“Ikonat” e fshatit tim (Homazh për të parët e fiseve të - TopicsExpress



          

“Ikonat” e fshatit tim (Homazh për të parët e fiseve të fshatit në shekulli XX) Nga Haki BALLIU Çdo fis i fshatit tim ka historinë e vet. I larguar qysh në vitin 1958 e kam vështirë të hyj në hollësira, sidomos për brezin pas meje. Nuk kam përjetuar nga afër hallet e dertet e tyre në dy tranzicionet e mëdha: kooperativën e mallkuar, nëse për secilin ishte e tillë, e as demokracinë e bekuar, nëse për cilindo ka sjellë mirësinë. I pari qe bukur i mirë për burokratët e diktaturës, i dyti për politikanët e korruptuar. Në dy sisemet jemi ngopur me buzëqeshje dhe ngërdheshje. Po që të ndihem më i lirë, le t’u largohemi fantazmave politike. Në këtë shkrim dëshiroj që ndjesinë time ta ngop me mbresat e brezit përpara meje, me bashkëmoshatarët e mi. Më qartë sjell në kujtesë shokët e shkollës fillore: Mehmet Isufin, Hekuran Lekën, Ferit Lekën, Hekuran Allën, Istref Çollakun, Osman Mokrarin, Myftar Metushin etj. Dikush prej tyre nuk është më në këtë jetë, por jeton në kujtesën time. Më parë se këta, sipas radhës e jashtë radhe shkuan edhe prindërit e tyre. Ca nga ca u pakësuan e u huan kush i lumtur apo i velur, dikush i brengosur, tjetërkush i persekutuar. Po seicili la emrin mbi dhé. Në respekt të tyre po përmend ata që më thërret kujtesa. Sali Leka Përveçse burrë i zgjuar, ishte mendja e urtësisë së fshatit. I kudondodhur për të pajtuar një mëri apo zënkë mes personave apo familjeve. Pesha e fjalës së tij bënte që urrejtja të ngrinte krahët e të çlironte shpirtërat. Kur isha një cop 13 vjeçar këshilla e xha Saliut përkëdheli deri sedrën time. Dhe sot ia di për nder sepse më e mira doli. Për Slatinën Sali Leka mbetet emblema e bashkëjetesës. Haxhi Isufi Është kujtesa ime e parë me burrat e moshës së tij. Ndoshta se kishte një dyqan ku pata shkuar me nënën dhe provova sheqerkën e parë. Ndoshta më qe fiksuar për nga mënyra e veshjes me të pambukta apo pse e kishim mik shtëpie. Më vonë do të mësoja se bënte bashkëtregëti me kushëririn e babajt, Seit Balliu. Të dy ishin bërë byrazerë për shpirt, me përbetimin të sakrifikonin deri jetën në mbrojtje të njëri – tjetrit. Nuk e di sa e kërcënuar qe jeta e tyre në rrjedhën e viteve. Po përpara asaj besa besë trimash, kundërshtarët u tutën. Ajo çka nuk meritoi fisi atdhetar Isufi, qe burgosja e 5-6 burrave ish partizanë të vijës së parë. Diku u kam kushtuar ca rreshta shkrimi. Bari Leka Sa përfaqëson emrin e tij, shënova më sipër e prapë do të më dali në shteg. Shkurt e vlerësoj firma e parë e historisë së shkruar për Slatinën. Ndjej keqardhje të madhe për vdekjen nga një dorë kriminale. Por është e pamoralshme t’i kujtojmë vetëm fundin, të cilin nuk e thirri vetë. Figura e Bari Lekës duhet përjetësuar. Sa dhe si, u takon këshilltarëve vendor. Ramë Mara E mbaj mend burrë serioz. Veçse bujar e mikpritës që i kishte lezet konaku dhe i zinte vend llafi. Shpirti atdhetar e lidhi me luftën ku la emër të mirë ashtu si dhe pas çlirimit. Prej kësaj familje dolën djem të zgjuar, të zotët e vetes dhe fshatit. Hysen Metushi Ashtu si e ëma, Hyseni mbahet mend për jetëgjatësinë shekullore. Kishte një shëndet për ta patur zili aq edhe zërin e fuqishëm. Kur ne të vegjlit në breg shëmtira çukisnim naçaken në ndonjë