Shqetësimet nga vizita e Kryeministrit Erdogan Shkruan: - TopicsExpress



          

Shqetësimet nga vizita e Kryeministrit Erdogan Shkruan: Nehat HYSENI Me rastin e vizitës së Kryeministrit të Turqisë Kosovës, i cili është cilësuar si miku më i madh i shqiptarve në historinë e këtij vendi, Recep Tayip Erdogan, më 22 tetor 2013, për inaugurimin e Aeroportit “Adem Jashari, si dhe qytetit të Prizrenit, sa duket, kjo vizitë i ka tërbuar forcat antishqiptare serbe, por edhe ipeshkvin e Ipeshkvisë së Kosovës, z. Dodë Gjergji. Erdogani na quajti “vëllezër” të gjithëve, pa e veçuar askend! Recep Tayip Erdogan, i shoqëruar nga dy kryeministrat shqiptarë, atë të Shqipërisë, z. Edi Ramën dhe Kryeministrin e Kosovës, z. Hashim Thaçin, deklaroi me atë rast se “në Kosovë ndihet si në shtëpi të vet” dhe se”Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë”, duke premtuar se “Turqia asnjëherë nuk do ta harrojë Kosovën” dhe se do ta ndihmoj “vëllazërisht” ate. Edhepse askund nuk veçoi Erdogani se e kishte fjalën për një komb dhe konfesion të caktuar fetar, pra pa i veçuar shqiptarët, turqit, serbët, malazezët, boshnjakët, romët, ashkalinjtë egjiptasit, etj, si dhe as pa i ndarë dhe veçuar muslimanët, ortodoksët, katolikët, protestantët etj. që jetojnë në Kosovë. Por theksoi Kosovën si tërësi. Megjithatë, u ngritë një zhurmë e madhe dhe fushatë e tërbuar kundër tij! Dodë Gjergji: Fjalimi i Erdoganit, ogurzi! Për çudinë time, por edhe të shumicës kosovare, kjo fushatë filloi si e sinkronizuar. Së pari na doli ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji me deklarimin politik, duke e shndërruar veten në politikan, meqë mund të ket “harruar”se kryeministri turk Erdogan nuk është hoxhë, por është politikan dhe se nuk është normale që prijësi i fesë të të bëjë deklarata politike, madje tepër të ashpërta dhe të komunikoj me prijësin e shtetit, duke deklaruar : “Fjalimi i Erdoganit ogurzi”! Pastaj, vazhdon z. Gjergji se “ka një kohë prej kur autoritetet e ndryshme të Turqisë, provokojnë me ide neootomane, të cilat më ngacmojnë mendësinë dhe më prekin sedrën e të qenunit shqiptar”!, duke identifikuar dhe përzier me këtë rast termin “katolik” me atë “shqiptar”. Pra, ai na del se paska qenë i durueshëm, sepse ,” me fuqinë e arsyes dhe me pasurinë shpirtërore, gjithnjë gjeja forcën për të heshtur”. Pra, na del se z. Gjergji na qenka padron i të gjithë shqiptarve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare! “Fjalimi i djeshëm i z. Erdoganit në Prizren, me përmbajtje të shkapërcyem dhe fyes, me zâ padroni dhe me një performancë dalldisjeje politike, ishte ogurzi, në kundërshtim me të vërtetën historike, me realitetin e sotëm dhe pa një propozim pozitiv për të ardhmen”, shton z. Gjergji i mllefosur, duke harruar me këtë rast se kush na del i “dalldisur” politikisht dhe kush flet me “za padroni”, Ju z. Gjergji që katolicimin e ngatërroni dhe e përzieni (qëllimisht) me shqiptarizmin, duke dalur si padron i të gjithë shqiptarve të Kosovës, si dhe duke e shndërruar veten në “politikan”. Kjo, i nderuari z. Gjergji, me gjithë nderin dhe respektin që ushqejmë për vëllazërit tanë të një gjaku, katolikët e Kosovës, megjithatë është një “dalldisje” dhe “shkapërcim” (shpresojmë) vetëm i Juaji personalisht! Sepse, i nderuar, ju kurrësesi nuk mund të flisni në emër të pjestarëve të feve të tjera në Kosovë, duke harruar faktin se ju prezentoni vetëm komunitetin katolik, që në Kosovë, në rastin më të fryer, nuk e kalon 3%, edhe ate, i përfaqësoni vetëm fetarisht. Sepse, katolikët, ashtu si edhe muslimanët, që përbëjnë mbi 90% të popullsisë kosovare, si dhe të tjerët, janë të organizuar politikisht në parti të ndryshme politike dhe në emër të tyre politikisht kanë të drejtë