Ajo mbërriti në Paris pas mesnate. Në hollin e hotelit ku do - TopicsExpress



          

Ajo mbërriti në Paris pas mesnate. Në hollin e hotelit ku do të qëndronte për më shumë se një javë, ajo ndenji gjatë, duke parë dritat e zbehta të neoneve që shtriheshin tej. Të nesërmen, ajo veshi një fustan me lule të vogla dhe një xhaketë të zezë të gjatë, për të shkuar në apartamentin e një burri që prej kohësh donte ta takonte. Barnes e dinte se ndonjëherë, takimet aq shumë të dëshiruara mund të kthehen në orë të tëra torturuese më pas, duke menduar se më mirë të mos kishin ndodhur. Por Xhejm Xhojs ishte ndryshe. Ai e ftoi në sallonin e madh për të pirë çaj. Më pas i tha se fustani i saj ishte i ngjashëm me tregimet e shkurtra që ajo kishte shkruar. Ai ishte i gjatë dhe tepër ironik. Për orë të tëra, Barnes u zhyt në një rrëfim të pazakontë mbi jetën e një burri që kishte vendosur t’i përkushtohej vetëm një pasioni të ngjashëm me të sajin, letrat. Intervistën me Xhojsin ajo do ta botonte në “Vanity Fair”, një intervistë ku Xhojs nuk fliste vetëm për letërsinë, por dhe për shqetësimet e vogla në jetën e një burri të vështirë. Gjatë gjithë qëndrimit në Paris, shkrimtarja dhe gazetarja e re amerikane Djuna Barnes do të shoqërohej nga miku i saj më i ri Xhejms Xhojs. Ishin vitet 1920 dhe Parisi ishte kthyer në qendrën e letërsisë moderne. Barnes donte të mësonte gjithçka, kafenetë ku mbrëmjeve Xhojs dhe miqtë e tij të letrave uleshin për të pirë skoç e për të folur mbi letërsinë, rrugët ku ata kalonin dhe bibliotekat. Në këtë qytet mund të gjeje gjithçka që mund të mbushte me ajër zemrën e kësaj gruaje që e kishte mbyllur përgjithmonë portën e dashurisë. Prej vitesh, dashuria për të ishte shndërruar në një tjetër formë, e ngjashme me përkushtimin ndaj gjërave të vogla dikur të parëndësishme por që tashmë kishin marrë kuptim. Ky ishte udhëtimi i saj i parë në Parisin ku do të kthehej shpesh më pas, për të krijuar ashtu si Xhojsi qoshet e saj të dashura për t’u frymëzuar. Djuna Barnes është një shkrimtare e rëndësishme amerikane, e cila luajti rol të rëndësishëm në zhvillimin e letërsisë moderne në gjuhën angleze në shekullin XX dhe një nga figurat kyçe të jetës bohemiane në Parisin e viteve 1920-1930. Romani i saj “Nightwood” u bë një vepër kulti në prozën moderne, e ndihmuar dhe nga një hyrje që i bëri Tomas Eliot. Librat e shkruar prej saj dallohen për stilin unik. Karakteret e përshkruara prej saj të përfshijnë me forcën me të cilën ajo i ka ndërtuar. Gjithë letërsia e Barnes është një rrëfim për të treguar portrete e jetë njerëzish, të cilët mund të kishin qenë të lumtur nëse në jetën e tyre nuk do të kishte pasur një ndalesë të trishtë. Barnes kërkon t’i heqë këto ndalesa dhe t’i bëjë të lumtur personazhet e saj, edhe pse në pjesën më të madhe të rasteve nuk ia del. 220px-Djunabarn­esE lindur në një familje të lidhur me letërsinë (gjyshja e saj Zadel Turner Barnes ishte shkrimtare, gazetare dhe aktiviste për të drejtat e gruas, kurse i ati kompozitor) që e vogël ajo u frymëzua nga tregime të cilat ia shtuan përfytyrimin. Si fëmija e dytë e një familjeje të madhe prej tetë fëmijësh, Barnes u rrit duke u kujdesur për motrat dhe vëllezërit e saj më të vegjël. Edukimin fillestar e mori në kushtet e shtëpisë, nga gjyshja dhe i ati. Në moshën 16-vjeçare ajo kaloi një traumë e cila do të ndikojë në të gjithë jetën e saj. Ajo u përdhunua nga fqinji, histori të cilën e përshkruan në romanin e saj të parë “Ryder”. Përvoja e parë seksuale do të ndikonte në