Historia e trevave të Librazhdit Ndonëse historia e qytetit të - TopicsExpress



          

Historia e trevave të Librazhdit Ndonëse historia e qytetit të Librazhdit është e re, trevat e tij kanë një histori të lashtë. Duke u ndodhur midis dy trevave të mëdha të Shqipërisë, Gegërisë dhe Toskërisë, krahas tipareve të përbashkëta me treva të tjera të vendit, ato kanë ruajtur edhe dallime në aspektin gjuhësor, folklorik dhe etnografik. Gjurmët më të hershme të banimit në rrethin e Librazhdit janë gjenden që në periudhën e Gurit të Vjetër (Paleoliti). Materialet arkeologjike të periudhave të Gurit të Mesëm (Mexoliti), Gurit të Ri (Neoliti), Bronzit, Hekurit etj., japin të dhëna të rëndësishme të jetës ekonomike dhe shoqërore, si për gjuetinë, bujqësinë, blegtorinë, punimin e enëve prej balte, besimet etj. Sipas autorëve antikë, treva që shtrihej në rrjedhën e sipërme të lumit Shkumbin, quhej Kandavia, kurse banorët quheshin kandavë. Perëndia që kandavët besonin më shumë dhe që i kishin kushtuar edhe një tempull ishte Diana e Kandavëve, perëndesha e pyjeve dhe e gjuetisë. Një fragment i këtij tempulli është zbuluar në vitin 1916 nga arkeologu austriak Prashniker dhe në të ishte shkruar përkushtimi: Diana augusta kandavensis, d.m.th., Diana, mbretëresha e kandavëve. Kandavët organizonin festa kushtuar perëndeshës së tyre, Dianës (Zanës). Çdo pranverë ata festonin ditën e ripërtëritjes së natyrës, e gjallërimit dhe e vazhdimësisë së jetës, duke krijuan kujtin e festës së Ditës së Verës, festë e cila është trashëguar deri në ditët e sotme.Nëpër luginën e lumit Shkumbin (Scampini) kalonte Rruga e Kandavisë. Gjatë sundimit romak rruga mori emrin: Via Egnatia. Ajo lidhte dy pjesët e perandorisë romake, atë të Perëndimit me Lindjen. Gjatë shekujve II-IV pas Kr.Në mesjetë trevat e Librazhdit u quajtën Aranitia (Aranitid). Ato ishin nën zotërimin e aranitëve, një nga familjet më të vjetra fisnike të Shqipërisë Qendrore. Aranitët kishin emblemën e familjes së tyre, e cila ishte në formën e një shqyti dhe brënda saj ishte vizatuar shqiponja me dy krerë me ngjyrë të artë në fushë blu. Në shekujt XIII-XVI aranitët kishin arritur famë të madhe në Shqipëri dhe jashtë saj. Sipas kronistit Gjon Muzaka (despoti i Beratit), pronat në zotërim të djemve të Komnen Aranitit shtriheshin kryesisht në territoret e Çermenikës, Mokrës dhe Shpatit. Kryeqendra e Aranitisë ishte Polis-Vilani (Comnenovili, d.m.th., qyteti i Komnenit), me kështjellë në Kryekorrë (Sopot).Aranitët më të shquar gjatë në shek. XV ishin Gjergj Araniti me nipat e tij: Moisi Golemi, Muzaka i Angjelinës dhe Gjurik Vladani. Gjergj Araniti organizoi kryengritje të njëpasnjëshme kundër turqve, duke arritur fitore të lavdishme dhe të bujshme. Këto fitore i dhanë atij famë në të gjithë Europën. Pas vdekjes së Gjergj Aranitit dhe krerëve të tjerë të Aranitisë, si dhe largimit të familjes Araniti në Itali, vendi u pushtua nga Turqia. Populli i këtyre trevave asnjëherë nuk i reshtën përpjekjet e tyre për liri dhe pavarësi.Në gjysmën e parë të shek. XVII në fshatin Polisi ishte hartuar një tekst (dorëshkrim) me një alfabet origjinal në gjuhën shqip. Ai përmbante 21 shkronja dhe është më i vjetri i njohur