Rëndësia e nijetit Thesare nga libri “Rijadus - TopicsExpress



          

Rëndësia e nijetit Thesare nga libri “Rijadus Salihin” Prijësi i besimtarëve, Omer ibnul Hatabi thotë: Kam dëgjuar profetin (a.s) të thotë: “Me të vërtetë veprat varen sipas qëllimit. Çdokujt i takon ajo që ka pasë për qëllim. Ai i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit, emirgrimi i tij konsiderohet i tillë. Ndërsa kush ka emigruar për qëllim të kësaj bote, apo sepse dëshiron të martohet me një grua, ai përfiton nga emigrimi vetëm atë që ka pasur për qëllim”. Transmetojnë imam Muslimi dhe imam Buhariu. Shpjegimi i hadithit: Hadithi i mëspipërm na fton që të mendojmë dhe të meditojmë rreth tij. Ky hadith profetik përcakton orientimin e saktë të fjalëve dhe veprimeve të muslimanit. Ky hadith në strukturën e tij përbëhet nga katër fjali: Fjalia e parë: “Me të vërtetë veprat varen sipas qëllimit” Kjo fjali përbën një prej rregullave të përgjithshme të orientimit Islam. Veprat të cilat njeriu i kryen përgjatë gjithë jetës së tij, duhet të bashkëshoqërohen me nijet të pastër. Në këtë fjali fjala “nijet” është përmendur në numrin njëjës, sepse ai buron nga një vend i vetëm, që është zemra, kurse fjala “veprat” janë përdorur në numrin shumës, sepse ato janë të shumta dhe të shumllojshme. Fjalia e dytë: “çdokujt i takon ajo që ka pasur për qëllim” do të thotë, se çdo njeri është përgjegjës për veprimet e tij. Kjo fjali është plotësuese dhe sqaruese e rregullit të parë, se veprat varen nga qëllimet. Njeriu e merr shpërblimin e veprës së tij në varësi të nijet që ka pasur për qëllim, i mirë apo i keq qoftë ai. Fjalia e tretë: “Ai i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit, emirgrimi i tij konsiderohet i tillë” nënkupton, se ai i cili emigron për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të shpërbleheht për qëllimin e mirë që pati. Fjalia e katërt: “Ndërsa kush ka emigruar për qëllim të kësaj bote, apo sepse dëshiron të martohet me një grua, ai përfiton nga emigrimi vetëm atë që ka pasë për qëllim”. Shkak i thënies së këtij hadithi është, se në atë kohë, një njeri emigroi nga Meka në Medine, për t’u martuar me një grua, që quhej Ummu Kajs dhe për këtë ai u quajt “Emigranti i Ummu Kajsit”. Megjithatë profeti (a.s.) nëpërmjet kësaj dëshiron të na tregojë, se çështja nuk ka të bëjë me një ndodhi që ka ndodhur në një vend dhe kohë të caktuar, por këshilla profetike i drejtohet çdo njeriu, cilido qoftë ai, që kur të kryejë një punë, të jetë i kujdesshëm në nijetin që ka për atë punë. Orientimi i saktë islam se muslimani në çdo fjalë dhe vepër duhet që ta shoqërojë me nijet, tregohet edhe në hadithe të tjera, si psh: fjala e profetit (a.s): “Njerëzit do të ringjallen sipas nijeteve që kanë pasur për qëllim”. Përfitimet e nxjerra nga hadithi: 1 – Rëndësia e nijetit. 2 – Thirrja për të bërë atë që është me e dobishme. 3 – Vlera e hixhretit. 4 – Lidhja e ngushtë e nijetit me veprat si dhe gjurma që lë nijeti tek veprat. 5 – Motivimi për të bërë vepra të mira dhe frenimi për të bërë vepra të këqia. 1 – Rëndësia e nijetit: Ky hadith profetik flet qartë për rëndësinë e nijetit. Dijetarët kanë thënë: “Ky hadith përbën 1/3 e fesë islame”. Disa dijetarë kanë thënë se shprehja: “Me të vërtetë veprat varen sipas qëllimit” nënkupton dy gjëra: 1 – Se vepra duhet të jetë e pastër duke mos patur përzierje të idhujtarisë, 2 – Të jetë në përputhje me traditën profetike. Dijetarët kanë thënë, se që një vepër të shpërblehet, ajo duhet të bashkëshoqërohet me nijet. Ky hadith është argument se marrja e abdesit, gusulit apo tejemumit duhet të shoqërohet me nijet. Po kështu edhe në lidhje me të gjitha ibadetet e tjera, si namazi, agjërimi, haxhi..etj. Nijeti është mjaft i rëndësishëm në çdo vepër të mirë, të cilën e kryen muslimani, sepse nëpërmjet nijetit muslimani fiton kënaqësinë e Allahut. Prandaj ftuesi gjatë ftesës së tij duhet t’i kushtojë rëndësi rrënjosjes së këtij koncepti, tek ata të cilët fton. Ai duhet t’i nxisë ata, që të jenë të sinqertë në punët e tyre, t’u sqarojë rolin dhe rëndësinë e madhe, që luan nijeti në veprat e njeriut. Ndoshta njeriu nuk arrin ta përfundojë një punë, por ai e merr shpërblimin e asaj pune për shkak të nijetit. Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk është gjynah të mos shkojnë në luftë të dobëtit, të sëmurët e as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet, nëse janë të sinqertë ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Nuk ka vend për vërejtje ndaj punëmirëve. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”. (Sure Et Teube: 91). Në lidhje me komentimin e ajetit, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “e as ata që nuk mund të sigurojnë shpenzimet” imam Es Sa’di ka thënë: “Është fjala për ata, të cilët nuk kanë as ushqim e as kafshë për të përballuar udhëtimin. Për ta nuk ka asnjë lloj problemi, që të mos marrin pjesë në luftë me kusht që të jenë të sinqertë në nijetin e tyre dhe nëse do të kishin mundësi për të përballuar udhëtimin, ata do të merrnin pjesë në luftë. Argument për këtë është edhe fjala, me të cilën profeti (a.s) i drejtohet shokëve: “Në Medine ka njerëz, të cilët janë me ju në çdo hap që hidhni, në çdo shpenzim që bëni dhe në çdo shteg që kapërceni”. Shokët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut! Si janë ata me ne, ndërkohë që ata janë në Medine? Profeti (a.s) tha: “Ata nuk janë me ju, për shkak se ishin të justifikuar”. Transmeton imam Buhariu. 2 – Thirrja për të bërë atë që është me e dobishme: Kjo përftohet nga vetë orientimi profetik, i cili flet për rëndësinë e nijetit, ku për ta rrënjosur në mendje këtë koncept thotë: “Çdokujt i takon ajo që ka pasur për qëllim”. Pikërisht ftuesi në rrugë të Allahut duhet të karakterizohet me këtë cilësi, duke qenë orientues, duke i udhëhequr ata të cilët i fton në atë, që është me dobishme për ta. Profeti (a.s) ka qenë shembulli dhe modeli i mirë, i cili e orientoi pupullin e tij tek ajo gjë që është më e dobishme për ta, pikërisht në saktësimin e nijetit, që të jetë i pastër vetëm për Allahun e Lartësuar. 3 – Vlera e hixhretit: Hixhreti gëzon një vend të lartë në fenë islame, sepse ai ka qenë etapa e ndryshimit të madh të ftesës islame. Hixhreti ka qenë argument i besimit të sinqertë dhe pasimit të rrugës së profetit (a.s), sepse muhaxhirët braktisën shtëpitë, pasurinë dhe gjithçka kishin, për të përkrahur fenë e Allahut. Ata duruan ndaj vështirësive dhe torturave nga më të ndryshmet, vetëm që të përhapej feja e Allahut. Për këtë arsye është e këshillueshme që muslimanët të enden nëpër Tokë, për të mbajtur mbi supet e tyre përgjegjësinë e transmetimit të fesë. Prandaj Allahu i Lartësuar ka folur mirë për ata, të cilët bënë hixhret për të përhapur fenë dhe për të mbrojtur profetin (a.s) Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që besojnë, mërgojnë e luftojnë për çështjen e Allahut dhe ata që u japin strehim atyre e i ndihmojnë, pa dyshim ata janë besimtarë të vërtetë; për ta ka falje dhe shpërblim bujar”. (Sure El Enfal: 74). Imam Ibnu Kethiri thotë: Allahu ka folur për vlerat dhe cilësitë e muhaxhirëve dhe ensarëve në shumë ajete uranore: “Sa u përket besimtarëve të parë prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ta dhe me gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu për ta ka përgatitur kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore”. (Sure Et Teube: 100). “Pa dyshim, Allahu e pranoi pendimin e të Dërguarit, të muhaxhirëve dhe ensarëve, të cilët shkuan pas atij në çastin e vështirësisë”. (Sure Et Teube: 117). Ajeti më madhështor që flet për vlerat e tyrë është: “Të cilët në zemrat e tyre nuk ndihen ngushtë, për atë që u është dhënë atyre”. (Sure El Hashr: 9). Kjo do të thotë, se ata nuk kanë smirë ndaj atyre, që Allahu i begatoi me kryerjen e hixhretit. Ajetet dëshmojnë qartë, se vlera e muhaxhirëve është më e madhe tek Allahu se sa vlera e ensarëve.” Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Për shkak të pozitës të lartë të hixhretit, Allahu i Lartësuar i ka vlerësuar muhaxhirët më tepër se ensarët, sepse ata braktisën vendet, familjet dhe pasurinë e tyre, për të bërë hixhret në Medine duke kërkuar shpërblimin tek Allahu dhe duke iu bindur urdhrit të profetit (a.s). Llojet e hixhretit janë të shumta, por më i larti është hixhreti, që bëhet për të braktisur vendin, ku mbizotëron mosbesimi dhe për të shkuar në atë vend ku mbizotëron besimi”. Llojet e hixhretit janë gjashtë: Lloji i Parë: Emigrimi nga vendi i luftës për tek një vend musliman. Ky emigrim është i vazhdueshëm deri në Ditën e Gjykimit. Lloji i Dytë: Emigrimi nga vendi ku risitë janë mjaft të përhapura. Imam Maliku ka thënë: “Nuk i lejohet askujt të qëndrojë në një vend, ku shahen të parët e muslimanëve”. Jo vetëm kaq, por hixhret konsiderohet edhe braktisja nga mëkatet. Muslimani duhet të braktisë çdo vepër të keqe, të cilën e ka ndaluar Allahu dhe profeti (a.s). Profeti (a.s) ka thënë: “Musliman i mirë është ai, prej të cilit muslimanët janë të qetë nga goja dhe dora e tij. Muhaxhir i mirë është ai, i cili i braktis veprat e këqia, për të cilat Allahu na ka ndaluar për t’i vepruar”. Transmeton imam Buhariu. Lloji i Tretë: Emigrimi nga një vend, ku më së tepërmi mbizotëron harami, sepse kërkimi i hallallit për muslimanin është obligim. Dijetarët kanë thënë: “Nëse muslimani në vendin e tij nuk mund të kryejë ritet fetare, atëherë ai e ka për obligim që të emigrojë në një vend tjetër islam, ku ai lirisht mund të kryejë ritet fetare. Lloji i Katërt: Emigrimi nga vendi ku ka sëmundje vdekjeprurëse në një vend të qetë. Lloji i Pestë: Emigrimi në rastin kur muslimanit i kërcënohet pasuria, sepse ashtu si feja edhe pasuria është e shtrenjtë për muslimanin. Lloji i Gjashtë: Emigrimi për të përfituar nga të mirat materiale të kësaj bote. 4 – Lidhja e ngushtë e nijetit me veprat si dhe gjurma që lë ai tek veprat: Prej vlerave të fesë islame, vlera që nuk i ka asnjë fe qiellore, është lidhja e ngushtë e veprave me nijetin, sepse çdo vepër shpërblehet në varësi të nijetit të njeriut. Pra njeriu nuk shpërblehet për një vepër, vetëm nëse ajo vepër ka qenë për hir të Allahut. Po ashtu me vepra të mira nënkuptojmë ato vepra, që janë në përputhje me legjislacionin Islam. Ndërsa veprat, që nuk janë në përputhje me legjislacionin islam edhe nëse janë bërë me nijet të mirë, nuk shpërblehen. Përsa i përket veprave të mira qofshin farz, sunet apo të pëlqyeshme, njeriu shpërblehet në varësi të nijetit. Përsa i përket veprave, që janë të lejueshme për t’u vepruar, njeriu as nuk shpërblehet dhe as nuk bën gjynah, por nëse njeriu i shoqëron ato me nijet të mirë, atëherë ai shpërblehet. Si psh: ngrënia e ushqimit konsiderohet mubah, por nëse njeriu ha ushqim, që të jetë i fortë dhe i shëndetshëm në kryerjen e adhurimeve, atëherë ai për këtë nijet merr shpërblim. Hadithi për të cilin po flasim dëshmon për: 1 – Nijeti është pjesë e besimit, sepse ai buron nga zemra. Prandaj për këtë arsye, këtë hadith imam Buhariu e ka vendosur në kapitullin e besimit. 