Prof. Dr. LISEN BASHKURTI President i Akademisë Diplomatike - TopicsExpress



          

Prof. Dr. LISEN BASHKURTI President i Akademisë Diplomatike Shqiptare A KA PLAN “B” POLITIKA SHQIPTARE PËR RAJONIN BALLKANIK? Intervistë me Prof. Dr. Lisen Bashkurti, Diplomat - Zoti Bashkurti, Në The Economist, paralajmërohet zoti Rama se mund të ketë probleme me emrat peshë të PS-së. Ju mendoni se kjo mund të ngjasë? E lexova me shumë kujdes “The Economist” lidhur me shqetësimet që parashtronte për marrëdhëniet ndërmjet z. Rama dhe personaliteteve me përvoje politike dhe parlamentare brënda Partisë Socialiste. Baza e vërtetësisë së saj mbetet relative. Burimi i informacionit, natyrisht ka rrjedhur nga radhët e senatorëve parlamentarë të mazhorancës socialiste. Një problem i tillë, duke e konsideruar relativisht të saktë, është serioz për qëndrueshmërinë dhe funksionimin e mazhorancës parlamentare në këtë mandat qeverisës. Jo më larg se brënda javës së kaluar, gjithë bota e ka mësuar se as Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Camerun, as Presidenti i ShBA, Obama dhe as Presidenti i Francës, Holland nuk anashkaluan kurrësesi përfaqësuesit e sovranit nga vendim-marrje të rëndësishme për Sirinë, madje edhe kur konstitucionalisht e kanë këtë të drejtë personale. Ky raport bashkëpunimi ndërmjet liderit të shtetit dhe mazhorancës parlamentare është themeltar për ekzistencën e funksionimin e demokracisë në shkallë vëndi dhe në shkallë politike. Them që është themeltar, sepse, sikundër theksonte Presidenti Uillson në fillim të Shekullit të kaluar, “në demokraci nuk ka aq rëndësi qeveria si institucion, sesa parimet e saj qeverisëse”. Ndër parimet qeverisëse dy janë direkt të kushtëzuara nga marrëdhëniet midis liderit ekzekutiv dhe përfaqësuesve të zgjedhur nga sovrani: së pari, parimi i ndarjes së përgjegjësisë dhe, së dyti, parimi i bazës së gjërë demokratike në vëndim-marrje. Nuk ka asnjë dyshin se ndërtimi i strukturës së Qeverisë dhe kompozimi përbërjes së saj janë nga vendimet më të rëndësishme politike të një lideri, të cilat pashmangësisht lypet të bëhen në bashkëpunim të ngushtë me përfaqësuesit e legjislativit që mbajnë mandatin e sovranit secili vec e vec. Tek ne, sistemi zgjedhor është i tillë, që sovrani zgjedh parlamentarët dhe jo liderët kryesorë. Populli shqiptar nuk voton për kreun e listës zgjedhore, por për secilin deputet, sipas gjithë zonave elektorale. Le ta konsiderojmë këtë shkrim të “The Economist”, si një paralajmërim të hershëm dashamirës, por serioz për parimet e qeverisjes së re, që po bëhet gati të vij në detyrë. - Si rregull, stafi i këshilltarëve të kryeministrit parathotë në njëfarë mënyre suksesin ose dështimin e kryeminsitrit. Ju si i vlerësoni zgjedhjet e këshilltarëve të zotit Rama, ndër të cilët, mund të gjejmë vetëm emra të miqve apo të njohurve të tij? Lidhur me zgjedhjen e stafit të Kabinetit të Kryeministrit të ri nuk mund të ketë receta të përcaktuara as ligjërisht dhe as parimisht. Nuk ka dyshim se përbërja e kabinetit të këshilltarëve kryeministror është zgjedhje e vetë kreut të Qeverisë. Stafi i këshilltarëve, ndonëse është pjesa më teknike e strukturës kryeministrore, Qeverisë, gjithsesi ka peshën e vet në mënyrën dhe cilësinë e qeverisjes. Ka një praktikë të pa shkruar në demokracitë e konsoliduara për përzgjedhjen e stafeve të këshilltarëve. Dy janë karakteristikat e stafeve të këshilltarëve “well educated or experienced only”, pra me një formim shumë të lartë dhe të afirmuar, ose më një eksperincë shumë të gjatë dhe të konsoliduar. Nëse i qëndrojmë definicionit “këshilltar”, pra “këshill-dhënës”, këto dy karaktersitika zakonisht