Rama te reparti RENEA: Policia do të ketë rritje pagash vitin e - TopicsExpress



          

Rama te reparti RENEA: Policia do të ketë rritje pagash vitin e ardhshëm Situata - Për herë të parë, Kryeministri dhe ministri i Brendshëm pranojnë gjendjen e vështirë ekonomike të forcave të repartit RENEA Kryeministri - “Situata e rëndë kriminale që ishte para zgjedhjeve, për sa kohë që do të jem në krye të qeverisë, nuk do të përsëritet kurrë” Premtimi Kryeministri falënderon forcat speciale për kapjen e të arratisurve “Policia dhe forcat speciale janë të parat që meritojnë një rritje të përfitimit financiar” Forcat speciale të policisë dhe bashkë me to, të gjitha uniformat blu, do të jenë të parat që do të përfitojnë rritje pagash. Ky premtim është dhënë nga Kryeministri Rama, i cili gjatë një vizite te reparti RENEA, ka deklaruar se rritja e pagave, sidomos për forcat speciale, do të fillojë që nga viti i ardhshëm. Premtimi për rritjen e pagave Pas përfundimit me sukses të arrestimit të shtatë të arratisurve të rrezikshëm nga Burgu i Drenovës në Korçë, mbrëmjen e 23 nëntorit, Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, shprehën mirënjohje të thellë për punën e suksesshme të policisë shqiptare. Falënderimi në emër të qeverisë është bërë mesditën e djeshme, gjatë vizitës së Kryeministrit në repartin e RENEAS-s (Reparti i Eliminimit, Neutralizimit të Elementëve të Armatosur). Në fjalën e tij, Rama tha se për asnjë moment nuk e ka lënë jashtë vëmendjes Policinë e Shtetit dhe vitin tjetër do të bëjë të mundur rritjen e pagave në radhët e uniformave blu. Madje, Rama kërkoi dhe mirëkuptimin e nevojshëm brenda të gjithë shoqërisë, që në një kohë kur përmirësimi i kushteve financiare është i vështirë, përmirësimi i kushteve financiare për Policinë e Shtetit të jetë i pari, kur ndoshta të tjerët duhet të presin pak. Sipas tij, Policia e Shtetit dhe forcat speciale, janë të parat që meritojnë një rritje të përfitimit financiar, pavarësisht kushteve në të cilën ndodhet arka e shtetit, trashëguar nga regjimi i mëparshëm. “Ne do të bëjmë gjithçka për kushtet tuaja vetjake të familjes, bashkëjetesës brenda kësaj force të madhe, duke qenë të bindur se do të mirëkuptoni çdo vështirësi. Të jini të sigurt se që nga dita e parë në këtë detyrë ne kemi plotësuar e do të plotësojmë një kusht themelor: Nuk do t’ju tradhtojmë kurrë dhe nuk do ua lëmë kurrë shpinën të pambrojtur, që të përsëritet tradhtia që në të shkuarën e ka bërë Policinë e Shtetit të dobët, të pafuqishme, humbëse karshi të keqes dhe gjithfarë kriminelësh që përballë jush nuk kanë pasur avantazhin e zgjuarsisë apo forcës, por fatkeqësisht kanë pasur në momentet kulmore avantazhin e të mbuluarit politikisht përballë jush që në ndeshje me ta keni qenë të zbuluar. Jam i bindur që ju i dini vështirësitë, i mirëkuptoni problemet e mëdha që kemi përballë, të trashëguara nga e shkuara, por dhe të diktuara nga vështirësitë e një vendi që ende nuk ka kapërcyer tranzicionin, dhe jam plotësisht i bindur se ajo që ju bëni dhe kjo vepër e jashtëzakonshme që ju bëtë ditët e fundit do të krijojë mirëkuptimin e nevojshëm brenda të gjithë shoqërisë. E di që kur keni hyrë në radhët e Policisë së Shtetit nuk ju ka shtyrë përfitimi financiar, por pasioni për t’u bërë polic i shtetit”, u shpreh Rama në fjalën e tij. Kapja e të arratisurve Kryeministri i vendit falënderoi të gjitha forcat e policisë që morën pjesë në operacion, duke treguar mirënjohje për përkushtimin e tyre gjatë shtatë ditëve të arratisjes së të dënuarve. “Është realisht e