Ramiz LUSHAJ NUK KA PAVARËSI TË NJËANSHMETË KOSOVËS, PO - TopicsExpress



          

Ramiz LUSHAJ NUK KA PAVARËSI TË NJËANSHMETË KOSOVËS, PO NJËANSHMËRI SERBO-RUSE 1. Në ditën e nesërme të Pavarësisë, më 19 shkurt 2008, i paraqitën Presidentit të Kosovës letrat e njohjes së shtetit të saj dhe akreditimet për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadash: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe e Irlandës së Veriut, Franca, Turqia e Republika e Shqipërisë. Pas dy ditësh, më 20 shkurt, edhe Malajzia. Më 21 shkurt: Gjermania, Italia, Danimarka, Luksemburgu, Estonia e Letonia. Më 28 shkurt: Zvicra e Austria. Më 29 shkurt: Republika e Irlandës. 15 shtete nga 4 kontinente: Europa, Amerika e Veriut, Azia e Afrika, brenda 12 ditësh, bekuan në mënyrë institucionale dhe ngritën në nivel ambasadorësh marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Kosovës. Presidenti i Kosovës është njoftue në mënyrë zyrtare, më 20 shkurt nga Norvegjia dhe më 26 shkurt nga Republika Çeke, se do ta njohin këto ditë Pavarësinë e Kosovës. Më 19 shkurt, 3 shtete nga tre kontinente, kanë deklarue publikisht, në mënyrë zyrtare, se e njohin Republikën e Kosovës: Australia (Ministri i Jashtëm, Stephen Smith), Kosta Rika në Amerikën e Veriut (Qeveria) dhe Senegali në Afrikë (Ministria e Punëve të Jashtme). Më 23 shkurt e njohu Peruja (Qeveria) në Amerikën e Jugut. Më 26 shkurt, Belgjika (Mbreti Albert) dhe Polonia (Qeveria) në Europë. Më 29 shkurt edhe Qeveria e Finlandës. Këto ditë e kanë njohur edhe Suedia e Hollanda. Lituania e Islanda, Sllovenia e Kroacia, këto 4 shtete europiane, kanë nisur aktet proçeduriale të njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Më 18 shkurt 2008, ndër të parët, Afganistani, me anë të zëdhënsit të MPJ, Sulltan Ahmand Bahin, kanë bërë njohje përshëndetëse të Pavarësisë së Kosovës. Gjithësjet, 30 shtete të botës, e kanë njohur deri më sot, më 5 mars 2008, Kosovën si Shtet të Pavarur. Shtete të tjera pritet ta njohin në ditët e mëpasme. Çdo të thotë kjo sipërmarrje diplomatike në gjeopolitikën e sotme dhe në ardhmërinë e Kosovës? 2. Pikë së parit duem të theksojmë se Pavarësia e Kosovës nuk është e “njëanshme”, siç përpiqen ta keqcilësojnë e keqtrajtojnë disa shtete, nisur nga interesat e tyre gjeostrategjike, si Republika Serbe e Federata Ruse, nisur nga konceptimet e aleancat e tyre politike të vjetra e të reja, si Republika Bolivariane e Venezuelës e Presidentit komunist Çavez, nisur nga vet çështjet e tyre nacionale si Qipro, etj. Kosova, më 17 shkurt 2008, nuk shpalli “Pavarësi të Njëanshme”, sepse: Pavarësia u deklarue në mënyrë institucionale në Parlamentin e zgjedhur nga vet Populli i saj; Kuvendi ishte i hapur para botës diplomatike e masmediave të huaja e vendase; mori 109 vota pro, pa asnjë abstenim dhe asnjë kundër. Pra, parlamentarët e pranishëm në Kuvend votuan 100 për qind, çka me një tregues të tillë miratimi në asnjë vend të botës nuk mund të cilësohet “e njëanshme” Pavarësia e shpallur solemnisht e botërisht. Në Kosovën me mbi 92 për qind shqiptarë etnikë dhe rreth 8 për qind minoritete, (ndërkohë që flitet se aktualisht, “de facto”, nuk janë as 6 për qind), Parlamenti ka 120 vende, ku 20 vende janë të rezervuara për deputetë të minoriteteve, çka do të thotë se kaq përparësi në legjislativ minoritetet nuk e kanë në asnjë vend të botës. Për Pavarësinë, më 17 shkurt, votuan 90.1 për qind e deputetëve, po të kemi parasysh faktin se mungonin, më saktë bojkotuan seancen solemne, 11 deputetë të listuar të minoritetit serbë e goranë, ndërkohë që ishin ata të minoriteteve të tjera si turkë, boshnjakë, romë, ashkanlinjë e egjyptianë. Pra, nuk mund të ketë “pavarësi të njëanshme” me një përqindje kaq të lartë votuese për Pavarësinë, çka nuk e kanë mbrri as ndonjë shtet tjetër fqinjë si Bosnje-Hercegovina kur e shpalli Pavarësinë e saj. Realisht, të njëanshëm ishin vetëm ata 10 deputetë