Zgjedhjet në PD si moment historik Nga Nebil ÇIKA Zgjedhjet - TopicsExpress



          

Zgjedhjet në PD si moment historik Nga Nebil ÇIKA Zgjedhjet për kryetarin e ri të PD-së pas dorëheqjes së liderit historik të kësaj partie Sali Berisha kanë tërhequr vëmendjen opinionit publik shqiptar më shumë sesa pritej, aq sa ka lënë në hije zhvillimet në kampin e majtë, qeverinë e re që pritet të dalë prej tij. Duhet thënë se zhvillimet në PD gjithnjë kanë tërhequr vëmendjen e shqiptarëve që nga themelimi i saj në vitin 1990, por kjo garë për kryetarin e ri të saj përbën një evenimet me të vërtetë historik. Zgjedhja e re e kryetarit të PD-së pas një drejtimi 23-vjeçar nga Sali Berisha përbën një eveniment historik për disa arsye dhe jo vetëm për PD-në, anëtarët dhe elektoratin e saj. Partia Demokratike, e para forcë politike opozitare me komunizmin në Shqipëri, lindi në kushte të vështira politike, ekonomike e shoqërore, madje mund të themi se ishte mundësia maksimale e një opozite antikomuniste në ato kushte. E paqartë politikisht, pa një filozofi politike të përcaktuar, me elita pa ndonjë lidhje apo formim politik të djathtë, PD-ja erdhi në arenën politike shqiptare si përfaqësuese e zemërimit popullor dhe reagimit ndaj degradimit dhe prekjes së fundit prej regjimit më kriminal të Europës. Zyrtarisht PD-ja është konsideruar si parti e lëvizjes studentore, gjë që është vënë në dyshim shumë herë gjatë analizave apo studimeve që i janë bërë kësaj partie dhe historisë politike të saj. Në fakt, edhe lëvizja studentore e dhjetorit 1990 ishte kulmi apo masivizimi i lëvizjes antikomuniste që kishte nisur në Shqipëri bashkë me instalimin e komunizmit në vitin 1944. Në kohën e lëvizjes studentore Shqipëria numëronte disa herë më shumë të burgosur politikë sesa studentë, por kushtet politike e ndoshta edhe interesat e kasës sunduese të komunizmit stimuluan një lëvizje të studentëve, që në masë, me përjashtime të rralla, vinin nga familje të konsideruara politikisht si mbështetëse të komunizmit dhe të diktaturës e tij, një llogari kjo e deklaruar në njëfarë mënyre edhe nga diktatori i fundit, Ramiz Alia. “Baballarët e tyre i kemi vrarë për 50 vjet”, – u thotë ai anëtarëve të Byrosë Politike në një fjalim për lëvizjen studentore dhe pluralizmin politik në vitin 1990, duke treguar me gisht armikun e vërtetë se sipas tij nuk ishin studentët, por të përndjekurit politikë dhe pronarët ajo që në terminologjinë komuniste quhej “klasa e përmbysur”. Në një intervistë botuar nga gazetarja Luljeta Progni në librin e saj “Trashëgimtarët” Spiro Dede, ish-drejtues i lartë komunist, kryeredaktor i atëhershëm i “Zërit të popullit”, thotë se pas një takimi të tij me krerët e protestave studentore me porosi të Ramiz Alisë “e garantova atë se ata ishin djemtë tanë dhe prej tyre nuk na vinte asnjë rrezik”. Fatos Lubonja, një ish-bllokmen, njëherazi edhe një ish-i burgosur politik, në librin e tij “Ridënimi” thotë se një pjesë të mirë të intelektualëve i çoi te lëvizja e studentore e për rrjedhojë edhe te PD-ja Sigurimi i Shtetit, konstatim ky pjesërisht i vërtetuar në këta 23 vjet të ekzistencës së PD-së. Ka edhe dhjetëra fakte të tjera që vërtetojnë kushtet dhe situatën në të cilën u themelua e u formatua politikisht PD-ja, por këto që thashë besoj se janë mjaft për të krijuar një ide për atë fillim të vështirë, të paqartë dhe të dyshimtë të së parës opozitë zyrtare antikomuniste. Kalimi i stafetës nga studentët tek intelektualët ishte një zhvillim normal dhe planifikimi apo përdorimi i këtij procesi nga kupola komuniste apo institucionet e saj të dhunës, një gjë pothuaj e pashmangshme. Nga i gjithë grupi më i besuari, por edhe më i përshtatshmi për shumë arsye ishte Sali Berisha. I krahasuar me Gramoz Pashkon dhe intelektualë