Reforma do të shtrohet në të gjithë vendin. Ikin policët - TopicsExpress



          

Reforma do të shtrohet në të gjithë vendin. Ikin policët njëkuintalësh nga rrugët Reforma në qarkullimin rrugor do të shtrohet në të gjithë komisariatet e vendit, të cilat do të kenë ndryshime rrënjësore të efektivëve. Shpeshherë, drejtuesit e automjeteve janë ankuar për mënyrën e komunikimit të policëve rrugorë në autostrada apo në rrugë kombëtare, madje edhe për gjobat pa paralajmërim apo pa shpjegim që kanë marrë. Në disa raste, këta punonjës policie, të cilët ishin shpeshherë dy persona, silleshin në mënyra të ndryshme dhe selektive, pasi lejonin automjetet luksoze të kalonin shpejtësinë e lejuar dhe vendosnin gjoba për mosvënie rripi ndaj drejtuesve të tjerë, kur në fakt shkelje më e rëndë konsiderohet pikërisht shpejtësia tej normave të lejuara. Me statistikë, shumica e aksidenteve rrugore në Shqipëri ka ndodhur për shkak të kësaj shkelje, ku koha më problematike ka qenë muajt e verës. Në këtë periudhë, dyfishohen apo trefishohen automjetet që qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë, si pasojë e ardhjes së emigrantëve. Këta të fundit kryejnë shumicën e aksidenteve, për shkak se nuk njohin rrugët, por edhe për shkak të mosndëshkueshmërisë të policëve ndaj tyre, të cilët me anën e një ryshfeti, ia hedhin paq edhe kur kapen. Mjafton një “pesëmijëshe” apo “dhjetëmijëshe” dhe këta shkelës qarkullonin sërish me automjete, pavarësisht se mund të kishin thyer shumë rregulla të Kodit Rrugor. Kjo bëhej edhe për shkak se punonjësit e policisë kishin njohje me drejtuesit e mjetit, pasi në gjithë këto vite, ata kanë shërbyer vetëm në zona të caktuara. Një gjë e tillë, sipas Ministrisë së Brendshme, nuk do të ndodhë më, pasi do të ketë lëvizje rrënjësore të afektivëve të qarkullimit rrugor në të gjithë vendin.Tashmë nuk do të shohim më efektivë jashtë formës fizike, apo edhe me këmisha të dala jashtë pantallonave, pasi ata do të zëvendësohen me punonjës të rinj, të cilët kanë rreth 5 vite që janë në radhët e policisë, por me një ndryshim të madh, pasi kanë shkollimin e duhur profesional. Reforma do të prekë të gjithë këta punonjës policie, por edhe eprorët e tyre. Këta të fundit, shpeshherë janë akuzuar se kanë marrë urdhra me telefon për lejimin e kamionëve, apo edhe të automjeteve të dyshuara, të lëvizin lirisht, megjithëse mund të konstatoheshin shkelje të rënda. Efektivët e qarkullimit rrugor janë të dislokuar përditë në akset më kryesore të vendit dhe janë të vetmit që mund të dokumentojnë se çfarë ndodh në rrugë, cilat automjete kalojnë, apo edhe për ndonjë kontrabandë, ose trafiqe të mundshme. Kohë më parë, disa prej patrullave të policisë janë larguar nga rruga me urdhra telefoni, për shkak se aty kanë kaluar kamionë me skrap apo me krom, për të mos thënë që në disa raste kanë lejuar edhe klandestinë, apo edhe kanabis. Gjithçka në këmbim të ryshfetit, ku punonjësit e thjeshtë merrnin “thërrimet”, pasi pjesa tjetër u shkonte eprorëve të tyre, që kishin lidhje politike me biznesmenë, për të mos thënë që në disa raste edhe me trafikantë droge.Kjo situatë, për Ministrinë e Brendshme, nuk do të ndodhë më, pasi edhe Tahiri, gjatë prezantimit para krerëve të policisë, tha se nuk do të lejohen më urdhra në telefon. Megjithëse në Tiranë është emergjente disiplinimi i automjeteve në qarkullim, por edhe i këmbësorëve, në qytete problematike është pikërisht ndalja e automjeteve të dyshuara që kontrabandojnë apo edhe trafikojnë. Për këtë arsye, degët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë filluar menjëherë punën për përpilimin e dokumentacionit për të gjithë efektivët e policisë rrugore, që nga roli bazë e deri te drejtuesit. Ata do të “kalohen” në sitë dhe do të shikohet e kaluara, madje edhe procesverbalet e vendosjes së gjobave, apo edhe mosmarrja e masave ndaj shkelësve. I njëjti skenar ndodhi në Tiranë, ku pritet të largohen shumica e efektivëve të policisë rrugore, që do të zëvendësohen nga punonjës të rinj, të cilët, avantazh kanë që nuk janë të korruptuar.Burime nga Ministria e Brendshme thanë për gazetën “Shqip”, se cilindo efektiv që do të vendoset në qarkullimin rrugor do t’i shikohet shkollimi, përgatitja e tij fizike, por edhe aparenca. Sipas tyre, ka ikur koha që në rrugë të dalin punonjës policie njëkuintalësh, që mezi dalin nga automjeti, apo edhe lëvizin. Disa prej tyre kanë qenë në rrugë prej shumë vitesh, madje kanë “luftuar” për ta mbajtur vendin e punës, edhe duke paguar ndonjë “ryshfet” tek eprori, apo edhe përqindjet javore apo mujore nga puna në terren.
Posted on: Wed, 25 Sep 2013 22:30:00 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015