Alfred Peza: Pa integrimin e shqiptarëve në Shqipëri, s’ka - TopicsExpress



          

Alfred Peza: Pa integrimin e shqiptarëve në Shqipëri, s’ka integrim në BE Të nderur kolegë deputetë! Vullneti i zgjedhësve shqiptarë më 23 qershor, e deshi që në të majtë të kësaj salle, të ulen 3/5 e përfaqësuesve të popullit shqiptarë. Qëshkurse “e majta” në Asamblenë e Përgjithshme të Francës së vitit 1789 ishte thjeshtë një term hapësinor, për shkak se rrinte në krahun e majtë të Mbretit dhe Fisnikëria në të djathtë të tij, “Liria, barazia dhe Solidariteti”, filluan të farkëtohen si trinomi që do të mbanin në këmbë, botën e re që po lindte pas territ feudal. Dhjetë vjet më pas, me përfundimin e Revolucionit francez, Europa nisi të ndryshojë njëherë e përgjithmonë deri në formën dhe përmbajtjen që ne e jetojmë sot. Që atëherë, solidariteti me njerëzit në nevojë dhe politikat sociale, shënojnë dimensionin themelor të së majtës progresiste. Në startin e shekullit të dytë të pavarësisë sonë, “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, është thirrur në skenë që të ndryshojë njëherë e përgjithmonë këtë vend dhe perspektivën e shqiptarëve kudo që ndodhen. Që një trup që të qëndrojë në ekuilibër, duhet të mbështetet të paktën mbi tri pika. Që Shqipëria e Gjeneratës së Re të ecë përkrah botës së globalizuar dhe shqiptarët të jenë qytetarë të denjë të Bashkimit Europian, qeveria e re, e ka mbështetur programin e saj mbi tri kolonat e mëdha të: Lirisë, Përgjegjësisë dhe Solidaritetit. Kam dëgjuar të flitej pambarimisht nga kjo tribunë e në këtë sallë, vitet e shkuara, për integrimin tonë europian. Nëse një UFO do ulej përballë ekranit për të ndjekur punimet e Parlamentit të shkuar, do ti krijohej ideja se bëhej fjalë për një proces që fillonte dhe mbaronte me miratimin e disa ligjeve. Madje, të forcohej bindja se nëse njëfarë Edi Rama do ti lejonte deputetët e partisë së vet që të ngrinin anët jeshile të kartonëve që kishin mbi këto tavolina, atëherë Shqipëria do të bëhej brenda natës, anëtare e Bashkimit Europian. Kanë kaluar shumë javë e muaj nga miratimi edhe i atyre tri ligjeve aq të përfolura dhe ja ku jemi të gjithë sërish sëbashku këtu sot, po aq larg Brukselit, sa edhe dikur. Dhe do të jemi akoma edhe për shumë vite të tjera, nëse nuk ia themi atyre që na kanë votuar e na ndjekin, të vërtetën e hidhur drejt e në sy. Të dashur qytetarë shqiptarë! Ju kanë gënjyer, kur ju kanë thënë se do integrohemi në Europë, nëpërmjet miratimit të ca ligjeve. Jo 3, jo 33, jo 333 por edhe nëse 3 milionë ligje të miratojmë sot e tutje këtu, integrimi i shqiptarëve dhe i Shqipërisë në Europë nuk ka për të ndodhur. Sepse integrimi nuk është thjeshtë dhe vetëm një proces përafrimi ligjesh dhe as vetëm një proces diplomatik, i propagandës apo i marrëdhënieve me publikun. Integrimi europian, është edhe një proces i reformave të thella dhe i ndërtimit të një sistemi të tërë vlerash. Treni i integrimit, ecën jo mbi një, por mbi dy shina. Mbi shinën e përafrimit nëpërmjet një procesi negocimi me Brukselin dhe mbi shinën e proceseve të brendshme integruese. Ky është një proces standardesh, harmonizimi dhe lartësimi të Shqipërisë dhe shqiptarëve në çdo aspekt. Për të qenë pjesë “natyrale” e unionit europian, deri në kufijtë e ruajtjes së veçorive të identitetit tonë kombëtar. Integrimi i Shqipërisë në Europë, do të ndodhe vetëm atëherë, kur të gjithë sëbashku, mazhorancë e opozitë, qeveri e Parlament, pushtet qendror e lokal, çdo i ri dhe e