Pylli i fermerit ka zot fermerin! (Çdo tentativë për të - TopicsExpress



          

Pylli i fermerit ka zot fermerin! (Çdo tentativë për të vazhduar mbajtjen peng të pyllit të tij do të thotë vazhdim i shkatërrimit) Oferta e qeverisë për t’i gjetur të zotin pyllit… Pyjet shqiptare u shkatërruan, pasi qeveritë tona ndoqën politika të gabuara të pronësisë dhe shumicën e lanë jashtë menaxhimit gjatë 50 viteve të fundit. Kjo politikë e gabuar i la shqiptarët më të varfër, shkatërroi pyllin dhe tokën. Fermerit në zonat kodrinore e malore i përgjysmoi për mëse 50 vjet të ardhurat, pasi i mohoi menaxhimin e pyllit të tij, duke e hequr pyllin nga peshorja e të ardhurave kombëtare. Debati për shkatërrimin e pyjeve, shkaqet dhe pasojat, shtrihet pothuaj në gjithë hapësirën shqiptare. Kjo dëshmon për ndjeshmërinë që ka shoqëria jonë për këtë pasuri të kombit, që nga mënyra se si është trajtuar historikisht dhe pamja që ka e dallon krahinën nga krahina, apo fshatin nga fshati, por dëshmon edhe evolucionin e kulturën e çdo komuniteti apo ndërveprimin e kulturës me natyrën. Për momentin jetojmë një konfuzion të madh kombëtar, si me termin pyll, konceptin e pronësisë, të mbarështimit apo të dëmtimit. Të gjithë janë kundër të gjithëve e, dashur pa dashur, fermerët e zonave rurale dhe institucionet pyjore, trajtohen si shkaktarët dhe viktimat e gjëmës që i është shkaktuar natyrës së kombit. Qeveria ka dhënë një sinjal që po i ndjen përmasat e shkatërrimit dhe po kërkon rrugëzgjidhje të mundshme. Është koha e duhur që qytetarët e hapësirës shqiptare të përfshihen në këtë debat, për të ndihmuar qeveritë, që të ndërmarrin reformat e duhura. Kjo mund të bëhet duke analizuar ato që kemi bërë në shekullin e fundit dhe pasojat që i kanë sjellë tokës, peizazhit e jetesës. Por, duhet edhe të kuptojmë me qetësi potencialet dhe pasurinë apo veçoritë e saj në çdo pjesë të vendit, traditat dhe gatishmërinë e komuniteteve për të kontribuar që t’i rikthehet veshja drusore tokës sonë. Toka, natyra dhe popullsia rurale, gjithmonë janë përpjekur për t’u pajtuar e bashkëvepruar me zgjidhje të qëndrueshme. Shoqëria jonë, ashtu si çdo shoqëri tjetër, ka evoluar në këtë bashkëjetesë me natyrën, tokën e drurët, si bazën e ekzistencës e të ardhmes së saj, duke kombinuar bilancin mes atyre që merr, inputeve, siç janë energjia, oksigjeni, ushqimet, lëndët e para dhe atyre që mbeten, siç janë mbeturinat, gazi karbonik apo jashtëqitjet, me vetitë e sistemeve pyjore për t’u rinovuar në mënyrë ciklike. Asgjë e re nuk është thënë, kur pohohet se ata që merren apo inputet, vijnë përgjithësisht nga industritë primare, si bujqësia, pylltaria, apo energjia, e kjo duhet të mbështetet si parakusht, për t’u bërë shoqëri e qëndrueshme. Kjo fjalë është mbipërdorur vitet e fundit, por pikërisht pylli i fermerit është një sistem e teknikë mijëravjeçare plotësisht e qëndrueshme. Për pjesën lindore, nga Kopliku në Leskovik, në shumicën e familjeve rurale, që nga lashtësia deri më sot, ferma pyjore dhe për Labërinë ferma kullosore, kanë qenë historikisht më të rëndësishme për jetesë sesa ferma bujqësore. Ndërsa ferma bujqësore në prefekturën e Kukësit, raportohen 0.52 ha për familje, nëse do të legalizohej bashke me pyjoren e kullosoren do i kalonte tre hektarë, në Puke ferma bujqësore zë rreth 10-15 % të asaj pyjore, në prefekturën e Dibrës, ferma bujqësore legale 0.58 ha, nëse do legalizohej pylli i fermerit sipërfaqja e fermës për familje do i kalonte 2.5 ha. Pra, pylli i fermerit ka qenë dhe mbetet pjesa mbizotëruese e fermës dhe burimi kryesor i të ardhurave të banorëve ruralë nga toka. Përkundrazi, deri më tash juridikisht, në rrugën drejt modernizimit, popullsisë sonë rurale nuk po i jepet shansi për t’u pronësuar e punësuar, duke kontribuar për të ringritur një sistem menaxhimi, për të prodhuar, nga toka e destinuar për pyje e kullota, që aktualisht zë gjysmën e territorit të vendit. Për shkak të shtetit, pylli i fermerit, si sistem tradicional, u hijezua e më pas humbi pikërisht në 50 vitet e fundit, bashkë me objektet e kultit e tradita e zakonesh të lashta të popullit dhe po për shkak të injorancës e papërgjegjësisë së shtetit, shfrytëzimi i kësaj pasuri ka disa 10 vjeçarë që bëhet spontan e shkatërrues, duke zbuluar, degraduar e eroduar token. Institucionet shkencore e ato administrative, si në regjimin e kaluar edhe më pas, të orientuara përgjithësisht drejt pylltarisë moderne, nuk u angazhuan për ta njohur pyllin e fermerit apo paralajmëruar pasojat e rrëzimit të atij sistemi e shfrytëzimin spontan e në anarshi të plotë të pyllit. Është e nevojshme një analizë e reflektim se sa kemi humbur, si dhe të vendosim për të ndaluar degradimin galopant të mjedisit, që po shoqërohet me pasoja të rënda mbi sistemin prodhues të energjisë elektrike, atë rrugore, rezervat ujore, me reflektim tepër serioz në të gjithë spektrin e jetës shoqërore e me dukuri negative, që po shtohen progresivisht vitet e fundit. Jo vetëm që nuk merret biomasë, por pas prerjes së drurëve ka filluar degradimi e shkatërrimi i tokës. Kjo po ndodh në sy të të gjithëve, në stadin kur pretendojmë se kemi hyrë në rrugën e një shoqërie të zhvilluar e moderne. Ka një mungesë e ç’orientim total, si për shkaqet, ashtu edhe për zgjidhjet. Në shkallë kombëtare, kemi humbur instrumentin që lidh njeriun me trajtimin e kësaj pjese të tokës, prej ku njeriu punësohet e fiton, toka