Shuarja e ndjekjes penale, të dënimeve dhe mosekzekutimi i - TopicsExpress



          

Shuarja e ndjekjes penale, të dënimeve dhe mosekzekutimi i tyre Neni 66 - Parashkrimi i ndjekjes penale Nuk mund të bëhen ndjekje penale kur nga kryerja e veprës deri në çastin e marrjes së personit si të pandehur kanë kaluar: a) njëzet vjet për krimet që parashikojnë dënim jo më të ulët se dhjetë vjet burgim ose dënim tjetër më të rëndë; b) dhjetë vjet për krimet që parashikojnë dënim nga pesë gjer në dhjetë vjet burgim; c) pesë vjet për krimet që parashikojnë dënim gjer në pesë vjet burgim ose gjobë; ç) tre vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim gjer në dy vjet burgim; d) dy vjet për kundërvajtjet penale që parashikojnë dënim me gjobë. Neni 67 - Mosparashkrimi i ndjekjes penale Nuk i nënshtrohen parashkrimit të ndjekjes penale krimet e luftës dhe ato kundër njerëzimit. Neni 68 - Parashkrimi i ekzekutimit të dënimit Vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar: a) njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pesëmbëdhjetë gjer në njëzetepesë vjet burgim; b) dhjetë vjet për vendimin që përman dënim pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet burgim; c) pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta. __________________________________________________ Vendim i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë nr.7, datë 11.10.2002 Në kreun e VIII-të të Kodit Penal ligjvënësi ka parashikuar një institut më vete në lidhje me shuarjen e ndjekjes penale, të dënimeve dhe mosekzekutimin e tyre. Brenda kuadrit të këtij instituti janë përfshirë dispozita të veçanta në lidhje me parashkrimin e ndjekjes penale, (neni 66 i K.Penal); në lidhje me parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, (neni 68 i Kodit Penal) dhe shuarjen e dënimit ose, sikurse e ka emërtuar vetë ligjvënësi, rehabilitimin, (neni 69 i Kodit Penal). Këto dispozita përmbajnë rregullimin ligjor të këtij instituti në tre aspekte të veçanta të tij. Kështu, dispozita e nenit 66 të Kodit Penal bën fjalë për parashkrimin e ndjekjes penale me të cilin duhet kuptuar ndalimi që ekziston me ligj për të bërë ndjekje penale, në qoftë se, nga koha kur është kryer vepra penale, deri në momentin e marrjes si të pandehur të autorit të saj, kanë kaluar afatet e parashikuara në këtë dispozitë. Në dispozitën e nenit 68 të Kodit Penal ligjvënësi ka parashikuar afatet, me kalimin e të cilëve, vendimi i dënimit, dhënë ndaj një personi për vepra penale të kryera prej tij, nuk mund të ekzekutohet më. Kurse në dispozitën e nenit 69 të Kodit Penal janë parashikuar afatet, me kalimin e të cilave, personi i dënuar për vepra penale të kryera prej tij, do të quhet i padënuar ose, siç e ka vetë ligji i rehabilituar. Nga sa u parashtrua shkurtimisht më lart, arrihet në përfundimin se, në rastin e parë, (neni 66 i Kodit Penal) ndodhemi para rastit të parashkrimit të së drejtës së organeve kompetente të ndjekjes penale; në rastin e dytë (neni 68 i Kodit Penal), ndodhemi para parashkrimit të së drejtës së organeve kompetente shtetërore, të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve të dënimit për të ekzekutuar këto vendime. Kurse, në rastin e tretë, (neni 69 i Kodit Penal) ndodhemi para shuarjes së dënimit të dhënë ndaj një personi për vepra penale të kryera prej tij d.m.th., para rehabilitimit të këtij personi që sjell si pasojë ndryshimin e gjendjes gjyqësore të tij, nga i dënuar në i padenuar. Çështja objekt gjykimi në Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë ka të bëjë me aspektin e dytë të institutit të parashkrimit, d.m.th. me parashkrimin e ekzekutimit të dënimit, parashikuar nga neni 68 i Kodit Penal. Nga përmbajtja e kësaj dispozite, del se vendimi i dënimit nuk ekzekutohet kur nga dita që ka