për gjuhën shqipe. Po në Polis ishte krijuar një sistem numërimi origjinal, me simbole që u korrespondonin numrave aritmetikë 1, 5, 10, 50, 100, 500 dhe 1000. Krahina e Çermenikës kishte formën e vet të vetëqeverisjes, atë të Kanunit të Çermenikës. Ligjvënësi popullor më i njohur në Çermenikë dhe jashtë saj ka qenë Mus Ballgjini nga fshati Gurakuq, prej të cilit, e drejta zakonore e Çermenikës, u quajt Kanuni i Mus Ballgjinit. Në gjysmën e parë të shekullit XIX në Çermenikë shpërtheu një kryengritje e madhe kundër zbatimit të reformave të Tanzimatit. Fshati Bërzeshtë ka qenë qendra më e rëndësishme e lëvizjes patriotike në anët e Librazhdit. Rilindasit më të dëgjuar ishin prof. Ibrahim Lutfi Pasha (Bërzeshta) dhe Halit Bej Bërzeshta. Dr. Ibrahim Lutfi Pasha ishte antar i Shoqërisë i të Shtypurit Shkronja Shqipe, që thmeloi alfabetin e gjuhës shqipe, i cili njihet si Alfabeti i Stambollit. Atdhetarët librazhdas, si Hajdar Blloshmi, Selman Blloshmi, Abaz Xhurai, Beg (Beqir) Balla etj., ndihmuan për ndërgjegjësimin kombëtar të popullsive të krahinave të tyre dhe për hapjen e shkollave shqipe. Në vitin 1911 një fshatar nga Kuturmani, i quajtur Adem Karai, solli fidanin e bimës së hurmës në Shqipëri.Librazhdasi­t morën pjesë në ngjarjen më të madhe të kombit shqiptar, atë të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare në Vlorë më 28 Nëntor 1912. Delegat në Kuvendin e Vlorës, si përfaqësues i trevave të Librazhdit dhe Pogradecit, ishte Hajdar Blloshmi nga Bërzeshta. Në Vlorës shkuan edhe dy çermenikas: Beg Balla dhe Rushit Kenga nga Orenja. Në vitin 1913 një batalion vullnetar nga trevat e Librazhdit, me mbi 300 luftëtarë, shkuan në Shkodër për të luftuar në mbrojtje të qytetit që ishte pushtuar nga malazezët. Kurse në vitet 1913-15 viset e Librazhdit u përballën me mizoritë më çnjerëzore të hordhive pushtuese serbe. Në kongresin e Lushnjës, si përfaqësues i trevat e Pogradecit dhe Librazhdit, ishte Shaban Blloshmi, i cili shkoi në Lushnjë i shoqëruar nga çeta e tij, për të siguruar zhvillimin normal të punimeve të Kongresit. Në vitin 1920 vullnetarë nga trevat e Librazhdit morën pjesë në luftën për çlirimin e Vlorës të pushtuar nga forcat ushtarake italiane. Më 7 prill 1939 Shqipëria u pushtua nga Italia fashiste. Pakënaqësia e popullit kundër pushtuesve të huaj u kthyer në revoltë. Të rinj antifashistë, si Kadri Hoxha, Sami Leka, Shahin Zharri etj. dhe nacionalistët Haki Blloshmi, Nezir Muzhaqi, Hazis Biçaku etj., organizuan në zonat e Çermenikës, Bërzeshtës, Polisit etj. kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve italianë. Partizanët dhe ballistët bënë marrëveshje që të bashkërendonin luftimet e tyre kundër armikut të përbashkët, fashistëve italianë, por të dyja palët, në absurditet të plotë, i kthyen armët kundër njëri-tjetrit. Në shtator të vitit 1943 u strehuan në Qarrishtë 26 hebrenj (çifutë). Gjatë operacionit të dimrit 1943-1944, gjermanët kërkonin hebrenjtë e strehuar në Qarrishtë. Ata e ndëshkuan këtë fshat dhe dogjën 20 shtëpi, por 26 hebrenjtë nuk i kapën. Vetëm pas çlirimit të Shqipërisë, pas gati dy vjetësh në fshehtësi të plotë, 26 hebrenjtë u larguan nga Qarrishta dhe u kthyen në atdheun e tyre. Më 