Abuzimi abrahamik me themelimin e Tiranës Në debatin për - TopicsExpress



          

Abuzimi abrahamik me themelimin e Tiranës Në debatin për ndërtimin e xhamisë së re tërheq vëmendjen një intervistë e Ermir Gjinishit, prezantuar nga shtypi si "teolog i njohur". Interesante në këtë intervistë, përtej shfaqjes së një konflikti të ashpër për kryesinë e shoqatës “Komuniteti Mysliman Shqiptar”, është ripohimi se ndërtimi i qytetit të Tiranës lidhet ngushtë me ngritjen e një xhamie. Citim: “Tirana është një qytet që u themelua me një xhami, një hamam dhe një furrë buke”( Ermir Gjinishi, intervistë, Revista Java, Nr. 80, 3 gusht 2013, f. 7). Një absurditet i tillë, për fat të keq gjen vend edhe në faqen zyrtare të bashkisë Tiranë. Por pohimi se themelimi i Tiranës lidhet me ndërtimin e një xhamie përveç se përbën gjymtim të historisë së kryeqytetit shqiptar përbën dhe mjet për shoqatën abrahamike në fjalë për të ngritur pretendime pseudohistorike, pasojat e të cilave përkthehen në “vulosjen” e sotme të qytetit. Çdo kush mund ta shikojë me sy se pohime të tilla prekin qesharaken, thjesht duke vizituar në rrugën “Naim Frashëri” në Tiranë, mozaikun e famshëm - por dhe themelet e lashta të kështjellës në qendër të qytetit, prova të gjalla të një jete urbane të pashkëputur prej mijëvjeçarësh. Artikulli në vijim hedh dritë mbi historikun e themelimit të qytetit: Citim: Disa shënime në lidhje me origjinën e emrit Tiranë, Kryeqytetit të Shqipërisë S. Sofie Juka / New York Jo të gjitha enciklopeditë përmbajnë informacion përsa i përket origjinës së emrit Tiranë, Tirana, kryeqytetit të Shqipërisë... Por, praktikisht të gjitha ato që kanë informacion pohojnë se emri vjen nga Teheran. Kështu për shembull The New Columbia Encyclopedia (1975), në artikullin ‘Tiranë, Tirana’, lexohet: “Tirana u themelua në fillim të shekullit 17-të nga gjenerali turk Sulejman Pasha i cili është varrosur atje. Në fillim u quajt Teheran nga një fitore e turqëve në Persi.” Kjo lloj formule, me disa lloj variantesh, është përsëritur pothuaj në të gjitha enciklopeditë që kanë të bëjnë me këtë çështje, qofshin ato amerikane ose jo. The Illustrated Library of the World and Its People (1966) thotë të njëjtën gjë: “…Sulejman Pasha i cili e quajti Teheran për shkak të një fitoreje turke në Persi.” Madje edhe Meri Edit Durham (Mary Edith Durham) nuk e vuri në dyshim pohimin se emri Tirana vinte nga emri i kryeqytetit të Iranit: “Tirana u themelua në vitin 1600 nga një bej i pasur që i vuri këtë emër për të përkujtuar një fitore në Teheran” (The Burden of the Balkans, London, 1909, f. 301). Por, siç do të shohim gjatë kësaj eseje, pretendimi se emri Tiranë, Tirana lidhet me Teheranin është i pabazuar. Në fakt, dokumente ekzistuese provojnë qartë se emri ekzistonte para shekullit 17-të, d.m.th. para kohës kur thuhet se është themeluar qyteti. *** Një raport i quajtur “Relazione dell’Albania e sue città, fiumi, monti, piani, confini, etc. fatta l’anno 1580” përmban dy fragmente ku përmendet Tirana, Tiranna: …le pianure della Tiranna (sic), che sono fra il castello di Passrella (Petrella) e città di Croya…(Starine XII, f. 197) b. In