TROPOJE- Gjatë këtij viti shkollor në rrethin e Tropojës numri - TopicsExpress



          

TROPOJE- Gjatë këtij viti shkollor në rrethin e Tropojës numri i mësuesve pa arsimin përkatës parashikohet të minimizohet, gjë që do të ndikojë në rritjen e nivelit të mësimdhënies. “Është një fenomen që po shkon drejt eliminimit të plotë, ndërsa ende kemi mësues pa arsimin përkatës vetëm në disa shkolla të zonës rurale”, thotë Hyrmet Selimaj, specialist në zyrën arsimore të rrethit. Sipas tij, një gjë e tillë është rrjedhojë e interesit të të rinjve që mbarojnë arsimin e lartë për të punuar në sektorin e arsimit. Kjo ka bërë që këtë vit shkollor vetëm 9 për qind e mësuesve janë pa arsimin përkatës, nga rreth 30 për qind që ishte ky tregues vetëm pak vite më parë. Ndërsa në zonën rurale ende problem mbetet mungesa e mësuesve për gjuhën e huaj dhe të matematikë - fizikës, një problem që vështirë mund të zgjidhet në një të ardhme të afërt. Ndërkohë, me tendencë rritjeje është numri i klasave kolektive, gjë që ka ardhur si rrjedhojë e përgjysmimit të popullsisë. Kështu, nëse në fillim të viteve ’90 popullsia e këtij rrethi ishte 52 mijë banorë, tani popullsia ka zbritur në 27 mijë banorë. Në rrethin e Tropojës në këtë vit të ri shkollor hapen 30 shkolla të arsimit 9 vjecar dhe 6 shkolla të arsimit të mesëm me rreth 6200 nxënës gjithsej. Ndërsa do të japin mësim rreth 420 mësues, prej të cilëve 40 parashikohet të jenë pa arsimin përkatës.
Posted on: Wed, 04 Sep 2013 12:25:55 +0000

© 2015