të deklarohen ato, si dhe institucionet shtetërore të Kosovës, e jo priftërinjtë, popat dhe hoxhallarët! Kurrësesi nuk do të lejojmë që në emër të popullit të Kosovës të deklarohen prijësit fetarë, si “padronë” të tyre. Pra, kleri ka të bëjë me fenë dhe kurrësesi nuk lejohet që t’i fusë hundët në politikë, sepse Kosova është shtet laik dhe qytetarë (e jo nacional). Për hoxhallarë, popa dhe priftërinjë etj. është vendi në kisha dhe xhamia. Nuk ka dhe nuk do të ketë vend për ato në udhëheqjen e shtetit demokratik dhe laik të Kosovës. Andaj, të nderuar klerikë ju rekomandojmë që t’i shërbeni sa më mirë Zotit, në pajtim me rregulat e përkatësisë suaj religjioze, kurse udhëheqja e punëve të shtetit u përket politikanëve të zgjedhur në fushatë demokratike, proporcionalisht me votbesimin e fituar të popullit. Daçiqi, Vuçiqi dhe Vulin: “Kosova është Serbi”! Përveç ipeshkvit Gjergji, edhe pala serbe na është “prekur” thellë nga vizita dhe deklaratat e Kryeministrit Erdogan. Por, nga ana e tyre nuk u deklaruan, së paku fillimisht, popat por politikanët. Kryeministri Daçiq, Zëvendëskryeministri Vuçiq dhe të tjerët, kërkuan që Erdogani të “kërkoj falje” dhe ta tërheq deklaratën e tij, meqë Kosova na qenka serbe dhe e Serbisë. Për çudi, edhe pala serbe, ashtu si ipeshkvi Gjergji, na “përkujtojnë” historinë, duke pretenduar në” të drejtë historike” ndaj Kosovës. Serbët e Kosovës organizuan shkuarjen në Beograd, menjëherë, të nesërmen, më 25 tetor 2013, me autobusa dhe me një numër të madh veturash private, për të mbajtur mitingun kundër Kryeministrit turk Erdoganit para Qeverisë së Serbisë. Me këtë rast atyre iu drejtuan politikanë serbë, duke deklaruar secili prej tyre se “Kosova është tokë serbe” dhe se Kosova i takon Serbisë. Sa duket, pra, Erdogani e ka “tronditur” Serbinë. Por, vallë, nuk e kemi të qartë pse na e paska tronditur aq rëndë edhe ipeshkvin Gjergji? Si ndodhi që të “tërbohen” përnjëherë z. Gjergji, si shqiptar i Kosovës dhe si prijës katolik me politikanët serbë të Kosovës? Çka e lidhë Kishën katolike me politikën antishqiptare dhe antikosovare të Kishës Ortodokse serbe, si dhe me serbët e Kosovës dhe të Serbisë? A ekziston, vallë, ndonjë lidhje midis tyre, kundër Pavarësisë dhe integritetit territorial të Kosovës, apo deklaratat e z. Gjergji janë vetëm një gaf dhe mllef i rastit, personalisht i tij, dhe kurrësesi jo edhe i komunitetit katolik të shqiptarve të Kosovës? Duhet dalluar Kishën Katolike shqiptare nga Kisha Ortodokse serbe Mendoj se në pyetjet e shtruara dhe në shumë e shumë pyetje të pashtruara, z. Gjergji duhet të jep përgjigjet me sinqeritet dhe devotshmëri para Zotit dhe kombit që i takon. Sepse, për hire të së vërtetës, duhet sqaruar se kemi vështirësi t’u sqarojmë fëmijëve tanë, por edhe turistëve që vizitojnë për here të pare Kosovën, se dy kishat e krishtera në qendër të Qendrës së Prishtinës, pra ajo Ortodokse dhe Katolike, dhe janë ndërtuar vonë, në një distance të vogël kohore, në një dhjetëvjeçar, ato nuk kanë asgjë të përbashkët midis veti. Derisa Kisha Ortodokse serbe është ndërtuar nga regjimi antishqiptar dhe gjenocidal I Millosheviqit, pa pëlqimin dhe bekimin e shqiptarve të Kosovës, Kisha Katolike shqiptare është ndërtuar me lejen dhe bekimin e Presidentit historik dhe shumicës shqiptare të Kosovës dhe se ajo mban emrin e bijës së madhe shqiptare “ Nënë Tereza”. Andaj, askush nuk guxon, e aq më pak një prijës fetar i cilitdo konfesion fetarë qoftë që ta prishë tolerancën ndërfetare dhe dashurinë kombëtare të shqiptarve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare. Me këtë rast, nuk është me rëndësi se sa shqiptarë janë katolikë e sa janë muslimanë, meqë jemi vëllezër të një gjaku dhe të një gjuhe e historie. Duhet