schiroccho da Cruia ore tre cavallo vi è il borgo di Tirana, popolato la maggior parte da greci (ortodoksë sh. ynë) e catolici. Distante da Tirana ore 4 a cavallo per levante vi è la città nominata Petrella, popolata con metà da greci (ortodoksë sh. ynë)… (Ibidem, f. 202) Ky dokument është i rëndësishëm ngaqë në atë emri Tiranna, Tirana është përdorur një herë për një qytet dhe një herë tjetër për të treguar një fushë. Për më tepër, raporti përmban një informacion me shumë interes në lidhje me fenë: sipas këtij dokumenti, në vitin 1570 Tirana duket të ketë pasur shumë pak myslimanë; popullsia e saj, me sa thuhet, ishte një përzierje ortodoksësh (greci) dhe katolikësh.[1] Tirana përmendet gjithashtu nga humanisti shqiptar Marin Barleti. Siç dihet, Barleti ka jetuar në gjysmën e dytë të shekullit 15-të deri në vitin 1510 ose 1515. Ai shkruajti në Venedik dhe në Romë, ku ai u vendos si rezultat i rënies së Shkodrës në duar të turqve, qyteti i tij i lindjes. Libri i tij mbi rrethimin e Shkodrës – De obsidione Scodrae – u botua në 1504 në Venedik dhe historia e tij e Skënderbeut u shfaq rreth viteve 1508-1510[2] Në këtë vepër të fundit, Barleti përmend Tiranën, kur tregon për betejat ndërmjet turqve dhe shqiptarëve, që u bënë në këtë qytet dhe në rrethinat e tij. Sipas Barletit, kishte dy qytete me këtë emër: Tirana (sic), major dhe Tirana minor: kjo e fundit e vendosur pranë Croyas (Krujës).[3] Përmendja e Tyranna major dhe Tyranna minor bëhet gjithashtu edhe nga Pierr dë Lavarden (Pierre de Lavardin). Në variantin anglisht të veprës së tij - The Historie of George Castriot surnamed Scanderbeg, King of Albania, London 1596 – lexohet si më poshtë: “The armie of the Albanoys being arrived before the walles, and the companies quartered into diuerse parts, the towne was quickely enuironned to the most aduantage that might be diuesed: the quarter parte of their forces were lodged in Tirana the greater, so named by reason of a lesser seated neere Croja - Ushtria e arbërorëve mbasi arriti para mureve dhe kompanitë u vendosën në pjesë të ndryshme, qyteti u rrethua menjëherë në mënyrën më të favorshme që mund të vendosen: një e katërta pjesë e forcave të tyre vendos në Tiranën e madhe, e quajtur kështu për shkak të një më të vogle pranë Krujës” (f. 28); “Tirana e madhe një qytet në Epir” (f. 28); Tirana e vogël në Epir…” (f. 45) “…ndërmjet Tiranës së vogël dhe Epidamit që është Durrrësi (në fund të f. 45); “Tirana e vogël…” (f.208). Sipas Lavardenit, ky qytet zinte një vend mjaft të nderuar ndër qytetet e tjera të kësaj province para luftëra civile të Qesarit dhe Pompeit, gërmadhat e të cilit dhe shumë gjurmë dhe shenja të veçanta që kanë mbetur, mund të tregojnë jo mjegullisht fisnikërinë e lashtë të vendit dhe famën. (ibidem f. 208).