të tjerë të afruar apo të dërguar te lëvizja studentore ai ishte më pak i komprometuari me PPSH-në nga origjina dhe karriera në këtë parti, por dhe më i pastri moralisht e më i formuari itelektualisht. Mendoj se në kushtet që përmenda më lart Sali Berisha ishte mundësia më e mirë e mundshme për të drejtuar PD-në dhe opozitën e parë zyrtare antikomuniste në Shqipëri. Sigurisht që askush, besoj as Ramiz Alia, e sigurisht edhe kundërshtarët realë e historikë të komunizmit nuk e kishin parashikuar që PD-ja e drejtuar prej tij dhe ai personalisht do të jetonin kaq gjatë e do të dominonin politikën shqiptare për 23 vjet rresht. Fakti që PD-ja është e vetmja forcë politike postkomuniste ende aktive në politikë dhe Berisha i vetmi lider postkomunist politikisht më këmbë në të gjithë Europën ish-komuniste flet për kushte të jashtëzakonshme e specifike të zhvillimeve politike në Shqipëri, gjë që e ka bërë atë një përjashtim nga rregulli, që Shqipëria e ka manifestuar në çdo zhvillim politik që nga pavarësia e saj e deri më sot. Për shkak të kushteve të pafavorshme historike zhvillimet e brendshme në Shqipëri janë përcaktuar kurdo nga zhvillimet ndërkombëtare, që, për fat të keq, në shumicën e rasteve kanë qëlluar negative për interesat tona kombëtare e shoqërore. Ndarja e shqiptarëve në disa shtete në fillim të shekullit të 20-të solli zhvillime negative në politikat tona të brendshme, që janë detyrimisht të cunguara, të paplota e shpeshherë të orientuara kundër vetes, një skemë politike jashtë së cilës nuk mund të dilte e nuk mund të dalë ende edhe PD-ja e lidershipi i saj. Një komb si shqiptarët me çështjen kombëtare ende të pazgjidhur e ka të vështire t’u japë përparësi zhvillimeve të brendshme, që shpeshherë ndikohen e diktohen nga çështja e madhe e pazgjidhur ende. Falë këtyre kushteve historike, në mënyrë të veçantë çështja e Kosovës dhe rrjedhojat e saj në Shqipëri, si ngjarjet e vitit 1997 etj., por dhe aftësive personale të z. Berisha PD-ja ia arriti të mbijetonte politikisht me sukses deri tani, duke tejkaluar edhe parashikimet e ndoshta edhe projektet e skemat e atyre që lejuan e ndoshta edhe mundësuan lindjen dhe misionin e saj. Sido që të ketë qenë puna. z. Berisha ia doli të bëjë diferencën me homologët e tij të Europës ish-komuniste duke u përshtatur dhe shfrytëzuar më së miri kushtet komuniste e postkomuniste të vendit, por dhe falë aftësive të tij intelektuale, duke u imponuar 23 vjet në politikë, 15 prej të cilëve në pushtet, një bilanc që do ta kishte zili çdo politikan në një sistem demokratik. Sigurisht që kjo situatë favorizoi një PD, sipas Berishës, e pandryshuar në koncepte, me filozofi politike dhe organizim që nga viti 1991, por ruajti staniacionin dhe e la vendin pa një të djathtë të mirëfilltë me gjithë domosdoshmërinë historike të rikrijimit të saj në Shqipërinë e qeverisur nga e majta që nga viti 1944. Mendoj se pamundësia e PD-së për t’u ndryshuar, transformuar e rreshtuar politikisht që nga themelimi e deri më sot e nxori atë jashtë kohe dhe ishte edhe arsye parësore e humbjes së zgjedhjeve prej saj, gjithashtu edhe arsyeja kryesore që i bën zgjedhjet për liderin e ri një eveniment të rëndësishëm historik jo vetëm për PD-në dhe elektoratin fanatik të saj. Midis vazhdimësisë vetëvrasëse dhe ndryshimit të mbijetesës Siç thashë më lartë, z. Berisha shënoi një rekord politik, duke e sjellë deri këtu këtë parti, që mund të thuash se është identifikuar deri diku me emrin e tij. Kurrë politika e rregullat e saj në PD nuk janë përcaktuar nga statute e ligje, por nga vullneti politik, dëshirat dhe skenarët e Sali Berishës. Shumë e kanë kritikuar këtë mënyrë funksionimi të PD-së, por unë i jap të drejtë z. Berisha, pa i hyrë analizës, vetëm prej faktit që arriti jo vetëm ta mbante gjallë PD-në, por edhe për më shumë se gjysmën e jetës së saj të deritanishme në pushtet. Kjo mjafton që të gjithë kritikët të heshtin, pasi suksesi personal në politikë ka një njësi matëse të pakontestueshme nga askush, që është pushteti. 