2 – Muslimani, përpara se të bëjë një punë, në rradhë të parë duhet të dijë dispozitën fetare në lidhje me të. Kjo punë që ai do të kryejë është farz, apo mustehab. 5 – Motivimi për të bërë vepra të mira dhe frenimi për të bërë vepra të këqia: Të motivosh të tjerët për të bërë vepra të mira është një prej metodave efikase të ftuesit në rrugë të Allahut. Në këtë hadith profeti (a.s) na ka nxitur, që nijeti ynë në kryerjen e veprave të jetë i pastër vetëm për hir të Allahut të Lartësuar. Madje këtë gjë, profeti (a.s) e ka kontrektizuar me një shembull praktik duke thënë: “Ai i cili ka emigruar për hir të Allahut dhe të Dërguarit, emirgrimi i tij konsiderohet i tillë”. Kjo është nxitje, se punët që kryen muslimani duhet të shoqërohen me nijet dhe se muslimani duhet të bëjë kujdes, nëse punën e tij nuk e bashkëshoqëron me nijet. Prandaj ftuesi duhet të ketë parasysh, që në ftesën e tij të ketë përgëzim e jo qortim. Kjo do të thotë, se ftuesi në rradhë të parë duhet të ftojë dhe të motivojë të tjerët, që veprat e tyre t’i bashkëshoqërojnë me nijet dhe më pas t’u flasë që të kenë kujdes nga syfaqësia. T’i nxisë të tjerët që të mësojnë dijen, përpara se t’u flasë që të kenë kujdes nga fshehja e saj. T’i nxisë të tjerët që ta falin namazin në kohën e duhur, përpara se t’u flasë për ndëshkimin e atij, që e lë namazin pa e falur e kështu me rradhë. Metodologjia e motivimit dhe nxitjes në shumicën e rasteve është më efikase. Megjithatë kjo nuk do të thotë, që ftuesi të neglizhojë për t`i ftuar të tjerët që të kenë kujdes nga kryerja e veprave të këqia. Por mbi të gjitha, pikë së pari ftuesi duhet të përgëzojë përpara se të qortojë, sepse kjo është metodologjia e Kuranit dhe Traditës profetike. Allahu i Lartësuar thotë: “Njoftoji robërit e Mi, se Unë jam Falësi, Mëshiruesi. Por dhe se ndëshkimi Im është i dhembshëm”. (Sure El Hixhr: 49-50). “Falësit të gjynaheve dhe Pranuesit të pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesit të mirave. Nuk ka zot tjetër përveç Tij dhe tek Ai do të kthehen të gjithë”. (Sure El Gafir: 3). Kurani i fton njerëzit, që të besojnë duke i përgëzuar me shpërblimin që i pret. “O ju ithtarë të Librit që keni besuar në Musain dhe Isain, kini frikë Allahun dhe besoni në të Dërguarin e Tij, sepse Ai do t’ju dhurojë pjesë të dyfishtë nga mëshira e Vet, do t’ju japë dritë, me ndihmën e së cilës do të ecni dhe do t’ju falë. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë”. (Sure El Hadid: 28). Motivimi për të besuar, për të bërë vepra të mira, për të përfituar nga të mirat e kësaj bote është i domosdoshëm, sepse natyra njerëzore është gatuar, që të lakmojë më të mirën. Për këtë arsye profeti (a.s) i nxit njerëzit, që të jenë më të përkushtuar në vepra të mira. Një ditë ai (a.s) i drjetohet shokëve të tij me këto fjalë: “Nëse dikush prej jush lahet pesë herë në ditë tek lumi që kalon përpara portës së tij, a do të ishe i papastër? Patjetër që jo – u përgjigjën. Po kështu është shembulli i pesë namazeve, nëpërmjet tyre Allahu i fshin mëkatet”, – tha ai. Transmetojnë imam Muslimi dhe imam Buhariu. Detyrë e ftuesit është që t’i njohë mirë ata që fton, nuk duhet të frikësojë kënd përpara se t’i përgëzojë. Sepse një pjesë e mirë e njerëzve që janë larg besimit dhe veprave të mira, shejtani me vesveset e tij i ngacmon se nëse ata i përkushtohen rrugës së fesë, liria e tyre kufizohet dhe se nuk mund të shijojnë asgjë nga kjo botë. Me të tillë njerëz nuk vlen frikësimi, përpara se t’u flasim për depot e mirësisë dhe bereqetit të pashtershëm që ka Allahu i Lartësuar. Perktheu: Elton Harxhi
Posted on: Tue, 01 Oct 2013 09:00:07 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015