Bëhet apo s’bëhet kulturë në Kërçovë?! Ardhja e vjeshtës - TopicsExpress



          

Bëhet apo s’bëhet kulturë në Kërçovë?! Ardhja e vjeshtës dhe nisja e vitit shkollor, pos që ka sjellur gjallërinë nëpër qytet dhe rendimentet në fushë, sidomos për ata që mbollën në pranverë, nxori në sipërfaqe edhe nevojën e pashmangshme të vëhen në “kandar” edhe punët e njërëzve. Kundruar nga tehu i bërjes kulturë, Kërçova këtë vit nuk mund të lavdërohet dhe aq, meqë pos disa koncerteve sporadike dhe mbrëmjeve të shumta gazmore, që organizoheshin nga pronarët e kafeterive të shumta të Kërçovës, të cilat kanë mbirë si kërpudhat, vështirë se gjen diç që do të kualifikohej si bërje kulturë apo shtrim i shërbimit zbavitës për qytetarin e rëndomtë. Pallati i Kulturës në Kërçovë, që në krye të portës po mban ende mbishkrimin në qirilicë, qysh moti është rrethuar me kafene, të cilat siç thonë pronarët e tyre, janë lokale me qira, shumën e së cilës askush nuk e di dhe as që e ka ditur. Sa i përket kulturës dhe “Pallatit të Kulturës”, qytetarët vështirë se do të shprehen të kënaqur. Pranvera e hershme nisi me shfaqje filmash, për të cilët u tha se do të shndërrohen në traditë, po ky avaz u shkëput që me nismën e tij, dhe kjo ëndërr e lezetshme mori teposhtëzën. Sa i përket shfaqjeve të teatrit, ky pallat, që nga brendia e tij duhet të vjellë kulturë, e cila gërshetohet përmes shfaqjeve, nuk mund të ngre kokën e të lavdërohet për bëma të rëndësishme. Në itinerarin e veprimit të kësaj”enti nacional” që quhet Qendra për Kulturë dhe që në epitaf i shkruan vetëm në qirilicë, ndeshet veç ndonjë shfaqje aksidentale, që ka kaluar si projekt nga Ministria për kulturë e Maqedonisë. Kur jemi te “qendra për kulturë” e Kërçovës, e cila edhe sot e kësaj dite vepron pa asnjë të punësuar shqiptar, në pallatin gjigant pret katër katesh, është vendosur edhe biblioteka e qytetit, e cila ka vetëm një punëtor shqiptar, dhe me fond të librave të trashiguar nga e kaluara e “lavdisë partizane” dhe që ende në raftet e saj nuk është parë ndonjë fond freskues titujsh. Në hapësirat e këtij pallati katërkatësh është vendosur edhe universiteti i punëtorëve, si dhe disa hapësira u janë dhënë me qira disa shkollave private për mësim të gjuhëve të huaja, pronarët e të cilave për koincidencë janë të etnisë maqedonase. Nja dy vite, në këtë “pallat kulture” gjetën strehë edhe studimet e ndara të Universitetit të Tetovës, po kuptohet pasi ato lokale i lëshuan ata të Universitetit të Manastirit, që u bartën tek ndërtesa e ish komandës së armatës jugosllave, e cila po bëhej gati për studentët shqiptarë, dhe që u zaptua nga studentët maqedonas, dhe kështu shqiptarët u detyruan të futen aty ku e lanë maqedonasit. Sidoqoftë në Pallatin e Kulturës apo “Centar za kultura” siç shkruan në krye të portës së tij, ka vend vetëm për maqedonasit. Para disa vitesh, kur shqiptarët e Kërçovës po merreshin me bërje vullnetare të kulturës, në këtë “pallat” paguhej edhe nga 1000 marka për të dhënë një shfaqje dhe këtë entuziastët dhe dashamirët e shumtë të teatrit të Kërçovës e bënin me kënaqësi vetëm e vetëm që në dërrasat e skenës së këtij pallati të dëgjohet e të admirohet edhe fjala dhe arti shqiptar. Për çudi, drejtimbërësit e pallatit pa asnjë shqiptar brenda nuk i mjaftonte shuma e majme, por po përpiqej të nxirrte telashe nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm që të zbehte dëshirën e shqiptarëve të Kërçovës për të afirmuar vlerat e tyre kulturore. Sot, kohërat kanë ndryshuar, dhe ky pallat ende vazhdon të mos ketë asnjë shqiptar në listën e të të punësuarve, vahzdon të ketë vetëm një bibliotekare shqiptare, vazhdon të mos ketë asnjë shqiptar te universiteti i punëtorëve, vazhdon të ketë përballë muzeumin me një drejtor muzeu pa asnjë punëtor shqiptar, e kështu me radhë. Ndonëse programi për kulturë i komunës së Kërçovës së bashkuar ishte shumë i ngjeshur dhe tejet premtues, një pjesë e mjeteve që këshilli i kësaj komune ka miratuar tanimë janë ndarë dhe përgjatë verës u pa të figurojë se nën përkujdesjen e komunës së Kërçovës, po zhvillohej “java e mërgimtarit” në agjendën e së cilës pamë të shkruajtura shumë aktivitete, si gara sporti, ekspozita arti, koncerte mikpritjeje, karvane letrare,etj. Dorën në zemër u pa shumë pak vepër nga ata që kishin marrë ngarkesën nga ana e komunës për ta realizuar gjithë këtë aktivitet. Pos vallëzimeve, që tanimë janë bërë zakon i grupeve që pretendojnë të quhen shoqëri, asgjë s’doli në sipërfaqe si e re apo e kultivuar, meqë ende “artistët” që pretendojnë skenën nuk mund të hiqen nga frika prej gjallërisë dhe synojnë që gjithçka t’ia lënë improvizimeve, ku muzika “playback” është bërë praktikë. Për organizimin e ndonjë festivali apo ndonjë koncerti as që mund të bëhet fjalë meqë kultura tanipërtani është lënë të lundrojë në anijen pa kapiten, ku deti i trazuar i veprimeve pa krye dhe sjelljes tallava është duke e bartur në rrugën pa busollë dhe gjasat për fundosje janë më se të sigurta dhe të pashmangshme. Se deri në ç’kohë e në ç’masë improvizimet do të llogariten për kulturë të mirëfilltë, mbetet në dorën e kompetentëve. Pra, anijes së kulturës në Kërçovë i nevojiten kapitenë të kualifikuar që do ta shpiejnë atë në brigje të sigurta të ekzistencës. Ndryshe asaj i kanoset fundosja dhe ngulfatja. Adem Xheladini, KOHA, 25 shtator 2013
Posted on: Wed, 25 Sep 2013 22:58:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015