rigjallërohet e prodhon. Toka e gërryer, me bimë të sakatuara, ka nevojë për dorën e njeriut, me të cilin ka ardhur deri këtu në një bashkëjetesë mijëravjeçare. E, që të ringjallet, lypset të bëhet e vlefshme për njeriun. Edhe në angazhimin aktual të qeverise e në debatin që po e pason, ndërmjet rreshtash kërkohet pronari legjitim, pra pronari që ka dokumente, duke u lënë të kuptohet se pjesës së pyllit që nuk i del pronar me dokumente juridik, do të studiohet që të gjendet në forma të tjera pronari!? ... Shumica jonë është dëshmitare që banorëve që jetojnë në zonat rurale, bashkudhëtarë shekullorë me pyllin e kullotën, nuk u është njohur ndonjëherë e drejta ligjore, për të menaxhuar tokën e tyre pyjore e kullosore. Ky nuk është slogan. Ky është fakt, që shqiptarët banorë të zonave rurale e marrin pothuaj të gjithë drurin për ngrohje, pa sistem menaxhues për të prodhuar këtë mall, si dhe pa leje. Me fjalë të tjera, në formë pothuaj ilegale, në mes të ditës, atje ku mundin, pasi pothuaj për çdo fshat apo familje, pronari i pyllit që pas luftës së dytë botërore është vetëquajtur shteti, ai qendror apo lokal, i cili asnjëherë nuk ka deklaruar një plan se kush, ku, sa e si të prodhojë drurin për ngrohje apo gatim. Banorët ruralë e kryejnë këtë punë ilegale të sulmuar nga shteti, media, polici, gjykatësi apo eksperti, si të ishin pushtues të tokës ku banojnë. Ajo pak sasi e pyllit, që shitet në sistem nga shërbimi pyjor i shtetit, shitet me tender. Sasia vjetore e shitur në 20 vitet e fundit ka qenë për të mbuluar rreth 10 % të nevojave të popullsisë. Nuk besojmë se e kundërshton njeri argumentin me të cilin u fillua: tokën pyjore shqiptare, që përbën gati gjysmën e atdheut tonë, e kemi aktualisht në përdorim spontan jashtë çdo kujdestari, sistemi menaxhues apo legal. Pylli i fermerit – Sistem i lashtë silvopastoral Drurët që i ka falur natyra tokës tonë, janë të shumtë e fort të mësuar për të bashkëjetuar me agresivitetin e njeriut mesdhetar. Ata e populluan tokën tonë miliona vite para nesh. Më pas erdhën njerëzit e i ngritën banimet e tyre pikërisht rrëzë drurëve, kryesisht dushqeve, por në rrethana të caktuara edhe me të tjerë. Drurët iu përshtatën, ashtu si edhe kafshët e zbutura, kërkesave të njeriut. Ndryshe nga reflektimet e banorëve urbanë, pas prerjes së çdo druri, që gjerësisht e gjykojnë si vdekje të tij, çdo kush që thellohet e ka dije elementare mbi ripërtëritjen vegjetative të pyllit, e kupton që media ka dhënë lajm të pareferuar qartë, nëse prerja është bërë në pyllin faror apo vegjetativ, druri i pyllit të fermerit rilind, bilè me ritëm të shpejtë, menjëherë pas prerjes, kur është nën kujdesin e pronarit. Banorët lokalë, ndoshta autorë të këtij adaptimi, i mësuan shpejt këto sekrete e lëshime që u bënte natyra dhe filluan sipas vendit e burimeve natyrore që kishin, të përshtateshin. Hap pas hapi ata mësuan që lastarët që dilnin nga cungu t’i linin të rriteshin deri në ato përmasa që u duhej, duke e ndarë pyllin në pjesë, për të pasur për të prerë e lënë për të rritur, ashtu siç ndanin edhe kulloten apo gjerat bazë të ekzistencës. Mrekullia qëndron në faktin, që rrënjët e këtyre drurëve, apo më sakte llojet drusor përbërës të këtyre pyjeve, janë pothuaj ata që e kanë populluar që nga fillimi tokën tonë, pra janë lloje natyrore e autoktone, pasardhës të pyllit të virgjër, që vuri në trajtim njeriu primitiv. Ky pyll ka ndryshim esencial, nga pyllëzimet që ka bërë shteti, psh me pishë, akacie apo plep, pasi në këto raste është mbjelle dhe është imponuar për tu rritur një lloj pyjor që nuk e ka pasur më përpara vendi, ashtu siç mbillet për shembull misri apo patatja, që janë të ardhur nga kontinentet e tjera. Këto sisteme u përshtatën, në përputhje me rrethanat e vend banimit, si thjeshtë për prodhim materiali drusor, me rotacione, sasi e përmasa të dëshiruara, ashtu edhe duke kombinuar, prodhimin e drurit, me bazën ushqimore e kullotjen e blegtorisë. Këto sisteme menaxhuese kanë arritur deri në ditët tona. Duket si detaj shpjegimi i tyre, por vetë konfuzioni dhe moskuptimi nga politikë bërësit e bën të domosdoshëm tregimin e këtyre detajeve, jo fort të dëshiruara, shpesh fort të kritikuara si kasaphana, nga administrata dhe ekspertet e pyjeve. Ky sistem prodhues, për banorët ruralë, ngjante me një fabrikë të thjeshtë, që harxhon kohë për tu ngritur e më pas prodhon në vazhdimësi. Ishte një projekt shumë fleksibël, që çdo familje, e adoptonte lehtë, duke tentuar që për çdo vit të punonte në një pjesë të territorit (shpesh një te treten), që i ishte pranuar nga fqinjët bashkëfshatarë, ku sipas rrethanave kishte vënë edhe kufij, të cilët sot e kësaj dite qëndrojnë në tokë, por nuk janë legalizuar apo njohur nga shteti. Si u ngrit pylli i fermerit apo “sistemi silvopastoral”? I bazuar në manipulimin me prerje vegjetative, varësisht kushteve ekologjike, pjellorisë së tokës, llojit të drurëve e nevojave të fermerit, sistemi merrte emërtimet përkatëse si kashnjet, hamalle, prozhëm, zabel, ograjë, korie, mal ... Në esencë synimi ishte që materiali drusor te prodhohej për çdo vit, si gjatë ngritjes ashtu edhe pas stabilizimit të sistemit. Ajo që druri i sapoprerë lë trashëgim janë lastarët që dalin nga cungu apo rrënjët e prindit. Që në lashtësi fermeri e dinte këtë dhe në varësi të qëllimit që kishte, nëse do bënte vend për kullotje, bazë ushqimore për dimër e prodhim druri, i duhej që pas