[4] Këto dokumente nuk lënë asnjë dyshim se Tirana egzistonte para ardhjes së turqve në atë zonë. Për më tepër, meqenëse ishin dy qytete me atë emër, mund të merret me mend, ashtu siç bëri fon Hahni (von Hahn) që e theksoi këtë fakt, se Tiranë, Tirana ishte një emër vendas. Në lidhje me origjinën e hershme të kësaj të fundit, Lavardini ka shprehur një opinion të ngjashëm: Përsa i përket emrit, unë nuk gjej të ketë patur ndonjë tjetër as në fillim nga detyrimi, ose më pas nga uzurpimi, as të vjetrit nuk përmendin ndonjë njeri që të ishte themeluesi, dhe prandaj ne mund t’ia referojmë themelimin fillestar të tij banorëve të tij të parë (ibidem f.208). Duke qenë të përjashtuara lidhjet ndërmjet Tiranë, Tirana me Teheranin, për shkak të të dhënëva të cituara më sipër, tani ngrihet çështja se si ka filluar ky informacion i gabuar. Duhet të kihet parasysh se vetë shqiptarët nuk e lidhin Tiranën me Teheranin. Sipas një besimi popullor shqiptar, emri Tiranë vjen nga tjerrë dhe ranë. Për të mbështetur këtë ‘pretendim’ me ‘evidencë’ të supozuar tregohet historia e mëposhtme: thuhet se një zotëri po kalonte në një vend kur ai vuri re një djalë që po mbante lart një grusht me rërë dhe po e linte të binte pak e e nga pak në një mënyrë që dukej si një vijë e hollë ose si një spango. I pyetur nga zotëria se çfarë po bënte, djali u përgjigj: “po tjerri ranë.” Kështu tjerri ranë, tjerrë ranë është pretenduar të jetë sipas këtij besimi popullor – origjina e emrit Tiranë.[5] *** Ndonëse Tirana ekzistonte, siç provohet nga dokumentet, përpara pushtimit turk, gjatë rrjedhës së viteve ajo u bë një fshat i vogël[6] : supozohet që të ketë filluar të marrë rëndësi në fillim të shekullit 17-të. Përsa i takon zhvillimit të ri të qytetit, tregohet një histori e cila, siç do ta shohim shkurtimisht, duhet të shihet si burrimi i atij gabimi që e lidhte emrin Tiranë me Teheranin. Sipas kësaj historie, e cila rrëfehet nga fon Hahni[7], ishte në Shqipëri një shërbëtor i ri në shërbim të një beu të varfër. Ky shërbëtor pa një herë një ëndërr sikur hëna kishte zbritur nga qielli dhe po qëndronte mbi shpatullat e tij, duke ndriçuar përqark. Ky vegim donte të thoshte – kështu mendoi i zoti i tij – se shërbëtori do të kishte një të ardhme të shkëlqyer. Prandaj, megjithëse ky ishte i vetmi shërbëtor që ai kishte, beu e bindi atë të largohej prej tij dhe të shkonte e të përpiqej për të gjetur fatin e tij diku gjetkë. Disa vite më vonë mbas largimit të shërbëtorit të tij, Sulejmani u thirr në kryeqytetin turk dhe menjëherë iu kërkua të paraqitej para Vezirit të Madh. E madhe ishte habia e Sulejmanit kur pa se ky i fundit nuk ishte tjetër veçse shërbëtori i tij i dikurshëm. Ngaqë nuk e kishte harruar asnjëherë të zotin e tij të respektuar, Veziri i Madh e luti që të thoshte se çfarë ai do të dëshironte të kishte. Dëshira e Sulejmanit ishte t’i jipej qeverisja e Sanxhakut të Ohrit. Ajo iu dha me gëzim. Një herë, gjatë kohës si qeveritar, Sulejmani doli për gjah. Ndërsa po endej nëpër kodra e fusha, ai humbi rrugën dhe arriti në fshat të vogël me pothuaj pesëmbëdhjetë shtëpi që quhej Tirana. Duke i pëlqyer shumë vendi dhe rrethinat e tij[8], ai vendosi të ndërtonte atje një xhami. Pak mbas ndërtimit të xhamisë, Sulejmani u vu në krye të një ushtrie dhe u dërgua për të luftuar në Azi. Kur ishte në Persi, ai e ndjeu se jeta e tij po i afrohej fundit dhe shprehu dëshirën që trupi i tij të balsamohej, të dërgohej në Tiranën e tij të dashur dhe të varrosej në xhaminë që ai kishte ngritur atje, e cila qysh prej atëhere mban emrin e tij. Kjo histori është treguar pak vite më vonë në mënyrë identike nga H.L. Hekard (Hecquard), konsulli francez në Shkodër.