“Përpara për votën e lirë të shqiptarëve!” Komandanti - TopicsExpress



          

“Përpara për votën e lirë të shqiptarëve!” Komandanti historik lëshoi një tjetër kushtrim lufte, 24 orë para farsës së zgjedhjeve për mëkëmbësin e tij në PD. I gjithë shtypi e përcolli jo pa shqetësim këtë ukubet të tij të radhës. Ndërsa ditën e votimit ai tha: “Absolutisht nuk njoh asnjë rezultat të dalë nga vjedhja dhe krimi. Ne kërkojmë transparencën. Ne do të përdorim të gjitha mjetet për t’u dalë zot votave të shqiptarëve”... Mos vallë udhëheqësi karizmatik (“që nuk mund të zëvendësohet nga kurrkush” për së gjalli!) është penduar dhe tash nuk ka ndërmend të njohë rezultatin e zgjedhjeve? Apo mos vallë synon të tërheqë dorëheqjen “e parevokueshme” dhe si Napoleon Bonaparti shpreson, pas lutjeve të Sebastianëve, që të rikthehet në Tiranë triumfator, nga ishulli i “Shën Elenës”, ku populli e internoi dhe e dëboi me votë? Këto hamendje ndjellakeqe qëndrojnë mbi kokat e të gjithë shqiptarëve në këto ditë të nxehta, herë me shi e herë me diell, jo vetëm nga moti... Zgjedhjet nuk kanë përfunduar. Votat po rinumërohen në KQZ, por edhe nëpër selitë e PD-së për kryetarin e ri. Problem mbeten listat. Një parti tetë vite në pushtet nuk i paska në rregull as listat e anëtarëve të saj. Ata që kontrollojnë “procesin” paskan pastruar edhe listat brenda partisë... Eksperienca e hajdutit i mbivendoset mençurisë, moralit dhe rregullit. “Litari është lënë qëllimisht jashtë”... Këtë e provon jo vetëm rinumërimi i Lezhës dhe i Shkodrës me diktatin e cungut partiak të KQZ-së, rinumërim që gjithsesi nuk ka për të shërbyer për të përmbysur rezultatin, sesa për të justifikuar direktivën për tension, destabilizim dhe konfliktualitet të nesërm, klimë që po mbillet e po projektohet qysh tani me thirrjen fashistoide: “Përpara për votën e lirë!” Medemek Berisha, edhe pse i vetëdorëhequr, kërkon të shfaqet si një luftëtar i paepur i votës së lirë, i cili nuk mund të durojë cenimin e votës së shqiptarëve! I patën vjedhur votat, sipas tij, kur ishte në opozitë, por ja që “kartelet e drogës dhe të krimit” ia paskan vjedhur edhe më 23 qershor, teksa ishte në pushtet. Në një pushtet tetëvjeçar të sunduar nga autoritarizmi i tij i pacak e i pakontrollueshëm. Kush e ha këtë? *** Jo, ai nuk kërkon të ngjajë si viktimë, si një udhëheqës i ndershëm e i pafaj, që ia hedhin sa herë humb, por si një hero i ndershëm dhe i sakrifikuar për të mirën e popullit dhe sidomos për të mirën e demokracisë! Por edhe si një lojtar i pazëvendësueshëm, madje i rrezikshëm i skenës së politikës shqiptare! Prandaj Rama: “nuk do gëzojë kurrë një pushtet të dalë nga falsifikimi dhe manipulimi i votës. Ai nuk mund të jetë kurrë kryeministër dhe të përfaqësojë Shqipërinë nëpër botë”... Berisha e ka provuar se në opozitë nuk mund dhe nuk di të sillet ndryshe, përveçse si një bajloz i dyluftimit të pandërprerë, i konfliktit, përplasjeve dhëmb për dhëmb, i mësymjes totale “për jetë a vdekje”, si e vetmja mënyrë e mbijetesës politike. Pyetja në këtë rast është e natyrshme: Përse ai, pas disa javësh “të qeta” nga dorëheqja që i mallëngjeu ndjekësit e tij, madje edhe disa ndërkombëtarë (“U tregua burrë shteti”!), u detyrua të hidhet në sulm e të bëjë këtë paralajmërim për revansh, që ngjan si mosnjohje dhe mospranim i zgjedhjeve, situatë e cila, po vazhdoi me këtë ritëm, do ta fusë Shqipërinë në një ngërç të ri, për të mos thënë në një konflikt të ri social, ndoshta më të rëndë e më me kosto se të mëparshmit? Kur do të vijë dita që ai të jetë, si ka premtuar, “një nga ne”? Me sa duket e ka të pamundur, sikur edhe të dojë. Këtë ai as vetë nuk e ka në dorë, edhe nëse e dëshiron sinqerisht. *** Nuk janë votat e manipuluara të Lezhës ato që po e shtyjnë në këtë përfundim përmbysës, në këtë kthesë 360 gradë. Është gjendur sebepi për të fshehur shkakun e vërtetë të dilemës së tij hamletjane. Shkaku i vërtetë është paniku që e ka kapluar teksa shikon se që para zgjedhjeve, por edhe pas tyre, Ramën e kanë ftuar dhe pritur, ende pa e marrë pushtetin, disa nga kryeministrat më të rëndësishëm të Evropës; së fundi ai po ftohet edhe në Uashington. Fakti që faktori ndërkombëtar e ka pritur me entuziazëm të