29 NËNTORI ËSHTË I PARTIZANËVE... Sprovë për një ditë - TopicsExpress



          

29 NËNTORI ËSHTË I PARTIZANËVE... Sprovë për një ditë dhe një datë të madhe E shkruar tre vjet të shkruara...E përcjell SOT pa i heq presje ... Sot, më 28 Nëntor 2010, në sinkron, me zë dhe figurë, drejtpërdrejt, ndoqa të djathtën shqiptare në pushtet tek bënte homazhe dhe vinte kurora mbi mermerin e kuq të NËNËS SHQIPËRI” në varrezat “Dëshmorët e Kombit”... Homazhet dhe kurorat bëheshin për 28 Nëntorin 1912, Ditën e Pavarësisë dhe 28 nëntorin 1944, ditën e çlirimit (!?) Është punë e tyre, megjithëse që nga kryetari i shtetit Topi, kryetarja e Kuvendit Topalli e deri tek kryeministri Berisha, shkelin ligjin mbasi si Ditë e Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashist, me ligj, është vendosur 29 NËNTORI 1944... Ajo që më tërhoqi vëmendjen në këtë ceremonial është se midis pjesëmarrësve nuk kishte asnjë ish partizan, asnjë gjak e gjini të dëshmorëve të rënë. Dita e Çlirimit të Shqipërisë përkujtohej pa praninë e atyre që derdhën gjakun dhe e radhitën vendin midis fitimtarëve të mëdhenj të botës së qytetëruar, midis Koalicionit Antifashist Botëror. 29 Nëntori nuk është pronë e askujt, është pronë e partizanëve. Nga arkivi im mora dhe po përcjell një sprovë, Sprovë për një ditë dhe një datë të madhe, që mendoj se qëndron në këmbë për të gjitha kohët... * * * 29 nëntori është një datë e shënuar në historinë e madhe të vendit të vogël të shqiponjave. Atë ditë të vitit 1944, në vendin më të vogël të koalicionit më të madh të të gjitha kohërave, koalicionit antifashist, në Shqipëri një popull i tërë, i përfaqësuar nga më se shtatëdhjetë mijë bija e bij të tij, çliroi me forcat e veta vendin. Ngjarja, në historinë e kohës, është unikale, e konceptuar sigurisht në vetvete, në formën e saj. Në përmbajtje ajo është më e gjerë dhe më e thellë, është pjesë e luftës së madhe të popujve kundër hordhisë më të madhe e më gjakatare të të gjitha kohëve, është pjesë e luftës së ushtarëve sovjetikë, amerikanë, anglezë, francezë, e të gjithë vendeve që ngritën armët dhe i bashkuan me forcat aleate. Faktori i jashtëm, fitorja në Stalingrad dhe zbarkimi anglo-amerikan në Normandi, marshimi drejt çerdhes së fashizmit dhe ngadhënjimi mbi të, ishte vendimtar. Por faktori i jashtëm pa atë të brendshëm, pa organizimin luftarak dhe betejën heroike të popullit shqiptar, pa gjakun e më se 28 mijë dëshmorëve (therori që në raport me sipërfaqen dhe popullsinë ishte e shkallës sipërore), jo vetëm do ta zbehte ndihmesën shqiptare në fitore por do ta kishte radhitur Shqipërinë midis vendeve të mundura, si pjesë e koalicionit fashist. Kësaj vrime të kavallit i kanë fryrë dhe i fryjnë edhe sot e kësaj dite qarqe të ndryshme politike jashtë por edhe brenda Shqipërisë. 29 Nëntori i vitit 1944 nuk është dhe nuk mund të jetë meritë e kërkujt tjetër veçse e partizanëve shqiptarë, nuk është dhe nuk mund të jetë pronë e tjetër kujt veçse e komandantëve, komisarëve dhe partizanëve të thjeshtë shqiptarë, e atyre që dhanë jetën, dhe eshtrat dhe emrat e tyre janë vënë në altarin e lirisë, të atyre që u mbijetuan plagëve të rënda të luftës, të atyre që luftuan jo vetëm brenda territorit shqiptar por që marshuan deri në Vishegrad e që kapitullimi nazist i gjeti në beteja heroike, të të gjithë partizanëve. Ajo