serbë dhe 1 goran ,që nuk u paraqitën në këtë seancë solemne parlamentare për të votue e nënshkrue Deklaratën e Pavarësisë të Kosovës, shtetit të tyre. Kosova, në Referendumin e saj mbarëpopullor për Pavarësi, më 26-30 shtator 1991, me 88 për qind të votave u deklarue për një Shtet të Pavarur e Sovran. Në të 17-tin vit kalendarik, më 17 shkurt 2008, Kuvendi i Kosovës votoi e nënshkroi Deklaratën e Pavarësisë së saj me një përqindje më të lartë, si në rastin faktik me 100 për qind apo, edhe në rast të përllogaritjeje të 11 bojkotuesve legjislativë, me mbi 90 për qind. Prandaj, nisur nga ky këndvështrim, askush në botë nuk mund të thotë se Kosova shpalli Pavarësi të “njëanshme”, kur ka deklarue Pavarësinë e saj me Referendum, si dhe në Kuvendin e saj, me përqindje progresive kaq të larta, si rrallë herë në proçeset e krijimit të shteteve të reja. Propoganda serbo-ruse e ndokush apo shumëkush tjetër nuk e cilësoi “të njëanshme” Pavarësinë e Republikës së Malit të Zi më 3 qershor 2006, kur në Referendumin e 21 majit 2006, me një pjesëmarrje 86.5 për qind votuen pro Pavarësisë së tij vetëm 55.5 për qind e shtetasve të vet, ndërkohë që 44.5 për qind e hodhën votën e tyne kundër një akti të tillë. Atëherë, në rastin konkret të Pavarësisë, pse të përdoret standart tjetër për Kosovën. 3. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali nga Vlora dhe Isa Boletini nga Mitrovica, në Vlorën historike, deklaruan Pavarësinë e Shqipërisë për të gjitha Trojet Etnike Shqiptare brenda vilajeteve të Turqisë, pra edhe për Kosovën Dardane. Kjo dëshmohet edhe nga shtrirja gjeografike e pjesmarrësve në Kuvendin Kombëtar të Pavarësisë Kombëtare, në deklarata dhe në harta të vitit 1912. Drejt Londrës, për t’u takuar e biseduar me Fuqitë e Mëdha të Kohës, Ismail Qemali e Isa Boletini, nuk shkuan as për Vlorën dhe as për Mitrovicën, por për të gjitha Trevat Etnike Shqiptare në Ballkan. Pra, në rastin e sotëm, më 2008, për Kosovën, nuk mund të flitet për një “Pavarësi të Njëanshme”, por për një “Pavarësi të Plotësuar”, për një plotësim reflektues të pavarësisë të kësaj pjese të Dardansë Antike, që padrejtësisht u coptue nga trungu amtar më 1913, duke u aneksue nga Serbia... Vilajeti i Kosovës me 32.900 km2 më 1912 deri në shtetin e sotëm të pavarur të Kosovës me 10.887 km2 më 2008 u rrudhë etnikisht 3 herë, e prapë se prapë propoganda e shfrenuar serbe e ruse don me e quejt “Pavarësi të Njëanshme” (!), çka nuk përkon me realitetin historik në asnjë kohë dhe në asnjë mënyrë. 4. Në vitin 1913 ishin 6 Fuqitë e Mëdha të asaj kohe që morën vendimin e padrejtë me e kalue Kosovën nën sovranitetin e Serbisë: Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia. Sot, 95 vjet ma vonë, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Austria e Italia, pa kalue tamam java nga shpallja e Pavarësisë, e njohën Kosovën si Shtetin më të ri të Europës dhe të botës, duke korrigjue një padrejtësi historike të jazhtëzakonshme të shekullit të kaluar. Këto shtete ia mohuen Pavarësinë e vitit 1912 dhe po këto ia njohën më 2008. Fakti që po e kundërshton, vetëm njana prej tyne, Federata Ruse, nuk do me thanë se Pavarësia e Kosovës është e njëanshme, por tregon se vet Rusia ende mbetet e njëanshme, e, për ma tepër, një shtet, duke përfitue nga vendi që zenë në botë dhe në këtë epokë, nuk don me e lanë Kosovën të jetojnë Pavarësinë mbi Tokën e Vet, në këtë Rend të Ri Botëror. 5. Me Rezolutën 1244, më 10 qershor 1999, Kosova shënon një etapë të re, “sui generis”, si i vetmi vend në botë me statusin: Protektoriat Ndërkombëtar i OKB-së. Brenda kufinjëve të saj, në kuadrin e UNMIK, u nda në 5 sektorë administrativ: Amerika, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania e Italia për 9 vite. Këto 5 shtete kolose e njohën Pavarësinë e Kosovës brenda 5 ditëve, ndër të parat në botë. Atëherë si mund të cilësohet Pavarësia si e “njëanshme”, kur këto shtete ishin të mandatuara nga OKB në Kosovë me këtë mision historik. 