pafshehur “diplomatik” largimin e Berishës, të shtyn te dyshimi i justifikuar: Po sikur Rama të ketë marrë porosi nga ndërkombëtarët që t’i japë fund mosndëshkueshmërisë, -kësaj flame që ka shkatërruar sistemin e Drejtësisë bashkë me demokracinë!, - duke dhënë shembullin më së pari me të? Po sikur qarqet diplomatike të BE-së dhe të SHBA-ve, të kenë arritur në përfundimin se nuk duhet të përsëritet më “lajthitja” e viteve 1997-‘98, kur, për hir të stabilitetit në rajon (por edhe se besonin, me naivitet, që politikisht Berisha kishte marrë fund!), diplomacia ndërkombëtare e detyroi Nanon të bënte një sy qorr e të mos kërkonte ndëshkimin e Berishës? Aq e fortë ishte asokohe kjo trysni (prej frikës së një destabilizimi të ri), sa u lejua (në kundërshtim me paketën kushtetuese) që Berisha të bëhej madje edhe deputet i thjeshtë, edhe pse, si ish-President, ligji ia ndalonte të futej në listën e deputetëve të PD-së... U gjykua nga ndërkombëtarët se e kishte mbyllur karrierën me turp dhe se nuk do ta ngrinte më kokën, së paku prej turpit dhe prej përgjegjësisë historike që e çoi shoqërinë në prag të luftës civile... Mos vallë kancelaritë euroameriakne janë penduar? Fakti që nga BBC e Londrës Rama u pyet pikërisht për këtë (a do të ndëshkohej Berisha për “21 janarin”?...) dhe, më pas, derisa disa krerë të lartë të së majtës deklaruan se do të dorëzonin mandatin po qe se nuk do të ndëshkohej Berisha, e përforcon dilemën. Sepse, sipas mënyrës se si e drejton Berisha garniturën e vet politike, ky ka të drejtë të hamendësojë se ata që kanë dalë me “tezën” e ndëshkimit të tij, e artikulojnë këtë me porosi të kryeministrit të ardhshëm, për të gatitur terrenin dhe opinionin publik... Kjo e bën panikun e Berishës më të justifikuar. Prandaj ai kërcënoi: (Rama)...”nuk mund të jetë kryeministër e të përfaqësojë Shqipërinë në botë”... dhe se: “PD nuk do të njohë kurrë një pushtet me vota të vjedhura”... Kjo do të thotë se do të quhen të paligjshme të gjitha vendimet e qeverisë së nesërme, duke përfshirë edhe ndëshkimin e tij hipotetik. E jo vetëm kaq! Si strateg i politikës konfliktuale, Berisha e di që sulmi është mjeti më i sigurt e më dobiprurës i luftës politike në Ballkan, mjet që i motivon dhe i drogon ndjekësit dhe mercenarët për një rikthim e fitore të shpejtë... Për të përgatitur destabilizimin, protestat, revanshin, sherret dhe grindjet e nesërme, pas së cilave shpreson, si deri më sot, se do të forcojë imunitetin vetjak (paprekshmërinë”, edhe pse humbi rëndshëm, duhet gjetur një kazus dinjitoz, dhe kjo është, medemek, “mbrojtja e votës së lirë”. I bindur, pas ballafaqimeve e përplasjeve të egra 23-vjeçare, se të majtët, duke qenë të kompleksuar për shkak të trashëgimisë së tyre ish-komuniste (Berisha nuk e vuan këtë, përkundrazi!), do të jenë të shtrënguar të sillen si luajalë (për të mos i quajtur, si beson ai, si të lëkundur e frikacakë, ngaqë, sa herë sulmohen, detyrohen të tërhiqen me bisht në shalë, si ka ndodhur në jo pak raste), edhe kësaj here të majtët, si në kohën e Nanos, për t’u treguar “paqësorë” do të detyrohen të ”harrojnë” bëmat dhe zullumet e Rrugës së Kombit, “Gërdecin” dhe “21 janarin”, etj., etj... Shkurt, Berisha e di fort mirë që nuk mund të rikthehet në pushtet; por ai nuk e përballon dot frikën, frikën nga e nesërmja. Ndaj ai po investon revanshin, duke hedhur dorashkën e konfliktit për të siguruar atë që e humbi në zgjedhje: paprekshmërinë nëpërmjet forcës, vetëkarfosjes, betonit mbrojtës të partisë, si “lider historik”, pasi beson e kujton se, duke lehur, kundërshtari do të trembet e do të ikë me vrap nga fusha e betejës. E po ndodhi kjo, pra po pati sukses edhe kësaj here kjo lloj taktike destruktiviteti, atëherë mund të thuhet se rikthimi i tretë i Berishës në Kryeministri nuk ka për të qenë fort larg! Sigurisht që ky është programi i tij maksimal, ndërsa më afatshkurtri është krijimi i klimës së mosbesimit dhe i zhgënjimit te qeveria e re. Në të dyja rastet, i fituar shpreson se do të dalë Berisha dhe klani i tij. Vetëm se harron që tani jemi në vitin 2013, kur edhe Berluskoni, sozia e tij, e ka braktisur!
Posted on: Wed, 24 Jul 2013 11:41:09 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015