kërçel të korijes së tij kufi, zëri i Cenes ngjitej gjer aty. “Eeeej! Mos prisni lisa se u erdha aty”. Në vitin 2003 Flori dhe unë i kushtuam shkrim në gazetën “Mokra”. Fatmirësisht e kapëm gjallë. Arif Alla Arifi ishte paria e fisit të madh. Shtëpia dy katëshe e stërzgjatur bënte dritë si pallati në mes të fshatit. Me trupin e hijshëm, fjalën e ëmbël dhe korektësinë, në shumë vite ishte i besuari dhe i zgjedhuri i fshatit si kryeplak. Në vllazërinë e tij bëri emër të mirë Shaban Alla i cili derdhi gjak për çlirimin e vendit. Sot të birin, Nazmiu natyrshëm e kemi kryetar i veteranëve të Luftës ANÇL. Rexhep Balliu Më duket se nuk jemi i njëjti trung, shkonim vllazërisht. Në një dasmë nipi, im vëlla Livani e caktoi dollibash në rolin e të zotit të shtëpisë. Unë isha pritësi i tij i denjë, por jo aq i zoti sa të hidhesha në zjarr. Xhepin e mbaj mend qysh partizan 18 vjeçar. Pas çlirimit shikoj punën dhe qetësinë e vet. Me pushkën krahëqafë, mushkën e ngarkuar me dru zjarri, ia merrte këngës gjersa zbriste në Gonoravë. Sinan Mani Kisha dëshirë ta shikoja e ta dëgjoja. Burrë pak i shkurtër, me vështrim të qetë, fjalë shoqëruar me buzëqeshje. Nuk besoj ta ketë sharë dikush e as të ketë sharë dikë. Mëgjithatë fati i lig e goditi pamëshirë shpirtin e tij. I biri, Isa Mani, piloti i parë mokrar, ndër pilotë e talentuar dhe guximtar, humbi jetën me avion reaktiv diku në malet e Vlorës. Disa ditë pas tragjedisë shkova për ta ngushëlluar bashkë me nënën. Zot sa keq jam ndjerë! Motrat e Isajt sapo më panë me uniformën ushtarake ngjyrë kaki, vunë kujën. Ishte një dhimbje familjare që nuk ngushëllohej. Megjithatë në kujtesën e ushtarakëve që e njohën, Isai u vlerësua si ai heroi i rënë për liri. Hysni Mokrari Nuk e di pse më ka dalë nga kujtesa. Ruaj respekt për familjen dhe shoqërinë që kam patur me djemtë e tij Osmanin dhe Lamçen. Fisi Alliu Në këto çaste që dua t’u kushtoj pak reshta, nuk kujtoi ndonjë ngjarje për të shënuar. Cenia me Zeqon dallonin për mirësjellje. Si shumë të tjerë, ishin ca të varfër, por me shpirt të pasur. Tanimë jeta e tyre duhet të ketë marrë për mirë. Pak vite më parë më ka lënë mbresa nipi apo djali i Zeqos, me emrin Laver. Shkonim në këmbë përpjetës nga Propishti në Slatinë me time motër, Miskinën. Deri te përroi i Çekanit na kapi nata dhe motra 80 vjeç u dorëzua. Po vinte një burrë me gruan mbi kalë. Nuk i njihkja e as ata ne. Sakaq zonja i zbriti kalit. “Hajde nënë hypë”, i tha sime motre. Vetë ajo e bëri udhën në këmbë. Çuditërisht nuk na tregoi se vinte nga spitali me infarkt në zemër. Këtë e mësuam kur hymë te im vëlla. Kush tjetër, më saktë askush s’do të luante me jetën e vet për hir të tjetrit, përveçse shpirti mokrar. Kasem Çollaku E lashë në fund, siç lihet embëlsira. Çollakët janë fis i madh me burra të dëgjuar. Fjala vjen thonë se Shaqon nuk e zinte gjumi pa numëruar qypin me flori. Ndër ata zgjodha Kasemin se ruaj plot kujtime. Ai burrë zemër qelibar, i gjatë sa unë sot, është “punëdhënësi” im i parë. Prej tij mësova të ziej raki në punishten e pijeve Propisht. Më shumë se kaq mësova ç’është sinqeriteti, rregulli me të cilën duhej të ecja në jetë dhe ç’ka kërkohej të bëhesha burrë i fjalës së dhënë. Kanë kaluar 58 vite dhe ende s’e njoh njeriun misterioz që shpifi se Kasemi mëkatonte me