mbahen mirë parasysh në kompozimin e stafeve këshillimore pranë kreut të Qeverisë dhe të cdo institucioni që përmban në strukturën e vet stafe këshilltarësh. - Emërimi i Shkëlzen Maliqit në detyrën e këshilltarit për rajonin ka çelur shumë debate për shkak të lidhjeve të tij dhe të familjes se vet me rregjimin e Titos. Ju si njohës i mirë i çështjeve të rajonit dhe veçanërisht, i çështjeve shqiptare, e konsideroni një zgjedhje të mençur këtë emërim? Më lejoni të përgjigjem parimisht dhe pastaj konkretisht. Parimisht unë e kam përshëndetur ndër të parët iniciativën e z. Rama për të zgjedhur këshilltar nga Kosova për cështje të Rajonit. Madje, në gazetat kryesore dhe në rrjetin tim social, Facebook, kam theksuar që do ishte e mirë që një iniciativë e tillë të shtrihej edhe më këshilltarë të tjera nga shqiptarët mendjendritur të Maqedonisë, Malit të Zi, Preshëvës e Camërisë. Kjo do ishte shënja e parë e fillimit të bashkëpunimit më të mirë ndër-institucional mbarë kombëtar. Në këtë aspekt parimor, zgjedhja e këshilltarit nga Kosova është për t’u përshëndetur. Përsa i përket emrit konkret të z. Shkëlzen Maliqi unë kam njohje personale me të prej më shumë se dy dekadash. Jemi njohur në Prishtinë në fillim të viteve ’90-të kur Kosova ishte një burg i Serbisë dhe kryeqyteti i Kosovës ngjante me një gazermë ushtarake të saj. Në Shqipëri po lindte demokracia. Në Kosovë po lindte pavarësia. Dy anët e Kombit po rilindnin. Në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, atje ku sot ndodhet restoranti “Tifani”, kam pasur rastin e lumtur të takohesha me Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosen, Fehmi Aganin, Ukshin Hotin, Veton Surroin dhe shumë intelektualë, shkrimtarë, shkencëtar e gazetarë me emër të shquar në Kosovë dhe në mbarë Jugosllavinë. Atë kohë jam njohur edhe me Shkëlzen Maliqin. Më ka dhënë librat e tij, midis të cilëve “Nyja e Kosovës”, që më ka pëlqyer tej mase për analizën dhe forcën parashikuese. Shkëlzeni ka qënë tërë kohës aktiv dhe mjaft publik. Nuk dij të ketë asgjë tjetër pas tij, përvec Shkelzen Maliqit. Ai nuk ka qëndruar në hije. Ai nuk është fshehur prapa kulisave. Ai e ka shpalosur publikisht vetveten. Për këtë dhe vetëm për këtë e cmoj shumë. - Zoti Maliqi është djali i ministrit të brendshëm të Kosovës pas demonstratave dhe persekutimit serb të vitit 1981 njësoj si ka qënë në këtë detyrë Rrahman Morina psh, ju si njohës shumë i mirë i rezistencës kosovare gjatë asaj kohe, dhhe në vijim, mendoni se mund të prehen të qetë pas këtij veprimi Jusuf Gërdalla dhe heronjtë e tjerë të Kosovës deri te Adem Jashari? Këto ditë, në media lexoj të shkruhet lidhur me të kaluarën e z. Maliqi dhe të familjes në regjimin e Titos. Kam dëgjuar të përflitet sidomos babai tij që nuk rron më. Qysh në antikitet, Republikën e Romës, është shkruar në parimet e së drejtës së “fëmija nuk mban përgjegjësi juridike për babain”. Personalisht, në cdo vlerësim nisem nga karakteri, personaliteti, kapaciteti dhe kontributi i personit më shumë sesa nga përfoljet e së kaluarës dhe determinimi i tyre mbi të sotmen. Nëse mbetemi me kokë prapa, padyshim do ecim prapa. Mendoj se z. Maliqi ka qënë dhe mbetet një nga personalitetet e publicistikës politike dhe një person shumë publik në Kosovë prej më shumë se tre dekadash. Mendimi dhe vepra e tij janë shkrimet e tij. Misioni dhe vizioni tij janë letrat e shkruara prej tij. Jeta dhe aktiviteti i tij gjënden nëpër librat dhe artikujt e tij të pafund. Përvoja e tij është pjesë e historisë së Kosovës mbas viteve ’80-të. Kam menduar se do kishte më shumë dashamirësi, mirënjohje, vlerësim e mbështetje për aktivizimin e Shkëlzen