vështirë të gjesh aq fjalë sa duhen për t’ju shprehur sot gjithë nderimin dhe njëkohësisht falënderimin për atë që ju bëtë në vetëm pak ditë pas një lajmi tronditës që shqetësoi të gjithë shoqërinë. Sepse asnjë fjalë nuk mund dot të përshkruajë qoftë shkallën e jashtëzakonshme të vështirësisë me të cilën ju përballeni, qoftë përmasën e kësaj vepre të shkëlqyer që vutë në jetë. Unë dëshirova me gjithë zemër të isha këtu, në këtë ditë, që për koincidencë fatlume përkon me Çlirimin e vendit, dhe t’ju përulem me mirënjohje, duke ju shprehur jo vetëm nderimin me fjalë, por dhe përkushtimin tonë e timin, që ju dita-ditës të ndieni të gjithë rëndësinë që ka për ne ajo që ju bëni çdo ditë. Më lejoni që sot në këtë ditë të bekuar të vendit të përulem me mirënjohje në emër të të gjithë atyre që u tronditën nga lajmi i keq i arratisjes së shtatë të burgosurve të rrezikshëm dhe në emër të atyre që çdo ditë ndiejnë nevojën e Policisë së Shtetit në krah të tyre, për shkak se përballen me lloj-lloj rrugaçësh e kriminelësh. Në këto ditë dua t’ju them se ju jo vetëm e çliruat shoqërinë nga një ankth i shkaktuar natyrshëm nga lajmi i keq, por dhe se ditët e muajt në vijim, falë jush e Policisë së Shtetit, rikthejnë në kohën e çlirimit përfundimtar nga ankthi që krijon superioriteti i krimit ndaj shtetit, ankthi që krijojnë vrasjet, përdhunimet, dhunimet dhe grabitjet”, foli Rama për punën e punonjësve të policisë. Gjithashtu, Kryeministri, në prezencë të Tahirit dhe kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi, tha se arrestimi i shtatë kriminelëve, të cilësuar mjaft të rrezikshëm, është një dëshmi që flet qartë se askush nuk mund të sfidojë ligjet apo kërcënojë shoqërinë. “Ajo që ju dëshmuat duke kthyer prapa hekurave një grusht kriminelësh shumë të rrezikshëm, është pathyeshmëria juaj dhe e shtetit përballë kujtdo që sfidon ligjet e bashkëjetesës dhe kërcënon shoqërinë. Këtë pathyeshmëri duam të nderojmë, të përkrahim e forcojmë bashkë me ju. Sigurisht i kemi detyrat e ndara. Ju e keni të vështirë se sa herë që e keqja shfaqet, duhet t’i dilni përballë, duke vënë në rrezik vetë jetën tuaj. Ju këtë e bëni në mënyrën më të shkëlqyer, siç e bëtë në ato pak ditë kur dëshmuat se asgjë nuk mund t’ju zmbrapsë, në rast se ata që ju japin urdhrat nuk ua kanë me hile, por janë në lartësinë e aspiratave e nevojave të këtij vendi. Detyra jonë nuk është më pak e lehtë në kushtet e vështira ekonomike, financiare, e morale, për një shtet që po përpiqemi ditë e natë ta rikthejmë në krye të detyrës. Kemi detyrën që t’ju bëjmë të ndiheni përditë e më mirë, jo vetëm moralisht, por dhe ekonomikisht”, tha Kryeministri Rama, duke u treguar optimist përpara forcave speciale se së bashku do të bëjnë më të mirën për kryerjen me përkushtim të detyrave. Situata kriminale Ndër të tjera, Kryeministri foli edhe për situatën kriminale para zgjedhjeve të 28 qershorit, duke u shprehur se për sa kohë që do të jetë në krye të qeverisë, ajo situatë nuk do të përsëritet kurrë. “Për sa kohë do të jemi në krye të detyrës, çdo njëri nga ju do të jetë njeriu më i çmuar, në përballjen me një të keqe që bashkërisht ne do ta zmbrapsim; ju, duke qenë në vijën e parë të frontit e betejës me krimin. Pa asnjë dyshim shteti do ta fitojë dhe ne do të jemi në mbështetjen tuaj më të plotë dhe të palëkundur sistematike”, përfundoi zotimet Rama. Ministri Tahiri: Gjithmonë do ju mbështes Pas Kryeministrit, fjalën e mori ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, i cili falënderoi oficerët e policisë dhe repartin RENEA për