mzot Zef Simoni: E kemi falur komunizmin “Me falë e me - TopicsExpress



          

mzot Zef Simoni: E kemi falur komunizmin “Me falë e me dashtë, ashtu si dhanë shembullin edhe martirët e vërtetë të Krishtërimit shqiptar” Autori i Lajmit: red. Gjatë kohës që kishat ishin të mbylluna, meshtarët që ishin jashtë burgut, celebrojshin meshë fshehtas dhe kryejshin fshehtas shërbime fetare besimtarëve. Mons. Ernest Çoba banonte në shtëpinë e së motrës, shtëpi që ishte si pronë e Sigurimit. Megjithatë, njerëzve që vijshin për ta takue, u jepte sakramende. Kështu bajshin shërbime sa e sa meshtarë, si: Dom Njac Gjoka, Dom Martin Trushi, Dom Mikel Beltoja, Pater Leon Kabashi, Pater Ferdinand Pali, Imzot Gjon Kovaçi, Pader Mëhill Troshani, Dom Kolec Toni, Dom Zef Simoni e të tjerë. Ndihmojshin në dhanien e pagëzimit e në shpërndarjen e kungimit nder të sëmurë motrat Servite e ato Stigmatine. Ishin suor Imelda Gurakuqi, moter Jorgjia Bulgareci, arrestue e dënue 5-vjet, motër Kristina Nogaj e Liliana Radovani, suor Mikelina Demiri, Dava që shkonte ndër burgje për të ndihmue meshtarët, motër Jozefina Koliqi takohej me vajzat e u ngjindte nder kunorët e shejta. Shumë kanë ndihmue edhe civilët në qytete e fshatra. Kështu pohohej me fjalë se populli i ka mbyllë kishat e insitucionet fetare, por me të vërtetë ishte ndryshe. Kremtoheshin Krishtlindjet, Pashkët, kremtime që gjente vetë populli format për t i kujtue. Ndëshkimi i fëmijëve Elementi katolik në përsekutim vuajti shumë. Të rijve e të rejave të aftë e që trashigojshin një farë qytetnimi nga ambientet e tyne, këtyne nuk do t u jepshin bursa për shkolla të nalta e disa që do t i merrshin, nuk do t i kishin për degët kryesore. Fëmijëve të të burgosunve e të reaksionarëve në asnjë mënyrë. Edhe ndër punë katolikët do të ishin ndër të fundit, tue pyetë ata që vijshin të kërkojshin punë si i kishin emnat. Pranë zyreve të gjendjes civile, nuk pranojshin në asnjë mënyrë të vejshin emna katolikë. Për çdo njeri kërkohej biografia e hollësishme, kur ishte fjala për të hy në punë. Vdekja e teologut Me datë 10 shkurt 1974 vdes në Shkodër, në një kolibe, Atë Mark Harapi, profesor i shquem i Aristotelit, i Tomë Akuinatit dhe i dogmatikës në Seminar. Mund të njihet i dyti teolog shqiptar, mbas Imzot Pjetër Bogdanit dhe një përkthyes i aftë, lavrues i gjuhës shqipe. Para se të vdiste, kishte shfaqë dëshirin të vorrosej jo në vorrezat e qytetit, por në ato të Shirokës, prej kah ishte e ku gjindeshin dhe eshtnat e prindërve të tij. Në zyrën e komunales shkuen për të kryer formalitetin e varrimit Atë Gjergj Vata dhe Atë Ferdinand Pali. Mbasi treguen arsyen e vorrimit të tij në Shirokë, morën lejen e çdo gja ishte gati për ditën e vorrimit. Ndëshkimi kolektiv Mbas dy javësh fillonte një proces gjyqësor kunder dy meshtarëve: Atë Gjergj Vatës e Atë Ferdinand Palit, për arsye se këta gjoja e kishin kërkue me qëllim që te vorroset Atë Mark Harapi në Shirokë, e jo në vorrezat e përbashkëta në Shkoder. Atë Gjergjin e dënuan me 4 muaj