çfarë ndodhi pas 29 Nëntorit 1944, nuk mund të përbëjë shkak që ajo ditë dhe ajo datë të debatohet në ekstrem, të ndajë e përçajë popullin shqiptar. Në mjedisin politik shqiptar, pas vitit 1991 e në veçanti pas 22 marsit 1992, ka hyrë e ka lëshuar metastazat kanceroze mendimi dhe veprimi politik që kërkon ta shuajë 29 nëntorin 1944. Lufta midis dy partive të mëdha politike për të qenë apo për të mos qenë 29 nëntori 1944 dita e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë sa vjen e ashpërsohet. Në thelb të kësaj lufte, thellë në rrënjë, sado e sido të paraqitet, qëndron elektorati, manipulimi për votën. Secila parti kryesore politike, si ajo demokratike po ashtu edhe ajo socialiste kanë njeriun votues, partitë dhe organizatat shoqërore që udhëheqin masa njerëzish drejt kutive të votimit. Në këtë vijë e në këtë mulli hidhet uji i teorive dhe praktikave të zbatuara deri sot e që do të zbatohen me siguri edhe në të ardhmen. Argumenti i djathtë, gjeneruar nga ata që bashkëpunuan me okupatorin nazifashist dhe ikën bashkë me të në prag apo menjëherë pas 29 nëntorit 1944, kapet pas një fjale fluturake, fjale në erë se gjoja 29 nëntori qenka caktuar si ditë e çlirimit të vendit nga Enveri për hir të Titos e të Jugosllavisë ( ! ) Këtë argument e ka marrë partia e Berishës dhe e ka vënë si gurë themeli në politikën e vet, gur i cili, po qe se lëvizet merr me vete e shkërmoq tërë ngrehinën pushtetore. Kërrabat e thata mbi të cilin rri ky pushtet kanë çuar dhe do të çojnë me siguri në shuarjen ligjore të 29 nëntorit 1944. Kështu ndodhi në vitin 1992 kur erdhi e djathta në fuqi, kështu ndodhi edhe në riardhjen e dytë të saj. Partia Demokratike dhe Berisha nuk kanë se nga të lëvizin në shinat ku i kanë vendosur aleatët e vet. Të majtët, kur erdhën në pushtet, madje kur krijuan dhe votuan Kushtetutën, 29 Nëntorin 1944 e cilësuan si Dita e Çlirimit të Vendit nga fashizmi dhe e vendosën midis ngjarjeve të mëdha historike të vendit. Madje, në përvjetorë të shënuar si ai i vitit 2004, u bë edhe një paradë e madhe ushtarake. Në këtë klimë të krijuar nga të dy kampet kanë dalë e dalin çdo ditë teori që kur i sheh dhe i analizon të befasojnë me mjerimin politik që i karakterizon. Një i djathtë që ka qenë edhe në krye të hartuesve të kushtetutës në fuqi e që ka qenë i motivuar ta fusë atë edhe në nenet e saj, kërkon që për ditë të çlirimit të Shqipërisë nga fashizmi të merret Çlirimi i Tiranës, d.m.th. 17 nëntori 1944 ndërkohë që partia që ai është në koalicion prej kohësh, si ditë të çlirimit të Shqipërisë ka marrë dhe e “feston” 28 Nëntorin 1944 duke bashkuar arbitrarisht dy ditë e dy data (në mos tre, sepse 28 nëntori është i lidhur edhe me Skënderbeun dhe Shqipërinë e shekullit XV). Në tërë këtë lojë datash e ditësh synimi është (në thelb) që Shqipëria të mbetet pa ditë çlirimi nga fashizmi, që fitorja historike shqiptare të zbehet deri në shuarje. Greqia ndoshta është i vetmi shembull dhe i vetmi rast që ata mund ta marrin për model për faktin se ajo është i vetmi vend në koalicionin antifashist që nuk ka ditë çlirimi nga fashizmi, që betejën e madhe e heroike që partizanët grekë të inkuadruar në EAM e ka postuar më 28 tetor 1940, atëherë kur Italia fashiste sulmoi Greqinë, atëherë kur forcat ushtarake greke i thanë “Jo” dhe i dhanë një shuplakë të fortë fashizmit