tre viteve që i linte lastarët për tu rritur, t’i rrallonte ata fort, duke marre prodhimin e parë e duke lënë një numër të caktuar për të shkuar në lartësi. I rikthyer në këtë vend pas tre vitesh të tjera, kur druri “për mbarë” kishte mbushur 6 vjet, fermeri përsëri bënte prerje të gjithë lastarëve të rritur gjatë trevjeçarit, poshtë “drurëve të lënë për mbare”. Tani ishte e mundur që, edhe “drurëve për mbare” t’u bëhej trajtim, duke u prerë degët e krijuar nyjat prodhuese, që te fillonin prodhimin në disa kate. Në momentin e sapoprerjes, i gjithë ndriçimi i diellit në pranverën pasuese arrinte në tokë, duke nxitur çelje të shumë barërave e lastarëve drusorë, duke u shndërruar në kullotë për gjithë llojet e blegtorisë. Për kafshët e egra, gjitarë, zogj e të tjerë, dukej tepër e preferuar, pasi në hapësira të ngushta krijonte çeltira e vendstrehime, si dhe ushqim shumëllojesh. Ndriçimi vinte në pakësim deri në vitin e tretë, ku tashme prodhimi sigurohej nga “drurët për mbarë” që ishin rritur e me prerjet e bëra ishin imponuar për të krijuar, arkitekturë speciale të kurorës në disa kate, me disa gunga prodhuese, ku takoheshin e ndaheshin druri i ri, që vilej periodikisht, me të vjetrin, që në një anë prodhonte për pronarin e në tjetrën rriste katet dhe përmasat e trupit të tij, që lidhte tokën me diellin, një sistem që jepte kullotë për çdo vit e biomasë për ushqim e energji në çdo tre vjet. Në dimër gjethi ushqente në grazhd blegtorinë, pjesa e drunjtë digjej ose përdorej për nevoja të tjera të fermës. Ky sistem primitiv prodhues, që kërkonte përkushtim të përvitshëm e volum të konsiderueshëm pune, nga ana tjetër siguronte shumicën e drurit për ngrohje e nevoja të tjera për shumicën e familjeve të zonave kodrinore e malore, ka funksionuar në shumicën e zonave rurale me dimër të ftohët e me borë, qysh kur njeriu filloi të ushtronte parabujqësinë primitive, që studimet arkeologjike në Evropë e datojnë mbi 6000 vjet e deri në vitet 1950-1980, kur shteti filloi kolektivizimet, zhdukjen e trashëgimisë fetare, si dhe të traditave e zakoneve të vjetra të jetesës, duke e futur për fat të keq edhe këtë sistem në listën e zezë, ndoshta ngaqë ishte rregulluar me kanun!? e duke i dhënë goditjen finale me tufëzimin e blegtorisë dhe centralizimin e gatimit të bukës së fshatit. Për fatin e keq, si të fermerit edhe të pyllit, në të shumtën e herës si shtëpinë ashtu edhe tokën e pyllit, kolektivizimi apo tufëzimi, ia gjeti pa dokumente ligjore. Meqë shtëpia nuk arriti të tufëzohet, shtëpia shpëtoi, ndërsa blegtoria pothuaj u zhduk e u rikrijua, për pyllin kalvari vazhdoi, dhe sistemi, si në heshtje, u fut në listën e zezë të traditave e zakoneve prapanike. Evropa e pati përdorur këtë sistem deri në shekullin e XIX, si për shkrirje mineralesh, ngrohje e vende-vende blegtori, zbulimi i qymyrdrurit e gazsjellësit e konkurruan në treg dhe pylli u përshtat për të prodhuar lëndë punimi, letër, ajër e ujë. Te gjithë pyjet vegjetative apo cungishtet kanë një gjë të përbashkët, - ata priten në mënyrë të përsëritur, me pritjen e arsyeshme që drurët do të rriten përsëri pa ndihmën e askujt, me kusht të mos dëmtohen filizat që çelin nga cungu. Nëse kjo gjeneratë që fillon menjëherë rritjen vjen nga lastari i cungut, i rrënjës apo nga fara, kjo nuk është esenciale, esenciale është që mbulesa e re formohet në kohë të shkurtër dhe për pjesën dërmuese vegjetative, e vetmja punë që harxhohet është vjelja e prodhimit drusor. Procesi është deri në infinit i përsëritshëm. Ka territore në Evropë që janë ricunguar për periudha shumë të gjata të jetës së tyre, shpesh për qindra apo mijëra vite. Në cungishtet e menaxhuara, për çdo vit priten 0.5-10 % e sipërfaqes, ndërsa tek pyjet e lartë natyrorë 0.5-2 % e tyre (Buckley 1992). Në Shqipëri, me shtimin intensiv të popullsisë në shekullin e kaluar, si dhe për mungese të gazit natyror apo alternativave të tjera për ngrohje, kërkesa në treg është shtuar shumë. Sistemi i krijuar nga fermeri, prodhon shpejt e lirë, pasi është afër, nuk harxhon lëndë djegëse për transport, drurët janë të hollë e priten më lehtë. Shkatërrimi e abandonimi i sistemit, e orientoi kërkesën e lartë për dru për ngrohje drejt pyllit të larte e veçanërisht pyjeve të ahut. Ky i fundit, i menaxhuar historikisht me objektiva krejt të ndryshme e me afate të gjata kohore, u pre e u shkatërrua pothuaj tërësisht. Krasitja dhe ricungimi, traditë e prapambetur apo trajtim shkencor për të rritur prodhimin? Ricungimi, prerjet apo krasitje të ndryshme janë ushtruar nga njerëzimi në 6000 vitet e fundit, duke drejtuar prodhimin bimor në interes të jetesës. Opinioni e pranon termin e trajtuar nga shkencat bujqësore, veçanërisht si trajtim të pemës për prodhim frutash, e përshtatur sipas kërkesave të çdo druri frutor, ndërsa duket si term jofamiljar për drurët pyjorë. Të dyja me origjinë vegjetative, si parakusht për rritje të shpejtë, e kundërta e pyllit natyror me origjinë farore e me rritje të ngadaltë vitet e para, për fermerin, duket se pema është një dhe trajtimin e përshtat sipas destinacionit, pra për prodhim fruti, ose biomase. Pikërisht kjo bën dallim esencial në zbatim, duke përdorur shpesh edhe terminologji të ndryshme nga rasti në rast. Krasitja e drufrutoreve, synon të nxisë formimin e sythave frutorë, duke prerë lastarë, degë apo bisqe, duke u mundësuar atyre që janë në pozicion të favorshëm të përdorin me efektivitet