Ramiz LUSHAJ MALËSIA E MIRË, E ARTA, NË TOKË TË - TopicsExpress



          

Ramiz LUSHAJ MALËSIA E MIRË, E ARTA, NË TOKË TË BEKUEME I. TROPOJA ka lind me emnin e bekuem MALËSIA E MIRË, përndryshe: ka lind për këtë emën të lumnuem, me të cilin vjen me dinjitet prej kohnave e shkon me progres drejt kohnave, si një vend i mirë e me të mira, që ka ba dhe i ka lanë vend e rend, za e zenit vetes së saj në hapësinat e tokës shqiptare, në këtë skaj të botës. Si rrallëherë në këtë planet të pafund e në këtë jetë të pandalun,Toka u muer vesh me Qiellin për të krijue në Mesin e Dheut (Mesdhe) një vend të vogël e me vlera të mëdha, Tropojën e Artë, një nga ma të Bukurat e Dheut të kësaj bote të lashtë e të re. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe: vet Zoti i Madh e vuni gishtin e tij hyjnor në trevën e sotme të Tropojës duke e krijue e bekue si një vend të florinjtë, si nga gjinjtë e tokës, në gjakun e njerëzve të saj, në mençurinë e kohës, në mrekullitë e natyrës. Toka i rrethrrotullohet Diellit po veçse edhe Tropoja rrotullohet e dritnohet rreth vlerave të saj tuj-e marrë e dhanë me epokat, me kombin shqiptar në trojet e veta etnike, me hapësinat etno-historike mesdhetare e europiane prej k’nejna Paqësorit e deri përte Atlantikut. II. “Male të Argjendta” i kanë pasë kthiznue në hershmëni të lashtë edhe malet e Malësisë së Gjakovës (Tropojës) ashtu sikurse Malet e Sharrit i kanë pasë thirr “Malet e Borës”. Vetëm në shekujt e fundit të mijëvjeçarit të kaluem nëpër harta e burime diplomatike e mediatike i cilësuen: Bjeshkët e Nemuna, Bjeshkët e Namuna (Bjeshkë të Nemës). Tropojasit i duan shumë bjeshkët e veta aqsa poeti Hamit Aliaj, në shenjtërinë e tij, skalit vargjet: Bjeshkët janë Mbiemri Im. Fishta i madh te vepra “Mrizi i Zanave” vrellon: “Oh, ju bjeshkët e Shqyptaris / Ku ma mirë shndrit dielli e hana / E ku logu a i bujaris, / E ku rriten djelm si zana!... / Këto male epike e të mrekullueshme albanologu i shquem, Milan Shuflaj, i ka cilësue si “Zinxhiri i Botës”. E pra ban për me e mir’dit gjithkah flitet shqip se ky emën i mjaltuem: Malësia e Mirë, ka venue e fektue prej hejcekurit në trajta të themelta: Malet e Arta, Malet e Arit, Malet e Bardha, Malet e Mira, Malet e Begata...Bohema e tyne historike na çon mrekullisht te emërtimi emblematik trojenik “Malësia e Mirë”. III. Gurra e traditës e shpalime hartografike kronojnë pikat e veta nëpër shenjime të rrallueme, ku na duhet me hulmue ngapak nëper thelluta të së vërtetës për Malësinë e Mirë. A thue Hyu Diell kur shkelzonte rrezet mesdhetare i argjendonte sy botës e faqe kohës bukuritë hoje e ujvarore të këtyne maleve epike apo siç simbolon i madhi Fishta: “Shkëlxejë sfera e zjarrtë e diellit” mbi Malësinë e Mirë në Alpet Shqiptare?! A thue lugje e shpate të Malësisë së Mirë të kenë gjinjue e torbnue aq shumë argjend sa me ia bulmue e hyjnue këtë emën hisenik e açik?! Tuj ecë në hullinj të fakteve Çabej i madh na e bjen prejardhjen e toponimit Qafë Prush si një vend ku pirustët shkrinin shumë metale, po edhe legjendat rrëfejnë se në motmote nuk i ndalej flaka e nuk i shkimej gaca... Ndër epoka shpalohen ashiqare gjurmë të një rrëfimi syreal për vendndodhjen e një shkritoreje të madhe të pirustëve aty ku Drini takohet fytyrë më fytyrë me Valbonën. Të pakten prej nga Mesjeta flladon kanga: “....Sherebelja në breg të Drinit / i ka gemat prej florinit” e Tradita truellon se në këtë vend dej’ tevona ka pas princa të pasun (si Spanët) që “i prejshin lekët me dorë”?! Nga