Pushteti i veçantë i emocioneve Nuk dihet nga e kanë marrë - TopicsExpress



          

Pushteti i veçantë i emocioneve Nuk dihet nga e kanë marrë gjithë këtë pushtet emocionet, aq sa të luajnë kukamçefti me njeriun. Nëse emocionet fshihen, ne dhe duke përdorur dhe arësyen më të kualifikuar nuk mund ti gjejmë kurrë, por pikërisht kur ne lodhemi duke kërkuar e turrur mbas tyre kot më kot, pra pikërisht ndërsa jemi dorëzuar të pashpresë: janë emocionet që na befasojnë me një „ ku ku! „ origjinale, duke na gjetur ato neve. Kur i kemi thënë dikujt: „ të dua! „ rrallëherë mund të jemi bërë koshientë se kjo deklaratë ka qënë thjesht një mendim yni, apo mendim dhe ndjenjë bashkë. Nëse ka qenë vetëm një mendim, atherë ajo që i kemi thënë asaj ( atij) nuk është e vërtetë, ose është një gjë gjysëm e vërtetë, që nuk mund të jetojë më shumë se ca minuta a orë. Kjo sepse kur një gjë e thua vetëm në nivelin mendor, është krejt ndryshe kur të njëjtën deklaratë ta imponon ndjenja e krijuar nga emocioni përkatës. Kur një gjë arrin të detyrojë ndjenjën të flasë me gjuhën e saj, vetëm atëherë ajo është plotësisht e vërtetë. Dhe kjo spjegohet thjesht, sepse në vendimin për shprehjen e saj merr pjesë krejt trupi: zemra, mendja shpirti, madje dhe lëkura, nga poret e të cilës fillon e del djersë nga sforcimi përkatës për përgjegjësinë që po fillon e merr njeriu. Kur njeriu shpreh një mendim të caktuar, për ta prodhuar atë mendim, ai ka vënë në punë vetëm kokën e tij, madje vetëm një pjesë të saj: trurin. Një mendim është tani, rrin sa rrin në mendjen tonë dhe pastaj nuk është më, pra një mendim nuk ka aftësi të lërë gjurmët që lë ndjenja e emocioni te njeriu. Dikur më shumë se çdo gjë, për njeriun kishte vlerë identifikimi me një grup të caktuar shoqëror, kishte rëndësi vetëkontrolli në përputhje me standardin e grupit, konformizmi, bindja, ndërsa sot nga njeriu kërkohen vlera të tjera. Sot për të patur sukses, duhet te kenë prioritet aftësi të tilla si: autonomi e inisiativë private, realizim personal, kompetencë, autenticitet, shpirt kritik, me një fjalë sot kërkohet nga njeriu të jetë i i paisur me një inteligjencë emocionale personale, ose më shqip: me një zgjuarsi ekstra, e aftë për të zbuluar e krijuar lidhje të vërteta e që të funksionojnë. Për fat të keq, ne nuk jemi edukuar që të shprehim gjendjen tonë emocionale, përkundrazi na kanë mësuar ta fshehim atë, punë kjo e filluar nga leksionet që marrim fëmijë, në familje dhe duke vazhduar në vijimësi, në krëjt nivelet e shkollës, e kështu me radhë në ambientet e tjera shoqërore. Dhe kështu njeriu ndërsa rritet, arrin e bëhet mjeshtër vetëm në një gjë: për të gjykuar pak vehten dhe shumë të tjerët. Le të marrim rastin e një personi, që është nën pushtetin e bukurisë mahnitëse blu të qiellit. Njeriu mund të reagojë në këtë rast, duke mbajtur të paktën dy qëndrime: i pari, ta gjejë blunë e pafund qiellore një mrekulli për ta admiruar, e madje po pati ca talent prej poeti të bëjë dhe një poezi të bukur dhe i dyti as që ti shkojë mendja këtu, por fillon të tjerrë mendime filozofike rreth qiellit. Qëndrimi i parë, është mundësi plus për tu çlodhur, për të përfituar emocione pozitive admirimi, ndërsa i dyti është qëndrim që të shpije drejt analizës, kritikës, e për pasojë gjykimit. Qëndrimi i parë na çlodh, e na mbush me ndjenjë, i dyti më e pakta, na lodh. Një shëmbëll tjetër. Jepini një fëmije në dorë, pasi më parë i keni mbyllur sytë, një objekt, ta zemë një monedhë që e kemi ftohur në frigorifer dhe pyeteni se çfarë ndjen në dorë? Sigurisht që fëmija do të përgjigjet: „ ndjej të ftohtë „. Bëni të njejtën gjë me një të rritur, dhe pyeteni njësoj: se çfarë ndjen? I rrituri do të përgjigjet pa u menduar fare: „ nje monedhë „. Siç shihet, të rriturit nuk ndjejnë, e kanë humbur aftësinë, a më saktë e nënvleftësojnë aftësinë për të shprehur atë që ndjejnë, por ndërkohë, janë bërë mjeshtra të vërtetë për të gjykuar. Ndërsa fëmijët akoma sa nuk janë të rritur, janë të lidhur shumë me ndjenjat e tyre. petrit sulaj shkeputur nga libri " Planeti i emocioneve "
Posted on: Sun, 04 Aug 2013 10:59:13 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015