dritën e diellit, e cilësuar si “korrje e diellit”. Krasitja apo shkadhitja e drurëve pyjorë ka për objektiv shtimin e asaj pjese vegjetative që i duhet pronarit dhe përgjithësisht ka si princip që sythat vegjetativë të kenë mundësi të barabarta për tu ekspozuar karshi dritës se diellit. Ndërsa në rastin e pemëve frutorë, objektivi i krasitjes është rregullimi maksimal i raporteve të sythave frutorë me dritën e diellit, në rastin e drurëve që prodhojnë biomase, objektivi është rregullimi i sythave vegjetative në raport me dritën e diellit. Të dyja këto mjeshtëri janë zbatuar nga fermeri dhe kanë evoluar që nga lashtësia. Trajtimi bëhet për të shpejtuar e shtuar prodhimin, pra është punë që fermeri e vlerëson që ia shpërblen. Në këtë kuptim, drurët që i nënshtrohen këtij trajtimi, për të prodhuar biomasë, gjethe, shkarpa, thupra, hunj, dru, apo lëndë ndërtimi, kanë qenë historikisht pjese e fermës bujqësore, dhe qëndrojnë larg termave dhe parimeve të menaxhimit që aplikohen nga ekspertët e pylltarisë moderne objekt i shkollave tona pyjore, të orientuara kryesisht tek pylli i lartë, me origjinë farore e me cikël përgjithësisht shekullor. Në librin më autoritar të pylltarisë shqiptare në vitin 1955, Ilia Mitrushi do shkruante që shpardhi si pyll i ulët rekomandohet të trajtohet me qarkullime 18-25 vjeçare, dhe në toka të trasha jep deri 30 mst dru për ngrohje në vjet, dmth 540-750 mst dru për ngrohje në një hektar brenda një turni 18 deri 25 vjeçar, ndërsa një hektar pyll i ulët qarri jep sipas kualitetit të tokës ku rritet prej 10 deri në 40 metër ster dru për ngrohje në vit, me rotacion 14 vjet, pohime për sasi rreth 10 deri 20 herë më të mëdha nga ato që arrihen të prodhohen aktualisht, e çuditërisht këto të dhëna të vërtetuara në shumë raste në pyjet e fermerëve, nuk u përfshinë në librat për nxënës apo studentë të pylltarisë që u hartuan pas viteve 1960. Shumica e ekspertëve të pyjeve e vlerësojnë menaxhimin tradicional me drurë të ricunguar apo të krasitur, si të dëmshëm, që çon shpejt në degradim, shëmton peizazhin dhe pakëson diversitetin. Autorë të ndryshëm, që kanë studiuar reagimet fiziologjike të drurëve të ricunguar apo krasitur, i argumentojnë këto ndërhyrje me ndikim pozitiv në rritje të jetëgjatësisë së drurit apo shtim të biodiversitetit. Fontanier dhe Jonkers (1976) psh, theksonin që një krasitje e rëndë e degëve apo trungut kryesor, ka efekt pozitiv, pasi vonon pleqërinë e drurit. Ajo shkurton transportin e brendshëm në dru dhe përmirëson furnizimin e periferisë së kurorës së drurit me ujë e lëndë ushqyese. Kjo mund të jetë pasojë e rilindjes fiziologjike. Krasitja gjithashtu nxit sythet e rinj apo indet, të formojnë lastarë normalë apo adventivë, ata që janë më të rinj se sa ata që hiqen. Kjo trajtohet si rilindje gjysmë ortogjenetike. Një dru reagon karshi krasitjes vegjetative, duke ndërtuar masë të dendur fibrash rreth pikave të prerjes, i reziston tharjes dhe e ndan në mënyrë efektive rritjen e re, nga pjesa e trungut të vjetër (Harris, etj.,1999). Kështu integriteti mbrojtës dhe strukturor i drurit maksimizohet, përgjithësisht këto krasitje realizohen tek drurë që i nënshtrohen që në rini këtij procesi, duke krijuar ndjeshmëri të lartë biologjike dhe reagim mjaft shpejt të qelizave të gjalla karshi plagëve që shkakton prerja, apo ndryshimeve mjedisore, duke ndërtuar reaksion të forte mbrojtës (Coder, 1996). Drurët e trajtuar përveç sa më sipër zhvillojnë një rilindje të vazhdueshme si dhe një kurorë të re me energji krijuese, mbi kokën e një trungu të vjetër në rritje. Kjo ngadalëson proceset normale të mplakjes së drurit. Në cungishtet e menaxhuara mirë, nuk ka nevojë për herbicide apo plehra, nuk është nevoja të gërmohet toka apo mbillen drurë, nuk ka nevojë të lihen drurë për hije apo ujitje. Pas ricungimit apo krasitjes, akoma pa kaluar viti, një revolucion i vërtetë realizohet, e gjithë sipërfaqja e pyllit bëhet një skenë e paimagjinueshme e jetës që shpërthen, ku lastarët që dalin nga sythat e drurëve, janë në garë me lule shumëngjyrëshe, insekte, flutura, zogj e gjitarë. Pra, përveç prodhimit të drurit e kullotjes, ky vetërinovim apo rilindje, i jep fermerit prodhime me kosto mjaft të arsyeshme, të investuar thjeshtë për ngritjen e sistemit apo vjeljen e prodhimit. Fleksibiliteti i tij dhe përshtatja sipas nevojave, i krijon mundësi të jashtëzakonshme pyllit dhe fermerit, për të dhëne prodhimin që kërkohet, në përmasat e duhura, duke e mbajtur tokën të mbuluar e ekosistemin pyjor ne funksionim të plotë. Pyll apo pyll fermeri? Këtu është rasti të ndahet kuptimi i fjalës pyll sipas përkufizimit modern, me termat popullore që përdoren për këto drunishte bujqësore, si zabel, prozhëm, ograje, korije, purend, mezhdë, kashnjet, hamalle ... Pylli ka karakteristikë shtrirjen masive të drurëve në sipërfaqe të gjera. Në kushtet e sotme tek ne ato shtrihen mbi zonat përgjithësisht të banuara, ku zhvillohet bujqësia, në zonat fitoklimatike ku rritet ahu, pishat, bredhat, etj. Pra, pylli klasik modern, përbëhet përgjithësisht nga drurë, që me pak përjashtime, nuk janë ndikuar nga njeriu për formën e kurorës, apo për të dhenë një produkt të caktuar. Ata janë rritur përgjithësisht në mënyrë natyrore. Njerëzit kanë marrë prej tyre lëndën e drurit për ndërtime apo punime druri, si dhe gjatë stinës se verës kanë marrë drurë të tharë, për t’i përdorur si kompensim për