Sapo m’i tha këto fjalë, Zoti u zhduk. Kisha dhimbje të - TopicsExpress



          

Sapo m’i tha këto fjalë, Zoti u zhduk. Kisha dhimbje të tmerrshme koke. I ndodhur mes shumë dilemash, më shfaqet një njeri tjetër që më ngjan, por që është i rruar dhe ka dyfishin e moshës sime. - Pse je i mërzitur? - Ba’, nuk dua ta vazhdoj këtë jetë pa kuptim. - Nuk do, po duhet- thotë duke hyrë në dritë, si në filmin Ghost. - Ba’, më fal... Ai ndal hapin në dritë dhe më shikon mua që mezi dukem në terr. - Më fal, që të vrava. Ai rrudh sytë dhe më shikon sikur s’kupton gjë. Unë i them: Isha aty, në spital, në atë spital ku njerëzit shkojnë për të vdekur, jo për t’u shëruar. Isha në korridor, afër dhomës ku ishe shtruar ti, atë ditë kur ai mjeku i mutit ta plasi të vërtetën lakuriq në fytyrë. E dëgjova, kur të tha se duhej të operoheshe se ndryshe pas një, dy, apo tre muajsh do të vdisje. Të dëgjova dhe ty kur e pyete për çmimin e operacionit. Dhe atë që të tha se mund të mjaftonin dy mijë euro për t’u operuar te një miku i tij kasap, më fal, kirurg. Dhe ty që pastaj shtove: Po halli? (Se e dije që të gjitha paratë tashmë na i kishin vjelë spitalet, duke u endur nëpër to qe dy vjet). Dhe ai zuzari që t’u përgjigj se s’e kishte për detyrë t’i qante hallet e pacientëve, por t’ua thoshte atyre të vërtetën. Dhe ty që pyete prapë: e nëse nuk operohem? Dhe atë që përfundoi: vdes mbas dy-tre muajsh. Oh, ba’, desha të hyja e t’ia jepja ca grushta mjekut, se ti e di që unë kam ëndërruar të bëhem boksier, por s’di çka më ndaloi. Besomë që me vrull do t’ia kisha prerë ringun, me një crosche do t’ia kisha shtrembëruar fytyrën, me një uppercut do t’ia kisha thyer nofullën. Oh, as goditjet nën brez s’do t’i kisha kursyer. Por, unë thjesht prita derisa doli si fitimtar ai mut i mbështjellë me mantel të bardhë. Dhe, pas pak minutash, hyra brenda, sikur s’kisha dëgjuar asgjë. Dhe u ula përballë teje që gjendeshe i shtrirë pas humbjes se ndeshjes me doktorin. Dhe aty t’i pashë sytë e skuqur dhe të njomur nga uji që buronte në zemrën tënde të sëmurë. Dhe ti, si i zënë në faj, shpejtove t’i fshije. O father tell me are you weeping? Your face seems wet to touch. O then Im so sorry father I never thought I hurt you so much. Dhe atë natë sillesha nëpër korridor sikur të kisha një thikë të ngulur në bark. Dhe anash mureve më zuri syri letrat me shenjën kundër duhanit. Dhe në çast ia thera vrapit teposhtë shkallëve. Dhe pas ca minutash u ngjita përpjetë. Dhe aty në korridor e ndeza cigaren e parë. Dhe atë natë e piva paketën e parë. Dhe atë natë bleva edhe një paketë tjetër. Dhe teksa shikoja tymin që ngjitej përpjetë e kuptova që jeta mes qiellit e tokës zgjat sa një cigare e hollë mes buzëve. Dhe gjithë ato net pa gjumë mendoja ku t’i gjeja ato dy mijë euro të djallit. Dhe askund nuk munda t’i gjej. Më fal, babo, unë s’t’i gjeta paret. Bile, një natë, teksa fshaje nga dhimbjet, unë u luta pa zë që ti të vdisje. Po, është e vërtetë! Unë e doja vdekjen tënde. Pikërisht unë, biri yt. S’mund të të shihja në atë gjendje. Më fal! Nuk e di a ishte kjo hera e parë që iu luta Zotit. Por, e di që kjo ishte hera e parë që Zoti më dëgjoi. Babai niset drejt dritës, sapo nis të këndojë gjeli. Nuk duket se më mban inat. Zemra e babait është një kryevepër e natyrës. Edhe pse unë insistoj ta vazhdojmë bisedën dhe ta pyes si po kalon andej, ai më kthen shpinën duke më thënë që punët e asaj bote s’janë për veshët e mi. Kurse unë, tani sa herë që shoh në konton time dy mijë e më shumë euro, më vjen të kap kazmën dhe kacinë e të shkoj te varri i tij, ta nxjerr nga aty dhe ta dërgoj në ndonjë spital për ta operuar. Por, ç’po flas kështu? Ai iku. Ndoshta ai tani është në parajsë, kurse unë sigurt jam në ferr. Ag Apolloni (Ulurima e Ujkut)
Posted on: Thu, 14 Nov 2013 16:04:03 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015