[9] Sipas të dyve, von Hahnit dhe Hekardit, kur Sulejmani shkoi atje vendi quhej tashmë Tirana; nuk u quajt prej tij. Pasuesi i Hekardit, A. Degrand, në librin e tij Souvenirs de la Haute Albanie (1901) ritregon të njëjtën histori, por me ndryshime të rëndësishme dhe pa hijeshinë e tregimit të fon Hahnit. Në versionin e Degrandit: një njeri me emrin Sulejman (sic) i cili vinte nga një familje mjaft e njohur, kishte pasur një kështjellë në Mullet, me pamje nga lumi Erzen, d.m.th. në një largësi të mirë nga vendndodhja e Tiranës së sotme. Në atë kohë, në vendin ku është tani kryeqyteti i Shqipërisë, ishin pyje dhe livadhe në zotërim të një beu të quajtur Selman. Sulejmani u dashurua me atë vend, por Selmani nuk pranonte t’ia shiste. Ndodhi që njëherë Sulejmani kishte shkuar në Stamboll. I pranuar në pallatin e Padishahut, thuhet se ai krijoi në nderim të këtij të fundit një panegjerik, në sajë të së cilit iu dha titulli Pasha. Pastaj ai u bë komandanti i një ushtrie dhe u dërgua në Persi. Mbasi u shqua në luftime të ndryshme, ai vendosi të kthehej në Shqipëri. Kur ishte atje, ai u ndie se kishte të drejtë – i inkurajuar siç ishte nga të gjitha fitoret që atij i kishin dhënë famë – të përvetësonte tokën e kundërshtarit të tij, që e kishte lakmuar për kaq kohë. Pastaj, ai ndërtoi atje një shtëpi për veten e tij. Ai tërhoqi në atë zonë njerëz të tjerë, të cilët ndërtuan gjithashtu shtëpitë e tyre. Kështu lindi një qytet, të cilin, sipas Degrandit, Sulejmani e quajti Teheran në kujtim të një beteje të fituar nga ai në Persi. Kjo është, sipas menditit të Degrandit, origjina e emrit të qytetit, që nga deformimi u transformua në ‘Tiran’ nga turqit dhe në ‘Tirana’ nga shqiptarët.[10] Gjatë qëndrimit të tij si konsull francez në Shkodër, Degrandi zbuloi në Kalanë e Dalmaces, një vend jo shumë larg Shkodrës, një nekropol të rëndësishëm. Arkeologë të shquar kanë shkruar rreth këtij nekropoli dhe objektet e gjetura të tij janë lidhur me qytetërimin ilir. Si pasojë e kuriozitetit të ngjallur nga këto gjetje interesante, Degrandi, i cili pati shkruar rreth tyre në librin e tij “Souvenirs… (shih ff. 249-268), u pa si një autoritet në çështjet shqiptare.[11] Prandaj duket pothuaj e sigurtë, që shënimet e Meri Edit Durhamit në lidhje me origjinën e emrit Tirana, janë bazuar në Degrandin, duke patur parasysh faktin se libri i Degrandit u botua në 1901 dhe Burden of the Balkans u duk në 1906.[12] Që nga ajo kohë, gabimi duket të jetë përsëritur mekanikisht.[13] Në lidhje me emrin Tiranë, J.G. fon Hahni e gjurmon origjinën e tij te Ilirët dhe Etruskët. Ai vëren se Tuscus dhe Turrhenus janë dy forma të ndryshme të rrënjës tyrs; që në greqisht kjo rrënjë ka dhënë tyrsis dhe nga ku tyrsen, tursni, tyrrhenoi; në latinisht: turris, Turnus. Fon Hahni vuri re se kur cus i shtohet tyrs, jep turscus dhe tuscus, duke shtuar se të dy format – d.m.th. Tuscus dhe Tyrrhenus – gjenden në Shqipëri: Emri latin - ose ndoshta etrusk – Tuscus në Toskëri dhe Tyrrhenus in Tyranna, Tiranë, Tirana.