Te nderuar shtetas shqiptare ! Te nderuar ju o njerez qe kuptoni - TopicsExpress



          

Te nderuar shtetas shqiptare ! Te nderuar ju o njerez qe kuptoni sado pak gjuhen shqipe kudo qe ndodheni ne planetin tone toke! Sot , po e vazhdoj Perrallen (bazuar ne ngjarje te jetuara) "Ndertimi i Shtetit Ligjor te se Drejtes ne Shqiperi" me publikimin e Vendimit te Gjykates Kushtetuse te R.SH (publikuar edhe ne media) duke ju dhene mundesine eksperteve e publikut qe nese mundet ti jap pergjigje pyetjeve ne vijim pasi te lexoj kete dokument te Gjykates Kushtetuse te R.Sh . Pyetja Nr.1 . A eshte apo nuk eshte e drejte kushtetuse ne R.Sh ; a)liria e shprehjes, b) e drejta e informimit , c) e drejta e mosdiskriminimt ? Po apo JO ? Pyetja Nr.2. A garantohet zbatimi i kushtetutes edhe nga Gjykata Kushtetuese ne R.Sh? Po apo Jo? Pyetja Nr.3. Nese Gjykata Kushtetuse ne Shqiperi (si shprehet ne rastin tim, ne vendimin ne vijim ) merret thjeshte me procedurat e zbatimit te kushtetutes edhe aspak me deformimin, me moszbatimin, apo me mohimin e te drejtave kushtetuse , pra me shkeljet te konceptuara ne themelin e kushtetutes ; A eshte kjo nje absurditet, sofizem ku Procedura vihet perball themelit si nje relike e vdekur e pa vlere ,? A mundet qe te kete gjykim te drejte kushtetues, kur Procedura shkeputet nga Themeli ne te drejtat Kushtetuse ? Vendim nr. 115 datë 15.10.2012 Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, i përbërë nga: Bashkim Dedja, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese Fatmir Hoxha, Anëtar i “ “ Admir Thanza, Anëtar i “ “ në datën 15.10.2012, mori në shqyrtim paraprak kërkesën me nr. 115 Akti, që i përket: K Ë R K U E S: SHERIF MUÇALLA O B J E K T I: Shpallja antikushtetues i vendimit të Gjykatës së Lartë nr. 00-2012-1417, datë 11.06.2012; i vendimit nr. 921, datë 20.05.2010 të Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimit nr. 3025, datë 15.04.2009 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Detyrimi i Ministrisë së Mbrojtjes për të dëmshpërblyer dëmin moral, dëmin ekzistencial dhe dëmin material të shkaktuar nga ushtrimi antikushtetues prej saj i veprimtarisë administrative ndaj kërkuesit. BAZA LIGJORE: Nenet 15, 18, 22, 23, 44 dhe 131 shkronja “f” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Nenet 28, 29 dhe 30 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”. Nenet 6, 10, 13, 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Nenet 13 dhe 32/a të Kodit të Procedurës Civile. Nenet 608 dhe 625/a të Kodit Civil. Ligji nr. 8503, datë 30.06.1999. Neni 23 i ligjit nr. 9171, datë 22.01.2004. Nenet 116 dhe 117 të ligjit nr. 8485, datë 12.05.1999 “Kodi i Procedurës Administrative”. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, pasi shqyrtoi kërkesën, dokumentet shoqëruese dhe bisedoi çështjen në tërësi, V Ë R E N: I Mbështetur në vendimet gjyqësore bashkëngjitur kërkesës, rezulton se Sherif Muçalla (kërkuesi) ka qenë ushtarak. Me urdhrin nr. 1496, datë 17.06.1997 të Ministrit të Mbrojtjes është vendosur që kërkuesi të trajtohej si oficer rezervë. Kërkuesi vlerëson se largimi i tij nga Forcat e Armatosura është vendosur për shkak të ushtrimit prej tij të lirisë së shprehjes së opinioneve rreth çështjeve ushtarake. Për këtë arsye ai ka kërkuar rikthimin në Forcat e Armatosura duke iu drejtuar shumë institucioneve shtetërore, ndër të cilave edhe Ministrisë së Mbrojtjes (subjekti i interesuar) e cila i është përgjigjur negativisht duke arsyetuar se rikthimi i tij është i mundur vetëm nëse ka shtesa në numrin e personelit të Forcave të Armatosura ose kur bëhet mobilizimi i pjesshëm apo i përgjithshëm. Përndryshe, ai nuk mund të rikthehet për shkak se Forcat e Armatosura janë në proces ristrukturimi dhe zvogëlimi të numrit të personelit. Kërkuesi i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me një padi me objekt shpërblim dëmi moral, shpërblim dëmi për mohimin e të drejtës së pensionit, njohje vjetërsie karriere ushtarake duke paguar pagën, fitimin e munguar dhe pensionin e parakohshëm të ushtarakut. Me vendimin nr. 3025, datë 15.04.2009, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi, ndër të tjera, rrëzimin e padisë. Për shfuqizimin e vendimit të mësipërm kërkuesi i është drejtuar me