Për një Rilindje Shqiptare, për një Shqipëri jug e - TopicsExpress



          

Për një Rilindje Shqiptare, për një Shqipëri jug e veri! Motra dhe vëllezër! Shqiptare dhe shqiptarë nga veriu në jug. Era e Rilindjes sot i ka bërë një jug dhe veri për një Shqipëri, era e Rilindjes po fryn fort dhe ky është manifestimi madhështor i dy vatrave të mëdha të shqiptarisë, Shkodrës dhe Vlorës, që i japin sot kohës shqiptare fuqinë e një bashkimi të ri për një Shqipëri të re. Era e Rilindjes sjell me vete në këtë shesh, këtu në Shkodër, të mbushur me ëndrra dhe shpresa fjalët e At Gjergj Fishtës së pavdekshëm “për me sundue nji shtet, nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakcilleku, rena, trathtija; duhet ndere, dije, urti, burni: qe se shka duhet”. E pra, ne kemi ardhur në këtë takim me historinë për t’i dhënë qeverisjes së këtij vendi vlerë, dije, urti e burrni; qe se çka duam të bëjmë me votën që i kërkojmë Shkodrës dhe Vlorës në 23 Qershor. Dhelpnia me të shkumen e ka mbajtur peng Shkodrën 20 e ca vjet rresht,, a doni të jeni akoma peng i të shkuarës? E pra, zgjidhni numrin 29 që të çliroheni nga e shkumja. Intriga e re me dasitë e vjetra ja ka imponuar Shqipërisë marrëzinë e përçarjes 20 e ca vjet rresht. A doni të jetoni akoma në një Shqipëri që jeton mes dasive të vjetra? E pra, ndëshkojeni me votën për numrin 29 marrëzinë e përçarjes që ta çlironi Shqipërinë nga kthetrat e dasive të vjetra. Batakçillëku e ka varfëruar Shqipërinë në ekonomi por ende më keq në aspirata dhe sot një hije e vjetër dhe e lodhur endet nëpër Shqipëri për t’i ngopur njerëzit me lugë bosh pas 20 e ca vitesh rresht, a doni të ushqeheni me lugën bosh të katragjyshit të rraskapitur? E pra, mbështesni me votë skuadrën kombëtare të Rilindjes për të pasur një qeveri që shërben e jo një çetë plakë që rrëmben. Rrena dhe tradhtia e rraskapitën këtë popull të zhytur në varfëri, të mbytur në borxhe, të mbetur rrugëve të papunësisë, në një kohë që vendi ynë i bekuar bukurish dhe pasurish të rralla grabitet prej sundimtarët të vet të rinj si rrallë vend në botë prej 20 e ca vjetësh rresht. A doni akoma varfëri, borxhe, papunësi dhe grabitje? E pra, kapuni fort me votën tuaj tek programi ynë i Rilindjes Shqiptare për të rimëkëmbur ekonominë dhe shpëtuar nga borxhet dhe grabitqarët e këtij populli. Unë jam mirë kur asht mirë Shqipnia thoshte Isa Boletini dhe sot Shqipnia s’është, prandaj s’ka asnjë shans të jetë mirë kush asht shqiptar i mirë. Kush asht shqiptar i mirë s’mund të jetë mirë duke e parë Shqipërinë të zhytet në korrupsion dhe të tkurret prej fuqisë së krimit; shqiptari i mirë s’mund të jetë mirë duke e parë Shqipërinë të thahet për ujë në verë dhe të përmbytet me shiun më të parë në dimër; shqiptari i mirë s’mund të jetë mirë duke e parë Shqipërinë të humbasë çdo vit e më shumë fëmijë në tunelin e analfabetizmit; s’mund të jetë mirë shqiptari i mirë duke parë Shqipërinë të mos ushqejë dot njerëzit e vet, të mos punojë dot njerëzit e vet, të mos garantojë dot jetën dhe pronën e tyre. E pra, motra e vëllezër që nga Shkodra deri në Vlorë, kush i thotë vetes sot shqiptar i mirë duhet të mos e harrojë se kur e keqja e kap për fyti një vend nuk është faji i të këqijve por i të mirëve që nuk bëjnë asgjë. Prandaj, çdo shqiptar i mirë, duhet të bëjë diçka sa të vogël aq edhe të madhe për këtë vend, ditën e diel me votë kundër rrënimit dhe për Rilindjen e madhe të 23 qershorit. Sot, unë ndjehem njeri me fat të madh, jo vetëm sepse kam privilegjin që ta udhëheq përpjekjen për Rilindjen përballë rrënimit por edhe sepse kjo fushatë fantastike mbyllet njëkohësisht në dy qytetet e krenarisë shqiptare, ku unë kam nga një pjesë të rrënjëve dhe mbresave të mia të forta nga jeta. Këtu në Shkodër lindi gjyshja që i dha fëmijërisë sime jehonën e kambanave të kishës dhe aromën e librave të shenjtë, ndërsa në Vlorë lindi nëna ime që më mësoi se nderi dhe dija janë më të vyera se dhelpnia dhe batakçillëku. Këtu në Shkodër, unë përjetova fare i ri si dëshmitar rilindjen e fesë në varrezat e