[14] Fon Hahni përmend, veç kësaj, se Toskëria dhe Toskana (nga Tuscus Tuscia) janë të së njëjtës familje, duke treguar kështu se i njëjti popull që jetoi në Shqipëri ka jetuar gjithashtu edhe përtej Adriatikut. Nga këto të dhëna ai arriti në përfundim se shqiptarët e jugut, toskët, janë Tyrrhenoi, d.m.th. etruskë, ashti si ishin banorët e Toskanës (Tuscus-Etrusk).[15] Përsa i përket origjinës së emrin Tyrrhenoi, fon Hahni sugjeronte lidhje të mundëshme ndërmjet, nga njëra anë, të perëndisë etruske Turs ose perëndeshës etruske Turan dhe, nga ana tjetër, të fjalës shqipe turr (sulm, vrap), turrës (vrapues, sulmues). Siç dihet, fon Hahni është studjuesi që zhvilloi teorinë sipas të cilës shqiptarët janë pasardhës të ilirve, një teori që ishte propozuar më parë nga filozofi Laibnic (Leibniz) dhe të cilën e kishte pranuar tashmë historiani Thunmann. Përveç kësaj, fon Hahni ishte një dijetarët e parë që mendoi për një lidhje të mundshme ndërmjet etruskëve dhe ilirëve. Mbas tij, studjues të tjerë kanë pohuar të njëjtën teori: Ascoll, Bugge, Thomopulos, Jokl, ndër të tjerë. Kohët e fundit, Zahari Majani (Zacharie Mayani) i kushtoi kësaj çështjeje një vepër shkencore: Les Etrusques commencent à parler (Paris, Arthaud, 1961).[16] Për shkak të këtyre vlerësimeve, ngjashmëria ndërmjet Tiranë, kryeqyteti i Shqipërisë dhe Trani, qytet në Apulia, nuk duket thjesht një rastësi, sidomos kur mendohet se “Trani shfaqet në një itinerar roman me emrin Turenum”,[17] një tregues që zbulon origjinën etruske të këtij emri, sepse siç dihet “Tyrrhenoi” është emri i vjetër grek për etruskët. Disa kërkues (p.sh. Z. Majani, E. Gatti) i shikojnë të gjitha grupet italike, që dikur popullonin gadishullin italian, të jenë ilirë. Etruskët, në mendimin e tyre, ishin një nga këto grupe ilirësh. Por ka shumë studjues që nuk pranojnë ndonjë lidhje ndërmjet ilirëve dhe etruskëve.[18] Herbig, një prej tyre, kur përmend mbishkrimin në stelën e novilarës në provincën e Markes, në Adriatik, pretendon se ishte tërësisht ilire dhe jo etruske, dhe kështu, duke arritur në përfundim se etruskët dhe ilirët nuk kanë asgjë të përbashkët.[19] Specialistë në Etruskologji mdoshta i konsiderojnë me të drejtë lidhjet ndërmjet etruskëve dhe ilirve thjesht si një hamendje sesa si një fakt i bindshëm. Por përsa i përket lidhjeve ndërmjet ilirve dhe shqiptarëve, gjetjet e shumta arkeologjike nga gërmimet që janë bërë në Shqipëri gjatë tridhjet viteve të kaluara, si edhe kërkimet shkencore që janë bërë së fundi në fushën linguistike, duket se nuk lënë dyshim se shqiptarët janë pasardhës të ilirve. Kjo pohon në një mënyrë të pakundërshtueshme teorinë e fon Hahnit, që mbasi ishte pranuar njëzëri për një kohë të gjatë si fakt i padikutueshëm, kishte filluar në kthimin e shekullit, të vihej në diskutim nga disa studjues.