6. NATO, më 24 mars të vitit 1999, ndërmori një aksion ushtarako-civil nga më të pashëmbulltit në botë, nisur nga emergjenca e pashmangshme për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës nga spastrimi etnik e genocidi i përgjakshëm serb. Pas 10 qershorit 1999 deri më sot, NATO, përndryshe: KFOR, është në Kosovë për të garantuar sigurinë e saj dhe zbatimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ku, gjatë këtyre viteve, e drejtuar periodikisht nga 12 gjeneralë të saj, e ka justifikuar detyrën e vet historike, çka po e dëshmon edhe pas 17 shkurtit 2008. Sipas një publikimi të KFOR-it, të 15 majit 2006, shohim se Kosovën e kanë ndarë në disa zona të administrimit të sigurisë: në zonën lindore: SHBA, në zonën perëndimore Italia, në zonën veriore Franca, në zonën jugore Gjermania, Turqia e Austria dhe në zonën qëndrore Finlanda, Suedia e Republika Çeke. Këto 9 shtete e kanë njohur zyrtarisht Pavarësinë e Kosovës, prandaj, nisur edhe nga ky fakt historik, Pavarësia e saj nuk mund të cilësohet e “njëanshme”. 7. Një nga katër shtyllat e UNMIK-ut, sipas Rezolutës 1244, është edhe Bashkimi Europian, me fokusim parësor restaurimin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës, dhe, prej 16 shkurtit 2008, me një mision juridik e policor (EULEX) për të ndihmuar në ruajtjen e paqes dhe parandalimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në këtë shtet të ri. Bashkimi Europian po ndërton në Kosovë “modelin e vet”, e ka futur në “EURO-ZONË” ende pa u shpallur shtet i pavarur dhe po e ndimon me fonde, me mbi 1.5 miliardë EURO, etj. Deri më tani, e kanë njohur zyrtarisht e botërisht Pavarësinë e Kosovës më shumë se gjysma e shteteve të BE-së si: Mbretëria e Bashkuar e Britanisë së Madhe, Franca, Gjermania, Italia, Austria, Danimarka, Luksemburgu, Estonia, Belgjika, Letonia, Irlanda, Polonia, Suedia, Norvegjia, Hollanda, Finlanda, Sllovenia, Lituania. Pritet ta njohin së shpejti edhe Portugalia, Bullgaria, Malta e ndonjë tjetër. Më të diskutueshme, për momentin, mbeten Qipro, Spanja, Sllovakia, Rumania. Kosova, me një njohje kaq të madhe nga vendet e Bashkimit Europian, me praninë e EULEX-it, ndihmave të madhe financiare, etj. nuk mund të thuhet nga askush, në asnjë vend dhe na asnjë kohë, se ka shpallur “Pavarësi të njëanshme”. 8. Këshilli i Sigurimit i OKB-së, që në këtë mars 2008 drejtohet nga Federata Ruse, nga 5 antarët e tij të përhershëm e kanë njohur 3 prej tyre, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca. Kina është e lëkundur nga abstenimi deri tek kundërshtimi i mundshëm. Vetëm Rusia kërcënon hapur dhe egërsisht për Pavarësinë e Kosovës, biles e cilëson si “Pavarësi të njëanshme”, ndërkohë që vet, si antare e KS, është e njëanshme dhe e keqpërdorën për qëllimet e saj kartën e “Veto-s”. Në rastin konkret nuk kemi të bëjmë vetëm me një pengesë të përkoshme që Federata Ruse i bën Kosovës së Pavarur, por me vet një regres të dukshëm të Këshillit të Sigurimit,që, siç po shihet, në këtë shekull të ri nuk mund të ecin më tej pa u shtue me antarë të rinj nga kontinente të ndryshme të botës. Ka ardhë koha më e domosdoshme që Këshilli i Sigurimit të ketë 10 antarë të përhershëm, ndër të cilët: Gjermania e India, Japonia e Brazili, Kanadaja apo Australia, Italia apo Afrika e Jugut, ndanjë nga Vendet arabe apo “Tigrat e Azisë”, etj. Për ma tepër, duhet me u pa edhe përdorimi i “Veto-s” në këtë organizëm ndërkombëtar. Në rast se Kosova nuk i ngjitën shpejt shkallët e Pallatit të Qelqtë në OKB si antare e 193-të e saj, atëherë vet OKB do të shënojnë zbritjet shkallë-shkallë me burokratizim të mëtejshëm të saj, me rëni të kredibilitetit të saj, të paaftësisë e mundësive të saj, për të ecur me e në rrjedhat e fuqishme e të pandalshme të shek. XXI. Tiranë, më 06.03.2008
Posted on: Thu, 29 Aug 2013 09:21:42 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015