C. H. Spurgeon “I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; - TopicsExpress



          

C. H. Spurgeon “I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve. Para se të agojë dita dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im, dhe sillu si një gazelë o një drenushë mbi malet e Betherit.”* Kënga e këngëve 2:16, 17 Padyshim, ky i mësipërmi është vargu më i hareshëm i Biblës: “I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij”. Është kaq i mbushur me paqe, me siguri, kaq i tejmbushur me lumturi dhe hare, sa që nuk është fare për t’u habitur që është hedhur në letër nga e njëjta dorë që shkroi Psalmin 23. Në këtë varg ndihen gjurmët e atij që një orë përpara se të shkonte në Gjetsemani tha: “Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota”. “Në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën”. Le t’i biem përsëri kambanës së argjendtë sepse notat e saj janë jashtëzakonisht të ëmbla: “I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij; ai e kullot kopenë midis zambakëve”. Mirëpo, megjithatë mbeten disa hije. Megjithëse peizazhi është jashtëzakonisht i bukur dhe i këndshëm për sytë, është mbase qoshja më e bukur e gjithë rruzullit, jo gjithçka në të ndriçohet nga dielli. Ka një re në qiell që e hedh hijen e saj mbi këtë skenë piktoreske, por nuk e zvetënon dot, sepse gjithçka shfaqet e qartë dhe e ndritshme: “I dashuri im është imi, dhe unë jam e tij”. Megjithëse gjithçka duket qartë, përsëri siç thamë më sipër skena nuk është e ndriçuar plotësisht. Dëgjoni: “Para se të agojë dita dhe hijet të ikin”. Këtu flitet gjithashtu për “malet e Betherit” ose “malet që na ndajnë”, dhe për dashurinë tonë nuk ka gjë më të hidhur sesa ndarja. Shoh këtu një qengj pashke, por si garniturë ka barëra të hidhura; dalloj një zambak, por ai ka hedhur shtat në mes gjembave. Shumë i dashur, ka shumë gjasa që kjo të jetë gjendja jote shpirtërore sot. Nuk e vë aspak në dyshim shpëtimin tënd, sepse e di se është Ai i yti, por përse vallë nuk feston bashkë me Të? Ti e di se jeta jote është në Të, pra, nuk ke asnjë hije dyshimi se je i Tij dhe Ai është yti, por megjithatë dora e Tij e majtë nuk është poshtë kokës tënde dhe as e djathta e Tij nuk të përqafon. Një hije dyshimi zgjatet mbi zemrën tënde, ndoshta për shkak të vuajtjeve e pikëllimeve, sigurisht nga mungesa e përkohshme e Zotit tënd, e cila të detyron që edhe kur thua: “Unë jam i Tij”, të ulesh në gjunjë dhe të lutesh: “Para se të agojë dita dhe hijet të ikin, kthehu, i dashuri im”. “Ku të jetë Ai vallë?” pyet fryma. Dhe përgjigja vjen e menjëhershme: “Po kullot kopenë midis zambakëve”. Njeriu i kësaj bote nuk e vret mendjen se ku gjendet Krishti, por ky është i vetmi mendim që e përshkon mendjen e të Krishterit. Jezusi ka ikur mes atyre zambakëve të bardhë që lulëzojnë në kullotat e qiellit, atyre zambakëve të artë që lulëzojnë përreth fronit. Oh, kur do të vijë ajo kohë që do të jemi me Të duke marrë pjesë në lavdinë e Tij? Fryma jonë digjet me padurim nga dëshira për orën kur martesa jonë do të konsumohet dhe lumturia jonë do të jetë e plotë. Ai gjendet mes zambakëve të Tij këtu poshtë, atyre frymëve të virgjëra të cilat, — “Ata që Qengji i udhëheq, Nuk e lënë kurrë të mirin shteg, Nëse dëshirojmë ta gjejmë Krishtin, bëjmë mirë të hymë në përbashkësi me njerëzit e Tij, duhet të marrim pjesë në sakramentet e Tij së bashku me shenjtorët e tjerë. Megjithëse Ai nuk mbahet me zambakët, Ai ushqehet mes tyre, dhe mbase aty mund të takoheni me Të. Oh, sikur të mund ta shikonim qoftë edhe vjedhurazi Atë sonte! Oh, sa mirë do të ishte të hanim darkë me Të sonte! Zoti im, për hir të gjithë dashurisë Tënde për mua, të lutem ki hirin të më vizitosh në këtë orë me mirësinë tënde dhe t’i falësh agun qiellor frymës sime. Sa shpejt që Ai vjen tek unë! Nuk ka gepard që të jetë i shpejtë sa gjysma e Tij. Brenda një çasti Ai mund të më ngazëllejë me praninë e Tij të këndshme. Eja Zot Jezus dhe bano në mua për gjithë përjetësinë. “Kur do t’më vish o Zot? Oh, eja shumë i dashuri im’Zot! Afrohu, afrohu, afrohu të lutem; Se kur pranë të kam i bekuar jam.”
Posted on: Fri, 21 Jun 2013 17:06:05 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015