pjesën, që nuk e siguronin nga drunishta e tyre bujqësore, me emrat e përshtatur sipas zonave gjeografike dhe kushteve. Përdorimi i një emërtimi të përbashkët,“pyll”, si për shkurret, drunishtet bujqësore, që kanë qenë historikisht “pyll i fermerit”, duket se ka qenë pika e fillimit të konfliktit të shteti me individin dhe pika e fillimit të menaxhimit ilegal, jashtë sistemit. Në kushtet aktuale të Shqipërisë, këto drunishte janë pjesë e aktiviteteve bujqësore, që sigurojnë prodhime shumë të rëndësishme dhe që në mungesën e gazit apo lendeve të tjera djegëse apo edhe të infrastrukturës së saj, mund të konsiderohen për momentin si burim punësimi, prodhim bioenergjie dhe i vetmi “shpëtimtar” i pyllit malor. Kjo pjesë e drunishtave dhe e menaxhimit është krejt e panjohur, e futur në kategorinë pyll dhe orientimet teknike që rekomandohen nga shteti, përgjithësisht ndikojnë për keq, si në prodhimtari edhe në zhvillim. Zhdukja e pyllit të fermerit! Fillimet e kolektivizimit të tokës, u shoqëruan me propagandë intensive për ndryshimin e mënyrës së jetesës. Bashkë me tempujt e fesë apo kanunin, që kishin kontribuar në vendosjen e kufijve apo të rregullave në përdorimin e pyllit e të kullotës, dalëngadalë filloi të avanconte psikologjia sa që traditat apo dëshira e fermerëve për të tilla praktika menaxhuese të konsideroheshin të dëmshme. Tufëzimi i plotë i bagëtisë së imët, shënoi heqjen e komponentit themelor të sistemit dhe, për pasojë, fillimin e shembjes së sistemit shumëshekullor silvopastoral (silvokullosor). Shkatërrimi erdhi vetvetiu, fermerit i mungonte nevoja pastorale/kullosore, ai nuk kishte më arsye për t’u drejtuar drejt një së tretës së pyllit të tij, pasi nuk i duhej kullotë apo gjeth si bazë ushqimore për dimër. Shteti kishte marrë përsipër të mbarështonte edhe blegtorinë e tij. Nuk gjendet ndonjë dokument që të dëshmojë, nëse i është bërë analizë impaktit të këtij vendimi. Është e lehtë të mendohet, që fermerët e ekspertët e pylltarisë nuk ishin autorë të këtij vendimi. Vetë Fakulteti i Inxhinierisë Pyjore në ato vite ishte në hapat e para, pa mbushur 20 vjet. Stacioni i Pyjeve sapo ishte krijuar e po hidhte bazat e inventarizimit e të mbarështimit të Pyjeve të lartë. Në anën tjetër, ishin vite kur pjesa më e madhe e shkencëtarëve të Pyjeve, edhe në Evropë, besonin fort tek modifikimet gjenetike apo mrekullitë e llojeve me rritje të shpejtë, si pisha radiatë, eukaliptet, plepat hibride e shume të tjera. Akoma zbulimet arkeologjike të bazuara mbi analizat e polenit e të tjera nuk kishin dhënë dëshmi për traditat e historitë e paramenaxhimit të pyllit. Shteti e ndjeu shpejt barrën e vështirë të mbajtjes së blegtorisë. Bëri të pamundurën të mos dorëzohej, duke u futur në një rreth vicioz vendimesh të gabuara, që pasonin njëri-tjetrin, shkatërro livadhe e kullota për t’i bërë toka bujqësore, apo shpyllëzo mijëra hectare pyje për të bërë kullota të kultivuara, ish-pyje që për shekuj i kishin realizuar njëkohësisht e vazhdonin përsëri t’i realizonin, si funksionin e pyllit (prodhimin e drurit) edhe atë të bazës ushqimore për dimër e kullotjes. Sistemi u shkatërrua në pjesën më të madhe të vendit. Furrat e centralizuara të bukës hëngrën të parat pikërisht zabelet, prozhmet, kashnjetet, ograjat e mezhdat, pastaj fabrikat apo sistemet prodhuese komplekse të krijuara nga banorët për të prodhuar periodikisht e pandërprerje gjethe e dru për ngrohje, e kullotë poshtë tyre. Të gjithë drurët në anë të arave, livadheve, përrenjve, mbartës të bukurive të peizazhit, biodiversitetit, por edhe nevojave të njerëzve, u prenë për të furnizuar furrat e bukës e për të mos i bërë hije tokës së bukës. Kurrë fermerët nuk i kishin kërkuar kujt, që të tufëzonin blegtorinë, apo që dikush të gatuante bukën e tyre. Ata e kishin bërë vetë mbarështimin e blegtorisë së familjes dhe gatimin e bukës që kur kishte lindur jeta. Këto tre elemente, krejt të ndërlidhur, ishin së bashku me bujqësinë, baza e zinxhirit të punësimit, edukimit e mësimit të dukurive të pyllit, duke punuar në të, furnizimit të tregut, apo qytetit, për të mundësuar me shitjen e tyre këmbimin me prodhime që vinin nga industritë e qyteteve. Shkolla shqiptare akoma nuk e ka vëzhguar, analizuar këtë përdorim të tokës. Opinioni publik të mirëkupton që pema frutore duhet krasitur që të prodhojë fruta, sepse shkolla bujqësore e ka mësuar e praktikuar, por nuk të kupton kur thua pylli duhet krasitur apo ricunguar për të prodhuar biomase apo dru për ngrohje, pasi shkolla pyjore akoma hesht, nuk e ka vëzhguar apo shpjeguar këtë dukuri, si dhe nuk e ka bërë pronë të ekspertëve që ajo përgatiti. Shteti as pyeti as dëgjoi dhe kurrë nuk e kuptoi se çfarë i shkaktoi tokës dhe banorëve të vet. Pas prerjes “së drurëve për mbarë” ish-krijuesi dhe kujdestari i fermës silvopastorale (të quajtur nga shteti pyll), nuk kish më arsye t’i rrinte tek koka e të priste rritjen e lastarit. Fermerit nuk i duhej me as gjeth e as kullotë. Furra e bukës hëngri çdo dru si ish-element prodhues, krijuar në shekuj nga fermeri. I gjithë territori rreth fshatit u zhvesh nga bimësia pyjore e ngjyra kafe u be dominuese. Kafshët e egra pothuaj u zhduken. Shteti tepër i zënë me ndërtimin e bunkerëve në atë kohë, nuk e kuptoi marrinë që bëri. Disa nga ish-ndërmarrjet e pyjeve, me funksion kujdesin për pyjet, u ngarkuan nga shteti të mbarështojnë blegtori të imët. Të detyruara për të prodhuar