burg, kurse Atë Ferdinandin me 3 muaj dhe me punë dhe nepunësin katolik Luigj Bushatin i shkjeptë ne ecje që vetëm kishte qenë prezent, por jo nëpunës kryesor për të krye formalitetin, e pushuen nga puna. Kjo ngjarje i dha rastin që të thirreshin pranë këshillave të lagjes të gjithë meshtarët që ishin në qytet veçmas në lagjet e veta, në prani të një komisioni me kryetarin e këshillit, sekretar partie, të organeve të sigurimit, tue i pyetë meshtarët se a kishin qenë në vorrimin e Mark Harapit, tue u ba gjithfarë presionesh dhe paralajmërime arrestimi. Kjo punë hynte dhe në lëvizjen e arrestimeve e të pushkatimeve që baheshin në stil të gjanë kundër kuadrove të veta, meshtarëve e të rijve që "borgjezoheshin", tue u mbushë burgjet plot me të burgosun e që do të vazhdonte sidomos deri në 1980, kur do të ngjante vdekja e Kryministrit Mehmet Shehut. Kthehen arrestimet ”në grup” Me datën 3 prill 1976 arrestohet Mons. Ernest Çoba. Do të delshin së bashku në gjyq në një grup me Imzotin: Dom Lec Sahatçia, Dom Kolec Toni e Dom Zef Simoni. Mbas një qëndrimi të gjatë në hetuesi, ma tepër se një vjetë, Imzot Çoba kje dënue me 25 vjet burg për lidhjen që kishte pasë me Selinë Shejte, fshehtas, përmes Legatës Italiane në Tiranë, Dom Lec Sahatçia për akuzën shpifëse se kishte marrë pjesë direkt në vrasjen e Bardhok Bibës, sekretar i parë i partisë në rrethin e Rrëshenit, ngja në vjetin 1949, dënue 20 vjetë, Dom Kolec Toni e Dom Zef Simoni për mosdenoncim të marrëdhanieve të Imzotit me Legatën Italiane e agjitacion e propagandë e Dom Zefi dhe me shkrime. I pari dënue 13 vjet dhe tjetri me 15 vjet burgim. Gjithashtu, mbas një moji arrestohet edhe Dom Gjergj Simoni, pse gjatë kontrollit iu gjetën enët shejte, libra nga biblioteka e Arqipeshkvisë dhe shkrimet e tij personale. Gjyqi do të përfundonte me 29 prill 1977. Imzoti do të vdiste në spitalin e burgut të Tiranës me 10 janar 1980, shpejt mbas një injeksioni misterioz që i solli vdekjën. Dom Mikel Koliqi, famullitar i Shkodres, gjithherë me ketë titull zyreje, në fillim u burgos. Ma vonë kje internue e nga internimi prap u burgos tue ba gjithsejt internim e burg 37 vjetë. Me radhë burgosën disa meshtarë, si: Atë Gjergj Vata, Dom Nikollë Gjini e Dom Pjeter Gruda, që vdiq në burg, Atë Anton Luli, Dom Ndoc Ndoja, Atë Aleks Baqli e kjo gjendje do të vazhdonte deri që të arrinte nata e fundit e të të quejtunit poliagjent Mehmet Shehut e me 11 prill e diktatorit Enver Hoxha. Por deri në mojin e nandorit të datës 4 të vjetit 1990 nuk do të mungojnë format tinzare e të këqia të diktaturës nën Ramiz Alinë, kundër besimeve dhe sidomos kundër katoliçizmit. Lufta e vjetër në realitet të ri Kundër katoliçizmit lufta asht e vjetër, me pushtimin romak në tre shekujt e parë, i cili u pasue me shumë e shumë martirë të njohun, me pushtimin e atdheut tonë në kohën e turkut, kur kanë ngja rrënime e shndërrime kishësh, mbytje meshtarësh, ngulje në huj të ipeshkvijve, të krishtenët të mbytun me taksa, të urryem me diferencime, skllevër