SKENDERBEU, SHQIPERIA, EPIRI DHE ILIRIA NE NJE KRONIKE GJERMANE TE - TopicsExpress



          

SKENDERBEU, SHQIPERIA, EPIRI DHE ILIRIA NE NJE KRONIKE GJERMANE TE VITIT 1493 Faqe e kronikës nga viti 1493, botimi gjermanisht Një ndër veprat më të famshme në shekullin XV është e ashtuquajtura Schedelsche Weltchronik" (Liber Chronicarum, opus de temporibus mundi), që është edhe vepra e parë historike e një intelektuali gjerman. Kjo kronikë shqyrton lindjen e qyteteve më të rëndësishme gjermane, botës perëndimore etj. Rëndësia e kësaj kronike për popullin shqiptar është se Hartmann Schedel në "Kronikën" e tij jep disa të dhëna historikogjeografike për disa qytete shqiptare, pastaj informacione për Ilirinë, Epirin dhe Arbërinë, të mbështetura kryesisht tek autorët antikë, si dhe disa njoftime për prejardhjen e shqiptarëve etj. Në libër gjejmë po ashtu të dhëna edhe për Gjon Kastriotin, të atin e Skënderbeut, që Schedel e quan Kamusa, pastaj informacione për luftërat dhe fitoret e Gjergj Kastriot Skënderbeut kundër turqve; marrëdhëniet e tij me Vatikanin - Papën Kalistin III, për të cilin autori shkruan se nuk e ka ndihmuar fare materialisht, si dhe disa shënime për tradhtinë e nipit të Skënderbeut, Hamza Kastrioti, të cilin ky e zë rob dhe e dërgoi në burg te mbreti i Napolit, Alfonsi V, etj. Është për t‘u lakmuar se si Schedel ka arritur të shtjellojë një lëndë jashtëzakonisht voluminoze, duke na paraqitur gjithçka kishte mundur të mblidhte, sistemonte, përgatiste nga literatura e botuar, dorëshkrimet, dokumentet, kronikat e shumta dhe burimet e tj era që disponoheshin në atë kohë. Pavarësisht nga të gjithë këto, si dhe nga njohuritë e jashtëzakonshme prej dijetari, kronika e Schedel-it është e tejkaluar në shumë pjesë, informacione dhe të dhëna, për shkak të zbulimeve të reja e arritjeve shkencore. Megjithatë, është befasues fakti që ai dispononte gjithë ato të dhëna e informacione në atë kohë. Bie në sy skrupuloziteti dhe gjenialiteti i tij te paraqitja e pemëve gjenealogjike të familjeve fisnike dhe listave të papëve, portretet e të cilëve janë të ilustruara me ngjyra, duke përdorur kronologjitë e njohura të kohës për vende të ndryshme, krahina e rajone të ndryshme, si dhe renditjen e përshkrimin e figurave të rëndësishme historike jo vetëm gjermane, por edhe botërore, duke i shoqëruar me një regjistër alfabetik. Në kronikat e njohura botërore të gjermanëve të viteve të fundit të Mesjetës, [kur jetoi dhe veproi Schedel- i] gjithashtu, ngjarjet historike janë të gërshetuara me digresione me temë nga katastrofat natyrore, luftërat, njoftimet për themelimet e qyteteve etj., duke mos përjashtuar edhe ngjarjet që kanë ndodhur në pjesët e tjera të botës, duke i paraqitur dhe shtjelluar ato në mënyrë paralele me rrëfimet biblike etj. Kronika e Schedel ndryshon nga shumë botime të tjera të ngjashme, si dhe kopje dorëshkrimesh të kronikave në qarkullim, si për nga trajtimi i saj humanist, rrethi akademik që e përgatiti, trajtimi i veçantë i shkencave natyrore dhe filozofisë edhe nga ana tjetër përmes marrëdhënies së re dhe të përshtatshme të tekstit e imazhit që i japin mundësi lexuesit jo vetëm të lexojë ngjarjet dhe ndodhitë historike, por edhe të shikojë në to përmes ilustrimeve dhe gravurave të shkëlqyera. Ilustrimet paraqesin vazhdimësinë e epokave në mënyrë të pandërprerë dhe të përshtatshme. Përgatitja intelektuale dhe diapazoni i gjerë i diturive shkencore dhe akademike për të cilin termi "enciklopedi" i sajuar në antikitetin klasik është adoptuar në punë madhështore, sepse përmban gjithçka që vihet në dukje nga shkenca natyrore, shoqërore, teologjike, filozofia dhe letërsia. Koncepti i kombinuar i diturisë, i përhapur nga humanizmi, gjen një pasqyrim shprehës në këtë botim. PËR TREVËN E EPIRIT Treva e Epirit gjendet në perëndim, në malësinë veriperëndimore të Greqisë dhe shtrihet në lindje deri në luginën e Ambrakisë në stadin 1300, në veri [kufizohet] me Maqedoninë dhe në lindje përplaset me Akaiën deri në lumin e Akelum. Në perëndim arrin deri në detin Jon. Në këtë trevë, shkruan Teopompus, kanë qenë 24 popuj. Historianët raportojnë që kjo pjesë e tokës buzë detit ka qenë e lumtur e prodhimtare dhe që dikur në të kanë qenë shumë qytete e kështjella të forta. Por, nga kryeneçësia e popullit [të Epirit] kundër romakëve, kjo provincë u shkatërrua. Dhe Polibius raporton 70 qytete epirote u shkatërruan nga perandori Paulo Emili pas mposhtjes së maqedonasve dhe të mbretit të Persëve. Në këtë trevë epirote ka ndodhur beteja e paharrueshme e Aktikës, në të cilën perandori August në një betejë me shigjeta luftoi me zemërim dhe mposhti Mark Antonin e Kleopatrën, mbretëreshën e Egjiptit. Për këtë shkak, Augusti ka sheshuar në luginën e Ambrokisë një qytet, Nikopolin, si shenjë fitoreje. nga.adm.Shqipe
Posted on: Tue, 25 Jun 2013 20:03:18 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015