Maliqit pranë Kryeministrit të Shqipërisë. Mendoj se tek ne, në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni vijon një recidivë mjaft negative e së kaluarës ideologjike e klasore, e cila frenon vlerat e meritat e shumëkujt. Sipas kësaj recidive kur nuk mund të kontestohet personaliteti dhe kapaciteti i një personi të caktuar, athere epitetohet e kaluara e tij, madje edhe e familjes, duke u mbështetur tërësisht në paragjykime ideologjike. Në Kosovë e Maqedoni kësaj i shtohet edhe e ashtuquajtura “teori e konspiracionit”. Personalisht nuk i përfill fare këto recidiva që kërkojnë të baltosin të sotmen e të ardhmen e individëve me vlera, duke u bazuar në përceptime subjektiviste ideologjike të kaluarës apo të teorive të konspiracionit. Sot në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni ka agjensi të specializuara inteligjente të zbatimit të ligjit, të cilat kanë gjitha kompetencat dhe mundësitë për të bërë transparencën për këdo e mbi cdo gjë. Unë u besoj agjensive inteligjente të specializuara për të bërë transparencën mbi këdo e mbi cdo gjë dhe jo gojëve të specializuara për të bërë baltosjen mbi këdo e mbi cdo gjë. - Mendoni se zoti Maliqi mund të jetë një interlokutor i zoti mes kryeminsitrit Rama dhe faktorit shqiptar në Rajon, rol të cilin ju e keni përmbushur me sukses me kryeminsitrin Nano dhe me kryeministrin Meta? Me Kryeministrin Nano e Meta kam punuar në rrethana jshtëzakonisht të vështira dhe tejet komplekse në Rajon. Gjatë mandateve të këtyre dy personaliteteve të së majtës shqiptare, unë kam qënë disa herë drejtor drejtorishë në Ministrinë e Punëve të Jashtme: Drejtor i Analizë Prognozës, Drejtor i Organizatave Ndërkombëtare e Nismave Rajonale dhe Drejtor për Kosovën. Nuk ka asnjë dyshim se kanë qënë vite sfidash të mëdha, të cilat faktori shqiptar në tërësi i kapërceu me sukses të plotë. Personalisht më solli momenti historik të isha në vorbullën e kësaj situate. U jam mirënjohës të dy Kryeministrave që më besuan këto detyra në kohë kaq delikate. Kryeministrat Nano dhe Meta u morën jashtëzakonisht shumë me Rajonin, sidomos me Kosovën dhe Maqedoninë, ku plasën konflikte të armatosura. Më pas, patëm shumë vëmendje të ngritur analitiko-parashikuese për Malin e Zi, përpara referendumit për shkëputjen nga Serbia; për Preshevën, mbas konfliktit të armatosur me UCPMB; dhe për Camërinë, kur u përgatit një material konfidencial mbi të ardhmen e saj. Tërë materialet tona bëheshin me porosi nga Kryeministrat, Nano e Meta. Kryeministri Nano dërgonte thuajse cdo ditë këshilltarin e tij diplomatik në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për një periudhë, Zoti Meta, ishte Zëvëndës Kryeministër dhe Ministër i Jashtme. Në atë kohë ka pasur ditë që Z. Meta më thërriste personalisht cdo orë në zyrën e tij, paradite deri në mbrëmje vonë. Tirana zyrtare luajti rol qëndror në përballimin e një prej periudhave më sfidante, por edhe më të lavdishme të Kombit tonë, qysh nga periudha e vitit 1912. Nano dhe Meta mbajnë meritën historike për këtë sukses Kombëtar. Sot Kombi ynë nuk përballet me sfida të tilla. Ndaj edhe krahasimi në këtë rast calon më shumë sesa cdo krahasim në vetvete. Shqiptarët në Rajon, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e Camëri nuk kanë nevojë për interlokutorë në definicionin më të mirë të kësaj fjale. Është koha që shqiptarët të ndërtojnë ura bashkëpunimi ndër-institucional. Interlokutorët janë mekanizma kur mungon bashkëpunimi ndër-institucional. Neve lypet të tejkalojmë kohën e interlokutorëve dhe të ndërtojmë kohën e bashkëpunimit ndër-institucional mbarë kombëtar në Ballkanin Perëndimorë. Kjo do ishtë një shkallë