çprushjet ndër disa të thanuna nuk ka aq miradije porogaçe për të thirrunit e kahershëm “Malet e Argjendta”, pasi një mendje na e syth mendimin sikur treva jonë dardane e Tropojës nuk ka pasë në damarët e tokës së vet a përndryshe: të jenë shkrijnue aq shumë flori sa me e lulakue e lulnue si “Vend i florinit”. Po afërmendsh ka gjasa kjo tjetra: burime të pafund faktesh e realitetesh dëshmojnë krejnisht se kjo trevë mbart aq shumë vlera njerëzore e natyrore të arta sa prej tyne i ka mbetë nëpër shekuj jete emni “Vend i florinit/ i florinjtë”. Në ma të parin shekull të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë, kur mësynë në këto anë Komanët të ndjellë e cytë nga perandorë bizantinë, aq shumë u mrekulluen këta ardhacakë luftarakë nga bukuritë e pasunitë e Malësisë së Gjakovës e të njerëzve të saj saqë në kulmin e vet emocional deri në zenit real, mbetën tuj thirrë: “Altun”... “vend i florinjtë / i artë / i mirë”. Ky emën Altun i mbeti Tropojës edhe nga pushtuesit sllavë e otomanë, se këta në ato kohna të mijëvjeçarit të dytë të erës sonë nuk donin që trojet tona alpine dardane të mir’thirreshin me emnin e vet burimor, universal e unik: “të argjendta”, “të arta”, “të mira”..., ndaj e duvakuen me emnin e një gjuhe komane, që hala se kam has ndokund ndër letra të sotme e ndaj ma ha mendja se tashti do të jetë një gjuhë e dekun. Asokohe e deri më sod, në hapajetë prej nja njëmijë vitesh, i ndeshim në gurgullima e në vetëtima historie emërtimet e trevës tonë si krahinë : “Altun“ (komanët, viti 1084), “Zhupani i Altunit” (serbët), “Altun-ili” (otomanët) etj., çka tregon se ky emën ka bashkudhtue në përditshmëni me rrezet e me ajrin e tokës alpine tue i blerimue Tropojës domethanien shqiptarisht: “Malësia e Mirë”. IV. Malet e Argjendta. Nuk po e kokërrnoj se kah u vorbullnue a u vrellnue ky emën i lakueshëm e i lumnueshëm, po veç due me e rithanë edhe nji ket’ tjetrën: “e argjendta” nis e thirrnohet në vise të Tropojës edhe në trajten e bukur, nusërore e hyjnore: “të bardha”... Ky emën ka mbetë në traditë e në realitete historike e natyrore, në kangë popullore..., ku lartësitë tona alpine kthiznohen si Malet e Bardha, Bjeshkët e Bardha etj.. Kjo ka ndodh ndryshe nga fqinjtë tanë kufitarë: Në veriperëndim të Tropojës, në thellësi e në lartësi, malet i kanë pasë thirrë “Malet e Zeza” (“Cerrna Gora”) e prej këndej e prej kësaj i mbeti edhe një shteti të mavonshëm emni “Mali i Zi”, i cili hajnisht me kancelari të huaja e flliqanisht me veprimet e veta shovene na i ka shtet-marrë shumë toka e male të Dardanisë Alpine. Në një shtrimje hapësinore të gjanë të rretheve të sotme Pukë, Mirditë e Kukës, bjeshkët i kanë pas thirr me emnin e përgjithshëm “Malet e Zeza” e tuj ardh e mbrri drejt sodit iu ka mbet veç emni i përveçëm i një krahine “Malziu” në kufinin administrativ të rrethit (qarkut) të Kukësit, i hershmi emën u spirrnue në tre male: Krrabi, Tërbuni e Bjeshka e Oroshit, me pikën ma të neltë, Maja e Zezë Tropoja e ruejti ndër motmote e shekuj emnin e vet “Male të Bardha”, çka vetdihet pasqyrshëm domethania: “Male të Mira”, përndryshe: “Malësia e Mirë”. Në rrjedha e kulme të historisë, në ashtin e shtatin e traditës, këto male alpine të Malësisë së Gjakovës (në tanësi apo pjesë të tyne) iu janë dhanë emna të njoftun në burime gojore e në ato të shkrueme si Malet e Altunit, Malet e Pultit, Malet e Spanëve (të Pjetërspanëve), Malet e Berishës, Malet e Dukagjinit etj., po asnjani prej tyne nuk jetnoi në kohna sa ai ma i lashti, sa ai i