bazë ushqimore, pa e njohur sistemin silvopastoral, ekspertet tentuan të krijojnë një model të ri prodhimi, duke vjelë vetëm gjethet e dushkut pa degë, çfarë krijonte problem, pasi gungat e drurëve të krasitur, ku mbaronte druri i vjetër dhe fillonte ai qe pritej periodikisht, ishin jashtë funksioni, ndriçimi i tokës nuk realizohej si përherë e aftësia kullosore s’mund të realizohej pa praninë e dritës së diellit. Ish hapësirat pyjore, për rreth stallave ku u përqendruan ato krijesa fatkeqe, kane mbetur toka të shkreta e akoma nuk kane arritur të rilindin vegjetacionin. Mbulesa pyjore erdhi në pakësim të menjëhershëm. E gjithë nevoja për drurin për gatim e ngrohje, iu transferua menjëherë pyllit të lartë, përgjithësisht larg fshatit, çka fermerit, i harxhonte kohën, energjinë. Te pylli i lartë malor rrebeshi i nevojave i mbeti ahut, që kurrë nuk i ishte bërë trajtim për t’u përshtatur për një funksion të tillë. I ardhur nga lashtësia pothuaj natyror, ai u gjunjëzua shpejt, pa e ditur kurrë se ku po e çonin… Si t’a kthejmë pyllin tek fermeri? Pylli shqiptar është në udhekryq. Shteti si shkaktar kryesor i shkatërrimit, në këtë kthesë pozitive e iniciativën e nisur në kërkim të Zotit, nuk duhet të humbasë më kohë. Kompanitë private pyjore, apo të tjera krijesa, që mund t’i paraqiten si alternativa Kryeministrit, nuk mund ta marrin pyllin shekullor të fermerit, nuk e kanë të drejtën historike, nuk e kanë dijen e as ekspertizën. Vetë këto kompani e kanë orientimin drejt pyllit të lartë malor. Ai duhet menjëherë t’i drejtohet fermerit, ashtu siç i rekomandojnë partnerët ndërkombëtarë 15 vitet e fundit, ashtu siç kërkojnë 248 shoqata të ngritura në 248 komuna të vendit e të përfaqësuara nga Federata Kombëtare e Pyjevetë Fermerëve. Pra, qeveria duhet t’i drejtohet fermerit, së pari duhet t’i kërkojë atij dhe kombit falje për dëmin që bëri shteti komunist. Të hartojë një strategji sa më të shpejtë, për të regjistruar pyllin e fermerit, të llogarisë kostot e ringritjes së sistemit prodhues sipas kërkesave të kohës, të financojë fermerët e t’i ndihmojë që të ringrenë atë që shkatërroi, të kërkojë ndihmë ndërkombëtare, në kuadër të projekteve për pagesa për shërbime mjedisore, të kërkojë që të shtohen ekspertët e pyjeve, mundësisht nga një ekspert për çdo fshat të vendit, t’i edukojë për të realizuar këtë shërbim të madh kombëtar... Në paralel të fillojë ngritjen e agropylltarisë në zonën fushore perëndimore, si dhe në fushat e Korçës e të Devollit, për të përmirësuar tokën, për të ndihmuar bujqësinë, shtuar biomasën e ndihmuar pyllin në këtë periudhë ringritjeje. Kjo do të ishte shenja e parë që qeveria s’po bën shakanë e radhës, por po reflekton për një gabim historik, me pasojë shkatërrimin e tokës dhe varfërimin e banorëve ... Menaxhimi i Pyjeve është përgjegjësi e familjeve, fshatrave e komunave, por edhe e qeverive apo autoriteteve globale. Kjo thuhet e pranohet pothuaj nga të gjithë, por në realitetin tonë duket si parullë boshe. Roli politik apo vendimmarrës i qeverisë, si përgjegjëse për të menaxhuar shtetin ne këtë udhëkryq ku kanë arritur pyjet, mbetet kritik. Vendimet mund të thellojnë impaktet negative ose të krijojnë vlera të reja e të gjithanshme kombëtare. Kërcënimet e katastrofës mjedisore po pasojnë njëri - tjetrin. Zëri po ngrihet që nga fshatarët, që organizohen për të mbrotjur pyllin e tyre, duke i kërkuar qeverisë ta shpallë Park Konbëtar, si në rastin e Shebenikut, e deri në punimet e Asamblese Ndërkombëtare të Tokës, që u mbajt vitin e kaluar në Tiranë. Shumë artikuj, emisione e filma janë prodhuar e kanë dokumentuar humbjen e pyjeve, pasuar me shumë kërcënime – nga fermerë, barinj, projekte e organizatata ndërkombëtare autoritare. Situata aktuale e shton barrën mbi qeverinë, që nuk e delegoi menaxhimin e kësaj pasurie shumë të rëndësishme, ashtu siç u angazhua me ligjin e parë të pyjeve, pas rrëzimit të sistemit të kaluar, para popullit të saj e partnerëve ndërkombëtarë për përdorim të qëndrueshmë të këtyre resurseve. Me ligjin e pyjeve të vitit 1991, ligjvënësit dhe qeveria shqiptare në nenin 4 të tij u zotuan t’i japin fermerit në përdorim 0.4 deri 1 ha pyll për çdo familje. Kjo u legalizua me Rregulloren 308, të firmosur nga ministri i Bujqësisë me 26 janar 1996, ku miratohej dhënia me kontratë me përdoruesin e pyllit. Ligji tjetër i pyjeve, i vitit 2005, e hoqi këtë nen, duke shfuqizuar pa asnjë bazë ligjore me mijëra marrëveshje me komunat apo kontrata të komunave me fermerët, që kishin afat 10 vjeçar. Nën presionin e shoqatave, Këshilli i Ministrave nxori Vendimin e qershorit 2006, ku u ngarkohet detyrë qarqeve e komunave për të regjistruar përdoruesit e pyjeve. Ishte po qeveria që më pas nga “dhënie në përdorim të komunave” e ndërroi termin në “dhënie në pronësi”. E gjithë kjo “lojë pingpongu” bëhet gjoja pasi qeveria dhe ekspertët e saj nuk kanë siguri te pronarët për ruajtje, ashtu siç kishte frikë qeveria e para 1990-ës, që t’i jepte fermerit blegtorinë dhe tokën, tani qeveria ka frikë t’i besojë pyllin e tij. Por, në fakt, e gjithë kjo, bashkë me politikat e ligjet e hartuara po prej qeverive të 20 viteve të fundit, ka çuar në shkatërrime katostrofike, që aktualisht janë në prag të moskthimit e rehabilitimit për një pjesë të madhe të terrenit. Ekspertë, pjesëmarrës në hartimin e ligjit të vitit 1991 dhe të strategjisë së vititi 1998, me ndihmën e USAID-it, apo të