marrë formë të prerë kanë kaluar: njëzet vjet për vendimin që përmban dënim pësëmbëdhjetë gjer në njëzetëpesë vjet; dhjetë vjet për vendimin që përmban dënim pësë gjer në pësëmbëdhjetë vjet dhe pesë vjet për vendime që përmbajnë dënim me burgim gjer në pesë vjet ose dënime të tjera më të lehta. Duket qartë se, ligjvënësi, nëpërmjet kësaj dispozite, ka vënë përpara organeve kompetente shtetërore të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve të dënimit një kufizim kohor brenda të cilit këto organe kanë të drejtë që të vënë në ekzekutim një vendim penal të formës së prerë. Ky kufizim kohor, përbën në të njëjtën kohë edhe një ndalim të shprehur për këto organe, i cili nuk u lejon atyre që të ekzekutojnë vendime penale tej afateve të përcaktuara, sipas rastit, në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të dispozitës së nenit 68 të Kodit Penal. Qëllimi i ligjvënësit në vendosjen e këtij kufizimi kohor dhe ndalimi ka qenë së pari, realizimi në praktikë i efektit të përgjithshëm dhe të veçante parandalues të dënimit në çdo rast konkret dhe së dyti, disiplinimi i procesit të ekzekutimit të vendimeve të dënimit në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë në rastet kur personi i dënuar, për njërën apo tjetrën arsye i shmanget apo i fshihet këtij procesi. Të drejtën dhe njëkohësisht detyrën që kanë organet kompetente shtetërore, të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve të dënimit, ligjvënësi ë ka kushtëzuar së pari me momentin kur vendimi i dënimit ka marrë formën e prerë dhe së dyti, në vartësi të masave dhe llojeve të dënimit të dhënë, me afatet, (njëzet, dhjetë dhe pesë vjet), që parashikohen në dispozitën e përmendur të Kodit Penal. Nga sa u parashtruan në paragrafin e mësipërm, arrihet në përfundimin se, organet kompetente shtetërore të ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve të dënimit, kanë të drejtë dhe njëkohësisht detyrë që menjëherë, sapo vendimi i dënimit të ketë marrë formë të prerë, ta vënë në ekzekutim atë. Këtë të drejtë ato vazhdojnë ta kenë derisa pa u plotësuar akoma afatet, njëzet, dhjetë dhe pesë vjet të parashikuara respektivisht nga shkronjat “a”, “b” dhe “c” të nenit 68 të Kodit Penal. Nga kjo del se vendimi i dënimit nuk mund të ekzekutohet as para se ai të ketë marrë formë të prerë, as pasi të jenë plotësuar afatet njezet, dhjetë dhe pesë vjet që u përmendën dhe kjo përbën ndalimin që u përmend më lart. Nga leximi i vetë tekstit të dispozitës së nenit 68 të Kodit Penal shihet fare qartë që ligjvënësi jo vetëm që nuk ka parashikuar, por as ka lënë të nënkuptohet se ekzistojnë shkaqe apo faktorë që mund të sjellin si pasojë zgjatjen e afateve të parashkrimit që janë parashikuar prej tij në lidhje me ekzekutimin e vendimit të dënimit. Gjykata e shkallës së parë Elbasan dhe Gjykata e Apelit Durrës e kanë rrëzuar kërkesën e të dënuarit Blerim Llukani me arsyetimin: “se me datë 13.3.1997 është ndërprerë vuajtja e dënimit”. Ky konkluzion i gjykatave nuk gjen mbështetje në asnjë dispozitë ligjore të së drejtës penale. Në Kodin Penal dhe në Kodin e Procedurës Penale nuk parashikohet ndërprerja e ekzekutimit të vendimeve. Megjithëse në legjislacionin penal shqiptar nuk parashikohet ndërprerja e ekzekutimit të vendimit, gjykatat i referohen parimeve të përgjithshme të së drejtës e sidomos të drejtës civile që e parashikon ndërprerjen si një institut ligjor. Një qëndrim i tillë vjen në kundërshtim me parimet e Kodit Penal shqiptar. Në të drejtën penale shqiptare është sanksionuar: “Kodi Penal bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe të humanizmit. Zbatimi i ligjit penal me analogji nuk lejohet. avokatonline/administrata-shteterore.htm
Posted on: Sat, 27 Jul 2013 03:15:59 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015