15 nga 23 vjet në pushtet është pa dyshim një rekord dhe njëherazi edhe drita jeshile që Berisha të hyjë në histori, por pyetja që shtrohet sot nuk ka të bëjë me Berishën, por me (pa)mundësinë e PD-së për të jetuar e kthyer në pushtet pas dorëheqjes së tij. Sigurisht, nuk hyj tek ata që qajnë për ikjen e Berishës, përkundrazi, e vlerësoj veprimin e tij të shpejtë e të guximshëm si një nga vendimet më të mëdha të tij në ndihmë të PD-së , strukturës dhe elektoratit të saj e ndoshta edhe për krejt të djathtën shqiptare. Por siç thamë, largimi i Berishës nga lidershipi është vetëm një shans, vetëm një mundësi për të mbajtur në jetë një strukturë politike të planifikuar e përgatitur për t’u shembur nga themeli pas përfundimit të misionit të saj, si simotrat në Europën ish-komuniste. Besoj se gara në PD nuk është vetëm një garë individësh. Sigurisht që gara reale që po zhvillohet midis Olldashit e Bashës është një shenjë domethënëse zhvillimi në një PD ku do të mund të imponohej politikisht jo vetëm z. Berisha, por të gjitha strukturat e përfaqësuesit e saj, përfshirë edhe zotërinjtë që janë në garë. Vetë gara (nëse do të jetë e tillë deri në fund) mund të shihet si shkëndija shprese për të filluar një proces shpëtimi, që do të shënonte një tjetër rekord ndërkombëtar të PD-së. A mund të jetë PD-ja një rast unikal apo një përjashtim nga rregulli në të gjithë Europën ish-komuniste? Unë shpresoj se po. Kur mbijetoi 23 vjet, pse të mos vazhdojë edhe më? Sigurisht që ringritja politike ka më vështirësi se sa vazhdimësia 23 vjeccare e Berishës. Duket se PD-së ka vetëm një mundësi mbijetese: ndryshimin. Jo makijazh politik, por një ndryshim të plotë, të përshtatur me interesat e elektoratit, zhvillimeve politike, shoqërore e ekonomike të vendit dhe veçanërisht të mungesës së Berishës dhe filozofisë së metodave politike e organizative të tij. Votimi “një anëtar, një votë” po e çon drejt një PD-je me rregulla loje e demokraci të brendshme, gjë që pritet (përveç liderit dhe strukturave) të përcaktojë edhe filozofinë e politikën e re të PD-së. Nëse kjo demokraci e brendshme do të lejohet të funksionojë, gjë që besoj se është jetike për mbijetesën e PD-së, besoj se PD-ja do të jetë e detyruar të kthehet djathtas, si vullnet i shumicës militante e elektorale të saj. Gara midis Olldashit dhe Bashës nuk është vetëm një çështje emrash, por garë e mundësisë së fituesit për të bërë historinë. Nëse Berisha e nisi garën e tij me PPSH-në dhe diktaturën e saj, kryetari i ri ka kundërshtarë e kushte të tjera, politikisht shumë më të vështira se të atij. Në këta 23 vjet të pluralizmit politik ajo që ka pësuar ndryshim është PS-ja. Nga PP me diktaturën e saj, ekonomi të planifikuar, luftë klasash, me burgje internime e uri, injorancë etj., PS-ja ka evoluar dukshëm e në shumë drejtime, e ndoshta është bërë më kapitaliste se PD-ja. Përveç retorikes antikomuniste, në filozofi e programe nuk mund të gjesh dot ndryshime thelbësore midis dy partive. Dy ndryshimet thelbësore të kësaj fushate elektorale: taksa e sheshtë dhe shëndetësia falas, janë anuluar dhe midis dy kundërshtarëve politikë e ideologjikë nuk gjen dot asnjë ndryshim të qenësishëm. PS-ja, pavarësisht sinqeritetit, ka deklaruar ndryshime të mëdha në retorikën politike, siç janë marrëdhëniet me pronat dhe ish-të përndjekurit politikë apo edhe me çështjen çame etj., gjëra që me PPSH-në e më vonë gjatë konvertimit në socialiste të saj ishin pothuaj tabu. Po ndërsa PS-ja është afruar nga e majta ekstreme drejt një të majte më të