italian. Në këtë kontekst e djathta shqiptare (ballistët, zogistët etj.) kanë kërkuar dhe kërkojnë që 29 Nëntori 1944 të shndërrohet në 7 Prill 1939. Një paralele e tillë është sa naive, sa antihistorike aq edhe antikombëtare. Është e drejta e Greqisë që si festë kombëtare të ketë 28 tetorin 1940, “Jo”-në që i dha fashizmit ushtria greke dhe mbreti në krye të Greqisë së asaj kohe. Ndryshimi midis 28 tetorit grek dhe 7 prillit shqiptar qëndron në faktin se ndërsa mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu “mbathi opingat” për të ikur e jo për të qenë në krye të popullit të ngritur në këmbë për të pritur me armë pushtuesin fashist, (dhe iku me suitën dhe floririn që e shoqëronte nga Kapshtica drejt Greqisë), mbreti grek qëndroi në vend. 7 prilli nuk mund të jetë kurrë vetëm se një ditë e zezë për Shqipërinë dhe shqiptarët, një ditë e tradhtisë më të madhe historike që i është bërë popullit shqiptar. 29 Nëntori 1944 nuk mund dhe nuk duhet të jetë “pronë” dhe “nyje elektorale” as e të majtëve e as e të djathtëve të rradhitur në pozicione të ndryshme. 29 Nëntori 1944 është pronë legjitime e partizanëve shqiptarë, është amanet që “se tret dheu” i dëshmorëve dhe të gjithë ish partizanëve që sot nuk janë gjallë, është pronë dhe ikonë e ish partizanëve shqiptarë që janë gjallë. Në historinë e njerëzimit ka pas dhe ka ngjarje që kanë çuar në ndarje të mëdha, një ndër të cilat është edhe “ndarja e madhe krishtere”, ndarja në katolikë e ortodoksë, ndarja në sekte të shumta të krishtere por edhe të feve të tjera që sundojnë sot botën shpirtërore të njerëzimit. Ka kristianë që kryqin e nisin majtas e të tjerë që e nisin djathtas, ka kristianë që lindjen e Krishtit e festojnë më 25 dhjetorë e të tjerë që e festojnë më 26, apo më 7 janar (kisha ortodokse ruse). Pashka ortodokse e ajo katolike rrallë herë bien në të njëjtën ditë të diele ashtu si edhe shitët e sunitët luftojnë e gjakosen me vetveten e me njeri tjetrin... Në Shqipëri, fatmirësisht, fetë kurrë nuk kanë arritur ta ndajnë e përçajnë shqiptarin sepse ai ka ditë, mbi bazën e përvojës së jetës, të jetë tolerant, të mos ndërhyjë në besimet e njeri tjetrit, t’ia lejë zgjidhjen secilit komunitet më vete, të marrë pjesë e të festojë pa asnjë paragjykim si bajramin, pashkët, nevruzin apo ditë të tjera të shënuar të fqinjit të tij besimtar. Në këtë kuptim (dhe në shumë kuptime të tjera) 29 Nëntori 1944 është “një fe”, është një ikonë historike ku më se shtatëdhjetë mijë partizanë shqiptarë, si pjesë përbërëse e koalicionit të madh antifashist botëror, mbërthyen në kryqin e zi të historisë bishën naziste. Dhe si “ fe “ si “ikonë” ajo është e tyre dhe e askujt tjetër. Të jesh tolerant ndaj një fakti të tillë është kulturë që reflekton në kohë dhe hapësirë. 29 Nëntori 1944 është pronë legjitime e partizanëve. Dhe si “pronë” ajo duhet respektuar si të gjitha pronat e tjera. Partizanët e fituan dhe e sollën atë mes nesh me pushkën dhe gjakun e tyre. Ata e kanë përkujtuar atë prej më se gjashtë dekadash. Çdo datë tjetër, e vënë arbitrarisht , nga kuvendarë të “dushkut” apo “dushkajave” nuk është dhe nuk ka për të qenë Data dhe Dita e tyre. Respektoni ata në doni të respektoheni prej tyre. Abdurahim Ashiku Athinë 28 Nëntor 2010
Posted on: Fri, 29 Nov 2013 15:29:06 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015