Hakmarrja e shtetit grek. Mbyll kufijtë për kthimin e - TopicsExpress



          

Hakmarrja e shtetit grek. Mbyll kufijtë për kthimin e emigrantëve shqiptarë. Jakup B. GJOÇA Botuar te gazeta “Telegraf”, e hene 19 gusht 2013 Dje shteti helen mbylli kufirin e Kakavijës, për kalimin e emigrantëve shqiptarë në Greqi, si shenjë e hakmarrjes së saj ndaj vendimit të Bashkisë së Përmetit për marrjen e godinës së Shtëpisë së Kulturës “Vëllezërit Frashëri”, nga përdorimi disavjeçar i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Po dje, orët e para të ditës, qeveria greke përdori dinakërinë e zvarritjes së procedurës së kalimit të emigrantëve shqiptarë në pikën e kufirit në Kakavijë, duke funksionuar 1-2 sportele, edhe pse fluksi i emigrantëve shqiptarë ishte tepër i madh. Bllokimi i kufirit, shantazhi diplomatik i qeverisë greke ndaj shqiptarëve Mirëpo radhët e gjata dhe sorollatja e emigrantëve në kufirin grek, nuk e plotësoi dot hapësirën e vakuumit të hakmarrjes greke, derisa në orët e drekës, qeveria greke e bllokoi fare kufirin, si presion të hapur, si një shantazh qeveritar të saj ndaj qeverisë shqiptare, për të ndikuar në marrjen mbrapsht të vendimit të Bashkisë së Përmetit. Qeveria greke për çdo rast, kur do që të ushtrojë presion dhe shantazh diplomatik ndaj qeverisë shqiptare, deri më sot, ka përdorur emigrantët shqiptarë që punojnë në Greqi. Vite më parë, qeveria greke përdorte operacionet “SKUPA”, ndaj emigrantëve, duke i përzënë me dhunë, gjoja për mungesë dokumentacioni. Ndërsa tani, kur qeveria greke nuk mund të përdorë dot këtë dhunë ndaj emigrantëve, bllokon kufirin e kalimit, sidomos në periudha kohore, sikurse tani, në gusht, kur fluksi i emigrantëve është tepër i madh. Protestat e Greqisë, janë ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë Pyetja më e natyrshme që lind, pas protestës të qeverisë greke për rimarrjen e godinës të Shtëpisë së Kulturës “Vëllezërit Frashëri” në pronësi të Bashkisë së Përmetit, është: Përse reagon qeveria greke? Ky veprim i ligjshëm i Bashkisë së Përmetit, apo e thënë ndryshe, vendimi i Gjykatës të Rrethit të Përmetit, përbën shkelje të ushtrimit të së Drejtave të Njeriut dhe të minoritetit grek në Shqipëri? Pastaj, po t’i përmbahemi logjikës së fakteve dhe ngjarjeve, Kisha Ortodokse Autoqefale në Përmet i përket shqiptarëve dhe jo minoritarëve grekë. Atëherë, përse shqetësohet Athina? Si ta kuptojmë “ndjeshmërinë” e qeverisë greke, sidomos ndaj çështjeve që kanë të bëjnë me Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare? A nuk ndërhyn kësisoj Athina në punët e brendshme të Shqipërisë? Athina, me këto ndërhyrje të saj, kërkon që të vendosë hegjemoninë e saj edhe në çështjet e besimit ortodoks në Shqipëri. Jo më kot, Athina me këto ndërhyrje, kërkon që të pagëzojë edhe kishat ortodokse Autoqefale Shqiptare, si Kisha Ortodokse greke, duke dashur të përcjellë mesazhin se për Athinën, në Shqipëri nuk ka Kishë Ortodokse Autoqefale Shqiptare, por vetëm Kishë Ortodokse helenike. Prifti i Kishës Ortodokse Autoqefale në Përmet është shqiptar. Thua, të besojmë se Athina shqetësohet për çdo besim fetar në Shqipëri? Dihet, që Greqia është shteti më fetar në BE, aq sa Greqia, deri tani, duke iu qëndruar, pikërisht, këtij karakteri tepër fetat të shtetit, po pengon edhe ndërtimin e një xhamie të vetme në Athinë, duke shkelur në mënyrë flagrante çdo të drejtë të Njeriut, për të qenë i lirë të besojë dhe të ushtrojë të drejtën e besimit fetar në atë që ai beson. Kështu, që do të ishte më e drejtë, që Athina, përpara se të “shqetësohet” për Kishën Autoqefale Shqiptare në Përmet, le të lejojë ndërtimin e xhamisë në Athinë.
Posted on: Mon, 19 Aug 2013 11:48:50 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015