gjithë katrahurës së ligjeve e vendimeve kontradiktore, kërkojnë që tani, pas 20 vitesh investime, të fillojnë edhe njëherë lojën nga fillimi e të bëjnë një studim se si e kanë vendet e tjera. Në fakt ky studim është kryer. Harta me 252 komuna, ku janë bërë planet e menaxhimit, me financime të Bankës Botërore e janë identifikuar përdoruesit e pyllit dhe kufiri i pyllit të fshatit, është mjaft e saktë dhe e qartë. Fshati i ka kufijtë. Ka edhe dy komisione, atë që ndau tokën bujqësore dhe atë të pyjeve. Për çdo fshat është bërë dhe firmosur marrëveshja me fshatrat kufitare dhe është miratuar në këshillin e komunës. Vendimi është konfirmuar edhe nga çdo prefekturë. Të dhënat janë si në Njësinë e Projektit, ashtu edhe në Ministrinë e Mjedisit. Janë mbi 20 raporte të BB, që u janë dërguar çdo 6 muaj minsitrit të Bujqësisë para vitit 2006, duke kopjuar gjithmonë Ministrinë e Financave. Në të gjitha raportet është përmendur ecuria e identifikimit të përdoruesve dhe vendosjes së kufijve të fshatrave apo komunave. Pas 20 vitesh janë prodhuar shumë e shumë harta, disponohen të gjitha procesverbalet, vendimet e komunave e miratimet e tyre dhe duket e çuditshme që qeveria kërkon të nisë nga fillimi për të gjetur platformën, pasi nuk ka informacionin e nevojshëm lidhur me platformën e privatizimit. Kjo i ka habitur së tepërmi donatorët dhe mund të vërë në pikëpyetje projektin në vijim, që është pikërisht për të vazhduar praktikën e mirë, të nisur për të rehabilituar pyjet e plotësuar të drejtat bazë njerëzore të fermerëve. Mbi 10 mijë anëtarë të Komisioneve të Pyjeve në fshatra i kanë caktuar kufijtë e pyllit të fermerit Në një hapësirë kohore rreth 18 vjeçare, partnerët tanë strategjikë ndërkombëtarë, si BB, USAID, qeveria italiane e ajo zvicerane, Sida, SNV, FAO, na kanë asistuar për të ndaluar katastrofën ekologjike e për të gjetur një model për ringjalljen e mbulesës pyjore, si burim i ripërtëritshëm natyror. Vetëm në sektorin e pyjeve, pa përmendur mjedisin në përgjithësi, kjo asistencë teknike, e shoqëruar me investime dhe reforma të projektuara, i kalon 50 milionë dollarë. Rregullorja e Ministrisë së Bujqësisë e vitit 1996 kishte si bazë përfshirjen e përfaqësuesve të fshatrave e komunave në krah të Shërbimit Pyjor, për të ndaluar degradimin e mëtejshëm të pyjeve e kullotave. Në zbatim të saj e me financim të BB e qeverisë shqiptare, janë ngritur komisionet e pyjeve dhe kullotave në çdo fshat të vendit. Objektivat e projekteve të përkrahur e implementuar nga qeveritë kanë qenë planifikimi me pjesëmarrje, pranimi e konstituimi i së drejtës së përdorimit, si dhe zbatimi i punimeve nga vetë komunitetet lokale, duke evituar tenderët e duke rritur kapacitetet dhe dijet e banorëve lokalë. Në platformën që qeveria po kërkon për të privatizuar pyjet, i duhen kujtuar të gjitha këto investime të bëra po prej saj, me asistencë ndërkombëtare. Qeverisë i duhet kujtuar që ajo ka mbështetur legalisht e financiarisht dhe ka arritur që sot në shkallë vendi janë ngritur e dokumentuar mbi 2500 komisione të pyjeve e kullotave me rreth 10 mijë anëtarë, komisione që janë zgjedhur në çdo fshat e komunë, kanë marrë pjesë dhe kanë rënë dakord me fshatrat kufitare për kufirin e pyllit e të kullotës së tyre. Shteti ka investuar nëpërmjet donacioneve ndërkombëtare dhe Agjencia Suedeze për bashkëpunim ndërkombëtar, në bashkëpunim me SNV, kanë realizuar programe për t’i trajnuar këto komisione për të bërë regjistrimin e kufijve të fshatrave, si dhe me njohuritë themelore për menaxhimin e qëndrueshëm të pyllit të fermerit. Federatat Kombëtare e Pyjeve dhe Kullotave Komunale është ombrella, por edhe lokomotiva, që i përfaqëson jo vetëm në shkallë kombëtare këta dhjetë mijë komi-sionerë, 250 shoqata e 10 federata rajonale, por ajo është edhe anëtare e Federatës Evropiane të Pronarëve Privatë të Pyjeve, si dhe anëtare e partnere e koalicionit ndërkombëtar të tokës, që siç thamë, e mbajti asamblenë e fundit ndërkombëtare në Tiranë. Ajo është partnere kryesore e donatorëve në projektet për rritjen e kapacitetit të fermerëve, si për menaxhimin e pyllit, ashtu edhe të kultu-rave arrore. Projekte ndërkombëtare 17 vjet të zbatuara, po të pakuptuara nga opinioni, media e politikëbërësit Diku nga mesi i viteve 1990, Banka Botërore, USAID e donatorë të tjerë, të shqetësuar nga degradimi me ritme alarmante, hartuan e zbatuan disa projekte, të cilët në shumicën e tyre, kur u realizuan në bashkëpunim me banorët lokalë, rezultuan në një kohë relativisht të shkurtër me rehabilitim të bimësisë dhe shtim të interesit të fermerëve për t’u kujdesur. Kjo u shoqërua edhe me emërtime, si “projekte për pylltarinë komunale”, emërtim që koincidoi edhe me riorganizimin e pushtetit lokal e organizimin e disa fshatrave në komuna. Emërtimi krijoi një konfuzion nëse ishin projekte me komunitetin apo komunën. Komuna, meqë ishte njësia bazë e organizimit lokal, shpesh u duk edhe si mbartëse. Në vitet e tashme, kur pyjet e larta u dorëzuan, nga prerja masive e pasuar me djegie, qeveria tentoi të reflektojë, që të hiqte nga vetja barrën e rëndë dhe akuzën si shkatërruese e pyllit, duke tentuar të transferojë një pjesë të madhe te komunat. Një kategori e re edhe kjo e paligjëruar dhe pylli në ngritje është vënë nën trajtimin e ish kujdestarëve; ai vazhdon të rritet shpejt, duke dhënë shpresa. Por ka hapur edhe një debat të përqëndruar jo tek analizat, por te