ta dijmë dhe ta dallojmë fare qartë se kush është mik e kush armik i përbetuar i shqiptarve sot, duke mos u shndërruar ( as rastësisht) në shërbëtorë të atyre që e masakruan dhe shkretëruan këtë tokë arbërore, nga të cilët u çliruam falë sakrifices së mbarë popullit liridashës të Kosovës, luftës së UÇK-së dhe miqve tanë SHBA-së dhe botës demokratike me aleancën ushtarake veriatlantike të NATO-s, ku shteti mik Turqia ka dhënë kontribut të madh ushtarak, politik e material, meqë llogaritet si kontribuese e madhe në te, duke u radhitur menjëherë pas SHBA-së. Turqia është shtet i përparuar dhe demokratik, me më së shumti shqiptarë në botë Madje, nuk duhet harruar faktin se sot në Turqi jetojnë më shumë se gjashtë million shqiptarë, që i bie më tepër se Kosova e Shqipëria së bashku! Ekonomia turke sot ka arritur shkallën rekorde të rritjes ekonomike prej 6-8% në nivel vjetorë, që nuk ka asnjë cent borxh të jashtëm dhe është kredituese e ekonomisë së BE-së, e cila po përballet me problem serioze të recesionit ekonomik, me një numër të madh shtetesh që janë buzë falimentimit. Gjithashtu nuk duhet harruar se Gjermania, si prijëse dhe financuesja më e madhe e BE-së, që ishte kundërshtuese e vendosur kundër pranimit të Turqisë në BE, sipas deklaratës së “zonjës së hekurt”, të madhes Kancelare Angela Merkel, kohë më pare r se “Gjermania është e gatëshme që ta mbështesë pranimin e Turqisë në BE”. Pra, me këtë bien në ujë tezat naïve dhe kryesisht qëllimkëqia dhe antishqiptare se muslimanët janë “fanatikë”, etj. dhe se vetëm të krishterët mund të jenë proeuropian, etj. Madje, disa shkojnë aq larg, sa që paturpësisht deklarojnë se feja e shqiptarve ishte krishterizmi, kurse islamin ata e morën me dhunë. Edhe në radhët e intelektualëve shqiptarë gjenden persona që disa prej tyre për shkak të mosnjohjes së mjaftueshme të së kaluarës sonë, kurse disa të tjerë (ndoshta) si misionarë të (pa)paguar merren me aktivitete dhe veprime që nuk janë në dobi të së ardhmes sonë më të lumtur, duke mos bërë dallime midis feve, civilizimeve e kulturave. Andaj, është e domosdoshme që Ipeshkvia e Kosovës dhe Kisha katolike të pronocohen lidhur me proncimet e tërbuara dhe histerike të ipeshkvit Dodë Gjergji, se a është ky gaf personal dhe fyes e shpifës, që përmban urrejtje të papërmbajtur kundër mikut të madh të shqiptarve dhe Kosovës, të cilin ky, madje nuk hezitoi ta krahasoj me Millosheviqin! Mosprononcimi i Ipeshkëvisë lidhur së Kosovës lidhur me këtë urrejtje fetare që përmban shfrenimi i ipeshkvit Dodë Gjergji do të paraqes solidarizim me te dhe deklarim të heshtur të politikës zyrtare të komunitetit katolik në Kosovë kundër shtetit mik të Turqisë, ku aktualisht jetojnë mbi 6 milion shqiptarë, si dhe shumicës së shqiptarve të Kosovës. Të kërkuarit falje paraqet shlyerje të gafit dashakeqës, që shpresojmë të jet i rastit, si dhe do ti kontribuoj ruajtjes dhe kultivimit të marëdhënieve tradicionalisht të mira midis komunitetit katolik dhe atij musliman në Kosovë, e që dëshmohet edhe me zemërgjërësinë dhe tolerancën vllazërore me lejimin e ndërtimit të Kishës Katolike në qendër të Prishtinës, me përmasa gjigante, që aspak nuk përkon me numrin e besimtarëve katolikë në Prishtinë, për dallim nga komuniteti musliman që aktualisht falen në rrugë, në diellin përcëllues veror, në shiun vjeshtor dhe në acarrin dimëror. Duhet respektuar dhe kultivuar edhe më tutje këto vlera tona kombëtare, duke eliminuar me vendosmëri të plotë çdo tentativë, tendencë dashakeqe që mund të na paraqitet në këtë drejtim, në rrugën e ndërtimit të ardhmërisë sonë të lumtur në harmoni dhe dashuri vëllazërore për të gjithë.
Posted on: Sat, 02 Nov 2013 07:59:50 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015