[20] Gjithashtu, është një realitet i pranuar, që ilirët jetuan jo vetëm në gadishullin ballkanik dhe në Itali, por edhe në bregun dalmat dhe – siç është dëshmuar nga kultura e Hallshtatit – deri në Austri dhe Zvicër. Për arsye të këtij fakti, ngjashmëria ndërmjet Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë dhe Tirano, qyteti në Lombardi në lumin Adda, pranë kufirit zvicerian, bëhet i vlefshëm për vëmendje. Megjithatë, mund të kundërshtohet – dhe me të drejtë – ndaj metodës kombinuese, e cila qëndron në krahasimin me njëra-tjetrën të fjalëve me dukje të ngjashme, në një përpjekje për të ndriçuar origjinën e tyre. Rezultatet e arrira nga kjo metodë janë, në fakt, më shpesh të sforcuara dhe pa ndonjë vlerë shkencore. Në këtë rast, ngjashmëria ndërmjet Tiranë – Tirano, Tiranë – Trani, mund të jetë thjesht e rastësishme dhe si pasojë pa ndonjë kuptim. Prandaj dikush mund të argumentojë se nevojiten të dhëna më bindëse për të mbështetur origjinën iliro-etruske të emrit Tiranë, Tirana. Por, për shkak të të dhënave të mësipërme, duket të mos ketë më dyshim që lidhja ndërmjet kryeqytetit shqiptar dhe Teheranit është krejtësisht imagjinare. ____________ Shënime [1] Autori i këtij raporti nuk njihet. Dokumenti u gjet së bashku me “La Cronologia di Cattaro” të Antonio Bisantit. Por Bisanti nuk mund të jetë autori i tij. Raporti u botua nga ‘Jugoslavenska Akademija Znanosti I Umjetnosti’ në Starine XII, Zagreb 1880 f. 193-205. Për informacion në lidhje me dorëshkrimin shih ibidem, ‘Hyrje’ (në serbokroatisht), f. 193. [2] Marinus Barletius, Historia de Vita e Gestis Skanderbegi Epirotarum Principis, Romae, 1508-1519. [3] Shih M. Barleti, Historia e jetës dhe e veprave të Skëndërbeut, Tiranë, 1964, ribotuar nga ‘Rilindja’, Prishtinë, 1967, ff. 75,78,247,248,250,260,263,277,462,464,477,479. Për Tirana minor shih ff. 462, 464. [4] “Cette ville fut en assez honeste rang parmy les autres de la province paravant les guerres civiles de César et Pompée, les ruynes de laquelle et maints vestiges et remaques particulières qui en sont demeurés peuvent no abscruément représenter l’ancienne noblesse du lieu et la réputation” (Jacques de lavardin, Histoire de George Castriot surnommé Scanderbeg, roy d’Albanie, Paris 1593, cituar nga Justin Godard në L’Albanie en 1921, Paris 1922, f.51. [5] Ky informacion i është dhënë gojarisht autorit të këtij artikulli nga persona të ndryshëm. Ndër ata është Z. Lec Shllaku, botuesi i revistës shqiptare Koha e Jonë, botuar në Paris. [6] Është me interes të vihet re se misionari Marin Bolizza në raportin e tij rreth sanxhakut të Shkodrës (1620) përmend disa qytete jashtë këtij sanxhaku, si për shëmbull Lazzi, Mathia, Allesio (sic), Croya, Pres (Petrella), Durazzo. Por nuk përmendet nga ai Tirana (shih “Relazione et descrittione del Sangiacatto di Scutari fatta da Mariano Bolizza, nobile de Cattaro” (Starine XII Zagreb 1880) ff. 166-193. [7] J.G. von Hahn, Albanesische Studien I, Jena 1854, f. 86. [8] Shumë udhëtarë, përfshirë, ndër të tjerë, von Hahn, Degrand, Hecquard, e kanë lavdëruar bukurinë e rrethinave të Tiranës. [9] Hyacinthe Louis Hecquard, Histoire et description de la Haute-Albanie ou Guéguerie, Paris 1863 ff. 255-256. [10] Op. cit. , ff. 205-207. [11] Ndërmjet atyre që kanë shkruar për këtë nekropol janë – përveç vetë Degrandit – A. Baldaci, S. Reinach, Th. Ippen, P. Traeger, F. Nopcza, L.M. Ugolini, L. Rey, D. Mustilli, ndër të tjerë. Objektet e gjetura të këtij