fakti se kujt i takon ky pyll, e kujt është pronësia e tij, e shtetit, e organeve lokale apo e familjeve. Media duket larg problematikës reale të pyjeve e mjedisit Praktika 20 vjeçare e transferimit të pyjeve drejt komunave, fshatrave apo familjeve, ukalua me pak raste në heshtje nga mediet. Në pak raste ambasada e SHBA bëri promovim të transferimit të pyllit te fshati, si në Kallmet apo në Bubq, dhe më pas me qindra mbledhje për të ndarë pyllin në mes fshatrave apo për të kualifikuar përdoruesit e pyjeve, kanë kaluar thuajse në heshtje. Asnjë nga këto s’përbënte lajm për medien. Vetëm prerja e drurit. Media, bashkë me shoqatat mjedisore, janë ushqyer me të pavërteta dhe ëndërrojnë që këtë tokë ta shohin si një muze, që të qëndrojë ashtu si një rezervë natyrore statike, muze që të mos menaxhohet. Ndërkohë, banorët kanë nevoja, tregu po ashtu. Nëse futet ne sistem menaxhimi, prerja është e dobishme për të nxitur rritjen. Druri prodhon energji të rinovueshme; kjo e ka kthyer atë në qendër të vëmendjes edhe për shtetet evropiane, që kishin vite që e përdornin për industri e letër, peizazh e biodiversitet. Përgjithësisht shkolla, media, politika dhe institucionet menaxhuese të tokës, nuk kanë bërë asnjë përpjekje serioze për të kuptuar në thellësi raportet historike të komunitetit me tokën. Rregullat që janë krijuar që nga prehistoria, të fiksuara në kanune, që ndanin të drejta e përgjegjësi, përgjithësisht janë përbuzur si joshkencore e folklorike. Ekspertët e diplomuar dhe popullsia janë aktualisht në një konfuzion të plotë. Djemtë e fermerëve, që bëhen politikanë, gazetarë apo pylltarë, nuk e kuptojnë tokën që i ka mëkuar dhe kanë çorientuar të gjithë opinionin. Mediet, ashtu si edhe shoqatat mjedisore, mjaftohen me parullat me origjinë osmane, “mos prisni pyjet”, pa tentuar të analizojnë që i gjithë ky territor nuk ka akoma rregulla të qarta të të drejtave e përgjegjësive e, për pasojë, është jashtë administrimit. Jashtë-administrimi apo administrimi spontan çon në degradim. Media, bashkë me politikën, as që e kuptojnë që eksperti dhea asistenca financiare bëhen të panevojshme për një sistem nga i cili nuk kërkohet prodhim. Për të gjithë opinionin publik prerja e drurëve, pa e bërë dallimin ku dhe për çfarë, pa ditur që prerja është formë e menaxhimit, aktualisht trajtohet si kasaphanë. Askush nuk e sqaron kontekstin prerje, ku për çfarë, e shoqëruar nga se, për të arritur ku. Sepse të gjitha këto mungojnë. Përse mbetet jashtë menaxhimit 40 % e tokës shqiptare? Ky territor i abandonuar ka potencial të shtojë deri 50 % të ardhurat nga ferma agropyjore. “Pylli për popullin”, deklaron OKB. “Pylli për popullin”, deklarojnë qeveritarët. Viti Ndërkombëtar i Pyjeve sapo u festua. Por, pylli shqiptar është vënë kundër popullit. Që të bëhet pylli për popullin, së pari duhet kuptuar koncepti, lidhja shekullore e popullit me pyllin. Pastaj duhet pranuar që i gjithë sistemi i shkurreve apo dushkajave, në 30 vitet e fundit është jashtë çdo sistemi menaxhimi, në shkatërrim të pandalur spontan. Asnjë strategji nuk e analizoi kurrë sistemin tradicional se si sigurohej kullota e druri i ngrohjes, se si i merrej maksimumi tokës kodrinore e malore, duke e mbrojtur njëkohësisht atë nga gërryerjet. Zabeli, Kashnjeti, Prozhma, Koria, Mali, kanë qenë historikisht fermat pyjore të malësorëve shqiptarë, që në zonat malore e kanë pasur shumë të kufizuar tokën bujqësore. Kjo praktikë e pasur shumëvjeçare nuk njihet dhe, çuditërisht, kundërshtohet nga shkollat pyjore. Për fermerin, krahas shërbimeve mjedisore, kjo është shumë e rëndësishme dhe fermeri është i vetmi që ka dijen dhe e mban këtë sistem. Faktikisht, ajo është pjesë e sistemeve agropyjore dhe në rrugë natyrore çdo përbërës i agropylltarisë, i shkëputur nga konteksti e i mbetur vetëm, nuk është në gjendje të sigurojë të ardhurat e duhura për fermerin. Vetëm efekti komplementar midis burimeve të ndryshme të të ardhurave mundëson qëndrueshmërinë ekonomike të fermës së vogël bujqësore të zonave kodrinore e malore. Është momenti për një reagim e konsensus mbarëkombëtar, si do të emërohet kjo pjesë e mbulesës bimore shqiptare, e cila është pjesë e fermës bujqësore, potencial aktualisht i papërdorur. Shkolla pyjore shqiptare ka një shans për të dhënë një kontribut kombëtar, duke pranuar për të filluar të mendojë të kërkojë dijet atje ku janë, si psh në Francë (Monpelje) apo Angli, ku sistemet silvo-pastorale apo ato të cungishtave kanë histori shumëshekullore. Këto dije është e mundur më pas të përshtaten në kushtet tona ekologjike e social - ekonomike, duke na mundësuar të kuptojmë edhe prejardhjen dhe logjikën e traditave lokale. Përdoruesit e pyllit të ulët dhe kullotës janë e do të jenë fermerët, sa të vazhdojë të jetë e banuar toka. Është shansi që atë që Evropa e beri në vitin 1848, ta bëjë Shqipëria pas 164 vitesh. Politikëbërësit e Evropës e ndanë për çdo familje nevojën vjetore për dru për ngrohje, material ndërtimi e kullotje. Janë mbi 15 vjet që edhe tek ne kjo eksperimentohet ashtu si ndërtimi i Kalasë së Rozafës, duke ndërtuar ditën e rrezuar natën. Është koha që kjo odise të marrë fund dhe të fillojë rehabilitimi i tokës pyjore e kullosore në Shqipëri. Kjo është edhe pjesë e kërkesave të Bashkimit Evropian për politikat për tokën. Haki Kola (ekspert Pyjesh)
Posted on: Sun, 08 Sep 2013 06:50:49 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015