pranueshme, PD-ja ka ngelur në vend-numëro, me pak ndryshime nga koha e Ramiz Alisë, kur ajo u krijua. Qëndrimi me pronat dhe ish-të përndjekurit në fund të 23-vjeçarit ishte me farë pak ndryshime nga ai vitit 1991. Kjo politikë bëri që PD-ja të qëndrojë në vend si një parti antikomuniste, por jo e djathtë, ndërkohë që rivalja e saj po i afrohej me shpejtësi atij pozicioni që, në fund të fundit, si e majtë i takonte asaj. Tani mund të themi se në Shqipëri kemi dy apo tri parti të majta, nëse e llogaritim më vete LSI-në, me ndryshime të padukshme filozofike e politike me njëra-tjetrën, dhe pothuaj asnjë të djathtë. Në këtë situatë e vetmja alternativë në dispozicion të lidershipit të ri është kthimi djathtas i PD-së sipas modeleve konservatore e popullore euroatlantike. Nuk është ndonjë filozofi e madhe. Ka projekte të gatshme të ngjashme politike, që i kanë ndërtuar e aplikuar me sukses si në Hungari, Poloni, Çeki etj. Mjafton vetëm guximi për të ndërmarrë një ndryshim të tillë. Kthimi djathtas i PD-së është një domosdoshmëri politike dhe lidhet drejtpërdrejtë me karrierën politike të lidershipit të ri, por dhe me vetë ekzistencën politike e intelektuale të PD-së. Ligje të tilla si lustracioni, kthimi i pronave, zbardhja e krimeve komuniste etj. janë pengesa që nuk mund të shmangen më nga lidershipi i ri, pavarësisht se realizimi i tyre mund të godasë edhe interesa grupesh e individësh brenda PD-së aktuale. Besoj se lideri i ri duhet ta parashikojë edhe reagimin e superstrukturës së vjetër në PD-së dhe jashtë saj, që do të preket detyrimisht nga ndryshimi i domosdoshëm, kapërcimi i të cilit do guxim dhe vendosmëri. Përtej gjithë kësaj në ketë garë shoh shenja që nuk e premtojnë ndryshimin e kërkuar. Angazhimi i personazheve politikisht e më gjerë të diskretituar në stafet apo fushatat e kandidatëve nuk mund të interpretohet si shenjë ndryshimi e për më tepër djathtas, përkundrazi, një PD apo kryetar i saj i kontrolluar apo në shërbim të tyre nuk do të jetë në gjendje të qëndrojë më këmbë. Nuk dua t’u jap mendje kandidatëve për kryetar, pasi me sa i njoh unë e kanë të mjaftueshëm për të kuptuar situatën ku janë e ku mund të mbërrijnë me politikat e tyre, por nuk mund të rri pa u kujtuar se kanë në duar një shans historik për ta, PD-në dhe vendin, shans që arrihet jo duke qarë ikjen e Berishës dhe kohën e tij, por duke mësuar nga përvoja e deritanishme e sidomos duke riparuar gabimet e tij. Raporti me Berishën pritet të jetë një nga vendimet më të rëndësishme të lidershipit të ri, si një raport që pritet me shumë interes nga opinioni kombëtar e ndërkombëtar. Medie, politikanë e analistë të majtë janë përfshirë në një fushatë propagandistike, që synon kryqëzimin politik të Berishës, duke parashikuar, apo më mirë të themi dëshiruar për të një fat si ai i Fatos Nanos te PS-ja. Por unë mendoj se, nëse vërtet fillon të funksionojë si e djathtë, PD-ja nuk mund të aplikojë politika e standarde të tilla. Në të kundërtën, teorisë së “vrasjes së babait”, si filozofi e së majtës, e djathta mbështetet tek tradita dhe funksionon si një familje normale apo tradicionale, ku babai e gjyshi janë njerëzit më të respektuar, edhe pse për shkaqe nga më të ndryshmet kujdesi për familjen nuk është më përgjegjësi e drejtpërdrejtë e tyre. Në këtë këndvështrim edhe respektimi dhe vlerësimi i liderit historik Sali Berisha pritet të jetë një element apo një shenjë e fortë e procesit aq jetik të zhvendosjes së domosdoshme djathtas të lidershipit të ri të PD-së. Me optimizmin tim do të na duhet të presim edhe pak për të parë çka vendosur të bëjë PD-ja dhe lidershipi me mundësinë e vetme në dispozicion për mbijetesë. Le të presim.
Posted on: Fri, 19 Jul 2013 16:20:51 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015