re, çdo burrë e grua në këtë vend, do punojmë me të vetmin qëllim. - Vetëm atëherë kur shenjtëria e lirisë, e pronës dhe e së drejtës, do të ngadhënjejnë në këto anë. - Vetëm arëherë kur sistemi i meritokracisë, i vlerave dhe i tolerancës, do të jenë rregullatori i jetëve tona. - Vetëm kur të integrohen më parë të gjithë shqiptarët në Shqipëri, do të vijë edhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Nuk do të ketë lëvizje të lirë të ideve, mallrave tona në Europë, pa integrimin e parcelave tona lokale, në një treg të unifikuar mbarëshqiptar. Nuk do të ketë mallra konkurruese “Made in Albania” në tregun global, pa integrimin e tregjeve tona, në një treg të përbashkët, konkurrues dhe komplementar mbarëshqiptar. Në programin e qeverisë, që po diskutojmë dhe do të miratojmë sëbashku, thuhet se kjo mazhorancë “do të hartojë Strategjinë e re për Zhvillim dhe Integrim 2014- 2020 dhe strategjitë e tjera sektoriale, duke përditësuar Planin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit me BE”. Kjo strategji, do të ketë si bosht të saj, integrimin e shqiptarëve në Shqipëri, si pjesë të objektivit tonë strategjik, për integrimin e Shqipërisë në BE. - Nuk mund të ketë integrim në Europë, pa integrimin e fshatit shqiptar. - Nuk mund të ketë integrim në Europë, pa integrimin e grave në shoqërinë shqiptare. - Nuk mund të ketë integrim në Europë, pa integrimin e pakicave etnike, kulturore dhe seksuale, në Shqipëri. - Nuk mund të ketë integrim në Europë, pa integrimin e çdo familje shqiptare, me qendrën e fshatit apo qytetit ku jeton e punon… Pa integrimin e çdo fshati, me qendrën e komunës: Me rrugë me asfalt; me ujë të pijshëm; me energji elektrike; me internet; me rrjetin e gazit; me qendrën shëndetësore; maternitetin; shkollën apo postën policore. - Nuk mund të ketë integrim të Shqipërisë në Europë, pa integrimin e qendrës së çdo komune, me qendrën e çdo rrethi. - Qendrën e çdo rrethi, me qendrën e qarkut. - Qendrën e çdo qarku me Kryeqytetin e Shqipërisë. Plot 83 vjet me parë, në vitet ’30 të shekullit të kaluar, kur një udhëtar francez kaloi në këto anë, shkroi: “Ky vend ka një bukuri mahnitëse. Por, ky vend do të behet shtet, kur të ketë rrugë.” Ky vend do të behet shtet i BE, kur të ketë rrjetin kombëtar rrugor, me parametra, cilësi, sinjalistika dhe infrastrukturë ndihmëse, sipas standardeve europiane. - Nuk mund të ketë integrim të Shqipërisë në Europë, për aq kohë sa edhe pas 23 viteve nga rënia e Murit të Berlinit, qytetarët e saj, nuk kanë ende ujë në rubinetet e çezmave të tyre. Nuk kanë drita 24 orë. S’kanë rrjet të kullimit të ujërave të zeza e të bardha. - Nuk mund të ketë integrim në Europë, pa integrimin e të gjitha informacioneve dhe të dhënave individuale, lokale e rajonale, në një “bankë kombëtare” të të dhënave on- line. -- Vetëm atëherë kur të gjithë banorët, familjet, lagjet, fshatrat, komunat, qytetet, rrethet dhe qarqet tona, të jenë integruar në Shqipëri, shqiptarët do të integrohen në Bashkimin Europian. * * * Si mund të jenë nesër qytetarë të barabartë me ata të Bashkimit Europian, banorët e zonës sime elektorale në Peqin, kur ky rreth, megjithëse me pasuri dhe burime natyrore të jashtëzakonshme, me 300 ditë me diell, me ujëra pafund, me fusha pjellore e kodra të begata, me njerëz punëtorë DHE megjithëse në mes të Shqipërisë: Të jetë më i varfëri, me papunësinë më të lartë dhe më e prapambetura zonë e Shqipërisë? Si mund të jenë të integruar banorët e fshatrave, komunave dhe qytetit të