Veç Rilindje s’mund të jetë ARTAN HOXHA FJALIM E PROGRAM SI - TopicsExpress



          

Veç Rilindje s’mund të jetë ARTAN HOXHA FJALIM E PROGRAM SI PARA 23 QERSHORIT Fjalimi i Edi Ramës, Kryeministër i dekretuar, të mërkurën në Kuvend, besoj se është pritur me interes të madh nga shumë shqiptarë. Nga një anë steka e lartë e premtimeve të shumta elektorale të tij që, së bashku, portretizojnë Shqipërinë e Rilindur dhe, nga ana tjetër, mungesa dhe/ose varfëria e argumenteve, aksioneve, burimeve financiare dhe fazave kohore të realizimit të tyre, s’kish se si të mos nxiste interesin për fjalimin e tij te qytetarët e thjeshtë, të cilët, në pjesën më të madhe, nuk kanë as mundësinë e as kohën të lexojnë programin zyrtar të qeverisë së Edi Ramës e ndaj, përmes fjalimit, shqiptarët e interesuar e të arsyeshëm, majtas, djathtas, në qendër të politikës a larg saj, prisnin përgjigjet për pyetjet e shtruara mbi premtimet e tij elektorale. Kjo vlen edhe për ata që patën mundësinë ta lexonin paraprakisht programin zyrtar të depozituar në Kuvend, i cili, njësoj si programi elektoral, nuk iu përgjigjet pyetjeve “Si?”; “Me çfarë?”; “Kur?”, por edhe fjalimi i Edi Ramës, që kërkonte durim për t’u dëgjuar deri në fund, dështoi t’u përgjigjej këtyre pyetjeve dhe duhet të ketë zhgënjyer pritshmërinë e të arsyeshmëve, të cilët dëgjuan dhe/ose lexuan po ato që kishin dëgjuar e lexuar me dhjetëra herë para 23 qershorit. Njëkohësisht, ama, këtu duhet pranuar se dyshimi paraprak se programi i qeverise do të përfshinte një revizionim thelbësor të premtimeve të fushatës Rilindëse, dyshim që u ngrit gjatë dy muajve verorë, nuk u vërtetua. Premtimet më kryesore e më të bujshme të Edi Ramës, si p.sh. lidhur me rritjen neto të punësimit me 300 mijë vende, shëndetësinë pa sigurime shëndetësore, heqjen e taksës së biznesit të vogël dhe uljen e tatimit të fitimit mbi këtë biznes, tatimi progresiv mbi të ardhurat individuale, legalizimet falas, përsëriten si në program, edhe në fjalim. Gjithsesi, mbetet për t’u parë lidhur me premtime të tjera më pak të bujshme, por jo më pak të rëndësishme, si p.sh. premtimet elektorale me shifra konkrete për pagat e policisë, që nuk përmenden fare në program, apo një qëndrim tejet të fortë kundër rritjes së borxhit dhe deficitit ndërkohë që në program fryma duket mjaft më e zbutur. Premtimet elektorale nuk janë vetëm ato të shkruara në programin elektoral, por edhe të tjera të përmendura pa doganë nga Edi Rama gjatë turneut të tij elektoral, të gjitha të regjistruara mjaft mirë nga opozita dhe media, mbajtja e të cilave në fuqi apo braktisja e tyre nga qeveria do të sqarohet, deri diku, përmes debatit parlamentar, si p.sh. rasti i Ministrisë së Emigracionit që Edi Rama, pas zgjedhjeve, e mohoi ta kishte premtuar dhe mediat ia nxorën se e kishte premtuar në një takim me emigrantet në Greqi. Po kështu do të sqarohet edhe se disa premtime të programit janë tashmë të realizuara nga qeveria e mëparshme. Një tjetër pyetje legjitime që priste të sqarohej si nga programi, ashtu edhe nga fjalimi, ishte ajo mbi çështjet, masën dhe mënyrën e harmonizimit të programit elektoral Rilindës dhe atij të LSI. Çdokujt me mend në kokë i ra qartë në sy diferenca e theksuar programore e dy forcave politike aleate gjatë fushatës, aq sa edhe vetë Edi Rama, i ndërgjegjshëm me sa duket për këtë diferencë, deklaroi me kënaqësi, fill pas mbledhjes së dytë formale të ministrave informalë, në fillim të shtatorit në Shkodër, se dy programet e dy forcave aleate të kësaj qeverie ishin harmonizuar. Më shumë se sa programi zyrtar, fjalimi i Edi Ramës do të duhej të kishte sqaruar fushat a çështjet e harmonizuara, si ishin harmonizuar, sa ishin harmonizuar. Ekspertët edhe mund ta bëjnë analizën për hesap të vet e të arrijnë në konkluzione, por qytetarët kanë të drejtën të sqarohen drejtpërdrejt nga