10 nëntor 1944 forcat partizane të Brigadës XX S. çliruan qendrën e Librazhdit. Për çlirimin e Shqipërisë nga rrethi i Librazhdit dhanë jetën 79 dëshmorë.Pas mbarimit të luftës Librazhdi ishte pothuajse i shkatërruar dhe me 90% e popullsisë analfabete. Në vitet 40, 50 dhe 60 gjendja ekonomike si në qytet dhe në fshat ishte tepër e rënduar. Ushqimet kryesore si mishi, buka, vaji, gjalpi etj. jepeshin me racion. Në këtë kohë u propagandua kolektivizimi i bujqësisë. Fshatarë të veçantë, të cilët nuk pranuan të kolektivizoheshin, u shpallën kulakë. Në vitet 60, në emër të revolucionarizimit­ të jetës së vendit dhe të emancipimit të grave, u prishën xhamitë dhe u dëmtuan rëndë traditat familjare. Në vazhdën e goditjes së kundërshtarëve politikë, në vitet 70 u ndërmor një fushatë të egër spastrimesh në radhët e intelektualëve. Në vitin 1973 arrestuan dhe e dënuan me burgim Gani Skurën nga Pishkashi, i cili kërkonte mbrojtjen nga ana e shtetit shqiptar të interesave kombëtare, të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare jashtë kufijve shtetërorë. Në vitin 1976 u arrestuan dhe, me akuza të trilluara, u dënuan me pushkatim më 17 korrik 1977 mësuesit-poetë Genc Leka e Vilson Blloshmi nga Bërzeshta. Gjithçka u përgatit në fshehtësi inkuzicionale në komitetin e partisë të Librazhdit. Historia e themelimit të Librazhdit si qytet Historia e themelimit të Librazhdit si qendër banimi zë fill qysh në vitin 1929, atë vit kur u bë çvendosja e trasesë së rrugës automobilistike Tiranë-Elbasan-Korçë­ buzë luginës së lumit të Shkumbinit. Traseja e vjetër pati kaluar nëpër shpatet e Malit të Polisit, në gjurmë të rrugës së hershme Egnatia. Pranë rrugës së re dhe buzë lumit të Shkumbinit u ngrit qendra administrative e nënprefekturës së Librazhdit. Veç zyrave të nënprefekturës dhe të postë-telegrafës, në Librazhd u ndërtuan dyqanet e shitblerjes, kafene dhe hane. Më e njohur ka qenë Kafja e Llaz Popës, që konsiderohet si themelues i Librazhdit. Pas Luftës së Dytë Botërore Librazhdi u bë qendër rrethi. Aty u vendosën zyrat e administratës partiake e shtetërore dhe institucionet social-kulturore, si spitali, shtëpia e lindjes, shtëpia e kulturës, biblioteka, kinemaja, shërbimet sociale, punishte ushqimore etj. Për banorët e rinj të Librazhdit u ndërtuan pallate banimi dhe e gjithë infrastruktura e nevojshme.Gjatë viteve 60 qyteti i Librazhdit mori një zhvillim urbanistik të veçantë, duke bërë që të spikatet nga qytetet e tjerë të Shqipërisë. U ndërruan pallate të reja shumëkatëshe, u krijua qendra e re e qytetit, u ndërtuan shëtitorja (bulevardi), trotuaret ndanë tij, u mbollën pemë dekorative, u krijuan lulishte, parqe etj., duke i dhënë qytetit një pamje të hijshme e të veçantë. Deri në vitet 80, të shekullit të kaluar në qytetin e Librazhdit, krahas institucioneve të ndryshme administrative, industriale, arsimore etj., numëroheshin edhe disa institucione kulturore si Dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Biblioteka e qytetit, Shtëpia e kulturës, Muzeu Historik dhe Etnografik, Galeria e arteve figurative, kinemaja etj. Në vitin 1986 Librazhdi kishte 3379 banorë (FESh). Pas viteve 90, për shkak të lëvizjes të lirë të