punën e shkëlqyer të një situate kritike, duke nënvizuar faktin se uniformat blu do të kenë mbështetjen maksimale të kësaj ministrie. “Unë nuk kam fjalë t’ju falënderoj mjaftueshëm për gjithçka keni bërë gjatë këtyre ditëve, edhe pse i di fare mirë kushtet tuaja të punës dhe kushtet financiare gjithashtu. Ndoshta falënderimi më i madh është mirënjohja, që përjetoni dhe ju nga shoqëria, për gjithçka keni bërë këto ditë, për gjithçka keni bërë deri më sot në përmbushje të detyrës dhe misionit të policisë. Jam shumë i sigurt që sot të gjithë ne kemi motiv të ndihemi krenarë me secilin prej jush, shoqëria ka motiv të ndihet krenare me secilin prej jush. Jam shumë i sigurt që do të bëj gjithçka në kapacitetin tim, për t’iu gjendur pranë secilit prej jush, për t’iu gjendur pranë reparteve ku punoni, për t’iu gjendur pranë detyrës suaj, në mënyrë që gjithçka bëni sot për shoqërinë dhe për vendin, nesër të jetë sigurisht më e drejtpërdrejtë në raport dhe partneritet me qytetarët, në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke çliruar çdo stres dhe çdo problem që deri sot keni pasur në përmbushje të detyrës. Unë jam pranë jush personalisht edhe në përmbushje të detyrës. Ju faleminderit edhe njëherë për çfarë keni bërë!” – e përfundoi fjalën ministri i Brendshëm. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe drejtori i përgjithshëm i Policisë, Artan Didi. Ankesat Hallet ndër vite të forcave speciale dhe të policisë Forcat speciale RENEA janë ankuar shpesh në lidhje me mospagesën e dietave, por ky nuk ka qenë i vetmi problem i tyre, pasi ata kanë pasur edhe mungesë të theksuar logjistike. Herë pas here, duke u ankuar pranë Sindikatës së Policisë, ata kanë kërkuar që të paguhen të paktën për dietat, pasi operacionet i kishin kryer me paratë e xhepit. Ndërkohë, ata janë goditur edhe me vendime të tjera të qeverisë, siç ishte ai për vaktin e ushqimit, i cili u mor gjatë procesit zgjedhor në vendin tonë. Por, në krahasim me efektivët e strukturave të tjera, ata kanë qenë më të privilegjuar, edhe për faktin se janë cilësuar si forca elitare e policisë. Aktualisht mësohet se vazhdon gjendja e vështirë financiare për repartin special, megjithëse tashmë kanë marrë premtimin se me vitin e ri financiar do të ketë ndryshime thelbësore. Para zgjedhjeve të këtij viti, kur Rama ishte në opozitë, ka premtuar se kur të vijë në pushtet do të rrisë pagat e policëve në masën 70 për qind. Në atë kohë, ai u shpreh se pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit janë lëmoshë. “Policia sot ka trajtimin më të ulët financiar në të gjithë rajonin. S’po flasim për Europën, po flasim për Kosovën, për Bosnjën, po flasim për Maqedoninë apo edhe Malin e Zi”, është shprehur në atë kohë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë një tryeze për çështjet e policisë shqiptare, për rikthim të rendit përmes masave që kjo parti do të marrë. Policia e Shtetit prej vitesh vuan jo vetëm për shkak të pagave të ulëta, ku rezultojnë se janë më të voglat në rajon, por edhe për shkak të problemeve të tjera financiare, me dietat dhe orët e vështirësisë. Me një vendim të vitit 2011, policia shqiptare i ka ndaluar të gjitha dietat për uniformat blu, pavarësisht sesa herë ka aktivitete politike apo zhvillime të tjera, ata janë të parët që thirren në detyrë. Gjithashtu, orët e vështirësisë dhe orët e natës kanë qenë një “gangrenë” e vazhdueshme për policinë, pasi likuidimi i tyre vonohet me muaj të tërë.
Posted on: Sat, 30 Nov 2013 15:01:52 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015