liderët, dhe këta kanë detyrën ta bëjnë këtë. Fjalimi i Edi Ramës jo vetëm që nuk sqaroi e nuk vërtetoi harmonizimin, por përkundrazi, fjalimi i tij, në përmbajtje e fokus, theks, ton, figurë letrare e frymë, tregon qartë hendekun ende të gjerë mes tij dhe Ilir Metës, fjalimi i të cilit, ashtu si edhe para zgjedhjeve, as nxinte të kaluarën dhe as premtonte Rilindjen. KRAHASIME ME TRADITEN POLITIKE Qoftë fjalimi, qoftë programi, veç e tok, ranë nën nivelin e krijuar tashmë nga eksperienca dhe zakoni politik në momentet e ngjashme. Asnjëherë më parë programi i një qeverie të re nuk ka qenë kaq i pasur me premtime dhe kaq i varfër në argumente, aksione, mjete, burime, etapa dhe afate kohore. S’ka ndodhur as me qeverinë “Nano”, “Bufi” apo “Ahmeti” në 1991-shin, as në atë “Meksi”, 1992 e 1996, “Nano” 1997, “Majko” 1998, “Meta” 1999, “Meta” 2001, “Majko” 2002, “Nano” 2002, “Berisha” 2005 apo “Berisha- Meta” 2009. Sa për krahasim, në rrethana të ngjashme të rotacionit të pushtetit në vitin 2005, programi i qeverisë “Berisha” shtjellonte një pjesë të mirë të premtimeve përmes treguesve sasiorë, të mbështetur me bashkësi të mirëlidhura aksionesh, burimesh të shprehura në sasi, me numra e raporte, afate kohore të ndërmjetme dhe finale. Programi kishte objektivat dhe/ose aksionet në 100 ditët e para, si dhe ato për vitin e parë qeverisës 2006. Programi ishte punuar gjatë dhe me kujdes, sa në fund ai edhe u përkthye në anglisht dhe iu shpërnda institucioneve ndërkombëtare në këtë gjuhë të nesërmen e ditës që u depozitua në Kuvend. Programi i qeverisë “Rama” 2013, pas 8 vitesh në opozitë – njësoj si demokratët në 2005-n – pas një kongresi Rilindës në tetor 2011, dy konventave elektorale në shkurt e maj 2013, dy mbledhjeve formale të ministrave informalë në Vlorë e Shkodër e pas trumbetimit të 100 e 300 ditëve nga Edi Rama, i mungojnë këto dy kapituj e në vend të tyre gjendet kapitulli i biografisë së ministrave. Asnjëherë fjalimi i Kryeministrit të dekretuar në momentet e rotacionit politik nuk ka qenë i këtillë si ky i Edi Ramës. Teksti dhe koha janë përdorur më shumë për të shtjelluar e argumentuar programin e qeverisë, për të ndriçuar pjesët e rëndësishme, e pra, duke iu kthyer përgjigje, sa më shumë të ishte e mundur, pyetjeve të shqiptarëve. Natyrisht që ish-qeveria është anatemuar rëndë e ashpër nga qeveria e re, e shkuara është nxirë sipas qejfit, por kjo nuk ka zënë aq shumë pjesë, as të tekstit dhe as të kohës së fjalimit. Në fjalimin e tij, ndryshe nga çdo rast i mëparshëm, përfshirë Sali Berishën 2005, Edi Rama u mor vetëm me nxirjen e së shkuarës, njësoj siç bëri para 23 qershorit dhe po njësoj si para 23 qershorit, riprodhoi të njëjtin vizatim shumëngjyrësh, por abstrakt, të së ardhmes Rilindëse. Nëse vetëm mungesa e fjalëve të pështira është kushti i mjaftueshëm për një standard të ri të ashtuquajtur Rilindës, kjo nuk mjafton, aq më shumë që, ndërsa nuk i përdor vetë, gojështhururit as kanë reshtur ndonjëherë dje në opozitë e duket që nuk do rreshtin as nesër në maxhorancë. Këtyre iu është ngarkuar detyra e pështirë e përdorimit të fjalëve të pështira, që ndoshta e bëjnë me qejf, në mënyrë që të vezullojë ca më shumë nobiliteti i kryetarit tashmë Kryeministër, i cili, ndërsa nuk përdor fjalë të pështira, s’lë metaforë, epitet, alegori negative pa përdorur për kundërshtarin, aq sa edhe studimi i fondacionit dashamirës “Soros” ca kohë më parë e vlerësonte tri herë më negativ në llafosje ndaj kundërshtarit se kundërshtari ndaj tij. OPOZITA LARGOHET NGA SALLA E KUVENDIT Kur ishte konsumuar rreth një e treta e fjalimit nga Edi Rama, Sali Berisha dhe demokratët u larguan nga salla. Majtas u rrekën të argumentonin se largimi lidhej me akuzat e forta të Edi Ramës e se kjo tregonte se opozita demokrate do të jetë emocionale dhe destruktive. Demokratët argumentuan se largimi