Peqinit, të cilët jetojnë në kufi me Tiranën, për sa kohë e arrin kryeqytetin nëpërmjet rrugëve aktuale, tri herë më vonë se banorët e Kukësit, që ndodhen tri herë më larg? Jam futur pothuajse në çdo shtëpi të qytetit të Peqinit dhe komunave të Pajovës, Përparimit, Shezës, Karinës e Gjocajt, gjatë fushatës për zgjedhjet e 23 qershorit. - Qindra familje kanë tonelata të tërë me vaj ulliri, por nuk kanë bukë në shtëpi. - Kanë kuintalë të tërë me mjaltë dhe nuk kanë para për të blerë një kg sheqer. - Kanë çisterna me verë e raki nëpër bodrume, por nuk kanë para të kalojnë muajin pa borxhe. Sepse prodhimet e tyre bio, nuk arrijnë dot në treg për mungesë të rrugëve, qendrave të grumbullimit, investimeve dhe mjeteve të transportit. Këta banorë kanë toka ndanë lumit Shkumbin, kanalit Peqin- Kavajë apo rezervuarëve, burimeve apo përrenjve, por prodhimet e tyre thahen arave për një pikë ujë. Askund tjetër më shumë se në këto anë, nuk tingëllojnë kaq aktuale, vargjet e Imzot Nolit: Anës detit të palarë/ Pranë sofrës të pangrënë… Procesi i integrimit të rrethit të Peqinit dhe i të gjitha zonave që secili prej nesh përfaqëson në këtë sallë, do të realizojë integrimin e gjithë shqiptarëve në Shqipëri. Duke sjellë njëkohësisht, edhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. - Integrimi nuk është një proces që zhvillohet nga lart- poshtë. Por nga poshtë- lart. - Integrimi nuk është ekskluzivitet i politikave globale, i negociatave ndërkombëtare, i proceseve rajonale, apo i liderëve kombëtarë. - Integrimi është para së gjithash, një proces lokal. Sepse edhe politika, në çdo rast, është vendore. - Integrimi nuk është retorikë, por zhvillim. - Integrimi nuk është klientelizëm korruptiv dhe familjar, por reformë strukturore. - Integrimi nuk është dekoratë për qeverinë. Dhe dështimi, anatemë për opozitën. Por gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi e përbashkët. Integrimi është një proces që do ti shërbejë të gjithë qytetarëve njëlloj, pavarësisht bindjeve të tyre. Sepse siç thotë Kryeministri francez Fransua Fillo(n) “nuk ka popull të kampit të majtë dhe popull të kampit të djathtë”. Integrimi nuk është një çështje vetë e ministrisë së Integrimit, por e gjithë qytetarëve shqiptarë. “Nacionalizmi në Ballkan,- thotë Daniel Fried,- është si alkooli i lirë. Në fillim të deh dhe pastaj të verbon e të vdes.” Ndaj, jo nacionalizmi “për ca vota më tepër”, por politikat moderne, do të na çojnë drejt integrimit. Ne jemi shtet i hapur, por një shoqëri ende e mbyllur. Vetëm një shoqëri e hapur në një botë të re pa kufij, është rruga drejt integrimit. Integrimi nuk e përjashton identitetin. Përkundrazi. Ruajtja e identitetit tonë kombëtar, do të jetë prurja jonë ekskluzive në Europën e Bashkuar në diversitet. Këtë proces e garanton dhe do ta sjellë ky program i qeverisë së “Aleancës për Shqipërinë Europiane” të Kryeministrit Edi Rama, të cilin po e diskutojmë sot. Ndaj, i ftoj edhe kolegët e opozitës, që të dalin nga lëkura e tyre politike duke i lënë mënjanë emocionet e çastit dhe ta votojnë këtë program. Sepse duhet “të jetojmë me armiqtë tanë aktualë, ashtu sikur një ditë ata do të bëhen miqtë tanë. Kjo nuk është as sipas natyrës së urrejtjes dhe as sipas rregullave të miqësisë. Kjo nuk është aspak një maksimë morale, por POLITIKE”. Faleminderit! (Fjala në seancën e debatit në Parlament, për programin e qeverisë Rama 2013- 2017)
Posted on: Sat, 14 Sep 2013 14:44:54 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015