DEPUTETET E PS-se I KERKOJNE RAMES SQARIME kryeministrit Rama - TopicsExpress



          

DEPUTETET E PS-se I KERKOJNE RAMES SQARIME kryeministrit Rama për armët vdekjeprurëse kimike siriane. Kur do t’i shmanget përballjes me opinionin, Rama shprehet se nuk ka vendim, kur do të justifikohet, thotë se kjo është detyrim që rrjedh nga anëtarësia në NATO. Kështu veproi edhe dje. Deputetëve të tij iu mbylli rrugën e diskutimit, ndërsa para ushtrisë dhe diplomatëve u shpreh se “çarmatosjen e Sirisë e kemi detyrim”. Armët kimike ishin në qendër të diskutimeve të djeshme në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste zhvilluara me dyer të mbyllura. Burime nga selia rozë pohojnë se në takimin e përjavshëm ligjvënësit socialistë kanë kërkuar që të diskutohet lidhur me armët kimike siriane. Ndërkohë që gjatë një ceremonie të veçantë të organizuar në sheshin kryesor të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, kryeministri bëri publike një përgjigje apo dritë jeshile që duket se është ndezur për operacionin e sjelljes së armëve kimike nga Siria në Shqipëri. Justifikimi para deputetëve Mundësia e shkatërrimit të armëve kimike siriane në Shqipëri është konsideruar si një çështje shumë e rëndësishme nga deputetët socialistë, për arsye se kjo forcë politike ka bërë premtime elektorale dhe ka votuar një ligj që ndalon importimin e plehrave dhe mbetjeve. Për këtë arsye ata kanë kërkuar që të diskutohet për të dhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar të zhvilluar mesditën e djeshme e cila zgjati më shumë se 1 orë e 30 minuta. Nga burimet mësohet se deputetët kanë kërkuar të analizohet gjerësisht kjo situatë që është shumë jetike. Por, Kryeministri Edi Rama ka pohuar se nuk ka arsye që të shtrohet për diskutim kjo çështje për sa kohë që nuk ka një vendim. Kreu i Qeverisë ka theksuar ndërkohë se, Shqipëria është anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe si e tillë ajo ka detyrime që duhet të plotësojë. Rama ka parashtruar rëndësinë e këtij procesi i cili po diskutohet gjerësisht, jo vetëm një Shqipëri, si një nga vendet e mundshme për shkatërrimin e këtyre armëve kimike, por dhe në shumë vende të tjera si Norvegjia të cilat kanë refuzuar qartazi kërkesën e amerikanëve. “Çarmatosja e Sirisë, një detyrim” Edhe më herët gjatë ditës së djeshme, Rama ka theksuar gatishmërinë e Shqipërisë për t’iu përgjigjur të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga të qenit të saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Gjatë vizitës në Forcat e Armatosura, Rama theksoi se Qeveria jonë i jep rëndësi të posaçme partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara. “Mishërimi i këtij partneriteti në frontin e NATO-s, nga llogoret e Irakut dhe të Afganistanit, tek përpjekja për të çarmatosur pa luftë regjimin vrastar në Siri, është jo vetëm detyrim i patjetërsueshëm, por dhe burim krenarie për ne shqiptarët”, - deklaroi dje Rama. Sipas tij, falë këtij partneriteti sot shqiptarët janë më mirë se kurrë ndonjëherë më parë, kudo që ata banojnë në rajonin tonë. Ai foli më tej çuarjes përpara me shpejtësi dhe me efikasitet të reformës së gjithanshme të Forcave të Armatosura (FA), duke përfshirë në këtë reformë ristrukturimin organizativ, në përputhje me rekomandimet e dokumentit të rishikimit strategjik të mbrojtjes, sistemin e edukimit, arsimimit dhe trajnimit të FA-ve; rritja e efikasitetit dhe të kapaciteteve operacionale në përballimin e emergjencave civile; realizmin cilësor të detyrimeve tona në kuadër të mbrojtjes kolektive, të mishëruara në paketën e objektivave të kapaciteteve. “Qëllimi i gjithë këtij procesi, i kësaj reforme tërësore në vazhdim, do të jetë ngritja e FA-ve në nivelin e pritshmërive të popullit shqiptar dhe aleancës së NATO-s. Shqipëria, jo vetëm që ka nevojë, por ajo mund dhe do ta ketë një forcë tërësisht moderne të armatosur, brenda së cilës shfaqjet e korrupsionit në nivelin e lartë të drejtimit, apo të dobësive të tjera të vërejtura deri më sot, t’i takojnë të shkuarës”, - deklaroi ai. Rama ka përshëndetur dhe arritjet e Forcave të Armatosura në gjithë këto vite. “Ndërsa flas për detyrimet dhe punën e viteve në vijim, nuk mund të lë pa përshëndetur, arritjet e deritanishme të Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me qeveritë paraardhëse. Duke gjetur rastin që përveç operacionit ISAF të drejtuar nga NATO, në Afganistan, të nënvizoj edhe pjesëmarrjen në operacionet e drejtuar nga KFOR në Kosovë apo në operacionet ALTEA të drejtuara nga BE, në Bosnje dhe Hercegovinë”, - tha ai, ndërsa shtoi se FA do të vijojnë të marrin pjesë në mënyrë aktive në çdo përpjekje të Familjes Euro-Atlantike për një botë më të mirë dhe më të sigurt. Vizita e Ramës tek Forcat e Armatosura u prit me një ceremoni të veçantë. Kryeministri Rama u prit me Truproje Nderi nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, gjeneralmajor Jereonim Bazo në sheshin kryesor të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe komandantët e Forcave, gjeneralë dhe drejtorë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm, atashe ushtarakë të akredituar në vendin tonë, si dhe trupa ushtarake të rreshtuara nga të gjitha llojet e Forcave.
Posted on: Tue, 12 Nov 2013 08:39:53 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015