në vendin e vet, ndonëse të krishtenët janë përpjekë me të gjitha energjitë me nxjerrë në dritë, në liri, atdheun e robnuem e të prapambetun. Data e 4 nandorit 1990 hapi epokën e re të lirisë së religjionit dhe të besimit katolik dhe erdhën një mbas një ngjarje vërtetë të lumnueshme, si: vendosja e Nunciaturës Apostolike në Tiranë, ardhja e Shejtënisë së Tij Gjon Pali II, me 25 Prill 1993 në tokën shqiptare, formimi i hierarkisë kishtare, ardhja e misionit të huej në shërbim të religjionit, ardhja e Nanës Tereze shqiptare dhe e misionit të saj në Shqipni, nderimi e kontributi që i njehet katoliçizmit në atdhe. Diskriminimet në demokraci Sot shteti shqiptar dhe shoqnia shqiptare i ka sytë e jetën e vet kah Perëndimi. Kisha Katolike sot në Shqipni ecën në udhën e vet, me përparim e pa asnjë pengesë. Por katoliçizmi nuk ka vetëm klerin, kishët, funksionet, shkollat, shtypin e sa të mira të tjera, që na i kemi sot, por ka popullin, besimtarët, nuk ka një kontingjent, por asht një element i randësishëm kombëtar me potencë e me histori. Tue u thanë e verteta, edhe sot, e pse jo edhe ma fort sot, pothuej elementi katolik nuk gëzon ekuilibrin e vërtetë, pothuej, asht i keqtrajtuem, e pothuej asht i diskriminuem; pothuejse asnjë katolik nuk ka funksione, nuk u jepen katolikëve detyra me randësi shtetnore. Pesëdhjetë vjet nën komunizem pothuejse u janë mbyllë shkollat e nalta nder materiet kryesore studentëve katolikë, që do të delshin shumë të shquem sikur i ka pasë shumë të shquem para ardhjes së komunizmit. Për gabimet e fajet e randa të sa shqiptarëve, konsekuencat e vuejtjet e vazhdueshme nuk duhet t i pësojnë elementi katolik. Mungojnë përpjekjet serioze Në kaq vjet demokraci asnjë përpjekje serioze nuk asht ba për t i dhanë ndihmë këtij elementi të randësishëm e faktor kombëtar edhe i qytetnimit, as me shkolla, as me punë. Nuk ka liri pa drejtësi e tue qenë se Shqipnia ka shumë për të arrijtë, na duem fitim tagresh njerëzore dhe respektim të dinjitetit të njeriut, pa të cilat nuk shkohet pozitivisht në Europë. Edhe bashkëvëllai duhet të dëshirojë e të kërkojë që të drejtat të jenë të barabarta. Atdheu i çliruem do t i japë me të drejtë krishtenimit që asht përsekutue me shekuj e që ka kontribue energjikisht në pjesën esenciale për përparim të shtetit shqiptar pozicionin që i takon ose pjesën që i përket. Tue përfundue: Krishtenimi provoi një salvim shumëshekullor, të përgjakshëm e të mundimshëm. Por Kisha e Krishtenimi e ka ngadhënjimin në falje, në dashuni e në ngjallje. Shembulli ma i miri, i pakrahasueshmi, asht Persona e Jezu Krishtit, që jetoi tue dashtë njerëzimin, vdiq në kryq tue falë e u ngjall së vdekuni tue ngadhënjye. I falim aqrmiqtë tanë! Krishti ka anulue çdo ashpersi e dhunë. Na, përherë, jo vetëm do t i falim anmiqtë tanë, por, për ma tepër, edhe do t i duem. Kjo mund të na duket e çuditshme dhe e pamundun, por duhet njohtë në esencë Kështenimi, pse në këto mësime qëndron forca morale e persosun dhe arrihet edhe kulmi i jetës shoqnore