Planet e punësimit partiak, ministrat zhgënjejnë militantët - TopicsExpress



          

Planet e punësimit partiak, ministrat zhgënjejnë militantët Ndryshimi i pushteteve i ka futur ethet administratës së shtetit. Rreth 120 mijë zyrtarë në gjithë vendin, ndodhen përballë pasigurisë që krijon në Shqipëri rotacioni i qeverive. Një procedurë që duhet të ishte normale në vendet e tjera, në vendin tonë kthehet në një operacion spastrimi, duke nisur nga punonjësit sanitarë e deri te drejtuesit më të lartë. Të paktën kjo gjë ka ndodhur në rastet e mëparshme në ndërrimin e pushtetit ekzekutiv, por edhe të drejtuesve të rinj të pushtetit vendor. Frika për operacione të njohura me emrin “fshesa”, në administratë bëhet dhe më e dukshme duke parë deklaratat e bëra nga zyrtarët e mazhorancës së re, ku nuk kanë munguar dhe kërcënimet. Kërcënime që kanë ardhur në formën e verifikimit të aftësive dhe përputhshmërisë së studimeve me vendin e punës. Por të gjithë e dinë se tek fjalët “verifikim” dhe “përputhshmëri studimesh” mund të fshihen mjaft kleçka ligjore që justifikojnë largimin nga puna. Një tjetër kërcënim i hapur ndaj zyrtarëve janë konkurset on-line të Partisë Socialiste. Një mesazh ky që mund të merret dhe si krijim i ushtrisë rezervë për administratën. Por çfarë ka ndodhur në ditët e para të qeverisjes së koalicionit të majtë? Tingëllon paradoksale, por një pjesë e deputetëve dhe drejtuesve lokalë të Partisë Socialiste janë të pakënaqur me atë që mund të cilësohet si “plani i punësimit”. Ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, në zgjedhjet që kanë bërë për krijimin e stafeve dhe drejtuesit e drejtorive, rezultojnë të jenë ndikuar më pak nga klientelizimi partiak. Është shpejt për të bërë vlerësime përfundimtare, por drejtoritë e para në disa ministri dhe poste kyçe në këto dikastere, ministrat ua kanë besuar njerëzve që nuk njihen për aktivistë dhe militantë të Partisë Socialiste. Në dy raste, në stafet e ministrive të reja kanë mundur të dalin dhe emra ekspertësh që më parë kanë punuar me ministra të ndryshëm të qeverisë së Partisë Demokratike përgjatë tetë viteve të fundit. Një veprim që është pritur me habi dhe rrudhje buzësh nga mjaftë deputetë dhe drejtues lokalë të Partisë Socialiste në Tiranë. Pavarësisht se bëhet fjalë për raste të izoluara dhe jo për fenomen, një gjest i tillë tregon maturi nga ana e ministrave të rinj. Por janë vetëm ditët e para të qeverisë dhe radha e ushtrisë së të papunëve, që për Partinë Socialiste është një milion, mbetet ende në pritje. Në pritje janë dhe ata që gjatë fushatës ishin pjesë e mitingjeve dhe e dekorit të Partisë Socialiste, me kushtin e vetëm të këmbimit të mundit dhe votës me një vend pune. Drejtuesit e dikastereve të qeverisë së re, kanë vendosur që fillimisht në emërime të tregohen të kujdesshëm. Kriteri është ai i zgjedhjes së figurave që njihen në publik dhe kanë impakt pozitiv. Por sado që të duket zgjedhje e drejtë, në mjaft raste kriteret e vlerësimit janë relative. Në disa drejtori, kryesisht ato që lidhen me institucionet si të “pavarura” dhe media shtetërore përfliten emra që gëzojnë simpatinë e një pjesë të opinionit, por që kurrë më parë nuk janë provuar në detyra shtetërore dhe nuk kanë treguar se janë të aftë të menaxhojnë një pasuri me interes për publikun. Kërkimi i sforcuar i emrave që kanë qenë luajal me qëndrimet e opozitës gjatë tetë viteve të fundit, mund të sjellë në këto poste njerëz, jo vetëm larg pritshmërive të partisë, por edhe larg pritshmërive të opinionit, që ndjek me lupë sjelljen e qeverisë së re. impakt.al/politika/planet-e-punesimit-partiak-ministrat-zhgenjejne-militantet
Posted on: Tue, 24 Sep 2013 12:08:16 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015