mënyrën sesi Djuna do ta shihte dashurinë gjatë jetës. Në moshën 18-vjeçare ajo martohet me Percy Faulkner, në një ceremoni private pa dëshirën e saj. Ai ishte 52 vjeç dhe lidhja nuk zgjati më shumë se dy muaj. Kjo ishte martesa e parë dhe e fundit e Barnes, e cila më pas do të kishte një jetë të lirë seksuale dhe një refuzim të brendshëm për të gjetur atë çfarë në librat e saj kërkonte, dashurinë. Në vitin 1912, për shkak të krizës financiare, familja e saj ndahet. Bashkë me nënën, Elisabet, dhe tre vëllezër, ajo zhvendoset në Nju Jork. Pas marrjes së letrave të divorcit, tashmë Djuna mund të vijonte të ndiqte e lirë studimet. Ajo u regjistrua në Prat, ku ndoqi studimet për art. Pas gjashtë muajsh, i ndërpreu studimet, pasi i duhej të kujdesej financiarisht për familjen dhe nisi të punonte si gazetare në “Brooklyn Dayly Eagle”. Në muzeun e Brooklin janë të gdhendura fjalët e saj të para sapo mbërriti në redaksinë e gazetës: “Unë mund të shkruaj, të vizatoj dhe ju do të jeni budallenj nëse nuk më punësoni”. Gjatë viteve të ardhshme puna e saj do të prezantohej pothuajse në çdo gazetë në Nju Jork. Ajo ka shkruar artikuj mbi teatrin, kritika, lajme të ndryshme të ilustruara me vizatimet e saj, kryesisht nga sfera e kulturës. Në vitin 1915, Barnes lëvizi nga apartamenti i familjes së saj për të jetuar në një komunitet artistësh që bënin jetë bohemiane. Në mesin e këtij rrethi bohemianësh ishin artistë si Edmund Wilson, Berenice Abbott dhe poetja Elsa Von Freytag Loringhoven, biografinë e së cilës Barnes u mundua ta shkruante por asnjëherë nuk e përfundoi. Ajo u njoh në atë kohë dhe me Guido Bruno një sipërmarrës i njohur amerikan, në pronësinë e të cilit ishin dhe disa revista e gazeta të kohës. Pjesën më të madhe të librit të saj “Nightwood”, ajo e shkroi gjatë verës së vitit 1932-1933, teksa ishte duke qëndruar në një rezidencë arti. Në këtë rezidencë ishin dhe artistë të tjerë të njohur të kohës si Antonia White, John Ferrar Holms dhe poetja Emily Coleman. Libri u botua nga “Faber & Faber” më 1936, dhe pse u quajt një vepër e rëndësishme e artit, ai nuk pati shumë shitje. Vitet e fundit të jetës ajo iu dorëzua alkoolit. Në shkurt të vitit 1939, ajo u gjet në një hotel në Londër duke tentuar të vetëvritej. Në vitin 1940, familja e dërgoi në një sanatorium në Nju Jork. Pas rikthimit në Nju Jork, ajo u vendos në një apartament pranë fshatit Greenwich ku kaloi 42 vjet të jetës së saj. Ajo vijoi jetën duke pirë dhe nuk shkroi asgjë. Në vitin 1950, ajo kuptoi se alkooli nuk e kishte lënë të shkruante dhe vendosi ta linte pijen për t’iu përkushtuar sërish shkrimit. Ajo shkroi një roman të ri, historia e të cilit rrëfente pikërisht jetën e familjes së saj. Me mbi 20 romane të shkruara dhe një mori shkrimesh gjatë jetës si gazetare, Barnes vijon të mbetet një figurë e rëndësishme e letrave botërore e shekullit XX, librat e së cilës vijojnë të publikohen më shumë pas vdekjes. Edhe pse jeta e saj nuk qe një libër i bukur, ajo e shndërroi atë përvojë të trishtë, në një motiv për të shkruar, duke e pasur të shkruarin si gjënë e vetme pas së cilës u kap në jetë. Ajo nuk deshi asnjëherë të linte shënime mbi të shkuarën e saj dhe pse pjesa më e madhe e biografëve mendojnë se ajo gjendet në librat që shkroi. Barnes iku nga kjo jetë duke marrë me vete sekrete përvëluese, të cilat i mbajti gjithnjë me vete, dhe pse e dinte se ato po e vdisnin çdo ditë nga pak… Mistrecja
Posted on: Sun, 30 Jun 2013 21:05:39 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015