cilësisht më e lartë dhe më e avancuar e zgjidhjes së cështjeve shqiptare. - Shkëlzen Maliqi, e gëzon reputacionin te shqiptarët e Rajonit, në mënyrë të tillë që të jetë katalizatorim ose ndërmjetësi i tyre me kryeministrin Rama? Mendoj se Qeveria Shqiptare, për konseguencë edhe këshilltari saj, Shkëlzen Maliqi nuk përjetojnë situatën shqiptare të vitëve që përmenda më lart. Sot, situata ndërshqiptare është më transparente, më institucionale, më e stabilizuar dhe më e qartë në strategjinë e saj zhvillimore, së paku për një periudhë afatmesme. Vëndi e roli i një këshilltari për cështje Rajonale është një mision normal, pa ndonjë sfidë të vecantë. Mendoj se sensacioni nuk qëndron tek emri i Shkelzen Maliqit, por te fakti që Kryemninistri shqiptar emëron një këshilltar nga Kosova. Është paragjykim i pastër. Le të bëhemi barrierë e këtyre paragjykimeve për afrimin dhe bashkimin Kombëtar. - A ka plan B politika shqiptare për Rajonin? Mendoj se për cështjen kombëtare shqiptare nevojitet hartimi dhe miratimi në Parlament i një dokumenti strategjik afatgjatë me konsesus të gjërë politik. Ky dokument mungon. Politika jonë vepron në vakuum Rajonal. Natyrisht, përpilimi i një dokumenti të tillë është jashtëzakonisht i vështirë. Ai kërkohet të jetë analitiko-prognozues, me objektiv të qartë madhor; me synime të përshkallëzuara në afate kohore; me prioritete të sakta; me planin e aksionit politik të brëndshëm dhe diplomatik të jashtëm; me krijimin, ndërtimin, angazhimin dhe koordinimin e agjensive ekzistuese të zbatimit të ligjit në tërë dimensionin e tyre vertikal e horizontal; me krijimin e agjensive të reja aktualisht të munguara; me rekrutimin e kapaciteteve njerëzore ku të gërshetohen njerëz me formim multidisiplinor, teoricienë të lartë, njohës të mirë të terrenit dhe ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Kohët që vijnë, sipas afro dhjetë institucioneve ndërkombëtare më prestigjoze për analizën e krizave, parashikojnë një periudhë shumë të gjatë plot kriza lokale, nën-rajonale, rajonale, kontinentale, trans-kontinentale e globale. Shqiptarët do përballen më shumë sfida të mëdha e komplekse. Vetë faktori shqiptar në Ballkanin Perëndimor është sfidë më vehte sepse është politikisht i fragmentuar, ndodhet në nivele të ndryshme demokracie, në shkallë të diferencuara zhvillimi ekonomik, niveli kulturor e avancimi integrues. Nga tradita, shqiptarët nuk kanë qënë etno-centrist, pra me një qëndër gravitacionale të fortë si Greqia, Serbia, Kroacia. Tirana nuk ka qënë asnjëherë etno-centër e shqiptarëve. Shqiptarët kanë qënë shumë shekuj të ndarë në katër Vilajete. Megjithë përpjekjet e mëdha të Rilindasve (shekulli 19-të), të Lidhjes Shqiptare (1878), të Lidhjes së Pejës (1899), të Lidhjes së Junikut(1912) dhe të vetë Kuvendit të Vlorës (1912), për t’u unifikuar në një Vilajet Shqiptar - sërish kjo përpjekje nuk u realizua dot nga periudha 1878-1912. Kombi shqiptar ngeli në katër Vilajete. Këto Vilajete shqiptare u bënë baza e hartës së “Shën Stefanit”, të Kongresit të Berlinit, të Konferncës së Ambasadorëve nga 1877-1913. Për këtë mosrealizimim kombëtar veproi disa herë radhazi kolacioni ndërkombëtar i Krizës Lindore, i përbërë nga Perandoria Osmane, Fuqitë e “Koncertit të Vjenës” dhe shtetet monarkiste fqinje. Ky fakt historik ka lënë gjurmë politike e kulturore të thella, në mjaft aspekte të pakorrigjueshme. Dokumenti strategjik që mendoj unë, nuk ka për qëllim të imitojë “Nacertanien” e Ilia Garashaninit, as “The expulsion of Albanians “ të dr. V.Cubrilovocit, as Megali-Idhenë e “Planit Grek” te Katherinës Ruse, as “Vorio-Epirin’ e Venizellos. Jo. Dokumenti ynë strategjik, publik