Tezat e lashtësisë së shqiponjës dykrenare, emblemë dhe - TopicsExpress



          

Tezat e lashtësisë së shqiponjës dykrenare, emblemë dhe simbol i Flamurit të kombi tonë, ka më shumë se dy shekuj që është vënë në qendër të vëmendjes së dijetarëve të huaj dhe shqiptarë. Kësaj teme i kushtohet studimi i autorit Jaho Brahaj, i njohur në fushën e heraldikës dhe të studimeve të historisë dhe kulturës të mesjetës shqiptare. Ky studim me vlera shkencore është i pari i këtij lloji që ndërmerr një trajtim kaq të hollësishëm të kultit të shqiponjës, simbolit të Flamurit tonë Kombëtar, duke e parë në këndvështrimin e disiplinave të ndryshme shkencore si mitologjia, etnologjia etj, çka hedh dritë jo vetëm mbi lashtësinë e emblemës së flamurit kombëtar, por edhe ndriçon problemin e etnogjenezës së popullit tonë, duke hapur shtigje të reja për hulumtime të mëtejshme. Është e para herë që në librin “Flamuri i Kombit Shqiptar” shpjegohet në bazë të hulumtimeve të suksesshme, të bazuara në materiale konkrete arkeologjike e etnologjike, se cila është zanafilla e shqiponjës dykrenare, motiv që kombi ynë e ka edhe simbol të flamurit që prej pesë shekujsh. Studiuesi Jaho Brahaj shpjegon enigmën e zanafillës së shqiponjës dykrenare, e cila është trashëguar nga kohët e hershme bashkë, me besimet dhe kultin e këtij shpendi. Studimi monografik “Flamuri i Kombit Shqiptar” është mbështetur kryesisht në strukturat shpirtërore e materiale të krijuara ndër mijëvjeçarë nga populli ynë dhe të ruajtura, të trashëguara e të dokumentuara nga kultura materiale: në hajmali, ornamente, në qëndisma, tekstile popullore, stoli metalike, gdhendje në gur, në dru etj. Hulumtimi i autorit për këtë monografi përfshin gjithë trashëgiminë e objekteve arkeologjike me këtë temë, të ruajtura në truallin ballkanik e të botuara nga studiuesit tanë e të huaj dhe po ashtu trashëgiminë shpirtërore të ruajtur nga popullsia jonë, në të gjitha trevat ku jetojnë shqiptarët. Mbi autorin Ka botuar artikuj dhe studime në shtypin periodik e shkencor dhe ka kumtuar në aktivitete shkencore brenda dhe jashtë atdheut. Libra mononografik të botuar: - Il primo Albanese d’Italia, Brindizi 1995 - Emblema Shqiptare-Gjurmime heraldike, 1997 - Kurora Mbretërore Shqiptare 1998. - Kronikë e Derës së Gjon Buzukut, 2005 - Shkrime për Gjeçovin – artikuj dhe studime, 2009. Është fitues i çmimit për librin shkencoro-historik të dhënë nga Akademia e Shkencave dhe Ministria e Kulturës, Tiranë në vitin 1997, për botimet historike të periudhës 1992-1997. Ka përgatitur dhe botuar nga trashëgimia e mbetur në dorëshkrim të Shtjefën Gjeçovit, vëllimet: - Shtyllat e Kombit, publicistikë - Mnera e Prezë- Tomor e Pashtrik Përpiquni, vëllim poetik. - Shqyptari Ngadhnjyes, dramë.
Posted on: Mon, 25 Nov 2013 08:28:55 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015