QOSJA:SHQIPERIA U ÇLIRUA NGA NJE MANKTH Akademik Rexhep Qosja ka - TopicsExpress



          

QOSJA:SHQIPERIA U ÇLIRUA NGA NJE MANKTH Akademik Rexhep Qosja ka thënë se, ndërrimi i pushtetit në Shqipëri ishte i pashmangshëm dhe këtij ndërrim të pushtetit duhet t’i gëzohen të gjithë shqiptarët. Ai ka thënë se, Shqipëria kishte një person politik, në të cilin ishin mbledhur të këqijat plotësisht të pamjaftueshme në kohën në të cilën jetojnë shqiptarët. “Ndërrimi i pushtetit në Shqipëri ishte i pashmangshëm dhe i domosdoshëm. Ky ndërrim, mjerisht shumë i vonuar, përfaqëson interes të madh kombëtar. Dhe, ky ndërrim duhet të gëzojë çdo shqiptar që e do Shqipërinë dhe që i do shqiptarët kudo qofshin ata. Shqipëria kishte një person politik, në të cilin ishin mbledhur të këqijat plotësisht të pamjaftueshme në kohën në të cilën jetojmë, me marrëdhëniet shoqërore që ndërtojmë, domethënë me demokracinë, me vlerat shoqërore, kulturore, shpirtërore, morale që duhet të ndërtojmë. Ai ishte një antikulturë politike, shtetërore dhe shoqërore, që mendjen time e ka ngarkuar me çudinë: si e duroi populli shqiptar kaq gjatë këtë antikulturë. Ai ishte makthi i Shqipërisë dhe, për fat, Shqipëria u çlirua prej tij”, ka thënë Qosja për gazetën Shqip. Sipas tij marrëdhëniet Shqipëri - Kosovë nuk varen nga politika. Se si e sheh Edi Ramën kryeministër, ai përgjigjet: “Para së gjithash duhet të jetë e qartë se ndërtimi intelektual, politik e kulturor i Edi Ramës ndryshon rrënjësisht prej ndërtimit të paraardhësit të tij. Edi Rama është, para së gjithash, intelektual e intelektuali nuk e kupton politikën si mjet për sundimin e njerëzve, por si mjet për shndërrimet e përgjithshme shoqërore, ekonomike, politike, shtetërore, kulturore e të tjera. Edi Rama, siç është parë edhe në fushatën që bëri Partia Socialiste, e ka mësuar shumë mirë politikën por, natyrisht, politikën moderne, që aq shumë i duhet sot Shqipërisë. Për mua është e sigurt se Edi Rama me bashkëpunëtorët e tij dhe me aleatët e tij në politikën shqiptare do të fusë atë që aq tragjikisht ka munguar në këtë politikë: do të fusë kulturën, kulturën si vlerë, si traditë e si përditësi, kulturën si vlerë kombëtare dhe si vlerë universale, kulturën në politikë dhe kulturën në jetë. Dua të besoj se Edi Rama do të sjellë në politikën shqiptare atë që tragjikisht ka munguar: Përkushtimin ndaj së drejtës dhe drejtësisë, përkushtimin ndaj të vërtetës. E para për t’i bërë të gjitha këto që thashë, Edi Rama me bashkëpunëtorë dhe me aleatët duhet ta bëjnë Shqipërinë shtet të së drejtës. Pa shtet të së drejtës nuk ka demokraci. Dhe atëherë kur Shqipëria të fillojë të funksionojë si shtet i së drejtës, në gjykatoren kryesore të Tiranës, do t’i shohim fajtorët e dramës së madhe të viteve 1996- ’97, fajtorët politikë dhe administrues të tragjedisë së Gërdecit, fajtorët politikë dhe administrues të vrasjes së katër protestuesve më 21 janar dhe kampionët e korrupsionit”, është shprehur Qosja. Sipas tij, po nuk ndodhën këto, Shqipëria do të vazhdojë të ecë me barrën e krimeve, korrupsionit, plaçkitjes së pasurive kombëtare, me barrën e neveritshme të rrenave dhe mashtrimeve. Megjithatë Qosja shprehet optimist, ndonëse nënvizon se “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” do të ketë shumë punë pasi po merr në dorë fatet e një shteti të rrënuar ekonomikisht dhe të kërcënuar nga kriza.
Posted on: Wed, 26 Jun 2013 11:39:01 +0000

© 2015