ose konfidencial nuk duhet të ketë ka asnjë lidhje me to. Por, do të duhet të marrë mirë parasysh se ato dokumenta strategjikë që zotërojnë fqinjët territorial me qëndra në Beograd e Athinë ekzistojnë dhe mbeten orientues në politikat e tyre edhe sot e gjithnjë. Vetëm politika jonë vepron në vakuum strategjik Rajonal. Prandaj, mendoj se objektivisht ka plane A,B,C, por praktikisht ato plane ekzistojnë potencialisht më shumë nga jashtë brënda tek të tjerët kundër nesh, sesa nga brënda jashtë pro Kombit tonë. Politika e jashtme e diplomacia janë shumë konservatore. Në politikën e jashtme dhe në diplomaci, Franca udhëhiqet edhe sot nga doktrina e Kardinalit Rishëlje për “reason d’etat” dhe “balance of power”; në Britaninë e Madhe, politika e jashtme udhëhiqet edhe sot nga mbajtja e ekulibreve të brishta kontinentale si dhe transatlantike në dobi të qetësisë ishullore dhe Comonëelth-it; në ShBA i qëndrohet parimit që politika e jashtme është instrumenti i interesave kombëtare amerikane dhe shtetasve të saj kudo në botë; në Rusi, vijon e sofistikuar strategjia e e Aleksandrit II; në Gjermani, politika e jashtme udhëhiqet nga trashëgimia më e mirë e Bismarkut, “të fuqishëm brënda e paqësor jashtë”; në Austri vijon doktrina e Meternikut dhe e Andrashit ndaj Rusisë në Evropë Qëndrore dhe ndaj Ballkanit; në Stamboll ekziston ende politika e influencave tradicionale Ballkaniko- Kaukaziane neo-otomane; në Greqi vijojnë ndikimet e “Megali-Idesë” tek ”Vorio Epiri”; në Serbi, akoma i qëndrohet tezës pan-serbe MANU” në Ballkan; në Itali, vijon endrra e “perandorisë së diellit” në Mesdhe…e kështu me radhë. Pra, rrotacionet e sistemeve ndërkombëtare dhe të mandateve politike kombëtare nuk shoqërohen kurrësesi me rrotacione të politikës së jashtme. Ndryshime ka politika e jashtme, por jo rotacione strategjike. Politika e jashtme është shumë solide, e qëndrueshme, konservatore dhe rezistente në sfidat e kohës. Politika jonë lypet ta ketë mirë parasysh këtë fakt ndërkombëtar dhe të veprojë në përputhje me të. - Po premtimi i Ramës dhe Metës, se Shqipëria brenda qeverisjes së tyre 8 vjeçare, do të pranohet në BE, është mundësi apo stereotip politik? Mendoj së është dëshirë e mirë. Por, gjithashtu mendoj se sfida është më e madhe, më komplekse dhe më afatgjate se dëshira. Kjo, sepse integrimi i Shqipërisë nuk varet subjektivisht vetëm nga Shqipëria, por edhe nga dinamikat në Rajon, në Bashkimin Evropian dhe në nivele ndërkombëtare përgjithësisht. Megjithatë, populli ka nevojë për shpresë dhe bëhet mirë që vihet ky objektiv politik përpara tij. Na nevojitet një agjendë dhe kjo është rruga për në BE. Na novojitet një model zhvillimor dhe ky model është BE. - A duhet që politika shqiptare të ketë plan B të procesit të Integrimit, duke u nisur nga fakti, që vetë BE-ja, pas pranimit të Kroacisë në BE, mund të frenojë për një periudhë 10 vjeçare pranimin e vendeve të tjera, anëtare në BE? Bashkimi Evropian as nuk frenon dhe as nuk nxitë artificialisht proceset e integrimit. Parasëgjithash, sfida e integrimit mbetet sfidë e jona. Shqipëria është demokraci pa standarte. Vëndi është zhvilluar në mënyrë kaotike. Fragmentimi duket kudo, nga mendimi deri tek territori. Pa qënë aspak skepticist do i thoja bashkëatdhetarëve të mij dhe liderëve të vëndit që është më mirë të jemi “rrugës drejt BE sesa brënda saj” edhe për shumë kohë, ose e thënë ndryshe, procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për ne shqiptarët “kërkon të ecim, por jo të nxitojmë”. Gazeta "Telegraf", Jakup Gjoca, 06 shtator 2013
Posted on: Fri, 04 Oct 2013 08:26:03 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015