i tyre kishte për qëllim të tërhiqte vëmendjen ndaj fjalimit e Kryeministrit, që veç me shtjellimin e programit nuk u mor. Afërmendsh që edhe demokratët, ndoshta më shumë se çdokush tjetër, kishin e kanë pyetje legjitime, përgjigjet e të cilave nuk i gjenin te programi e nuk po i merrnin as nga fjalimi i Kryeministrit. Përvoja politike i mjafton që, për aq sa dëgjuan, të kuptonin se si do të përfundonte dhe parashikimi i tyre u vërtetua, ndaj dhe ishte e pakuptimtë ta dëgjonin më kot deri në fund e duhej të reagonin o me metoda të njohura parlamentare në sallën e Kuvendit, o me largim. Zgjodhën të dytën, pa ia ndërprerë a zhurmuar leximin Kryeministrit të vetëkënaqur. Sa për akuzat, nxirjen e së shkuarës e të tjera si këto si shkak emocional i largimit, një pretendim i këtillë do të ishte i pakuptimtë. Pas një përvoje kaq të gjatë në qeveri dhe opozitë e pas shumë sprovave edhe më të rënda se kjo, Sali Berishën nuk e sundojnë emocionet dhe instinktet. Largimi, krahas tërheqjes së vëmendjes për llojin e fjalimit, kishte të bënte edhe me tërheqjen e vëmendjes mbi arrogancën e mundshme të maxhorancës së re, që i dha shenjat që gjatë verës, si dhe në dy ditët e para të Kuvendit lidhur me afatin e fillimit të diskutimeve nga momenti i marrjes së programit, krahas asaj të shfaqur në fjalimin e Edi Ramës. Ndaj, veprimi i opozitës demokrate nuk ngjan aspak me bojkotin për motive të dobëta dhe interesa të ngushta politike, të stërzgjatur e të dëmshëm, si ai i opozitës socialiste. Aq më shumë që demokratët, drejt së njëjtës ditë të prezantimit të programit, shkuan me sjellje konstruktive, demonstruar kjo edhe nga vetë demokratët që, duke mirëkuptuar axhendën ndërkombëtare të Kryeministrit, kërkuan veç kohën minimale të domosdoshme për t’u përgatitur për debatin parlamentar edhe nga dekretimi në kohë rekord të Kryeministrit dhe ministrave nga Presidenti Bujar Nishani, që socialistët e kanë quajtur një ministër më shumë në qeverinë e Sali Berishës dhe parashikuan vonesën e tij dekretuese. A MUND TE JETE KJO RILINDJE? Ndërsa premton përgjegjshmëri më të lartë qeverisëse, Edi Rama nuk bëri as minimumin e domosdoshëm: t’u kthente përgjigje, me program e fjalim, pyetjeve legjitime të shqiptarëve e të shuante, qoftë dhe pjesërisht, dyshimet e arsyeshme mbi premtimet lumëshumë të tij. Ai kërkoi ta besonim qorrazi për katër vite se në fund do të prekim me dorë mrekullinë. Këtë besim të verbër as të vetëve, aty në rrethin e ngushte partiak, s’duhet t’ua kërkojë, e jo më shqiptarëve në tërësi, qoftë atyre një milion që i dhanë votën atij dhe Ilir Metës, qoftë atyre 700 mijë që nuk ua dhanë pasi ata kanë të drejte dhe ai ka detyrimin t’u shpjegojë çdo ditë ç’po bën, si po e bën, çfarë po shpenzon, ç’ka arritur, ndryshe demokracia e tij e përditshme do ishte veç demagogji e përditshme. Këtë nuk e bëri ditën e parë as me shqiptarët dhe as me opozitën, ndaj, kjo ditë veç Rilindje s’mund të sjellë. Edi Rama premtoi qëndrim të ri ndaj opozitës, ndërsa nuk u ngrit as edhe në nivelin modest të traditës së krijuar mbi programet dhe fjalimet qeveritare dhe të kohës në dispozicion për opozitën dhe publikun për t’u njohur me programin, kohë që e dha më pas o se ia kërkoi Ilir Meta, o se mendoi se Presidenti mund t’ia vononte disa orë a ndonjë ditë dekretimin e ministrave, a për të dyja arsyet bashkë, ndaj edhe kjo tolerancë e dhënë nën trysni, veç Rilindje s’mund të jetë, ndërsa mund të jetë inercia e ekstremizmit të katër viteve të fundit dhe/ose taktika e nxitjes së konfliktit përmes të cilit ose rreket të mbulohen dështimet e mundshme dhe/ ose rreket të ngjishen radhët ende të shkrifëta të kësaj maxhorance, e ardhmja e së cilës, pavarësisht periudhës së tanishme të mjaltit, nuk është pa pikëpyetje.
Posted on: Mon, 16 Sep 2013 18:10:13 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015