit me 6% të TVSH-së për shitjen e produkteve bujqësore nuk ka dhënë asnjë rezultat. Nuk është faji i fermerit pse në fshat nuk funksionojnë mekanizmat e ekonomisë moderne të tregut të lirë dhe pse në fshat aktivitetet prodhuese e tregëtare janë ende shumë joformale. Fermeri ynë duhet vendosur në kushte të njëjta për të kryer biznes si çdo sipërmarrës tjetër që ushtron aktivitet në qytet. Politika fiskale që ne ofrojmë do të shënjestrojë uljen e drejtpërdrejtë të çmimeve të mekanikës bujqësore dhe imputeve bujqësore, me qëllim uljen e kostove të prodhimit, rritjen e konkurrencës dhe lehtësimin e daljes së produkteve vendase bujqësore në tregjet e eksportit. Të gjitha të dhënat tregojnë se bujqësia shqiptare mund të jetë tepër konkuruese, veçanërisht në kushtet e një infrastrukture të përmirësuar. Por bujqësia nuk mund të zhvillohet pa shtuar mbështetjen financiare të qeverisë. Eksperiencat pozitive të institucioneve financiare vendase, si shoqëritë e kursim - kreditit, që përkrahin bujqësinë do të mbështeten fuqimisht nga qeveria jonë e re, për të lehtësuar dhe balancuar mungesën e sistemit bankar në fshat, duke nxitur bashkëpunimin dhe shpërndarë rrezikun midis fermerëve.Do të pesëfishojmë financimin publik për zhvillimin rural.Në Shqipëri nuk ka patur politika efektive për mbrojtjen e pyjeve dhe burimeve të tjera natyrore. Pas vitit 2005, emërimet politike në institucionet menaxhuese të pyjeve nxitën dukshëm dëmtimin e sipërfaqeve pyjore dhe zgjeruan hapësirat për fenomene korruptive. Dukuritë negative të shpyllëzimeve të sipërfaqeve të mëdha duke prerë më shumë se dyfishin e mundshëm të pemëve, prerjet e paligjshme të rrënjëve, mbikullotjet dhe zjarret masive, kanë sjellë dëmtim të tokave pyjore, rritjen e erozionit të tokës dhe degradim serioz të larmisë biologjike.Ne synojmë decentralizimin e sistemit të menaxhimit të burimeve pyjore, por, në të njëjtën kohë, synojmë t’i japim qeverisjes qëndrore përgjegjësinë e plotë për hartimin e politikave dhe miratimin e kuadrit rregullator në këtë fushë. Zhvillimi i zonave rurale do të marrë hov edhe nga përfitimet që sjell mirëmenaxhimi i territorit. Do të rehabilitohen sipërfaqet e mëdha të shfrytëzuara për gurore dhe do të promovohen prodhimet e dyta pyjore. Shqipëria ka fatin të përfshijë në territorin e saj tre liqene ndërkufitare me vlera unikale natyrore, por edhe me potenciale të mëdha për zhvillim.Të dy zonat bregliqenore të Shkodrës dhe Ohrit, por edhe ajo e Prespës, janë lënë në mëshirën e fatit e për pasojë, zhvillimit të tyre i mungon vizioni dhe karakteri miqësor ndaj mjedisit. Në bashkëpunim me vendet fqinje kufitare, do të hartohen e miratohen plane rajonale zhvillimi për të mirën e komunitetit dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të tyre. Në mirëkuptim me komunitetin e peshkatarëve, do të ndalohen në të gjithë liqenet, përfshirë edhe në ata të brendshëm, natyralë e artificialë, të gjitha aktivitetet që dëmtojnë rezervën peshkore duke e kthyer aktivitetin e peshkimit në normalitet.
Posted on: Mon, 02 Dec 2013 00:13:13 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015