nekropoli që u dërguan në Francë nga Degrandi dhe që tani gjenden në Muzeumin e St. Germain-en-Laye, iu atribuan në atë kohë një epoke të hershme të qytetërimit ilir. Sot, ka një evidencë të pakundërshueshme se këto gjetje lidhen me qytetërimin iliro-shqiptar që i përket epokës mesjetare (shekujt 7-8). Për historinë e këtij nekropoli shih Hëna Spahiu, “Gjetje të vjetra nga varreza mesjetare e Kalasë së Dalmaces”), Iliria I, Tiranë, 1971, ff. 227-260. Shih gjithashtu S. Anamali, “De la civilisation haute-médiévale albanaise,” në Les Illyriens et la genèse des Albanais, Tiranë 1970, ff. 184-187. [12] Në kontrast me H.L. Hekard (Hecquard), i cili në librin e tij tregon një respekt dhe admirim të vërtetë për shqiptarët, A. Degrand shfrytëzon çdo rast për të bërë konstatime përçmuse për ta. Kështu, ndërsa Hekardi, për shembull, preket nga përkushtimi i thjeshtë dhe i sinqertë i katolikëve shqiptarë ndaj besimit të tyre dhe i përmend përzemërsisht martirët shqiptarë të Kishës Katolike, Degrandi gjen gabime në të njëjtin përkushtim, duke e quajtur atë një natyre të pastër supersticioze. Për më tepër, Degrandit i pëlqen të theksojë influencën orientale në Shqipëri për shkak të prapambetjes dhe të ngjyrimit të keq që sugjeronte në atë kohë orienti. Por nuk ka arsye të besosh se gabimi që ai bëri në lidhje me origjinën e emrit Tiranë ishte në një farë mënyre i vullnetshëm dhe nga dashakeqësia. Përkundrazi, ky gabim duhet të ketë filluar thjesht nga fakti që, sipas legjendës, Sulejmani luftoi dhe vdiq në Persi. [13] Një përjashtim nga ky rregull është artikulli, “Tiranë, Tirana” në Encyclopedia Americana (1984) shkruar nga profesorët Çarls dhe Barbara Jelaviç (Charles and Barbara Jelavich). Aty lexohet se “Qyteti është përmendur për herë të parë në shekullin e 15-të.” [14] J. G. Hahn, “Toskerei”, op.cit. I ff. 232-233, shënimi 5. Për Tyrsene, Tusci, Tuscan, Etruscan shih gjithashtu Donald F. O’Reilly, “Monedhat Romane dhe Vulat Minoane”, SAN (Revistë e Shoqërisë për Nunizmatikën e Lashtë – Journal of the Society for Ancient Numismatics), 1982, Vol.XII No.2 f. 29, shënimi 10. [15] J.G. Hahni i konsederonte si epirotët ashtu edhe maqedonasit të ishin Tyrrhenoi, d.m.th. etruskë. [16] Mund të përmendet gjithashtu Enzo Gatti, Etruskët (2 vol.). 1979 dhe Ilirët (2 vol), 1980. Të dyja veprat e botuara në Chiaravalle nga Frama Sud. [17] Encyclopedia Britanica, 1973, vol. 22, f. 158 (artikulli Trani). [18] Siç dihet, janë formuluar tre teori kryesore në lidhje me etruskët: a. disa studjues i konsiderojnë ata si vendas në Itali; b. të tjerë mbrojnë pikëpamjen, si Herodoti, se ata erdhën në Itali nga Lidia, Azia e Vogël, udhëhequr nga prijësi i tyre Tyrrhenus; c. të tjerë akoma mendojnë se ata ishin vendas në Itali dhe në Ballkan; që më pas migruan në Azinë e Vogël dhe në fund u kthyen Europë; që ata ishin, sipas të gjitha gjasave, themeluesit e Trojës. Etruskët njihen të kenë banuar Etrurinë, d.m.th. pjesë e Toskanisë së sotme (Tuscus=Etruscus), por në shekullin e 6-të P.K. ata u vendosën edhe në pjesë të tjera të Italisë, veçanërisht në Picenum, Apulia, Venedik. [19] Reallexicon i Ebertit, IX 1927 ff. 