popullsisë, qyteti i Librazhdit u popullua me banorë të ardhur nga fshatrat e rrethit. Sot qyteti numëron mbi 15 mijë banorë.Në vitet 60-70 në qytetin e Librazhdit ishin transferuar, apo dhe ishin emëruar me punë në këtë qytet, disa nga personalitete të njohur dhe me emër të spikatur në kulturën shqiptare, si shkrimtarë, aktorë, regjisorë, muzikantë, piktorë, skulptorë etj. Në Librazhd bënë emër shkrimtarët Koçi Petriti, Ruzhdi Qatipi, Çelik Petriti, Astrit Bishqemi, Adelina Balashi etj. Patën fillimet e tyre në skenë aktorët dhe regjisorët Guliem Radoja, Resul Duro, Gjergji Melo, Ilir Fatkoja. Zhvilloi aktivitetin muzikor këngëtari i shquar Sherif Merdani dhe muzikantët e tjerë të talentuar, si Arben Kurani, Gazmend Mullahi, Luan Bakiu, Lindita Kotorri, Naim Gjoshi etj. Në Librazhdi i patën fillimet e tyre në krijimtari edhe piktorët dhe skulptorët Sali Allmuça, Robert Përmeti, Arben Laze, Robert Qafëzezi etj.. Gjithashtu në Librazhd ishin vendosur me punë edhe disa intelektualë të fushave të ndryshme, si arsimtarë, ekonomistë, mjekë, ushtarakë etj., të cilët patën një ndikim të madh për zhvillimin intelektual, kulturor dhe shoqëror në qytetin e Librazhdit. Gjatë viteve 60, 70 dhe 80, shumë djem dhe vajza nga Librazhdi kishin kryer shkolla të larta në vend dhe zhvillonin kontributin e tyre për gjallërimin e jetës ekonomike dhe shoqërore të qytetit të tyre. Arkitekti Zenel Hysa është autori që ka projektuar dhe zbatuar planin urbanistik të qytetit, duke bërë që qyteti të marrë atë pamje që ka sot. Nga Librazhdi ishte edhe gazetari i mirënjohur Osman Allkja, një nga penat më të spikatura të gazetarisë shqiptare te viteve ’60-80. Në vitet 70 kishte shpërthyer talenti i jashtëzakonshëm i dy poetëve martirë, Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, që diktatura i preu në mes, duke i vrarë barbarisht. Artistë vendas, si Sadi Halili (koreograf), Muhamet Muça (aktor-regjisor), Sabri Cani (regjisor), Çlirim Çollaku (piktor), Sami Roçi (piktor), Arif Lushi (piktor), Rajmonda Mato (piktore), Rakipe Karai (këngëtare lirike-soprano), Hatixhe Lushi (këngëtare lirike-mexosoprano),­ Dashamir Leka (muzikant), Julian Muçollari (skulptor), Besnik Haxhillari (piktor), Gëzim Hida (piktor), Bujar Alliu (muzikant) etj., shpalosën talentin e tyre në aktivitete lokale dhe kombëtare, si në festivale muzikore, çfaqje teatrale, ekspozita figurative etj. Ndonjë artist librazhdas, si aktori Muhamet Muça luajti me sukses në disa filma artistikë të kinostudios Shqipëria sot, piktori Arif Lushi në vitin 1984 mori Çmimin e Parë në gjininë e portretit, në Ekspozitën Kombëtare të arteve figurative etj. Në Librazhd zhvillojnë aktivitetin e tyre, sot e gjithë ditën, mjeshtrat librazhdas, si Sadi Halili (Artist i Merituar), Hazis Kopaçi, Naim Gjoshi, Arben Kurani, Sami Roçi, Skënder Karriqi, Gëzim Hida, Isuf Bardhoshi, Xhevahir Karai, Agim Fezollari etj., por edhe shumë djem dhe vajza të reja, si këngëtaret Leonora Bahiti, Jeta Faqolli, Nertila Vreto etj., që debutojnë me sukses edhe në aktivitete (festivale) kombëtare, por edhe në skenat jashtë kufijve shtetërorë...adm #jeti
Posted on: Sun, 17 Nov 2013 19:04:23 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015