ankim Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila, me vendimin nr. 921, datë 20.05.2010, vendosi lënien në fuqi të tij. Brenda afateve ligjore kërkuesi paraqiti rekurs pranë Gjykatës së Lartë, Kolegji Civil i së cilës, në Dhomën e Këshillimit, me vendimin nr. 00-2012-1417, datë 11.06.2012 vendosi mospranimin e tij për shkak se nuk përmban shkaqe nga ato që parashikon neni 472 i Kodit të Procedurës Civile. II Kërkuesi pretendon se vendimi nr. 00-2012-1417, datë 11.06.2012 i Gjykatës së Lartë, vendimi nr. 921, datë 20.05.2010 i Gjykatës së Apelit Tiranë dhe vendimi nr. 3025, datë 15.04.2009 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë duhet të shfuqizohen si dhe se ai duhet dëmshpërblyer nga subjekti i interesuar, duke arsyetuar se: i- Gjykatat me gojë, me njëanshmëri, pa prova dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës nuk zgjidhën konfliktin mbi ushtrimin legjitim nga ana e kërkuesit të të drejtave të tij kushtetuese si liria e shprehjes, e drejta e informimit dhe e drejta për mosdiskriminim. ii- Kërkuesit i është cenuar dinjiteti njerëzor, duke u diskriminuar nëpërmjet veprimeve antikushtetuese me qëllim mohimin e ushtrimit të profesionit për shkak të opinioneve të shprehura prej tij. iii- Kërkuesit i është cenuar e drejta për t’u informuar për dokumente të personave publikë që kanë të bëjnë me interesat e tij jetike, duke shkelur nenet 18 dhe 23 të Kushtetutës si dhe nenet 10, 13, 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. iv- Gjykatat nuk kanë bërë një vlerësim ligjor dhe të drejtë të provave të paraqitura nga kërkuesi. v- Kërkuesit i është mohuar e drejta për të mos u diskriminuar për shkak se rreth 610 ish- ushtarakë janë kthyer në detyrë, ndërsa ai ende jo. vi- Veprimet antikushtetuese të subjektit të interesuar i kanë shkaktuar kërkuesit një dëm të rëndë material dhe ekzistencial. vii- Gjykatat gabohen kur vlerësojnë se kërkuesi duhet të kërkojë pavlefshmërinë e urdhrave të ministrit me anë të të cilave ai është nxjerrë në rezervë, pasi këto urdhra janë absolutisht të pavlefshme. viii- Gjykatat kanë keqzbatuar nenin 23 të ligjit nr. 9171, datë 22.01.2004 “Për karrierën dhe gradat e ushtarakut të Forcave të Armatosura”, nenin 44 të Kushtetutës dhe nenet 116 dhe 117 të Kodit të Procedurës Administrative. III Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, në zbatim të nenit 31 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, gjatë shqyrtimit paraprak të kërkesës së individëve duhet të vlerësojë nëse kërkesa është paraqitur nga një subjekt që legjitimohet dhe nëse ajo është në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese. Kolegji vlerëson se pretendimet e kërkuesit nuk janë në kompetencë të Gjykatës Kushtetuese. Kolegji rithekson se në zbatim të nenit 131, shkronja “f” të Kushtetutës “Gjykata Kushtetuese vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor”. Kolegji vlerëson se pretendimet e kërkuesit nuk janë të natyrës kushtetuese të procesit të rregullt ligjor, por i takojnë themelit të çështjes. Kolegji vlerëson se nëse kërkuesi vërtet është përjashtuar nga puna për shkak të ushtrimit prej tij të lirisë së shprehjes, nëse kërkuesit vërtet i është cenuar e drejta e profesionit, e drejta e informimit apo e drejta për të mos u diskriminuar si dhe vlerësimi nëse gjykatat kanë zbatuar drejt ligjet, janë çështje që i takojnë themelit të gjykimit dhe jo aspekteve procedurale që përfshihen në standardet kushtetuese të procesit të rregullt ligjor. Në këto rrethana, Kolegji vlerëson se kërkuesi, në pretendimet e tij, nuk ngre cenimin e asnjë standardi kushtetues të procesit të rregullt ligjor. Për sa më sipër, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese arrin në përfundimin se pretendimet e parashtruara në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese nuk janë në kompetencë të kësaj Gjykate. Prandaj, në këto rrethana, kërkesa nuk mund të pranohet për gjykim në seancë plenare. PËR KËTO ARSYE, Kolegji i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në bazë të nenit 31 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, V E N D O S I: Moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare.
Posted on: Fri, 05 Jul 2013 13:10:56 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015