128-129, siç citohet nga Z. Mayani në op.cit., f. 349. [20] Studjuesit e pranojnë se shqiptarët paraqesin një degë të veçantë të gjuhëve indo-europiane dhe që shqiptarët janë një popull i vjetër. Por a janë ata ilirë, iliro-thrakas apo pasardhës të ndonjë popullsie tjetër? Në vitin 1920 G. Wiegand duke vënë në diskutim teorinë e fon Hahnit, mbroi pikëpamjen që djepi i shqiptarëve ishte afërsisht Kosova e sotme, përfshirë Nishin dhe zonën veri-lindore të tij; që nga atje shqiptarët migruan në zonat bregdetare ku ata gjetën një popullsi ilire me të cilën u përzien; që shqiptarët e sotëm janë kështu thrako-ilirë. Me këtë teori u pajtua edhe Jokli. Të tjerë mbronin pikpamjen që djepi i shqiptarëve ishte më në lindje. Këto teori që nuk janë të bazuara në asnjë të dhënë historike, po humbasin terren për shkak të zbulimeve të bëra vitet e fundit në fushat e arkeologjisë dhe linguistikës. Sipas H. Mihaeskut (Mihaescu), “Problemi në lidhje me karakterin autokton të shqiptarëve ka qenë për një kohë të gjatë subjekt i një debati në fushën e kërkimit shkencor, por tani ky problem është zgjidhur: sot nuk ka as edhe dyshimin më të vogël për qenien e tyre si popullsi vendase” (shih artikullin shumë interesant të H. Mihaeskut “Linguistique et etnographie des Albanais”, Studia Albanica, Tiranë, 1982 ff. 138-147. Ky artikull ishte në fillim një kumtesë paraqitur në “Konferencën Kombëtare mbi Shqiptarët, Gjuha dhe Kultura e tyre”, organizuar bashkërisht nga “Akademia e Shkencave e Republikës Popullore të Shqipërisë” dhe Universiteti i Tiranës, mbajtur në Tiranë në 1982). Por herë pas herë mund të takohet akoma ndonjë studjues që mbron pikëpamjen se shqiptarët nuk janë ilirë. Kështu sipas Z. Robert Minshall, shqipja duhet të jetë një ‘përfaqësuese e mëvonshme e dakishtes”, një gjuhë e afërt me grupin thrako-frigjian që flitej në atë që është sot Bullgaria dhe Anatolia. Argumentat e paraqitur nga Z. Minshall në mbështetje të pretendimit të tij bazohen në linguistikë: Ilirishtja, pohon ai, është e lidhur me gjuhët indo-europiane perëndimore, d.m.th. me gjuhët italike, gjermanike, keltike, ndërsa shqipja lidhet me grupin satem, të cilit i përkasin gjuhët europiane lindore, të tilla si balto-sllave, armene dhe iraniane perëndimore (shih “Albanian Language”, në Enciklopedinë Collier, 1980, vol.I f. 471). Në përgjigje të këtij pohimi, mund të citohet pjesa e mëposhtme, marrë nga një artikull i M. Domit, botuar në Studia Albanica 1982 II ff. 31-51: “Kërkimet e fundit duket se kanë provuar që në lidhje me klasifikimin e gjuhëve indo-europiane në centum dhe satem, ilirishtja nuk i përket grupit të parë dhe shqipja të dytit, siç kanë e mbrojtur disa studjues deri tani. Përkundrazi, të dyja gjuhët mund të përfshihen në grupin satem ose të dyja ato mund të përbëjnë një grup jashtë klasifikimit në centum dhe satem.” Cf. gjithashtu Martin E. Huld: “Përfshirja e shqipes ndër gjuhët satem është një pikë e diskutueshme” (Basic Albanian Etymologies, Slavia Publishers Inc. Columbus Ohio, 1984, ff. 159-160 Burimi: ateistet.org/fr1308835a
Posted on: Tue, 13 Aug 2013 09:41:43 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015