të rregullueme, asht ku nisë e përpunohet liria e vërtetë, pse sikur thotë Shën Pali: "Ku asht shpirti i Zotit, aty asht liria". Me falë e me dashtë, ashtu si dhanë shembullin edhe martirët e vërtetë të Krishtenimit shqiptar, që së shpejti do të shpallen shejtën martirë mbi lter e sa e sa të tjerë dhe epoka e re e tremijëshit të jetë e mbushun me idealet e vëllaznimit, të dashunisë dhe respektit të dinjitetit njerëzor. Prononcimi Të hapen dosjet, e vërteta duhet njohur Në debatin për domosdoshmërinë e hapjes së dosjeve është përfshirë edhe imzot Zef Simoni, gjatë një emisioni televiziv. Kleriku, i cili ka kaluar shumë vjet në burgjet e diktaturës komuniste, në një prononcim për TVSH-në, u shpreh kategorik që ky proces katarsisi duhet të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. “Dy pushtimet më të mëdha që ka patur Shqipëria janë pushtimi turk, i cili zgjati 500 vjet, por tersi nuk iu nda Shqipërisë edhe për 50 vjet të tjera, kur ajo u pushtua nga komunizmi, tha imzot Simoni. Hapja e dosjeve eshte nje gjë shumë e mirë, tha kleriku i lartë katolik. Ne nuk duhet te hakmerremi, ne i kemi falur ata, por qëndrimi i tyre në poste të larta shtetërore, është një gjë e llahtarshme. Nëse një komb do të ecë përpara, ai duhet ta njohë te vërtetën, theksoi ai. Ne duam të ecim përpara, prandaj e vërteta duhet njohur”, përfundoi prononcimin e vet për TVSH-në, kleriku Zef Simoni. Jetëshkrimi Imzot Zef Simoni, aktualisht është 80-vjeç. I lindur në Shkodër më 1 dhjetor 1928, pati një jetë të ngarkuar me ngjarje sa të trishtuara, aq edhe të gëzueshme. Të trishtuara, sepse ishte bir i një familjeje të varfër, sepse iu desh të bënte shumë flijime për të kryer studimet, e aq më tepër, për t u shuguruar meshtar në kushtet e diktaturës, më 9 shkurt 1961. E menjëherë pasi u ngjit në elter, iu desh të ngjitej edhe në Kalvar i ngarkuar me Kryqin e Krishtit. Bëri shumë vjet burg e, pikërisht në qelitë e shtetit ateist, pa letër pa laps, nisi krijimet e tij të para, të regjistruara e të ruajtura në arkivin e trurit. Këto vepra i hodhi në letër e i botoi vetëm pasi doli nga burgu e, bashkë me lirinë, pati gëzimin e rrallë e të papërshkrueshëm të shugurohej ipeshkëv në Shkodër, nga vetë Papa Gjon Pali II, më 25 prill 1993. Filloi kështu misionin ipeshkvnor si ipeshkëv-ndihmës i kryedioqezës së Shkodrës. Në 80 vjetorin e ditëlindjes së tij është shënuar një bilanc tepër të pasur ngjarjesh, veprimtarish, shtegtimesh, veprash, nga të cilat po kujtojmë botimin më të ri: “Letërsia e pame ndryshe”. Të pasura, edhe mesazhet që prelati shqiptar u përcolli besmitarëve nga mikrofoni i Radio Vatikanit, që para se të shugruohej ipeshkëv. Ai ishte përfaqësuesi i parë i Kishës shqiptare në një ngjarje të madhe si Sinodi i Ipeshkvijve për Evropën Lindore, që u mbajt në Vatikan më 28 nëntor 1991, e më pas në shumë ngjarje të tjera të rëndësishme kishtare. Ky lajm është publikuar: 19/02/2009
Posted on: Thu, 10 Oct 2013 15:25:27 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015