rakinë e bekuar. Më thirrën në Degën e Brendëshme të Pogradecit. Hetuesi për nga shtati mu duk burrec, ama poç i shëndetshëm. Pyetjen dinake ndoshta e kishte formuluar më parë : “Atë bidonin me ujë që Kasemi ia hedh rakisë, ti shkon e mbush në lumë a në përrua?” Në do të më kishte pyetur ndryshe: “A hani kur shtypni rrush, a pini kur zjeni raki”, do të ndihesha keq. Ndërsa për çka kërkonte të pohoja, le ta themi qëndrova si burrat: “Jo” dhe “jo”. Në fund me vështrim prej djalli, gishtin drejtuar derës së birucës më paralajmëroj: “Çun! Hape gojën i the Kasemit, aty e ke vendin”. Atë natë Kasemi fjeti në punishte. Nuk qe nevoja të hapja gojën se më pyeti vetë: “Hë i mbushe brekët përpara hetuesit?” “Hiç fare, triumfova unë”. E ndjell natën e asaj vjeshte si joshjen më të bukur rinore. Ulur pranë zjarrit prush i kuq, mbi të cilin kazani treqind kilosh gufonte avull aromëdehëse, ai bisedonte me mjeshtrin e rakisë. Sejcili vuante plagën e vet. I pari në shpirt, i dyti fizikisht. Kasemi i mbetur vejan në moshë të re, mjeshtri me një këmbë druri. Ky e kishte yëvendësuar këmbën. Kasemi zor se mund ta zëvendësonte gruan e tij të dashur. Si ai që ka nevojë të çlirohet prej brengave, na rrëfente se e vdekura i shfaqej e gjallë. E buzëqeshur, nur e bukur, erëmirë. Po kur ai zgjaste dortën ta prekte, ajo fikej. “Fli me penxhere hapur, se kushedi ç’bën Zoti”, i thoshte mjeshtri besimtar. Ne me përralla s’mund t’i ngjallim, le t’i kujtojmë. Nën ndikimin e nënës, unë u rrita me shpirtin sunduar nga historitë e grave burrënesha. Mokreshat e vërteta ishin ato që kaluan nëpër zjarrin e Luftës së Parë Botërore degëdisur nëpër Ballkan me foshnjet në gji apo në bark. Të mbijetuarat dhanë provën e dytë gjatë LANÇ. Ndër slatinaket e forta kujtoj gruan e Murat Isufit, së cilës i thoshin muratore. Aq sa trimëreshë gjatë luftës, e persekutuar pas çlirimit. Për hir të kontributit e thirrën në një takim simbolik me ish udhëheqësin e shtabit të përgjithëshëm. Por meqë djemtë partizanë, tanimë i kishte në burg, e zëvendësuan me emër tjetër. Në vitet kur vigjëlonim nën parrullën “Gjithë populli ushtar”, ndodhi që në stërvitje detyra luftarake të keqkuptohej sikur “agresini qe kryer realisht, Pogradeci ishte zaptuar prej forcave sllave. O burra mokrarë e mokresha nisemi ta çlirojmë. Kështu u dha situata kokëtrashë. Gra të moshuara jashtë organikës së çetës vullnetare, me në krye Rushkë Allën, një bijë dëshmori, mbajtën frymën te Ura e Gurit. “Duam armë!”, lështuan kushtrimin. Vetkuptohet se shpirti i femrës për liri e dinjitet vjen së lashti. Prej 100 vite të shkuara ndër Ballinjtë e Senishtit ruhet në kujtesë Emilia kapedane. Nisur nga emri, Emilia duhe të jetë këputur me kujdes në pemën e mollës së kuqe kristiane. Gjithë brezi i nënës sime nuk është më. Pas sakrificave supreme për mëkëmbjen e fëmijëve, për dinjitet e liri, vitet e tyre u zverdhën. Në vjeshtën e mbrame fletët ranë. Jeta u këput. Po pema e gjenezës gjallon. Çdo fis ka pemën e vet: Leka, Mara, Metushi, Isufi, Alliu, Alla, Balliu, Çollaku, Torra, Xhupi, janë nder i familjes, fshatit, Mokrës, kombit. Po Torrat e lumit? Ata ishin viganët e shekullit 19-të. Prandaj po u kushtoj ca faqe më vete...
Posted on: Tue, 15 Oct 2013 10:44:57 +0000

Trending Topics



Recently Viewed Topics




© 2015