zanafillës: Malet e Argjendta, Malet e Arta, përndryshe: “vend i florinjtë/ i artë/ i mirë” e prej kësaj edhe në shek. XVI-XVII e ma vonë kur vjen organizimi etno-historik në “Male” a në bashkim etno-gjeografik në “Fise” Tropoja ka pas veç një emërtim: “Malësia e Mirë”. V. Emërvendi Malësia e Mirë vjen prej shekujsh, siç kanë mbet’ ndër shekuj edhe emërvende të tilla Reka e Keqe (Gjakovë), Apripa e Keqe (Pukë), Gashi i Vendit e Gashi i Gurit, Hasi i Gurit (Kosovë) e Hasi i Thatë (Shqipni), Fshati i Vjetër (Ferizaj-Kosovë) e Fshati i Ri (Vlonë) etj. Te tana regjimet i kanë pas thirr Tropojës së sotme Malësia e Mirë, biles edhe kur zyrtarisht iu ka vnue ndonjë tjetër emën (Malësia e Gjakovës, Tropoja etj.) astenjiherë nuk iu harrue ma i përparmi, pasi ia ruejtën emnin djemtë e vajzat e saj dhe lulet e gjethet e tokës së saj, po edhe fqinjtë e vet në rrethina i thoshin në sofrat e bukës e të kuvendit e i bëzajshin në falmeshëndete e në pikapjekje: Malësia e Mirë. Ju rritt’ jeta emnit Malësia e Mirë edhe te brezat në prag a larg Malësisë së Gjakovës (Tropojës) dhe te ata që lindin në breg të lumit hyjnor të Valbonës dhe te ata që gjaku i të parëve i çon me mend a me kamb’ në maje të malit të shenjtë të Shkëlzenit. Kur i thue vetes: Jam nga Malësia e Mirë ndihesh vërtetë mirë e kur të thonë të tjerët: Si je burrë (apo bijë) e Malësisë së Mirë atëherë ndihesh realisht edhe më mirë. Jam (jena) nga Malësia e Mirë. A po më ndini ju gene të gjakut e të pragut në vrri e në bjeshkë nga prehistoria e lashtë në epokën dixhitale të tokës së mblueme e nën qiellën e çplueme të Malësisë së Gjakovës. A po ma jehoni këtë thirrje të shpirtit ju ujna të kaltra të vendlindjes teksa pikaloheni në oqeane e ju malet e mia alpine që kapni retë e bardha shtegtare. A po gëzoni me mue (me ne) këtë emën ti bilbil që këndon në lisa bjeshke, ti fëmijë motak që i lyp cicë nanës tande të vjeshtnueme e lumnueme në derë e në troje Tropoje, ti lahutë e odave malësore që përcjell kangët e Eposit të Kreshnikëve, ... Jam (jena) nga Malësia e Mirë... VI. Kur këto male të Malësisë së Mirë i kanë pasë thirrë “Bjeshkët e Bardha”, ma i madhi mal i tyne e ka pasë emnin “Mali i Bardhë”, që tevona ia keqdhanë një tjetër emën sllavët: “Jezerca”(!) Njisoj i vanguen e i varguen si të nemuna Alpet Shqiptare (Bjeshkët e Nemës), aqsa në shekujt e vonë (XIX-XX) u keqfutën si terma skuthe në disa gjuhë të huaja nëpër literatura politike, gjeografike, historike, fetare, kryesisht sipas ceneve e cytjeve sllave. Vet Shkëlzeni është një nga malet e argjendta, një mal simbolik, një vend i shenjtë, i përmendun në epikën legjendare për kreshnikë e zana, për beteja e heronj, i madhnuem për bukuritë natyrore e mrekullitë hyjnore. Emnin e mori nga vet shkëlqimi i tij i argjendtë, i bardhë, nga vezullimet e vizionet e ditëve me rreze dielli e të kapuçimit nga bora e parë dhe e mbrame e motmoteve. Mali i Shkëlzenit hyni në vetdijen e në odën malësore, në letërsinë gojore e të shkrueme, në kronikat e historisë, si një simbol i vitalitetit krenar të Malësisë së Mirë, të njerëzve të saj të mirë, të tokës së saj të mirë. Çdo tropojan e ka në vetveten e tij nga një Shkëlzen të argjendtë, të bardhë, të mirë, nga një Shkëlzen të krenarisë për vendlindjen e vet, të kontributeve për kombin e vet. Çdo tropojan është Shkëlzen në lartësitë e dinjitetit të vet. Mos ma prekni Shkëlzenin e truallit tim, të shpirtit tem! Tropojë, qershor, 2011
Posted on: Mon, 09 Sep 2013 09:10:57 +0000

Recently Viewed Topics




© 2015