Rremajit, ku i ndjeri Don Simon Jubani, rebeli i pavdekshëm anti-komunist i burgjeve të diktaturës dha meshën e parë mes të gjallëve, të vdekurve dhe statujave të shpuara nga plumbat e ushtarëve të Enverit teksa regjimi i vjetër vëzhgonte rreth e rrotull mureve. Ndërsa në Vlorë, unë pashë shpirtin rebel të këtij populli që ngriti krye ndaj regjimit të ri të Tiranës që u premtoi shqiptarëve parajsën dhe i përvëloi në ferrin e piramidave. Këtu në Shkodër, historia, heronjtë e mendimit shqiptar, muret dhe rrugët e vjetra, bashkë me shtëpitë e të mëdhenjve të Kombit që po bien një e nga një kërkojnë një Rilindje Shqiptare. Rilindje, jo për të zëvendësuar dikë me dikë në krye të qeverisë në Tiranë, as për të zgjedhur mes një palë dhe një pale, por Rilindje për t’i dhënë drejtim këtij atdheu që është amaneti i të parëve dhe borxhi që ne ju kemi fëmijëve tanë. Dhe më i pari amanet nga ata që s’janë më dhe më i pari borxh për ata që ende s’kanë ardhur, është një atdhe që të jetë i bashkuar, një Shqipëri që të jetë një, jug dhe veri. Dëgjojeni miqtë e mi shkodranë dhe vlonjate, se me çfarë force e sjell era e Rilindjes sot jehonën e fjalëve të Anton Harapit, “me gjak te vet e shuguroi elterin e Atdheut, katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Topulli e Curri, Germenji e Negovani, nuk kanë ndryshim, por janë në një mendim e në një vendim, në vepër e në vdekje. Ata e vulosën me gjak se çfarë qenë, na mbetet ne ta vulosim se çfarë jena!” Na mbetet ne ta vulosim me votë pas 48 orësh se çfarë jena, rob të rrënimit apo qytetarë të rilindjes! Ju mbetet ju shkodranë dhe vlonjatë ta vulosni me votë çfarë jena ne shqiptarët e këtij shekulli të ri, jena një turmë që mund ta mbajnë akoma të ndarë në emër të së shkuarës duke na rrotulluar në tru thikën e dasisë së vjetër të komunizmit që ka vdekur por që qelb dhe kundërmon, mes gojësh që mllefin e të shkumes nxjerrin nga tribunat e pushtetit? Jo, ne jena sot një popull që me përbuzjen e meritume do t’ua marrë atë thikë nga dora e do t’ua flakë në Vjosë dhe në Bunë, që lumi t’i marrë përgjithmonë me gjithë djallëzinë e tyre ndaj këtij populli. Tregojuani pra në 23 Qershor se kush jena! A jena një turmë që mund ta përçajnë me thikën e dasisë ende më të vjetër veri-jug, që çorodit njerëzit e mbetur në errësirën e propagandës së shfrenyme të atyre që për ta mbajtur pushtetin janë gati ta çojnë në humnerë Shqipërinë? Jo! Ne jena sot një popull që jo vetëm Shqipërinë e duam një, jug dhe veri por edhe njëri-tjetrin e kemi në krah dhe jemi në krah. Vuloseni pra me votën tuaj të dielën se çfarë jena ne! A jena një turmë që mund ta çajnë me thikën e pabesisë ndaj harmonisë fetare që kurrë një shqiptar i mirë se prek, por shqiptarët që për pushtetin vdesin edhe veten e jo vetëm Shqipërinë e ka nxjerrë nëpër dhëmbë edhe gjatë kësaj fushate? Jo! Ne jena një popull që si një shqiptar i mbyll rrugën zullumit të trashur duke u bashkuar në një mendje kur Shqipëria bashkimin kundër rrezikut kërkon! Bashkohuni pra për atë që jena, tek numri 29 dhe ndalojeni njëherë e mirë të na imponojnë rrënimin për Shkodrën dhe Vlorën e gjithë Shqipërinë! Ndalojini ta çojnë përpara tunelin e borxheve, të papunësisë e varfërisë, tunelin e analfabetizmit, tunelin e korrupsionit dhe kriminalitetit, tunelin e ndotjes dhe shkatërrimit të pyjeve e plazheve. Ndalojini ta çojnë përpara tunelin e rrenave e tradhtive! E diela është dita që Shkodra dhe Vlora të jenë në një mendje e që veriu dhe jugu të bëjnë një zgjedhje, që Shqipëria të jetë një nga jugu në veri për Rilindjen shqiptare. Bëjeni 23 Qershorin të dielën e madhe të historisë së Shqipërisë! Rroftë Shkodra! Rroftë Vlora! Rrofshin gratë dhe burrat e Shkodrës, rrofshin nënat dhe baballarët e Vlorës! Rrofshin shqiptarët në veri dhe në jug! Rroftë ky popull që meriton më shumë dhe në 23 Qershor do të votojë për atë që meriton! Rilindje! Rilindje! Rilindje! Fjala e Kryetarit të PS Edi Rama në mitingun në Shkodër.
Posted on: Sat, 22 Jun 2013 09:15:20 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015