Zbardhen vendet e para të punës, për të cilat qeveria shpalli - TopicsExpress



          

Zbardhen vendet e para të punës, për të cilat qeveria shpalli një ditë më parë hapjen e konkurseve. 5 vende të reja pune hapen nga Agjencia Kombëtare e Shërbimit të Informacionit, siç njoftoi edhe ministrja e Inovacionit dhe Administratës Publike, Milena Harito. Në këtë agjenci janë hapur vende për dy drejtorë: Drejtor i Drejtorisë së Sistemeve e-Gov; dhe Përgjegjës i Sektorit të Administrimit të Rrjetit GovNet në Drejtorinë e Sistemeve e-Gov. Dhe po kështu është i lirë vendi për një Përgjegjës të Sektorit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare në Drejtorinë e Komunikimeve Elektronike e Postare. Agjencia kërkon edhe dy specialistë, një specialist në Sektorin e Aplikimeve e-Gov në Drejtorinë e Sistemeve e-Gov dhe një në Sektorin e Koordinimit të Projekteve në Drejtorinë e Koordinimit të Projekteve dhe Databazave. Për këtë kategori postesh kërkohet që personi të ketë mbaruar arsimin e lartë për Inxhinieri Elektronike, Telekomunikacion, Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit (TIK) dhe në fusha të tjera të ngjashme. Përbën avantazh eksperienca në punë në administrimin e infrastrukturës dhe aplikacioneve në fushën e TIK. Nga ana tjetër, konkurset janë shpallur prej ditësh nga Ministria e Kulturës, për vendet e Drejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve, Cirkut Kombëtar, Institutit të Monumenteve të Kulturës, Qendrës Kombëtare Kulturore të Fëmijëve, Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Në faqen e saj zyrtare, Ministria e Kulturës ka publikuar edhe kriteret që duhet të plotësojnë të interesuarit. Kështu, një person, që të mund të fitojë postin e Drejtorit të Cirkut Kombëtar, duhet që të ketë arsim, formim profesional të fushës ose në menaxhim; Përvojë jo më pak se 5 vjet në drejtim, organizim dhe menaxhim të institucioneve/projekteve kulturore, artistike; aftësi të shprehura për kreativitet dhe nisma reformuese; Aftësi komunikimi. Pak a shumë pothuajse të njëjtat kritere kërkohen edhe për postet e tjera. Dokumentet duhet të dorëzohen brenda datës 25 tetor, pranë Zyrës së Protokollit ne Ministrinë e Kulturës. Kjo ministri kërkon të punësojë po me konkurs edhe një koordinator projekti me kohë të plotë, për Parkun e Butrintit, një Asistent Koordinator Projekti, me kohë të plotë, punë që zgjat deri në fund të muajit gusht 2015, si edhe një oficer finance.
Posted on: Sun, 20 Oct 2013 06:54:25 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015